TRAJNERI/ Pasi është rikonfirmuar në bankinën dibrane, tekniku Alfred Deliallisi tregon vlerësimet e sezonit.
Agron KAJA

Skuadra e Korabit i ka nisur përgatitjet e saj për sezonin e ri, ku së pari ishte rikonfirmimi i trajnerit Alfred Deliallisi, i cili në sezonin e kaluar u kthye si një “barkë shpëtimi” të skuadrës për mbijetesën në Kategorinë e Parë. Këtë rikonfirmimin tekniku Deliallisi e vlerëson, duke thënë se mirëbesimi dhe respekti nga Presidenti Fehmi Mziu, u shpërblye. “Unë Korabin e morra në një periudhë të vështirë, në muajt mars-prill të sezonit të kaluar. Ishte rrisk për mua dhe karrierën time, sepse në atë situatë që ndodhej skuadra nuk ishte e thjeshtë ta drejtoje. Në ata dy muaj, më shumë ishte punë morali për lojtarët, të cilët thuajse e kishin humbur besimin se do të qëndronin në Kategorinë e Parë. Dhe këtu u punua më shumë për vetbesimin e tyre, u krijua harmonia dhe u arrit bashkëpunimi në fushën e lojës, dhe ky ribesim për mua mbetet një vlerësim për punën, dhe shtim përgjegjësie”, kështu e nisi dje bisedën tekniku Alfred Deliallisi, i cili për gazetën “Telegraf” tregoi për punën aktuale që po bën skuadra, si edhe për fazën përgatitore. “Me Presidentin Fehmi Mziu, të cilin e falenderoj për këtë besim që më dha në drejtimin e skuadrës për sezonin e ri, kemi bërë të gjitha planet. Kisha disa oferta të tjera, por kemi disa mendime të përbashkëta me presidentin Mziu, dhe kjo na bashkoi që të arrijmë një ekip konkurrues. E tashmë nga dita e enjte që kemi nisur këtu në Tiranë, do përgatitemi për dy javë, dhe më pas, për shkak edhe të klimës së mirë dhe për ambientimin me stadiumin, do vazhdojmë përgatitjet në Peshkopi. Është një kohë kjo që na shërben për të ardhur lojtarët në gjëndje të mirë fizike”. Dhe për teknikun Deliallisi, synimet e Korabit për këtë sezon cilët do jenë vëndet e kreut në tabelën e renditjes. Sepse sipas tij, mbijetesa për Korabin e sezonit të ri do të jetë një fjalë e papranueshme. “Synimet e Korabit për sezonin e ri do jenë vëndet e kreut, nuk pranojmë synime të mbijetesës. Jemi të vetëdijshëm për skuadrat e kësaj kategorie, ku në këtë sezon të ri shtohen edhe ish-kampione apo që kanë kaluar ture në Europë. Dhe nisur nga këto skuadra të mëdha në futbollin shqiptar, do jetë konkurrencë e lartë dhe këtë sezon. Unë e shoh Kategorinë e Parë si një “Superioren 2”. Kategoria e Parë me 12 skuadra në përbërje, i shërben financave të skuadrave. Ky është një numur normal, vetëm për financa më të plota”, kështu e mbylli dje bisedën Alfred Deliallisi, trajneri i Korabit për sezonin e ri 2025-2026.
Nga radhët e dibranëve nuk kanë munguar as largimet, ku së fundmi Korabi ka humbur shërbimet e dy mbrojtësve, Xhevahir Paplekaj dhe Keslin Shani.
LEGJIONARËT
Në mes të merkatos, të pasigurtë disa lojtarë të Kombëtares
Aktualisht, disa nga lojtarët e Kombëtares shqiptare ndodhen përballë transferimeve, në pasiguri për të ardhmen. Sepse, disa janë në një pikë kthese në karrierë, ndërsa pak janë ata që do të nisin sezonin e ri në qetësi. Kështu, Elhan Kastrati e sheh veten në një situatë të paqartë pas rënies së Çitadelës në Serinë C, megjithëse mbetet nën kontratë. Lëvizje priten edhe në prapavijë, ku situata është me dritë-hije. Ardian Ismajli nuk dihet ende se ku do ta vijojë karrierën, Berat Gjimshiti ka marrë një ofertë të majme nga Katari, por deri më tani ka refuzuar çdo tundim financiar. Elseid Hysaj, Ivan Balliu dhe Mario Mitaj nuk pritet të lëvizin këtë verë nga klubet e tyre respektive, një faktor ky pozitiv për strukturën mbrojtëse të Kombëtares.
“Çmënduria” e Elbasanit drejt Armando Sadikut
Është normale që në situata të merkatos, verore apo dimrore, të përfliten emra lojtarësh e trajnerësh në skuadra të ndryshme. Madje ka edhe raste që vetëm se janë dëshira të drejtuesve e presidentëve të klubeve, shiten në media si objektiva. Kështu ndodh edhe me sulmuesin Armando Sadiku, i cili e ka mbyllur me FC Goa në Indi. Pas përfundimit të kontratës, pritet të shihet se ku do të jetë e ardhmja e Sadikut, dhe këtu ka dalë në skenë skuadra e vendlindjes së tij, AF Elbasani, ku diskutohet se ai do të jetë verdheblu në sezonin e ri. Ndoshta që këtë javë.
Asllani titullar, por Interi e ka në planet e merkatos
Në Botërorin e Klubeve që po zhvillohet në USA, Kristjan Asllani ka luajtur titullar me Interin në tre ndeshjet e para të grupit E, ku zikaltrit u renditën në vëndin e parë me 7 pikë. Mesfushori i Kombëtares tashmë ka treguar sa vlen në mungesë të turkut Çalhanogllu, sepse ai nuk ka udhëtuar në këtë turne, pasi ka pësuar një lëndim të ri muskulor në pulpën e djathtë, në një zonë të ndryshme nga ajo që dëmtoi në finalen e Ligës së Kampioneve, pothuajse një muaj më parë. Prandaj, duke pasur parasysh frekuencën e lëndimeve, gjashtë gjatë sezonit të kaluar, stafi mjekësor ka vendosur që t’i japë pushim si masë paraprake, dhe në qëndër të mesfushës Kivu ka preferuar Asllanin. Por edhe pse kështu, “sirenat” janë se mesfushori kuqezi është në merkaton zikaltër të kësaj vere.
Iliria kthen brazilianin Arrabal dhe merr dy ganezë
Skuadra e Ilirisë së Fushë Krujës, momentalisht është klubi më aktiv në merkaton e verës në Kategorinë e Parë. Dje janë zyrtarizuar tre afrime të reja, ku kanë marrë brazilianin Bruno Arrabal dhe dy ganezë, duke iu bashkuar grupit të lojtarëve që do të jenë pjesë e kësaj kategorie nën drejtimin e trajnerit Dritan Smajli. Nga klubi fushëkrujas dje u zyrtarizua edhe data e nisjes së përgatitjeve për fazën përgatitore, e cila do të nisë më 30 qershor 2025.
Skënderbeu hidhet në sulm, përforcohet me një ganez


Baba Hamadu Musa do të jetë lojtar i Skënderbeut, pasi ai ka firmosur kontratë tre vjeçare me korçarët. Janë mediat afrikane ato që e prezantojnë si goditjen e Skënderbeut në merkaton e verës, i cili së shpejti pritet në Korçë. Kështu, 23-vjeçari e ka pranuar ofertën e klubit korçar, duke u dakordësuar si pjesë e Skënderbeut deri në verën e vitit 2028. Arritjet më të mira Musa i pati në sezonin 2022-2023 ku shënoi 20 gola për FC Skyy në Ligën e Dytë të Ganës. Ky transferim i tij te Skëknderbeu, konsiderohet i mbyllur nga faqja. “Transfermarkt”. Vlera e kartonit të Baba Hamadu Musa është 150 mijë euro, ndërkohë që skuadra korçare ka nisur përgatitjet për sezonin e ri në Kategorinë e Parë.