Ahmet Shqarri/ Futbolli europian, nën hijen amerikane!

623
Po i titulloj kështu këto mbresa udhëtimi të përjetuara gjatë kësaj periudhe nëpër Amerikë e Kanada, ndërsa në Evropë po zhvilloheshin ndeshjet finale të Evropianit të Futbollit “Francë 2016”, sepse ndryshe nga ne të Kontinentit të Vjetër, që futbollin e konsiderojmë si një fe, duke e propaganduar e pasqyruar në mënyrën më të bujshme të mundur (çka e kam provuar personalisht gjatë karrierës sime të gjatë gazetareske kur kam komentuar e transmetuar aktivitete të këtij lloji), përkundrazi përtej Atlantikut, në ShBA e Kanada, deri larg, buzë Paqësorit, jehona e këtij sporti vjen pothuajse fare e zbehtë. Futbolli këtu vërtet duket si i lënë në hije ndaj “futbollit amerikan”, NBA-së, hockeit mbi akull, golfit, dhe sporteve të tjerë krejt origjinalë, që këtyre anëve të largëta të botës pushtojnë për çdo ditë të vitit faqet e gazetave apo ekranet e televizioneve. 

Edhe pse futbolli i vërtetë, ai që këto ditë në Francë mbylli një faqe shumë të bukur të historisë së tij, po përhapet gjithnjë e më shumë në ShBA, madje duke i ofruar kësaj loje shumë yje të futbollit cilësor, siç ndodhte dikur me Pelen apo Bejkenbauerin, si edhe me të tjerë të ditëve tona, si Beckham, Kaká, Henri, Xherard, Pirlo…e të tjerë, megjithatë, ai ende vazhdon të mbetet në hije në tërë kuptimin e plotë të fjalës! Nuk mund të them se vëzhgova e bëra sondazhe për ta provuar këtë, duke i rënë rreth e qark Amerikës apo Kanadasë, por në mjediset që kam mundur të shkel e të takohem me miq e shokë të këtyre anëve, më duhej të bëja shumë përpjekje që të mund të merrja ndonjë mendim apo përshtypje prej tyre rreth ndeshjeve finale të “Francë 2016”… Edhe pse i gjendur në këtë “shkretëtirë futbolli”, megjithatë e gjeja mundësinë për t’iu gëzuar finaleve evropiane të futbollit “Francë 2016” ku gjithsesi, fundi i tyre i lumtur nuk i takoi vendit organizator por Portugalisë. Sepse ky është futbolli i vërtetë, me kapriçot e të papriturat e tij, si në rastin e Francës që nuk fitoi në fushën e saj në Paris, por ishte Portugalia ajo që triumfoi larg çdo parashikimi, dhe që 14 vite më parë, do të humbte edhe ajo një finale të tillë në stadiumin e saj në Lisbonë! 
Ishte një përjetim i veçantë ai i fundkorrikut të kaluar kur me time shoqe, ndërsa përkujtonim 40- vjetorin e martesës larg në veri të ShBA-së nën zhurmërimën e ujëvarave të Niagarave dhe pamjeve fantastike e të papërsëritshme, nuk e mendonim se pas një viti, në tokën përballë, në Kanada, do të shkonim për të kaluar rreth dy javë pushime të këndshme….Thuajse të gjitha vizitat në këtë dekadë të fundit në ShBA na kanë përkuar me periudhën e verës. Ardhja këtë herë këtu kishte të bënte edhe me rastin e veçantë të vajzës sonë Marsit që, bashkë me bashkëshortin e saj AndI, gjatë korrikut të këtij viti prisnin lindjen e fëmijës së tyre të parë. 
Ndërkohë, derisa të vinte kjo ditë e shënuar, gjetëm rastin të bënim një vizitë në Vancouver të Kanadasë. Ishte një ftesë e familjes Daci, e Sokolit, vëllait të sime shoqeje, dhe bashkëshortes së tij, Mimoza, të cilët jetojnë atje prej mbi 15 vjetësh. Nga ai qytet relativisht i vogël prej 300,000 banorësh, siç është Grand Rapids, i shtrirë mes Çhicago-s dhe Detroit-it, pranë liqenit të madh të Miçiganit, Vancouver-i ku qëndruam prej 10 ditësh kishte një ndryshim thelbësor për sa i përket hapësirave dhe dendësisë së banorëve dhe veçanërisht infrastrukturës së tij moderne, ku binin në sy sidomos grataçielat si ato të Manhatanit, në Nju Jork. Nga aeroporti, deri në New Westminster, një qytet “satelitor” i Vancouverit, ashtu si Burnaby, Surrey, Coquitlam, North Vancouver, etj., buzë lumit Frazer, ndiheshe mjaft mirë kur shihje atë bukuri, pastërti, dhe qetësi që mbretëronte aty, pavarësisht se jeta ziente si kudo nga puna dhe veprimtaritë e tjera të përditshme. New Westminster është qyteti prej nga ku ka gjenezën qytetërimi i British Columbia. Për këtë më shërbeu edhe një fakt interesant nga fusha e sportit, kur në hollin e Bashkisë, pashë të ekspozuara ndër të tjera, edhe foton e hershme të ekipit përfaqësues të këtij qyteti në hokei për femra, që datonte prej 1914-s, kohë kur në Shqipëri mbretëronte ”viti i mbrapshtë” që aq mjeshtërisht e përshkruan Kadareja i madh në veprën e tij monumentale. 
 Nga shëtitorja prej disa kilometrash, buzë lumit Frazer, hijeshuar e zbukuruar nga pemët dhe lulet e shumëllojshme, sikur të ishte në një kopsht të pasur botanik, binin në sy anije dhe mjete të ndryshme lundrimi që nuk pushonin së transportuari ditë e natë mallra të shumta, sidomos lëndë drusore, që Kanadaje dhe Amerika në përgjithësi, i kanë nga pasuritë e tyre më të çmuara. Aty në një vend, bri shëtitores, ishte vendosur dhe busti i Simon Frazer-it, njeriu nga i cili kish marrë emrin edhe lumi, për shkak se ai ishte një nga zbuluesit dhe krijuesit e parë të asaj pjese të territorit, që më vonë do të përbënte edhe bërthamën e qytetërimit, i cili më pas do të quhej “British Columbia” që ka si metropol Vancouverin dhe Victoria-n si kryeqytet. Në fakt, Vancouver-i ishte një mrekulli në kuptimin më të plotë të fjalës. Jo vetëm për harmonizimin e ndërtesave luksoze, duke filluar nga stili karakteristik anglez e deri te gradacielat marramendëse, por sidomos, me ato parqe të shumtë e shëtitore buzë paqësorit, të cilët e rrethonin gati si një gadishull magjepsës. Përballë Stanley Parkut, pamja e Vancouver-it është thjesht fantastike. Për të mos folur për vendet e tjera po aq piktoreske e gati të pakrahasueshme si White Rock, Spanish Bank, apo kodrat e pjesës veriore të tij, ku nga veranda e shtëpisë së dibranit Rexhep Zebi ngjante si kartolinë dhe të dukej sikur downtownin e Vancouver-it e kishe në pëllëmbë të dorës. Ishte pikërisht Rexhep Zebi, i njohur si specialist atletike në Shqipëri, që tani këtu drejtonte një palestër, i cili së bashku me të shoqen Zyranë, na ofruan dy ditë pushimi në Whistler, vendi ku u organizuan në 2010 Lojërat Olimpike Dimërore. Në Whistler pamë një qytet të vërtetë turistik, mbushur me njerëz thuajse nga të gjitha vendet e botës, që argëtoheshin me aktivitete të shumëllojshme e tepër tërheqëse sportive, të zhvilluara në terrenet e atij vendi të mrekullueshëm, mes maleve, pyjeve e liqeneve të shumtë, gati 150 km larg Vancouver-it. Kishte burra, gra e fëmijë, shumica me biçikleta që ngjiteshin e zbrisnin mes shtigjeve malore, të tjerë me kuaj nëpër livadhe apo buzë lumenjve e liqeneve, disa me varka a disa me kanoe, apo edhe me makina të tipit Rally, e më të guximshmit që ngjiteshin me teleferikë gjigandë nëpër malet me borë nga ku gjenin mundësi, edhe në ato ditë vere të bënin ski.
Ishin ditë të paharruara
Ishin ditë të paharruara të kaluara mes miqve e të afërmve, ndër të cilët Sokoli me Mozën dhe të birin e tyre të rritur Ermalin, i cili pas 5 a 6 ditësh qëndrimi me në, u nis për në Meksikë ku, së bashku me një grup shokësh kishin dalë vullnetarë për të ndërtuar dy shkolla në një zonë të varfër. Në gjithë ato mbresa sa të bukura dhe të paharrueshme nga Vancounver-i dhe rrethinat e tij, dua të veçoj edhe ndeshjet e Evropianit të Futbollit “Francë 2016”, njërën prej të cilave e pashë nën shoqërinë e dirigjentit tonë të njohur Bujar Llapaj, që prej vitesh jeton e punon aty. Tashmë emocionet e ndeshjeve të ekipit tonë kombëtar kishin kaluar që kur u largua andej pas fitores me Rumaninë dhe ajo që diskutonim mes shqiptarësh atje ishte niveli i paraqitur në këtë evropian nga skuadrat e ndryshme. Ndër të tjera, prej dirigjentit Bujar Llapaj mësova se në ditët e para të shtatorit të këtij viti ai do të drejtonte një koncert në Romë me rastin e shugurimit të Nënë Terezës ku do të marrin pjesë disa nga yjet më të ndritur shqiptarë të skenave të njohura botërore operistike, si Inva Mula, Ermonela Jaho, Saimir Pirgu e deri te Rita Ora, nën shoqërinë e Orkestrës Filarmonike të Prishtinës. Me shaka, por duke pohuar edhe një të vërtetë, i thashë se me këtë që po bënte, ai mund të futej në Librin Guinness, sepse ndoshta ishte i pari dirigjent që drejtonte një koncert me gjithë këto yje së bashku!…
Pas qëndrimit në Kanada, morëm avionin e kthimit për në ShBA, po nëpërmjet kompanisë ajrore amerikane Delta, duke kaluar përmes St. Paul në Minnesota, për në Grand Rapids, ku vazhdojmë të kalojmë pushimet. Një qytet jo i bujshëm, por me shumë hapësirë e gjelbërim të pafund, Grand Rapids, njihet në gjithë Amerikën jo vetëm për industrinë e drurit, por edhe për personalitetet e tij të shquara në fusha të ndryshme, si ish Presidenti amerikan General Ford, emrin e të cilit e mban aeroporti i qytetit, arkitekti i famshëm Frank Lloyd Wright, por edhe për kampionin e botës për peshat e rënda në boks, Lloyd Mayweather…. 
Sigal