Agron KAJA/Skënderbeu nuk shkëlqeu, goli “kërnackë” e papjekur!

OPINION/ Edhe pse eliminuan skuadrën azerbaixhanase të Nefçit, korçarët nuk dhanë më të mirën e tyre

Në hapësirën evropiane të futbollit të kësaj vere, natyrisht që futbolli shqiptar është duke u përfaqësuar me dinjitet e seriozitet të madh nga dy skuadra: Skënderbeu në Ligën e Kampionëve dhe Kukësi në Europa Ligë. Kampionët e Shqipërisë me meritë e kanë kaluar Turin e Dytë, madje duke eliminuar një skuadër të mirëorganizuar e të mirëpaguar, por jo një skuadër që paraqiti një futboll të madh. Nisur nga ky këndvështrim, Skënderbeut jo se i hiqen meritat e fitores po të thuhet se nuk shkëlqeu në këtë përballje, por kjo fitore duhet parë edhe në këndvështrimin e futbollit që prodhoi skuadra korçare në raport me kundërshtarin që kishte përballë në fushën e lojës. Në të gjitha mediat sportive e jo sportive, ditën e mërkurë skuadra e Skënderbeut kishte marrë një vëmendje e interes të madh, e kjo është mëse normale që të evidentosh një fitore në këtë kompeticion të madh siç është Liga e Kampioneve. Por, të pakta ishin ato media vizive apo të shkruara që i dhanë skuadrës korçare edhe një “kërnackë” si vërejtje, sepse aty kishte shumë për të thënë. P.sh, në këtë ndeshje Skënderbeut iu krijuan mundësi të shumta shënimi që rezultatin ta çonte edhe në 3 apo 4 me 0, por që nuk e bëri. Raste të pastra për të shënuar gol humbën edhe Morina e Tomiç, ndërkohë që vetëm Shkëmbi bëri një diferencë në organizim e në goditjen e portës kundërshtare. Dhe që ta kalosh në një analizë të shpejtë këtë dukuri, natyrisht që skuadrën korçare e ndihmon për ndeshjen e radhës në Turin e Tretë me skuadrën nga Kazakistani, Shahtjor Karaganda. Çdo tur i kaluar, përveçse është një meritë, njëherësh është edhe një vështirësi më shumë për çdo skuadër dhe nga analiza e shpejtë që mund të ishte bërë në çdo media, në rastin konkret u pa qartë se Skënderbeu kishte mangësi në vijën sulmuese. Me një Pejiç jashtë forme, skuadra korçare rrezikoi edhe eliminimin, sepse rastet e humbura prej tij i dhanë kundërshtarit më shumë hapësirë loje, njëherësh edhe raste shënimi. Kështu, nëse do të shikonim këtë ndeshje në tre kohë: pjesa e parë, pjesa e dytë dhe dy shtesat, duhet thënë se në pjesën e parë skuadra korçare dukej si e “përçarë” në repartet e saj në fushën e lojës, ndoshta kishte e konsideroi këtë fragment loje si një 45-minutësh studimi të kundërshtarit. Këtu ethet e pësimit të golit ishin të pranishme, por që duhen falënderuar më shumë kundërshtarët për forcën e dobët goditëse e pasaktësitë e tyre në finalizimin e aksioneve, si edhe mbrojtjen e kujdesshme të Skënderbeut. Në pjesën e dytë niveli i lojës u ngrit, e për pasojë u krijuan shumë raste shënimi, por këtu u bë dallimi mes lojës e konkretizimit. Në këtë fragment të lojës, në fundin e saj, ndoshta na ndihmoi edhe gjyqtari polak Gil, me kartonin e kuq që i dha mbrojtësit Miteski të Neftçit. Kjo mund të quhej edhe një “dhuratë” për 30 minutat e shtesës, sepse një forcë më shumë në fushën e lojës është një superioritet fizik dhe psikologjik për çdo skuadër. Kjo situatë i dha më shumë epërsi territoriale Skënderbeut, por që gabimet e tij në finalizimin e aksioneve rritën edhe më shumë adrenalinën e pësimit të golit nga kundërshtari. Ka një ligj në futboll që po nuk shënove do ta pësosh, por që Skënderbeu ishte me fat që ky ligj i pashkruar, por që materializohet në fushën e lojës, nuk i ndëshkoi ata por kundërshtarët e tyre. Goli i Orelesit në minutën e 112-të të lojës nuk ishte super apo spektakël, por se i ndihmuar edhe nga devijimi i mbrojtjes, ky gol ishte normal që erdhi si një dhuratë në atë minutë loje. Pra, takimi Skënderbeu_Neftçi 1-0, parë në këtë këndvështrim, përballi dy skuadra që nuk prodhuan nivel mbi mesatar në lojën e tyre. Tashmë për korçarët ka një tjetër përballje në këtë kompeticion kundër kampiones së Kazakistanit, të cilët nga ana e tyre kanë eliminuar një skuadër të fortë, bjellorusët e BATE Borisov, skuadër që në sezonin e kaluar të Ligës së Kampioneve kaloi në fazën e ndeshjeve në grupe. Dhe Skënderbeut do ti thoshim urime për kualifikimin në Turin e Tretë, por në këtë tur kujdes me golin. Goli është synimi në çdo lojë futbolli, e këtë skuadra korçare duhet që ta vlerësojë më shumë në ndeshjet e tjera, sepse edhe nëse eliminohet në Turin e Tretë të Ligës së Kampioneve me Shahtjor Karaganda, formula e re e UEFA-s e çon në ndeshjet play-off të Europa Ligë.

NOA

Partizani nis fazën përgatitore në Greqi

Partizani nisi fazën përgatitore në Greqi. Skuadra e kuqe u nis dje nga Tirana, për t’u sistemuar në Grevena të Greqisë, një qytezë që ndodhet rreth 50 km nga kufiri shqiptar. 15 herë kampionët e Shqipërisë do të qëndrojnë dy javë, përpara se formacioni i Hasan Likës të marrë pjesë në një turne miqësor në Itali. Partizani po përgatitet seriozisht për të përballuar sezonin e ri të Kategorisë Superiore, kompeticion në të cilin u rikthyen pas katër sezonesh. Takimin e parë në Superligë e ka me Kastriotin në Krujë.

Pas 26 vjetesh një ekip shqiptar kalon dy ture në Europë, qysh nga koha e Flamurtarit në vitin 1987

  Një Kukës madhështor kundër Sarajëvës

Kukësi vazhdon ëndrrën e tij europiane, duke u bërë ekipi i parë shqiptar që kalin dy ture eliminatore në Europë, pas Flamurtarit të vitit 1987, që eliminoi Vismutenn dhe Partizanin e Beogradit. Nënkampionët e Shqipëria eliminuan Sarajevon, pas një qëndrese heroike prej më shumë se 98 minutash, duke e mbyllur takimin e kthimit në një barazim pa gola dhe u kualifikuar me rezultatin e përgjithshëm 3-2, pasi ndeshjen e parë në “Qemal Stafa” e kishte fituar me këtë rezultat. Në turin e parë, Kukësi, i cili bëri debutimin e tij historik në Europë eliminoi estonezët e Flora Talinit, pas dy barazimeve 1-1 dhe 0-0. I gjithë ekipi tregoi klas në lojë, sidomos atë taktike, por heroi i mbrëmjes ishte portieri Argent Halilaj, i cili priti një penallti në minutën e 68-të. Në turin e tretë të Ligës së Europës, Kukësi do të përballet me ukrainasit e Metalurg Donetskut. Kronika e ndeshjes ishte e pasur me raste për Sarajevon, por fituesi i madh ishte Kukësi dhe kaq mjafton. Në minutën e 56-të, Sarajevo ishte shumë afër golit, kur për pak mbrojtësi Roland Peqini shkaktoi një autogol, por fati ishte me Kukësin, pasi topi u përplas në shtyllën e majtë të portës së mbrojtur nga Argent Halilaj dhe u rikthye sërish në lojë. Në minutën e 68-të, Sarajevo humbi penallti. Julian Brahja ndalon ne mënyrë të gabuar Sunjevariçin dhe kryesori akordoi 11-metërsh. Goditi nga pika e bardhe Melunoviç, por pret mrekullisht Argent Halilaj. Arbitri dha pesë minuta shtesë, madje u luajt edhe një e gjashtë por rezultati i bardhë nuk u prish. Kështu, Shqipëria ka dy ekipe në turet e treta të dy kompeticioneve europiane, pasi dhe Skënderbeu eliminoi Neftçin në Ligën e Kampioneve.

TË TJERËT –  Nga ekipet ku aktivizohen legjionarët shqiptarë, Karabaku (Azerbajxhan), ku luajnë Admir Teli dhe Ansi Agolli, barazoi 2-2 me Piast Glivice (Poloni) duke e eliminuar me rezultatin e përgjithshëm 4-3. 90 minuta për Telin (karton i verdhë) dhe Agollin. Slask Vroklau (Poloni) ku luan Sebino Plaku eliminoi Rudarin (Mali i Zi), pas barazimit 2-2, ndërkohë që rezultati i përgjithshëm shkoi në 6-2 për ekipin e sulmuesit shqiptar. Plaku hyri në lojë nga minuta e 46-të. Çernomorets Odesa (Ukrainë) i Elis Bakajt dhe Kristi Vangjelit humbi 2-1 me Daçia Kishinaun (Moldavi), por u kualifikua me rezultatin e e përgjithshëm 3-2. Bakaj luajti nga minuta e 46-të, ndërsa Kristi Vangjeli qëndroi në stol. Daçia eliminoi Teutën tonë në raundin e parë. I bujshëm është në këtë tur kualifikimi i Differdanzhit, ekipi nga Luksemburgu që eliminoi Laçin në turin e parë nxori jashtë loje Utrehtin e Holandës.