KËNDVËSHTRIM/ Në institucionin mediatik shtetëror kanë “flirtuar delegatë” nga TV private
Ndryshimet që kanë filluar të ndjehen në vendin tonë pas marrjes së pushtetit nga koalicioni i majtë, i cili fitoi të drejtën e qeverisjes më 23 qershor, natyrisht që nuk do të qëndrojnë pasivë edhe në aspektin mediatik, kryesisht në atë kombëtar. Në këtë rast, fjala është për RTSH-në, prej vitesh një impiant mediatik në të cilin janë ngjitur dhjetëra e dhjetëra figura të nderuara të gazetarisë shqiptare, por që fatkeqësisht aty kanë provuar të ngjiten edhe njerëz të cilët kanë qenë “kundër rrymës”, pra në kahun e kundërt të misionit që ka në themel RTSH-ja. Dhe ky mision ka qenë në radhë të parë informimi, më pas argëtimi dhe edukimi i shikuesve të tij për të gjitha grupmoshat e shoqërisë shqiptare. Por, këta lloj gazetarësh që flirtuan si të deleguar nga televizione të tjera private në TVSH ku prej aty kanë marrë nga dy apo tre paga mujore, e shtrembëruan misionin për interesat e tyre private e partiake. Në letra, ky RTSH që mbahet gjallë nga taksapaguesit shqiptarë, tradicionalisht ndër vite është përdorur më shumë për qëllime politike, dhe më pak në shërbim të atyre që u vjen fatura vjetore në sportelet e CEZ-it! Natyrisht që për këtë konstatim disavjeçar nuk duhet menduar se është faji ai atyre punonjësve që në këtë institucion mediatik kombëtar të rëndësishëm kanë punuar me thjeshtësi, 8 orë punë në ditë e 2 ditë pushime në javë dhe që nga duart e mendjet e tyre kanë dalë “prodhime jetëgjata”, por për ata të quajtur “ambasadorë” nga televizionet e tjera private. Janë këta militantë që në TVSH kanë bërë karrierë personale pa i shërbyer aspak misionit të tij në tërësi, ku në ato pak emisione që kanë transmetuar, kryesisht në tetë vitet e fundit, çelja e mbyllja e tyre është bërë në emër të partisë në pushtet. Kësisoj, këta misionarë e kanë lënë profesionalisht në “pit-stop” RTSHnë dhe shërbimi i tyre ka qenë efektiv vetëm për fuqizimin e televizioneve privatë që i emëruan në këtë institucion shtetëror mediatik. I fryrë në organikë dhe me shumë militantë partiakë, në RTSH gjatë viteve të fundit fatura financiare ka pasur vetëm ngjitje, aq sa të “vegjlit” që punojnë aty thonë se kanë frikë se mos u ndodh si në Greqi, ku televizioni shtetëror u mbyll pikërisht për faturën e lartë financiare që i kushtonte taksapaguesve e shtetit të tyre. Larg qoftë nëse do të ndodhë kështu, por çudi nuk mund të jetë! Gjithsesi, më parë se të rikolaudohet ky institucion mediatik kombëtar për këtë situatë, veç ndryshimeve që janë të domosdoshëm, ndoshta do të duhet edhe një llogaridhënie nga maja e deri në bisht, e atyre që e lanë në këtë derexhe RTSH-në. Për ata njerëz që kanë ndopak sedër njerëzore e profesionale, kjo llogaridhënie duhet kapur në themel. Nga ana tjetër, nuk mund të mohohet edhe një fakt, se aty janë bërë edhe ndryshime, më shumë në hapësirën sportive me ndeshje e evenimente që qytetarët e thjeshtë nuk kanë pasur mundësi ti shohin ato në televizionet e tjera me pagesë, kryesisht në ndeshjet e Kombëtares sonë të futbollit. Por kaq nuk është shumë për një shtet mediatik siç është RTSH-ja shqiptare, pasi nuk është e tëra që duhet të bëhej. Kësisoj, koha e rilindjes duhet të ndjehet edhe në këtë institucion, që deri tani duket sikur qeverisë së re nuk i ka hyrë shumë në punë, ndoshta ka parë edhe ndryshimin e kursit që kanë bërë muajin e fundit disa gazetarë në emisionet e tyre (ndryshim servilësh!). Por, natyrisht që mazhoranca e sotme nuk e ka zhdukur nga kujtesa atë denigrim të madh që ky televizion me drejtuesit e gazetarët e tij i ka bërë si opozitë e djeshme, dhe këtu qëndron më shumë kërkesa për kolaudim, për ta nxjerrë nga ai pit-stop në të cilin kjo RTSH është futur në vitet e fundit. Se nuk është fjala për hakmarrje politike, sepse ky është një nocion i shekujve të kaluar, por për një ndryshim profesional që më shumë t’u shërbejë atyre që e mbajnë në këmbë, taksapaguesve shqiptarë. Modele ndryshimi ka dhe patjetër që ato do të fillojnë nga drejtimi e menaxhimi parlamentar i tij, jo më nën sqetullën e qeverisë. Në interes të shëndoshjes së gjendjes, “merkatua” për ndryshim dhe vetë konkurrenca në tregun e ashpër mediatik që ekziston në Shqipëri, do të kërkojnë përmirësimin rrënjësor të këtij institucioni jo me delegatë politikë. Nuk duhet që RTSH-ja të na e shpifë akoma me ato emisionet amatore në ekran, se nuk është koha që të shohim akoma në këtë ekran shtetëror, gazetarë të afërm politikanësh e qeveritarësh që drejtojnë njëherësh dy emisione, pse jo, nuk duhet të shohim e të dëgjojmë më gazetarë të afërm mes tyre e me të njëjtin mbiemër që të drejtojnë emisione e departamente në këtë televizion, njëherësh edhe në media të tjera audiovizive. Këto e të tjera mangësi e lanë RTSH-në në pit-stop profesional e funskional, por shpresa është edhe tek një fakt. Qeveria e drejtuar nga Edi Rama ka për këshilltar ish-Kryeminsitrin britanik Toni Bler, dhe ky fakt ndoshta na bën të mendojmë se së shpejti do të kemi një RTSH të orientuar tek niveli i BBC-së. Nëse pretendohet një rilindje mediatike, koha erdhi. Bujrum!
Somario
Qeveria e drejtuar nga Edi Rama ka për këshilltar ish-Kryeministrin britanik Toni Bler, dhe ky fakt ndoshta na bën të mendojmë se së shpejti do të kemi një RTSH të orientuar tek niveli i BBC-së
Paketa e plotë e kontratës për De Biazin dhe stafin e tij kap shifrën e 700 000 eurove, përfshirë edhe shpenzimet e udhëtimeve
Rinovon Xhani De Biazi, në stol deri në Euro 2016
Edhe pse u duk se e ardhmja e Xhani De Biazit në bankinën shqiptare ishte paksa në dyshim , italiani do të vazhdojë të jetë trajner i Shqipërisë edhe për dy vjet të tjerë. Përfundon pozitivisht “telenovela” e teknikut të dytë italian në stolin e Kombëtares shqitpare, pas Xhuzepe Dosënës (korrik-tetor 2002). De Biazi do të udhëheqë Shqipërinë në në eleminatoret e Europianit të vitit 2016. Prej ditësh pritej që kjo të ndodhte, ndërsa zyrtarizimi ka ardhur vetëm sot, fillimisht nga ana e presidentit të FSHF-së, Armand Duka, dhe më pas nga vetë trajneri në linjë telefonike. Nënshkrimi I kontratës para mediave do të bëhet këtë të mërkurë në Tiranë. Nuk flitet zyrtarisht për shifra, ndonëse flitet që paketa e plotë për De Biazin dhe stafin e tij kap shifrën e 700 000 eurove, duke përfshirë edhe shpenzimet e udhëtimeve. De Biazi deklaron se nuk ka asnjë objektiv për t’u kualifikuar për në finalet e Euro 2016-ës, ndonëse ai thekson se duhet bërë maksimumi për t’ia arritur kësaj. Kombëtarja e drejtuar nga De Biazi doli e parafundit në grupin eleminator të Botërorit 2014, me 11 pikë pas 10 ndeshjeve. Kampionatit Europian “Francë 2016”, i pari që do të zhvillohet me formatin e 24 skuadrave finaliste, nga 53 federata të kontinentin europian që aderojnë në UEFA. Italiani bëhet kështu, trajneri i tretë i huaj në “epokën Duka”, që do ta drejtojë ekipin dy fushata kualifikuese, pas gjermanit Hans-Petër Brigel (Euro 2004/ Botërori 2016) dhe Josip Kuzhes (Botërori 2010/Euro 2012). Ishte vetë trajneri italian ai që u dha fund dilemave në lidhje me emrin e “komisarit teknik” të përfaqësueses sonë në futboll në fushatën eliminatore të Europianit 2016. De Biazi do ta vijojë punën e nisur rreth 2 vite më parë, kur mori stafetën e të ndjerit Josip Kuzhe, kroatit pararendës të tij në krye të kombëtares shqiptare. Trajneri 57-vjecar, që i drejtoi kuqezinjtë gjatë fushatës eliminatore për Botërorin “Brazil 2014”, grumbulloi në total 11 pikë në 10 ndeshje, pati një pjesë të parë kualifikueses mjaft pozitive, aq sa u bë shumë i dashur për tifozët kuqezinj, të cilët shpesh kishin kërkuar rinovimin e tij, ndërsa në pjesën e dytë të edicionit në fjalë iu nënshtrua “rënies së lirë”, së bashku me skuadrën që drejtonte. Në total, përfshi edhe takimet miqësore, italiani i ka udhëhequr kuqezinjtë në 18 ndeshje, duke regjistruar 7 fitore, 4 barazime dhe 7 humbje, me një golavarazh 20-17. Në dhjetët ndeshjet zyrtare, Shqipëria koleksionoi 3 fitore, 2 barazime e 5 humbje, duke grumbulluar 11 pikë nga 30 të mundshmet, ose e shprehur në përqindje, vetëm 36.6 për qind të pikëve. Në tetë ndeshjet miqësore, ai duke pasur këtë bilanc: 4 fitore (me Katarin, Iranin, Lituaninë dhe Armeninë), dy barazime (me Moldavinë dhe Kamerunin) si dhe dy humbje me (të dyja me Gjeorgjinë). Duke i parë ndeshjet një nga një, Shqipëria ka fituar tri nga dhjetë ndeshjet: me Qipron (3-1), Slloveninë (1-0) dhe Norvegjinë (1-0). Kombëtarja jonë barazoi 1-1 me Norvegjinë dhe 0-0 me Qipron. Përsa u përket humbjeve, Shqipëria dështoi në pesë takime: me Zvicrën 2 herë (2-0, 2-1); Islandën 2 herë (2-1, 2-1) dhe me Slloveninë (1-0). Kombëtarja jonë shënoi nëntë gola: 0.9 gola për ndeshje, ndërsa pësoi dy më shumë, 11 (1.1 gola për ndeshje). Nëntë golat e Shqipërisë mbajnë firmat e Edgar Çanit (2), Hamdi Salihit (2), Valdet Ramës (2), Erjon Bogdanit (1), Odise Roshit (1) dhe Armando Sadikut (1). Duke i parë ndeshjet e trajnerëve të huaj, Xhuzepe Dosena e drejtoi Shqipërinë në 2 ndeshje; Hans-Peter Brigel (31), Oto Bariç (15); Ari Han (10); Josip Kuzhe (24) dhe Xhani De Biazi (18). Në fakt, De Biazi e mori kombëtaren në një moment delikat të ndërrimit të brezave, në kohën kur largoheshin shtylla të tilla kuqezi si Altin Lala, Ervin Skela apo edhe Klodian Duro, ndaj iu desh të eksplorojë shumë nëpër vende të tjera, ku luanin futbollistë me origjinë shqiptare. Pikasi dhe afroi lojtarë nga Zvicra si Abrashi, Kukeli, Gashi, Lenjani dhe Vullnet Basha, ndërkohë që në epokën e drejtimit të tij iu bashkuan kombëtares edhe Berisha, Migjen Basha, Hysaj, Meha, Gjasula, Kace, Rama, Cani, Mehmeti, Sadiku etj. Pra, një revolucion i vërtetë kuqezi, që duket se ka rritur konkurrencën në ekip, por nuk dha rezultatet e pritshme në eliminatoret e Botërorit 2014.
NDESHJET E DE BIAZIT
DJETË ZYRTARET
Shqipëri-Qipro 3-1
Zvicër-Shqipëri 2-0
Shqipëri-Islandë 1-2
Shqipëri-Slloveni 1-0
Norvegji-Shqipëri 0-1
Shqipëri-Norvegji 1-1
Slloveni-Shqipëri 1-0
Islandë-Shqipëri 2-1
Shqipëri-Zvicër 1-2
Qipro-Shqipëri 0-0
Bilanci: 10 ndeshje; 3 fitore, 2 barazime, 5 humbje
TETË MIQËSORET
Gjeorgji-Shqipëri 2-1
Katar-Shqipëri 1-2
Iran-Shqipëri 0-1
Shqipëri-Moldavi 0-0
Kamerun-Shqipëri 0-0
Shqipëri-Gjeorgji 1-2
Shqipëri-Lituani 4-1
Shqipëri-Armeni 2-0
Bilanci: 8 ndeshje; 4 fitore, 2 barazime, 2 humbje
Totali: 18 ndeshje; 7 fitore, 2 barazime, 7 humbje
Kontrata firmoset të mërkurën në Milano
Presidenti i Federatës, Armand Duka, bëri se rinovimi i kontratës me De Biazin të firmoset të mërkurën në Milano, në Itali. Duka tha se ka kërkuar kualifikimin për në finalet e “Euro 2016”, ndërkohë që sipas De Biaizt një pikë e tillë nuk ekziston në kontratë. “Nuk ka asnjë objektiv të shkruar në kontratë për kualifikim në evropianin Francë 2016. Është vetëm dëshira dhe shpresa për të bërë mirë, sepse së bashku, të dyja palët, si unë dhe federata duam të bëjmë më të mirën e mundshme. Urojmë dhe shpresojmë të gjithë për t’u kualifikuar, por përderisa kualifikimi nuk është diçka e thjeshtë, nuk duhet të themi fjalë në ajër, sepse ato mund të dëmtojnë ekipin”, thotë De Biazi. Trajneri ka shtuar se është i kënaqur me arritjen e marrëveshjes dhe se kjo ishte dëshira e të dyja palëve. “Ishte dëshira e të dyja palëve për të vazhduar bashkëpunimin. Edhe në momentin kur kisha oferta dhe opsione të tjera kam deklaruar se dëshiroja të vazhdoja me Shqipërinë”, thotë trajneri, i cili refuzon të konfirmojë nëse ka pasur një rritje 10 për qind në të ardhurat e tij financiare: “Termat ekonomikë janë një çështje private e imja dhe e federatës”.
U-17 Shqipëri-Bjellorusi 2-1
Shqipëria U-21 fitoi 2-1 me Bjellorusiënë. Golat u shënuan nga Ardit Toli dhe Bakalli. Nëse “djemtë” e Xhemal Mustedanagiçit do të fitojnë me Finlandën, shkojnë në Elite Round. Në ndeshjen e parë humbëm 1-0 me Rumaninë. Po dje, Rumania fitoi 1-0 me Finlandën dhe udhëheq grupin tonë Takimet eliminatore të Kampionatit Europian po luhen në Korçë dhe Pogradec..



















