PROFIL/ Sot Mjeshtër i Madh, kampioni dhe rekordmeni i Notit Skerdilajd Shyti, vjen në gazetën “Telegraf” me madhështinë e karrierës së tij. Flet edhe Mjeshtri i Madh, Ahmet Shqarri.
Nga Agron KAJA
Sporti i Notit ka qënë shumë tërheqës në Vlorë, ju kampionët e rekordmenët si ndjeheshit në ambientin qytetar?
Mua më kanë respektuar shumë, madje edhe sot. Moshatarët më respektojnë e kënaqen kur na flasin. Më njohin shumë në Vlorë, por edhe në Sarandë, në Durrës dhe në Tiranë. Unë ndjehem krenar për gjithë respektin që marr në ambiente të ndryshme.
Cila ka qënë arsyeja që ushtruat pikërisht notin, dhe jo me ndonjë sport tjetër?
Unë e kisha shtëpinë buzë detit, dhe kjo ishte arsyeja e parë. Kur kam lindur unë ishte 10 m larg deti nga shtëpia, më pas u zhvendos rreth 100 m. Xhaxhallarët më merrnin shpesh në det, ndërsa halla Godiva Shyti, ishte trajnere me femrat e Flamurtarit.
Pasi ju lindi dëshira për t’u ushtruar në not, kur e nisët garimin tuaj zyrtar?
Fillimisht me pionierët në vitin 1969, në periudhën 1969-1972 me Fëmijët e Flamurtarit dhe në vitin 1972-1975 kalova me të Rinjtë. Këtu bëja gara edhe me të Rriturit, ndërkohë që zyrtarisht në vitet 1975-1988. Kur isha student, 1979-1983, garova me Studentin, ndërsa me Kombëtaren në 16 vite, 1972-1988.

Në kujtesën tuaj, cila ka qënë gara e parë zyrtare që ju keni zhvilluar dhe ku është zhvilluar ajo?
Gara e parë për mua ishte në vitin 1969 në Tiranë, në 50 m e 100 m Stil i Lirë. Kam dalë në vëndin e dytë pas pogradecarit Sotiraq Iftica, ndërsa në garën tjetër në Pogradec, dola i treti. Këto janë për mua garat ku nisi karriera që erdhi vetëm në ngjitje.
Trajneri dhe skuadra juaj e parë, si vijnë sot në kujtesën tuaj sot?
Trajneri i parë për mua ka qënë Teki Kadëna, një trajner i mirë që përgatiste fëmijët talente te Flamurtari. Më pas kam kaluar me Ilia Konomin, Në vitin 1978 me Ilirjan Kreshpën, ndërsa në Tiranë me Studentin kisha Sul Podën.
Në garat që ju keni zhvilluar, cili ishte stili juaj më i preferuar dhe më rezultativ?
Unë kisha preferencë stilin e lirë, por në vitet e fundit të karrierës garova edhe në stilin Shpinë, ku dhe kam dalë në vëndin e dytë në vitin 1983. Kujtoj se pas vitit 1980 me Studentin, kam garuar edhe në katërnotim, ku kam dalë në vëndin e tretë.
Ju kujtohen rivalët tuaj në garat (kombëtare dhe ndërkombëtare) që keni zhvilluar, cilët kanë qënë?
Të gjithë ishim konkurrentë, por kryesisht për mua rivalë kanë qënë Jani Hondro i Flamurtarit dhe Agron Ruvina i Pogradecit. Këta ishin nga viti 1973-1975, por kujtoj se ishte edhe Azem Plisi i Vllaznisë, një konkurrent dhe notar i fortë.
Si e kujtoni rekordin e parë kombëtar që ju keni thyer në karrierën si notar, stili dhe gara?
Të gjitha rekordet kombëtare në 50 m, 100 m dhe 400 m stil i lirë, unë i thyeva në kohën që isha me Studentin, 1979-1983, rekorde që kishin rreth 25 vite pa u thyer. Por, rekrodi i parë në 50 m dhe 100 m Stil i Lirë, ishte me Pionerët në vitin 1970, në Sarandë.
Në karrierën tuaj si notar, cilët ndani si momentet më të mira, dhe nëse keni, edhe moment jo të mira?
Momentet më të mira besoj se ishin ato gjatë përgatitjeve që bëmë në Kinë për tre-katër vite, ku nisa të thyeja rekordet e të rriturve. Eksperiencë e bukur, por një moment që më rrëzoi shpirtërisht ishte gara 800 m në vitin 1981, kur më kaloi Petrit Guma. Një Gjigant, që më pas shkroi histori të artë në notin shqiptar.
Po infrastruktura në sportin e notit në Vlorë e në Shqipëri, si ka qënë gjatë periudhës që ju e ushtruat këtë sport?
Në Vlorë ne kemi bërë përgatitje në det me kallama, para ish-hotel Turizmit. Më pas, në Tiranë me Studentin e deri në vitin 1986 që u ngrit pishina në Vlorë, garova kryesisht në pishinë. Ne atëhere garuam me pasion, përgatitjet i kishim të dobëta.
Pas largimit nga aktiviteti si notar, si e vazhduat marrëdhënien me notin?
Nuk kam qënë shumë i afruar pas largimit tim si notar. Kam dalë disa herë gjyqtar në garat që zhvilloheshin, deri nga viti 1991. Më vonë unë nuk preferova të angazhohesha me Notin, sepse edhe punët ndryshuan dhe mundësitë u zvogëluan.
Në gjithë karrierën tuaj si notar e gjyqtar, si e përshkruani evolimin në sportin e notit në gjithë Shqipërinë?
Unë e kam ndjekur ritmikën e Notit shqiptar, dhe nëse do bëja një krahasim me kohën kur unë garova, shoh se ka ecur shumë. Ndryshimet në infrastrukturë kanë sjellë rezultate të larta, sa edhe rekordet tona u thyen kur u përmirësuan kushtet në infrastrukturë.
Keni marrë vlerësime e tituj sportivë si notar, e mendoni një karrierë të plotësuar?
Mendoj se me marrjen e titullit Mjeshtër i Madh, është e plotësuar, edhe pse mundet të ketë ndonjë nderim tjetër. Do falenderoja dy Mjeshtrat e Mëdhenj, Sadik Memën (Pupin) e Petrit Gumën, dhe në veçanti Presidentin e FSHN-së Agim Çirakun për këtë respekt që më bënë.
Pas mbylljes së karrierës si notar, ju sikur jeni shmangur nga valët e ujit në pishina, është konstatim real ky?
Pasi e mbylla karrierën time si notar i elitës në Shqipëri, unë nuk kam qënë shumë i dhënë pas notit. Por tani sikur e kam dëshirë që ta kujtoj atë pjesë të jetës sime sportive, e cila më dha gjithçka, por edhe unë i dhashë pasionin.
Ka mbi 10 vite që funksionon Shoqata Kombëtare e Veteranëve të Notit në Shqipëri (SHKVN), si e vlerësoni aktivitetin e saj?
Ajo shoqatë mendoj se është një organizim shumë i mirë në shërbim të vlerave historike në Notin shqiptar. Unë kam munguar dhe nuk kam rastisur shpesh, sepse Amerika gjeografikisht të largon. Gjithsesi, Shoqata e Vetaranëve të Notit në Shqipëri është një organizim që e mban të gjallë historinë.
Biseda jonë po kryhet ndërsa u zhvillua Kupa “Pavarësia” në Notin shqiptar, keni një urim për fundvitin?
Kupa “Pavarësia” i jep shkëlqim notit në Shqipëri, dhe do uroja vazhdimësinë e saj. Notarëve i uroj që ta vazhdojnë traditën tonë, ta bëjnë notin me pasion, sepse përveçse është një sport i bukur, noti të ndihmon edhe në jetë për shëndetin.
Në Shqipëri Kampion noti dhe Inxhinier, në Amerikë shofer autobusi!
Skerdilajd Shyti është Inxhinieri mekanik dhe Kampion Noti në Shqipëri, por që punoi edhe si shofer kampioni në periudhën 1994-1996. Ndërsa në Amerikë (1996-2024), ka punuar në 10 profesione të ndryshme, edhe pse në vitin 2016 kaloi një sëmundje në zemër, e cila e detyroi të vendoste 6 unaza brënda saj. “Puna nuk të njeh se je ose jo kampion noti, jeta të vlerëson ndryshe. Pas Unisversitetit, u ktheva në Vlorë ku punova fillimisht si Inxhinier mekanik, më pas drejtor dhe shofer kamioni. Në Amerikë, nga viti 1996 e deri më sot (18 vite), kam punuar në disa profesione, mes të cilëve asnjë në lidhje me sportin”, kështu tregon Skerdialjdi për ecurinë e punëve që ka kryer.

Brënda një gare, thyen dy rekorde kombëtare
Një rast i rrallë ndodhte në pishinat shqiptare. Brenda një gare një notar thyente dy rekorde. Ndodhte në gushtin e 40 viteve më parë, në pishinën e Elbasanit. Në stafetën 4X200 metra delfin, i pari starton “Mjeshtri i Merituar i Sportit” Skerdilajd Shyti. Kur prek bllokun e mbërritjes, kronometrat kanë qëndruar në kohën 2’08’’05, nga 2’08’’07 që ishte më parë. Pas tij vazhdojnë edhe 600 metra edhe shokët e vet, Hysni Troqe, Veni Bode e Albert Mustafai. Rekordi që mbahej nga ekipi kombëtar nga viti 1975, tanimë u takonte notarëve të Flamurtarit.

Në miqësoret me kinezët, 20 rekorde kombëtare
Skerdilajd Shyti është shpallur dy herë fitues në Anketën Kombëtare Sportive “10 Sportistët më të mirë” të Shqipërisë. Në vitin 1973, kur ishte 14 vjeç ai kishte vendosur 4 rekorde kombëtare për të rritur: Në 200 m, 400 m, 800 m dhe 1500 metra stil i lirë”, ndërkohë që muajin gusht 1977 në Durrës, Sarandë e Lushnjë thyeu 20 rekorde kombëtare në garat miqësore midis notarëve të ekipeve kombëtare të notit midis Shqipërisë e Kinës. Që në takimin e parë, Skerdilajdi ngriti peshë entuziazmin e sportdashësit durrsak me rekordet në stilin e lirë.
Ish-kampioni vlonjat Veni Bodo
Po the Skerdilajdi, ke thënë Noti shqiptar!

Një ndër shokët e bashkënotar me Skerdilajdin ka qënë edhe ish-notari vlonjat Veni Bodo. Kur kontaktaum me të nga Italia, Veni u tregua i gatshëm, madje solli kujtime e konsiderata, që figurën e Skerdilajd Shytit e bëjnë edhe më të afërt, edhe pse kanë kaluar dekada pas largimit të tij si notar. “Së bashku me Lajdin (Skerdilajd Shytin) jemi rritur në lagjen Skelë, dhe së bashku kemi qënë pjesë e notit vlonjat së pari, e më pas në atë kombëtar. Për Skerdilajdin do thoja se ka qënë talent, dhe mbi të them se nuk ka patur notarë më cilësorë. Po the Skerdilajdi, ke thënë Noti shqiptar! Sepse ai ka qënë talent, ka qënë katër herë në Kinë dhe kur kthehej nga andej, na mësoi shumë për startin e kthesat. Fati im është se kam notuar me të, jam stërvitur me të dhe kam mësuar shumë prej tij. Po të mos ishte Lajdi, unë do isha i pari në gara. Ishte ai dhe unë dilja i dyti, por isha notari i parë në Shqipëri që kam thyer rekordin kombëtar të tij në 400 m Stil i Lirë”, kështu e kujton dhe e vlerëson Skardiladin, ish-notari i Flamurtarit, Veni Bodo.

75 REKORDE
Në karrierën e tij si notar elitar për periudhën 1969-1988, Skerdilajd Shyti theu 75 Rekorde Kombëtare, duke përfshirë me Fëmijët, të Rrinjtë dhe të Rriturit si dhe me ekipin tonë Kombëtar.
Ahmet Shqarri nostalgjik: Skerdilajdi një yll brilant në notin shqiptar

“Dokumetat, medaljet e gazetat ku kam dalë unë, mi ka mbajtur babai im Moisi Shyti. Të gjitha i kam në një album, dhe shpesh me to edhe kujtoj karrierët time sportive. Një ndër ta është edhe gazetari sportiv, sot Mjeshtër i Madh, Ahmet Shqarri”, kështu tregoi Skerdilajdi, ndërkohë që Ahmet Shqarri tregon më shumë, madje edhe me vlerësime të larta. “Skerdilajdi ka qënë një djalë simpatik, i cili në intervistën e parë që i kam bërë në Radio Tirana, foli rrjedhshëm sikur të ishte në një garë. Për fizikun e tij të çudiste se si i mundte ata notarë me trup e moshë më të madhe. Ishte një Kampion dhe rekordmen që në moshë të re, dhe kam shkruajtur shumë për të se e ka merituar. Ka bërë epokë në Notin shqiptar si një yll brilant. Aty ai ka shkruajtur emrin me gërma të arta”.
10 PROFESIONE
Pasi u largua si notar, Skerdialjdi ka punuar në 10 profesione: Inxhinier mekanik,
Drejtor, Furxhi, Shofer maune, Pjata larës, Kuzhinier, Bojaxhi, Mekanik, Shofer autobuzi me turistë, Shofer autobuzi shkolle.
KONSIDERATA E VLERËSIME
SADIK MEMA, MJESHTËR I MADH
Lajdi është figurë emblematike e Notit shqiptar

Nisiatori i përgatitjes së Profileve për notarët shqiptarë që kanë bërë histori në sportin e Notit, Mjeshtri i Madh Sadik Mema, nuk mungoi me vlerësimet e tij për një tjetër Mjeshtër të Madh, vlonjatin Skerdilajd Shyti. Për Pupin, Lajdi është dhe do mbetet një figurë emblematike në historinë e Notit shqiptar. “Lajdi (Skerdilajdi) është figurë emblematike në historinë e Notit shqiptar. Unë e kam njohur në vitet 1972-1973 me Kombëtaren e notit në Kinë, kur ai ishte vetëm 13 vjeç, por me rezultate shumë të larta për moshën e tij. Shumë shpejt ai u bë notari më i mirë kombëtar, duke përvetësuar të gjithë rekordet kombëtare në Stilin e Lirë, nga Fëmijët, të Rinjtë dhe të Rriturit. Te Skerdilajdi, veç talentit dhe punës, ishin mëshiruar të gjithë virtytet, si thjeshtësia, korrektësia e mirësia që përcillte, dhe e përciell. Për këto cilësi, ai është vlerësuar nga FSHN-ja që në viten 1975-1976 si Mjeshtër Sporti dhe Mjeshtër i Merituar i Sportit, më vonë, në vitin 2021 si Mjeshtër i Madh. Vetë FSHN-ja ka organizuar edhe një veprimtari me emrin e Skerdilajd Shytit, si Nder i Notit shqiptar, me Kupë të personalizuar”, kështu tregoi Pupi për notarin e Madh, Skerdilajd Shytin.
PETRIT GUMA, MJESHTËR I MADH
Skerdilajdi është një pikë reference në Notin shqiptar

Për Mjeshtrin e Madh, Petrit Guma, figura e Skerdilajd Shytit në notin shqiptar mbetet si një pikë reference, aq sa kur ai hidhej në start, e mendonte të hidhej si Skerdilajd Shyti. “Për mua, por edhe për notarë të tjerë, Skerdilajdi ishte një pikë reference. Madje do thoja se kur hidhesha në start në moshë të re, mendoja të hidhesha si Skerdilajd Shyti. Sikundër ndodhte atëhere në futboll, kur thonin se do të luajmë si Pele e Maradona. Dhe titulli Mjeshtër i Madh për mua, nuk do kishte vlerë nëse nuk do ta kishte edhe Lajdi. Sepse ndodh shpesh në ambientet e notarëve që kanë bërë histori, se kush ishte më i mirë, unë apo ai. Për mua është nder që më krahasojnë me Skerdilajd Shytin, sepse ai ishte model i modestisë, i thjeshtë dhe perfekt në notim, ja vlente ta imitoje në shumë drejtime, dhe jo vetëm në sport. Ndaj për mua mbeti si një nder që morra stafetën, dhe sot vazhdojmë me stafetën pas gare, pasi ne kemi marrëdhënie miqësore. Aq shumë e kam vlerësuar dhe e vlerësoj, sa para pesë viteve organizova një event të madh për të si “Krenaria e Sportit”, një veprimtari spektakël që Lajdi e meritonte”, kjo është konsiderata që Mjeshtri i Madh Petrit Guma shpreh për Skerdilajd Shytin.

CV sportive Skerdilajd SHYTI
Datëlindja: 4 qershor 1959 Vendlindja: Vlorë Vendbanimi: USA- Nju York
Arsimi: Inxh Mekanik 1984 Profesioni: Inxhinier Sporti që ka ushtruar: Notin Karriera si sportist: Në vitin 1969-1972 me Fëmijët e Flamurtarit, në vitin 1972-1975 me të Rinjtë, me të Rriturit në vitin 1975-1988, Me studentin 1979-1983 Me Kombëtaren: Në periudhën 1972-1988
Gara e parë në karrierë: Në vitin 1969 në Tiranë, gara 50 m Stil Lirë Rekordi i parë kombëtar në karrierë: Në vitin 1970 me Pionierët në 50 dhe 100 m.
Sukseset si notar: Në vitin 1973 në Kinë në takimin ndërkombëtar thyen rekordin në 100 m Stil Lirë. Me kohën 59”3 e ul poshtë 1 min

Garat Ndërkombëtare në karrierë: Në vitet 1972-1975 vetëm në Kinë
Tituj e trofe në karrierë: Nga viti 1973 e deri në vitin 1983 kampion absolut në 100 e 200 m stil Lirë Gara e fundit në karrierë: Në vitin 1988 në Vlorë, Kampionat Kombëtar. U rendit i dyti pas Petrit Gumës Rekordi i fundit në karrierë: Në vitin 1981 në 100 m Stil Lirë
Tituj personalë në sport: Mjeshtër Sporti në 1976, Mjeshtër i Merituar i Sportit 1980, Mjeshtër i Madh 2021, Fitues i anketës 10 sportistët më të mirë, Nderi Notit Shqiptar Detyra në institucione sportive: Vajtja në Kinë e ka ndihmuar shumë, kinezët ishin shumë para dhe Skardilajdi morri eksperiencë, mësoi ato që nuk i dinte Aktualisht: Nga viti 1996 banon në USA.
Federata Shqiptare e Notit dhe Petrit Guma, nderuan Legjendën e gjallë të notit shqiptar

Veprimtaria e organizuar vite më parë nga FSHN-ja dhe Mjeshtri i Madh Petrit Guma, ka mbetur në kujtesën jo vetëm të Skerdilajd Shytit, por të gjithë kolegëve pjesëmarrës, të cilët e kujtojnë me nostalgji dhe respekt. “Kampionët e notit u mblodhën në Dhërmi për të nderuar rekordmenin dhe LEGJENDËN e tyre Skerdilajd Shyti. Mes legjendave të gjalla të notit shqiptar, të mbledhur nga e gjithë Shqipëria”, kështu e tregon Mjeshtri i Merituar Myrteza Didati, si një veprimtari e munguar, por njëherësh edhe një vlerësim për Skerdilajdin. Aty ishin edhe Veni Bodo, Petrit Guma, Ilirjan Kreshpa, Tomor Dano, Bert Mustafaj, Sadik Mema, Theodhori Çakalli, dhe Presidentit të FSHN-së Agim Çiraku. “Nostalgji dhe emocion i veçantë të jesh me sportistë si Skerdilajd Shyti”, shprehet Didati.






















