Agron Kaja/ Në Prefekturën e Beratit, futbolli dështak “nxin” historinë

523
Ka disa ditë që në Shqipëri ka përfunduar sezoni futbollistik 2014-2015, i cili në këtë periudhë përkon me fushatën elektorale të zgjedhjeve lokale të 21 qershorit, por që topkëmbën në nahijen e Beratit kjo periudhë e gjen në një epidemi të rëndë. Për këtë sezon që u mbyll, të gjitha skuadrat e futbollit në këtë Prefekturë luajtën në kategoritë inferiore, por më e keqja është se dy skuadrat më me emër e traditë në 76 vitet e historisë së elitës në futbollin shqiptar, Tomori i Beratit dhe Naftëtari i Kuçovës, zbritën një kategori më poshtë. E thënë teknikisht, së bashku me skuadrën e Skraparit dhe të Poliçanit, këto do të jenë pjesë e Kategorisë së Dytë aktuale, ish Kategoria e Tretë sportive, ndërsa në dy kategoritë e tjera në Superiore dhe në të Parën nuk do të kenë përfaqësim. Kjo rënie e lirë me këtë gjendje që u reflektua nga nisja e deri në mbylljen e sezonit 2014-205, ndoshta do të kërkojë vite që të kurohet e më pas të shërohet, por një pyetje më ri vjen ndërmend pas disa viteve, se: Pse ndodh që futbolli beratas të “përplaset” me data zgjedhjesh sikundër edhe në disa sezone më parë, i fundit në 2012-2013? Në fakt, këto skuadra kanë disa sezone që e kanë bërë “çil e mbyll” zbritjen dhe ngjitjen nga njëra kategori sportive në tjetrën, por pyetja e mësipërme e kërkon një përgjigje. 
Ndoshta për momentin duket paksa e tepërt që sportin në përgjithësi e futbollin në veçanti t’i ngatërrosh me politikën, me data zgjedhjesh të përgjithshme apo lokale, por kur ai është i varur nga të dy këto nivele politikash, atëherë nisur nga rezultatet dhe nga premtimet që kanë bërë ish-drejtuesit lokalë, pse të mos gjykosh për mangësitë e drejtimit nga ana e tyre në këtë sport. Dhe në këtë këndvështrim ka shumë për të folur e diskutuar (jo vetëm në gazetën “Telegraf”), sepse futbolli në këtë prefekturë pikërisht në këtë sezon ka bërë pikjatën më të madhe ndër vite. Gjatë gjithë sezonit që u mbyll këtë muaj, të treja këto skuadra kanë pasur si “nënë e babë” bashkitë respektive, kanë pasur për sponsorë financiarë apo moralë pushtetarë që pasi e ndritën në punët e tyre të shumta, i bënë futbollit shërbimin më të keq. Në këto rrethana mund të ndjehesh keq teksa kërkon të tregosh një realitet të hidhur për një sezon futbollistik, por ndjehesh i detyruar t’i thuash në këto radhë pikjatat futbollistike të skuadrave në Prefekturën e Beratit, të këtij futbolli që për shumë vite qëndroi nën sqetullat e ish-kryebashkiakëve lokalë. Duke kaluar në kujtesë vite të shkuara, kujtoj se në fillimin e vitit 1993 kur skuadra e Tomorit po kalonte nga Kategoria e Dytë në Kategorinë e Parë (ashtu ishte struktura e futbollit shqiptar në atë periudhë), disa djem beratas krijuan një bord drejtimi dhe një staf ekonomik duke e bërë të pavarur futbollin nga Bashkia, nga deputetët apo ministrat, të cilëve u kishin lënë si hapësirë vetëm një vend në tribunën qendrore të stadiumit. Dhe çfarë ndodhi? Gradualisht Tomori morri formën e kohës dhe u ngjit në Kategorinë e Parë (sot Kategoria Superiore) duke u bërë dalëngadalë protagoniste për titullin kampion apo për fitimin e Kupës së Shqipërisë. 
Më pas Tomori doli nën kampion pas një ndeshjeje shtesë e të dyshimtë me Tiranën në sezonin 1999-2000, ndërkohë që në këtë periudhë edhe në Kuçovë pati lëvizje pozitive me futbollin, pasi skuadra e Naftëtarit vinte nga një dënim i gjatë që iu bë padrejtësisht në vitin 1987 pas incidentit që ndodhi gjatë një ndeshjeje me skuadrën e Dinamos. Po kështu ndodhi edhe me skuadrën e Poliçanit që provoi disa sezone në Kategorinë e Parë, ndërkohë që në Urën Vajgurore nuk bëhet fjalë për futboll të prekshëm në kategoritë sportive që FSHF-ja ka përcaktuar nga sezoni në sezon. Edhe në Çorovodë, atje ku futbolli ndër vite kishte njohur vetëm nivelet inferiore, në këtë periudhë filloi në ngjitje në kategori duke dhënë shpresat e një menaxhimi serioz me këtë futboll. Por në Berat ky sukses do të ndalej pas vitit 2001 kur futbolli u bë fasada e Bashkisë dhe zbriti tre kategori më poshtë, për t’u ngjitur me paterica në Superligë pas disa sezoneve në kategoritë inferiore. Kjo ngjitje u reflektua edhe në Kuçovë ku skuadra e Naftëtarit u ngjit në Kategorinë e Parë dhe po në këtë kategori hyri për herë të parë skuadra e Skraparit. Le ta ndalim këtu këtë histori të përciptë për të hyrë në realitet, në këtë realitet që po mbyll sezonin futbollistik 2013-2013 dhe Tomori e Naftëtari zbritën nga kategoria e Parë në Kategorinë e Dytë, Skrapari mbijetoi në Kategorinë e Tretë dhe Ura Vajgurore “fjeti” në letargjinë e zakonshme me futbollin. Ky ishte një dështim i radhës që të gjithë qytetarët e kësaj prefekture ndoshta nuk e meritonin, por që në këndvështrimin real ata morën atë që ju dhanë të zgjedhurit e tyre. 
Dështim politikash e dështim menaxhimi i shoqëruar me një dështim total në konceptimin, këtë na kanë treguar këta politikanë lokalë për futbollin në Prefekturën e Beratit, por që pas trishtimit e keqardhjes për këtë realitet të zi, për vazhdimësinë vjen edhe një fije shprese e ngushëllimi, sepse asnjeri nga këta ish-kryebashkiakë që e mbyllin pushtetin e tyre më 21qershor 2015, nuhatja e politikës vendimmarrëse nuk do ti rikandidojë në këto zgjedhje. Dhe këtë dështim të tyre ata duhet ta veçojnë nga futbolli dhe nëse do të kenë një fije respekti për qytetarët që përfaqësuan në karriget e kryebashkiakëve në qytetet respektive, do të ishte shumë mirë që gjatë fushatës të gjejnë kurajën dhe t’i kërkojnë falje qytetarëve të tyre, më parë se pasardhësit t’i premtojnë për futbollin ndryshe në këto katër bashki. Sporti në përgjithësi e futbolli në veçanti në Berat, në Kuçovë, në Skrapar dhe në Poliçan është i dashur dhe nuk e teproj të them se ndonjëherë kjo dashuri duket si e barabartë me fenë. Po, po, sepse për qytetarët e këtyre zonave futbolli është frymëmarrja sportive në atë xhep që e ka pozicionuar gjeografia me qendrën e zhvilluar të Shqipërisë. 
Kësisoj, misioni i atyre personave që do të votëbesohen për të marrë stafetën e kryebashkiakëve me strukturën e re administrative, bëhet sa i panjohur aq edhe i prekshëm për tu korrigjuar. Nëse ata do ti lexojnë këto radhë në gazetën Telegraf, që në një farë mënyre janë një “radiografi” e topkëmbës në pesë bashkitë e reja në Prefekturën e Beratit (Berat, Kuçovë, Skrapar, Poliçan dhe Ura Vajgurore), do ta kuptojnë se futbolli në këtë prefekturë është përdorur nga politika e mbrapshtë antisportive si ato asfaltet elektorale apo si ai çeku i bardhë. Në Berat, në Kuçovë, në Çorovodë, në Poliçan dhe në Urën Vajgurore, pas këtyre dështimeve të njëpasnjëshme ndër vite, ata që e duan futbollin (qytetarë, drejtuesa lokalë, biznesmenë e politikanë, etj) kur të kujtojnë me nostalgji Rim Kovaçin, Bashkim Sulejmanin, Fatmir Ismailin, Arben Arbrin, Kliton Bozgon e dhjetëra mjeshtra e talente të tjera që kanë përfaqësuar këto skuadra në elitën e futbollit shqiptar, më 21 qershor 2015 kanë rastin që t’i bëjnë atij një shërbim: ta ndajnë atë nga politika, por edhe ti kërkojnë llogari politikës së vjetër për katrahurën që bënë me futbollin. Sportet në përgjithësi kanë nevojë për financa të forta e të sigurta, jo për thërrime elektorale të kryebashkiakëve, e në reflektim të kësaj situate të gjithë ata të rinj e të reja, qytetarë e biznesmenë ta quajnë edhe si një detyrim qytetar që në ato bashkëbisedime elektorale të flasin ndonjëherë edhe për sportin, dhe në veçanti për futbollin. Me hartën e re administrative, do të jenë pesë bashki dhe kësisoj, historia dhe realiteti i tij në nahijen e Beratit e kërkojnë këtë edhe si një detyrim qytetar. Futbolli aty është në koma!
Sigal