Agron Kaja: Medaljet nga rusët e shqiptarizuar, ku jemi me identitetin kombëtar

KOMENT/ Shfaqjet akrobatike në media, nuk i respektojnë mundësat që në Paris folën shqip

Agron KAJA

KOKSH-it i duheshin më shumë këto medalje, sepse është në në mes të thënies hamletiane: “Të jetosh apo të mos jetosh, kjo është çështja” (To live or not to live, that is the question)

Gjatë kësaj jave që po mbyllim, thuajse u bllokuan mediat sportive dhe jo sportive, sepse erdhën në Rinas, e më pas në Tiranë, dy mundësit që në Lojrat Olimpike “Paris 2024” fituan dy medalje bronxi. Në fakt, u shkrua historia, sepse në 12 pjesëmarrjet e tjera që nga Mynih 1972, Shqipëria ishte në kolonën 0 të renditjes së shteteve pa asnjë medalje. Dhe deri këtu jemi në rregull me ndjenjën kombëtare, e ndoshta do ti “kërkohej” ndjesë atyre pushtetarëve që bënë “krahëqafë” në Paris në kulmin e gëzimit për medaljet. Madje kryebashkiaku i Tiranës e festoi këtë arritje edhe si “shef i SK Tirana”, ndoshta edhe si “kryetrajner” i Mundjes së Lirë në SK Tirana, duke qënë se ky klub sportiv është në administrimin e Bashkisë së Tiranës. Dhe e gjithë propaganda majtas-djathtas, me gjithë injorancën në njohjen e historisë, filluan që ta veshin këtë arritje me kostumet e tyre politike, a thua se në tapet kanë qënë ata më aktivë se sa mundësit e trajnerët e tyre. Medalistëve në këtë rast u duhej kërkuar një ndjesë e sinqertë, e përmes tyre, gjithë sportit shqiptar që në marrshimin e tij sportive, për shkak të politikave të tyre ecën “një hap para dhe dy hapa prapa”. Por askush nuk ju përmëndi asnjëherë për vështirësistë që këta mundësa kanë hasur, si në infrastrukturën e dobët përgatitore të tyre, në shpërblimet tepër të ulta që ata marrin në raport me arritjet dhe synimet “politike” të KOKSH-it dhe të qeveritarëve. Madje KOKSH-i ishte më “modest” në këto festime, sepse e dinë që kur fitohen medalje nga emra të natyralizuar, dinjiteti kombëtar dhe ai sportiv shqiptar kanë rënë në gjunjë! Por KOKSH-it i duheshin më shumë këto medalje, sepse është në në mes të thënies hamletiane: “Të jetosh apo të mos jetosh, kjo është çështja” (To live or not to live, that is the question).

Sigal

Deri këtu, loja ishte e kuptueshme dhe me pak banalitet politik, ku më shumë se sa Dudaev e Valiev, medaljet i morri Bashkia e Tiranës dhe Kryeministria. Sepse këta “ortakë” nuk duan t’ia dinë se cili emër e fitoi këtë medalje, se cili shqiptar ishte ai që e ngriti flamurin tonë kombëtar për herë të parë në Lojra Olimpike Verore. Mjafton që ata ta publikojnë si arritje e ta shfrytëzojnë për efekte politiko-administrative. Që do të thotë, se dinjiteti kombëtar në këto medalje ka rënë shumë poshtë. Jo se duhen ulur vlerat e dy mundësve, ata janë të pafajshmit e këtij aktrimi, sepse në fund të fundit bënë detyrën e tyre sportive, për të cilën janë “importuar” nga Rusia e largët në Shqipëri, ndoshta edhe për të na sjellë eksperiencën e tyre në këtë sport burrëror. Nuk i dihet!

Por kur shikon në TV, apo ndjek lajmet në të gjitha mediet të shkruara, të folura e vizive, duket sikur medalistë janë Kryeministria e Bashkia, ndërkohë që nga opozita e politikës shqiptare, numërimi i medalistëve fillon nga vëndi i 9-të në Mynih 1972 me Pampurin e madh në historinë e shtangës shqiptare. E them me kurajo qytetare e profesionale, se në këtë rast, disa media sportive ose jo, nuk janë treguar as dinjitoze dhe as profesionale, por veçse vasale. Se të flasësh për suksese sportive në emrin e një Kryeministri, apo të një Kryebashkiaku si medalistë, e ke marrë medaljen e turpit profesional. Ata që historinë sportive e prekin vetëm kur duhet tundur ndonjë flamur mediatiko-politik, po ta lexonin dhe ta respektonin historinë, nuk do të silleshin si servilë të klasit të parë (Alla Medalje e Klasit I). Ta dimë të gjithë ne shqiptarët, se respekti për arritje sportive të individëve, në rastin konkret të mundësave Dudaev e Valiev, është maksimal, por për historinë sportive dhe për shqiptarët, këto janë realisht Medalje me “mall importi”. Në thelb, është një “tronditje” për tabanin e historinë tonë sportive, njëherësh edhe për dinjitetin tonë kombëtar.

Nga Olimpiada në Lozanë, ankimon mundja shqiptare

Në fundjavën e kaluar, mundësi Çermen Valiev që garonte për Shqipërinë në Olimpiadën e Parisit, morri medaljen e Bronxtë në peshën 75 kg, pasi u mund të mënyrë të dyshimtë nga mundësi uzbekistanas Jamalov Razambek. Ai fitoi 6-5 me pike në sekondat e fundit, falë një vendimi të dyshimtë të gjyqtarëve të ndeshjes. Vetë Presidenti i FSHM-së, Sahit Prizreni, e denoncoi këtë fakt pas sfidës, ndërsa federata ka bërë ankimim për rezultatin edhe në CAS. Sipas ankesës, mundësit shqiptar Çermen Valiev i është mohuar e drejta për t’u kualifikuar dhe për të vazhduar garën për medaljen e artë. Një betejë e vështirë kjo në shkallën më të lartë të drejtësisë sportive, por e drejtë për të kërkuar diçka të mohuar.

SI NDODHI?

Për herë të parë në histori Shqipëria artriti të merrte në Lojërat Olimpike Botërore Verore “Paris 2024” dy medalje bronzi. Dhe këto u arritën nga mundësit Islam Dudaev dhe CCermen Valiev, në kategorinë 65 kg dhe 74 kg, disiplina e mundjes stil i lirë. Në ndeshjen e Valiev me mundësin nga Uzbekistani, gabimi i arbitrit në 10 sekondat e fundit i mohoi atij ndeshjen gjysmëfinale.

 

RENDITJA PAS MEDALJEVE

Pas marrjes së dy medaljeve të bronxit nga dy mundësit Islam Dudaev dhe Çermen Valiev, Shqipëria doli nga lista e skuadrave që nuk kishin marrë asnjë medalje në Lojrat Olimpike Botërore Verore. Në pjesëmarrjen e saj të 10-të në Olimpiadat Botërore Verore, falë dy medaljeve të bronzta të fituara nga mundësit, Shqipëria e sheh veten në vendin e 80-të në klasifikimin e përgjithshëm. Dhe me numër të barabartë medaljesh me Grenadan, Malajzinë e Porto Rikon.

FLAMURMBAJTËS NË OLIMPIADA

Mundja e Lirë shqiptare e kishte për herë të dytë mbajtjen e flamurit tonë kombëtar në lojra Olimpike. Në Kinë 2008 ishte mundësi Sait Prizreni, sot President i FSHM-së, i cili mbajti flamurin kombëtar. Ndërsa për herë të parë në historinë e pjesëmarrjes në Lojrat Olimpike Verore Botërore, për Shqipërinë Flamurmbajtëse ishte një notare, pikërisht Kaltra Meça në “Paris 2024”. Ajo shoqërohej nga mundësi Zelimkhan Abakarov, i dyti mundës flamurmbajtës kuqezi.