Agron KAJA/ Ëndrra “pit-stop” e Kombëtares nga tekniku mediokër i transfertave!

537
Sigal

KOMBËTARJA/ Me skemat e zëvendësimet që bëri, trajneri kuqezi na ktheu në identitet

Për Shqipërinë e shqiptarët, të martën në mbrëmje është shuar ëndrra e gjatë që i ka mbajtur me shpresë për një mundësi kualifikimi në ndeshjet eliminatore të “Botërori 2014”. Dy ndeshje në transfertë e bënë këtë ëndërr një mallkim për ato 180 minuta vrastare të saj, por që sportivisht do të thuhet se kjo ëndër mbeti në “pit-stop”-in e bokseve të Grupit E eliminator. Sepse aty ku pretendohej se do të “betonohej” rruga drejt “Brazil 2014”, pikërisht në ato dy ndeshje ju vu “dinamiti” kësaj rruge ëndërr e të pashpresë. Në Slloveni luajtëm diçka mirë, por ishim të pasaktë në finalizim, ndërkohë që në Islandë shënuam të parët dhe u dorëzuam sikur të ishim një skuadër amatore. E këtë herë kupa u derdh, se për të mbushur ka qenë e tillë pas humbjes me Islandën në Tiranë. Gjithsesi, le të themi se këtë skuadër e ka përgatitur një teknik, të cilit FSHF-ja i ka dhënë “çelësat” e futbollit tonë kombëtar. E ky është De Biazi, italiani që në 16 ndeshje në bankinën kuqezi del pozitiv në 50% të ndeshjeve të luajtura. Në 16 përballje zyrtare dhe miqësore, nën drejtimin e tij, Kombëtarja jonë fiton 7 herë, barazon 3 përballje dhe humb 6 të tilla. Ky mund të quhet një bilanc katastrofë, se pozitiv edhe Andorra nuk do ta quante. Duke notuar në këto ujëra që mbetën të turbullta gjithë kohën, rikthehemi te Sllovenia e Islanda, aty ku humbi skuadra, por gaboi shumë edhe bankina. Një vit më parë, pikërisht më 13 shtator 2012, në gazetën “Telegraf” është shkruar për Kombëtaren, por atëherë pas humbjes në Zvicër, e cila ishte ndeshja e dytë eliminatore në Grupin E. Dhe si për ironi, na vjen shtatori i një viti më pas që na sjell në kujtesë atë shkrim me titull: “Na gjeni një trajner që di të drejtojë në transfertë!”, e që sot pas dy humbjeve radhazi në transfertë, 0-1 në Slloveni e 1-2 në Islandë ky titull duket se është aktual për trajnerin e Kombëtares sonë. Në fakt këto radhë nuk janë pjesë të një gjyqi për dy humbjet në Slloveni e Islandë, por le t’i quajmë si pjesë e një reflektimi paralajmërues njëvjeçar në faqet sportive të gazetës “Telegraf”. U turpëruam ne si Shqipëri, ndërsa tekniku duhet të ndjehet më shumë i përgjegjshëm për atë çka gatoi e prodhimin që morri në fushën e lojës në të dyja ndeshjet. Dhe, nëse kërkon të matet me të tjerët, trajneri ynë nuk duhet të bëjë qaramanin me këtë vend që na “saldoi” në Grupin E eliminator, dhe për profesionalizëm le t’i drejtohet homologut të tij në bankinën e Islandës, suedezit Lars Lagerbak, i cili në një vend ishullor e me më pak se 350 mijë banorë, po bën historinë. Pse? Sepse ai nuk do të jetë llastuar si De Biazi ynë, nuk ka bërë eksperimente emrash e vendesh pafundësisht si tekniku ynë, e nuk duket se është kapriçioz si ai në drejtimin e skuadrës. Nuk ndodh ndryshe kur në Slloveni humbet nga mbrojtja e po këtë mbrojtje e servir në Islandë. Nga gabimi në gabim, ky është mediokriteti i italianit të bankinës së Kombëtares sonë, i cili realisht pak frymë të futbollit italian solli tek ne. Më shumë ai u tregua një menaxher se sa një trajner dhe këtë le të na e kundërshtojë një herë tjetër, nëse presidenti i FSHF-së do t’i ofrojë rinovimin e kontratës, se këtë herë me Shqipërinë tregoi nivel sa për një trajner maltez e qipriot. Sepse tekniku ynë në dy ndeshjet e fundit në transfertë tregoi se ende nuk i ka të qarta vlerat e futbollistëve që ka në dispozicion, e nga ana tjetër, ai e ka të vështirë që vlerat e tyre t’i përshtatë me vendosjen që duhet t’u bëjë në fushën e lojës. Sepse mbrojtja jonë u bë një “tunel me dritë” për të kaluar lehtë sllovenët e islandezët, aq sa në disa raste na kanë falur sikur ishim duke kërkuar mëshirë. U pompua shumë Cana si lider e “postbllok” në repartin difensiv, po ja që në qendër të mbrojtjes u çamë në rastet e tre golave që pësuam në këto transferta, edhe pse Teli me gafat e tij ndoshta i mbylli vetë dyert për në Kombëtare. Atëherë, çfarë duhet thënë për De Biazin në përgatitjet e tij për këtë repart, se ka vepruar mirë? Jo, se edhe shqiptari më i paditur për futbollin, por që i ka parë këto dy ndeshje e ka të lehtë ta dallojë amatorizmin teknik në fushë të mbrojtësve tanë të Kombëtares. Për të gjitha këto, përgjegjësia mbetet vetëm tek një emër: trajneri dhe për këtë situatë të Kombëtares sonë, le ta përdorim përsëri titullin e shkrimit tonë më 13 shtator 2012: Na gjeni një trajner që di të drejtojë edhe në transfertë! S’ka më vend  për pretendime.

Eliminatoret “Botërori 2014”

Ndeshjet e Shqipërisë

Grupi E

Janë luajtur

Shqipëri-Qipro       3-1

Zvicër-Shqipëri      2-0

Shqipëri-Islandë           1-2

Shqipëri-Slloveni    1-0

Norvegji-Shqipëri    0-1

Shqipëri-Norvegji    1-1

Norvegji-Qipro       2-0

Zvicër-Islandë       4-4

Slloveni-Shqipëri    1-0

Norvegji-Zvicër      0-2

Qipro-Slloveni       0-2

Islandë-Shqipëri     2-1

RENDITJA

1 Zvicra        8    14:5       18

2 Islanda       8    14:14      13

3 Slloveni      8    11:10      12

4 Norvegjia     8    9:9        11

5 Shqipëria     8    8:9        10

6 Qipro         8    4:13       4

Ndeshjet e mbetura

11 tetor

Islandë-Qipro

Shqipëri-Zvicër

Slloveni-Norvegji

 

15 tetor

Norvegji-Islandë

Qipro-Shqipëri

Zvicër-Slloveni

Federata Islandeze prishi kontratën me trajnerin e njohur italian, pas dështimit në eliminatore

Irlanda shkarkon Trapattonin

  Irlanda shkarkoi trajnerin Xhovani Trapatoni, pas disfatës 1-0 nga Austria në Vjenë, e që u dha fund shpresave për një biletë në Kampionatin Botëror “Brazil 2014”. Prishja e kontratës u arrit në mirëkuptim të plotë me Federatën. “Do të doja të falënderoj (shefin ekzekutiv) Xhon Delanejin, (presidentin) Padi MekKaulin, (sekretarin honorifik) Majkëll Kodin dhe Komitetin Ekzekutiv të Federatës Islandeze, për mbështetjen dhe miqësinë gjatë pesë viteve e gjysmë të kaluar. Gjithashtu, dua të falënderoj stafin e federatës, përfshirë ekipin dhe lojtarët me të cilët punova gjatë tre fushatave. Ne largohemi nga ky vend me emocione, pasi ne i kuptojmë tifozët irlandezë të cilët kanë një reputacion të merituar ndërkombëtar dhe ata kanë respektin tonë maksimal.”, tha italiani 74-vjeçar përmes një deklarate. Irlanda ka shpresa shumë të vogla për të kapur vendin e dytë në grupin C, pozicion në të cilin ndodhet aktualisht Suedia. Presidenti i Federatës Islandeze, Delanej, tha: “Ne dëshirojmë të falënderojmë Xhovanin Trapatonin, Marko Tardelin dhe Marko Rosin për pesë vitet e gjysmë që punuan me ne. Ne u kualifikuam për herë të parë në një turne të madh në dhjetë vitet e fundit (Euro 2012) dhe ishim shumë afër kualifikimit për Kupën e Botës 2010 në Afrikën e Jugut, pas ndeshjeve “play-off” me Francën”. Irlanda ka një grup të rinj lojtarësh, të cilët nën drejtimin e trajnerit të ri do të luftojnë për t’u kualifikuar për Kampioantin Europian “Francë 2016”. Gjatë karrierës së tij si trajner, Trapatoni ka drejtuar Italinë (2000-2004) dhe Islandën (2008-2013), ndërsa me klubet: Milanin, Juventusin, Interin, Bajernin e Munihut, Kaljarin, Fiorentinën, Benfikën dhe Salzburgun. Ai është trajner që, nga viti 1972 dhe mbante rekordin si trajneri më i moshuar që ka marrë pjesë në finalet e një Europiani apo Botërori. Dhe kur shkarkohet Trapatoni, i cili ka fituar një Liga të Kampioneve me Juventusin dhe dhjetë kampionate me skuadrat, në Italia (7), Gjermani (1), Austri (1) dhe Portugali (1), atëherë është normale që çdo trajner mund të shkarkohet nëse nuk e përmbush misionin e tij.

1382

ndeshje ka drejtuar si trajner Xhovani Trapatoni gjatë karrierës së rij, me klubet dhe ekipet kombëtare. Bilanci i tij është 716 fitore, 399 barazime dhe 267 humbje.

 64

ndeshje e drejtoi Irlandën trajneri italian Trapatoni. Bilanci i tij është pozitiv: 26 fitore, 22 barazime dhe 16 humbje. Përqindja e suksesit është 40.63%.