Kuqezintë dhe “VIP”-at, pesë orë peng të “Bell Air”-it në Islandë

513
Sigal

Kombëtarja bllokohet në aeroportin e Reikjavikut. Kompania e fluturimeve pagoi me vonesë korridorin ajror

Kombëtarja dhe tifozët që e shoqëruan atë në Islandë, midis tyre disa ish-ministra dhe politikanë të njohur, mbetën peng prej më shumë se pesë orësh në aeroportin e Reikjavikut, “Keflavik International Airport”, në pritje të nisjes për në Shqipëri. Sipas faqes zyrtare të Aeroportit të “Tirana International Aeroport” (“Tirana-aeroport.com), pra shoqërisë që menaxhon aeroportin “Nënë Tereza”, avioni kompanisë “Bell Air”, me numër fluturimi LZ 490, i nisur nga aeroporti i Reikjavikut duhet të mbërrinte në orën 16:20, por ai në fakt mbërriti në orën 20:40, pra me shumë vonesë. Nga 33 fluturime të planifikuara për ditën e djeshme për të mbërritur në Aeroportin e Rinasit, 22 prej tyre ishin të kompanisë “Belle Air”, ku shumë prej tyre mbërritën më vonë se orari i planifikuar dhe i publikuar në faqen zyrtare, që mund të shihet në kohë reale nga të gjithë të interesuarit.

NGJARJA

Sikur të mos mjaftonte dushi i ftohtë i marrë në dy transfertat e radhës në Slloveni dhe Islandë, vuajtjet dhe makthi për skuadrën përfaqësuese shqiptare nuk kanë fund. Delegacioni kuqezi në të cilin gjenden drejtuesit e federatës shqiptare të futbollit, skuadra me stafin teknik por dhe gazetarët e shumtë që kanë shoqëruar ekipin, është bllokuar për disa orë në aeroportin e Rejkjavikut. Skuadra dhe delegacioni kuqezi duhet të ishin nisur nga Islanda në orën 11 të paradites së djeshme, por aeroporti i Rejkjavikut ka qenë i “populluar” për më shumë se 5 orë nga kuqezinjtë të cilët prisnin momentin për tu rikthyer drejt Tiranës. Në një moment kur të gjithë presin reflektimin e trajnerit, skuadrës dhe drejtuesve të FSHF për humbjet e regjistruara vjen dhe kjo ngjarje e shëmtuar, e cila shërben vetëm për të prishur imazhin e skuadrës që tentoi të shkonte në Botërorin e Brazilit, edhe pse po has vështirësi për të lëvizur brenda kontinentit.

KORRIDORI AJROR

Sipas burimeve nga stafi teknik i kuqezinjve, arsyeja është sepse kompania e cila ka marrë përsipër transportin e kuqezinjve në këto dy ndeshje duke vendosur në dispozicion një çarter, nuk ka paguar detyrimin financiar për korridorin ajror të cilin duhet të përdorë. Kjo ngjarje e përsëritur është një tjetër humbje për kombëtaren shqiptare, madje më e rëndë se dy disfatat e fundit të mara së bashku, pasi prish imazhin e mirë të cilin kuqezinjtë tanë kishin ndërtuar këtë edicion në fushën e lojës. Pamjet e ekipit kombëtar duke pritur avionin në “Keflavik International Airport” kanë bërë xhiron e botës në rrjetet sociale, ndërkohë që vetë lojtarët e konsideruan atë si një turp dhe një ngjarje të paprecedentë, ndërkohë që dhe reagimet negative kanë qenë të shumta në drejtim të kompanisë së fluturimeve që zotëron “pjesën e luanit” në tregun ajror.

Mesazhi në Twitter i mesfushorit kosovar të Zvicrës gjatë ndeshjes Islandë-Shqipëri provokon polemika

  Debate në Zvicër, Granit Xhaka shkruan: “Forca Shqipëri!”

Që zemra e Granit Xhakës nuk rreh për Zvicrën, kjo është e kuptueshme, – pasi ai ka prejardhje kosovare”, – kështu shkruan portali i madh sportiv zviceran “Sport.ch”, për futbollistin e Kombëtares zvicerane. Granit Xhaka, i cili ishte pjesë e fitores 2-0 të Zvicrës kundër Norvegjisë kishte shkruar “Forca Shqipëri” në llogarinë e tij në rrjetin social Twitter, ndërkohë që mesazhi i tij është duke u diskutuar gjatë në mediat helvete. “Forca Shqipëri” shkroi Granit Xhaka menjëherë pas fitores së Zvicrës me Norvegjinë, ndërkohë që anë atë moment ndeshja midis Islandës dhe Shqipërisë ishte në barazim 1-1 (ndeshja u mbyll me fitoren 2-1 të Islandës). “Sport.ch” është marrë gjatë me mesazhin e Xhakës, duke e analizuar kontekstin e tij dhe se përse mesfushori i Zvicrës ka bërë hapur thirrje për kundërshtarin e radhës, pra Shqipërinë. Kuqezinjtë do të presin Zvicrën në Tiranë, më 11 tetor. Sipas portalit zviceran, janë tre pika për t’u analizuar. “Pika 1: Koha kur Xhaka shkroi mesazhin e tij, 21:45 (e mbrëmjes së të martës) ndeshja në Reikjavik midis Islandës dhe Shqipërisë ishte 1-1 pas 45 minutave të para, çka ishte dhe rezultati i dëshirueshëm për Zvicrën, pra barazimi. Nëse rezultati do të përfundonte i tillë dhe Sllovenia nuk do të fitonte në Qipro (pas 60 minutash Sllovenia udhëhiqte 1-0), atëherë Zvicra priste biletën për në Brazil. A e dinte Xhaka këtë situate?” – shtron pyetjen “Sport.ch”. “Pika 2: Shqipëria, ashtu si dhe Islanda janë në të njëjtin grup kualifikues me Zvicrën dhe kështu janë konkurrent direkt për një vend në Brazil. Pika 3: Kundërshtari i radhës i Zvicrës, më 11 tetor quhet Shqipëri, dhe në Tiranë do të jetë një ndeshje shumë e nxehtë. Zvicra nuk është kualifikuar ende dhe Shqipëria ka ende shanse për të kapur një vend në “play-off”. Pika 4: Me një fitore në Islandë, Shqipëria i kishte të gjitha mundësitë për të kapur vendin e parë në grup në do të mundte Zvicrën. A do të ishte kjo dëshira e Xhakës, kur kanë mbetur edhe dy ndeshje (një me kundërshtarin direkt, Shqipërinë) dhe kur zviceranët kanë një avantazh prej pesë pikësh me “shqiponjat”?, – thekson “Sport.ch”.

“Himni i Zvicrës?

Nuk mund ta këndoj”

Në fakt, për Xhakën nuk është hera e parë që, ai shndërrohet në një çështje në Zvicër. Mesfushori i Borusias së Mënshengladbahut nuk shënoi në portën e Shqipërisë, në humbjen 2-0 në ndeshjen e parë në Gjenevë, kur ai i pati të gjitha mundësitë për të realizuar në portën e mbrojtur asokohe nga Samir Ujkani (në tetor 2012). Granit Xhaka është kosovar, ashtu si dhe Samir Ujkani, por mbi të gjitha është shqiptar, ndërkohë që vëllai i tij, Taulant Xhaka, ka shprehur dëshirën për të luajtur me Shqipërinë. Edhe pse luanë për Zvicrën, Xhaka e ndjen veten plotësisht shqiptar, madje ai nuk e këndon himnin zviceran në fillim të ndeshjeve. Po përse ai nuk e këndon himnin e Zvicrës? Xhaka sqaron: “Pasi unë nuk mundem. Unë nuk e kam mësuar atë qysh fëmijë nga prindërit e mi, pasi ata nuk janë rritur në Zvicër. Kështu që, është logjike që unë nuk mund ta di”. Graniti vetë është lindur në Bazel të Zvicrës, por di përmendësh himnin shqiptar. Dhe atëherë kjo çështje ka hapur shumë debat.

Letra e hapur popullit shqiptar

 Në Zvicër u hap një debat i madh, në lidhje me një letër të hapur të Granit Xhakës drejtuar popullit shqiptar, menjëherë pas fitores 2-0 të Zvicrës me Shqipërinë. Në atë kohë, mediat shqiptare zienin në lidhje me “pesë shqiptarët e Zvicrës”, ku në epiqendër ishte pyetja se, përse këta shqiptarë kishin zgjedhur Zvicrën dhe jo Shqipërinë. Xhaka shkroi një letër të hapur, ku midis të tjerave shkruante: “Ne kemi qenë, jemi dhe do të jemi edhe në të ardhmen gjithmonë krenarë për prejardhjen tonë. Emrin tim do ta vë gjithmonë në shërbim të atdheut tim. Unë jam krenar për prejardhjen time dhe do të jem i tillë gjatë gjithë jetës sime”. Katër lojtarët e tjerë shqiptarë të Kombëtares së Zvicrës janë Valon Behrami, Xherdan Shaqiri, Blerim Xhemaili dhe Admir Mehmeti, këta dy të fundit nga shqiptarët e Maqedonisë.

 Gjiganti i Kombëtares mungoi në humbjet me Slloveninë dhe Islandën, duke krijuar një gropë të madhe në mbrojtje

 Përmirësohet Mavraj, por gëzohet Furthi

 Mbrojtësi Mërgim Mavraj i mungoi Kombëtares në dy ndeshje shumë të rëndësishme që, për fat të keq përfunduan me humbje: 1-0 me Slloveninë në Lubjanë dhe 2-1 me Islandën në Reikjavik. Mungesa e tij u ndje shumë në repartin e mbrojtjes, fajtorja më e madhe e pësimit të tre golave që e lanë Shqipërinë pa asnjë pikë dhe i dha fund shpresave për një vend në finalet e Kampionatit Botëror “Brazil 2014”. Mbrojtësi i Grojther Fyrthit në Bundesligën 2 – kryeson bindshëm kampionatin e kategorisë së dytë gjermane, vuan nga fundi i gushtit nga një dëmtim në gju, para ndeshjes me FSV Frankfurtin e Edmond Kapllanit dhe Odise Roshit dhe qysh atëherë, ai nuk ka marrë pjesë në stërvitjen e ekipit të tij. “Mërgimi po bëhet gjithmonë e më mirë. Ai tani po bën vrapime bazë me disa intervale. Ndoshta, në fund të javës ai do të jetë sërish i gatshëm, por nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen kundër Bohumit”, – tha trajneri i Grojther Futhit, Frank Kramer. Edhe sulmuesi shqiptar i Grojtherit, Ilir Azemi, ka pasur probleme me dëmtime, por që tani ka ezaruar gjithçka dhe është gati në dispozicion të skemave sulmuese të trajnerit Kramer. Kosovsri 21-vjeçari bëri një kontroll mjekësor në klub dhe ka marrë “dritën jeshile” nga stafi mjekësor.