Agron Kaja: Dje 2 korriku, 99 vjetori i Gazetarisë Sportive Botërore

485

PËRVJETORI/ Kjo datë duhet kujtuar, dhe duhen respektuar ata që e mbajnë gjallë historinë

Sigal

Agron Kaja

“Në Shqipëri ekziston (kjo duhet vërtetuar) një degë e AIPS-it, ndonëse duhet theksuar se është në një gjendje gjumi dhe ka vite që ekziston vetëm në letër, për dy-tre persona të veçantë që pretendojnë se e drejtojnë!”

Komuniteti i gazetarëve sportivë në mbarë Botën, dje më 2 korrik 2023 përkujtoi ditën botërore të gazetarisë sportive. Natyrisht që edhe gazetaria sportive në Shqipëri është pjesë e kësaj historie, të cilën brez pas brezi e ka mbajtur të ndezur si një pishtar që nuk do të shuhet kurrë. Kudo ku luhet e bëhet sport në të gjithë Botën, me momente nga më të bukurat e të vështira që “rrokullisen” çdo minutë e çdo orë, vijnë tek miliona tifozë në të gjithë globin, falë pasqyrimit, që i bëjnë gazetarët sportivë dhe jo vetëm, të cilët marrin informacion, bëjnë zgjedhjet e tyre, formojnë mendimet dhe i përcjellin në televizione, radio e gazeta sportive.

Si pjesë e gazetarisë sportive në Shqipëri për më shumë se 40 vite karrierë, njëherësh edhe si krijues e organizues i Çmimit “Ismet Bellova” në gazetarinë sportive shqiptare, dje u ndjeva i detyruar profesionalisht që ta respektoja këtë ditë të veçantë me këto rradhë modeste në gazetën “Telegraf”, edhe pse takimet dhe organizimet për këtë datë nuk janë në linjën e bashkëpunimit. Gjithsesi, do të kujtoja në këto rradhë shumë respektuese, se Dita Botërore e Gazetarëve Sportivë festohet në datën 2 korrik për të përkujtuar shërbimet e gazetarëve sportivë në promovimin e sportit. Kjo është dita kur u krijua Shoqata Ndërkombëtare e Shtypit Sportiv (AIPS), gjatë Lojërave Olimpike të Parisit në vitin 1924-ën. Dhe 99 vite më parë, kjo Shoqatë e vuri theksin tek forcimi i bashkëpunimit, lidhjes dhe respektit të ndërsjellë midis gazetarëve të sportit në të gjithë globin. Gjatë këtij shekulli, gazetaria sportive ka jetuar përkrah rritjes së veprimtarive sportive në të gjithë botën, çka ka çuar edhe në rritjen e fuqisë, pasurisë dhe ndikimit të saj në botën e sportit.

Gazetaria sportive është një pjesë e pandarë për çdo grup mediatik, dhe kjo ditë botërore festohet që të nxisë anëtarët e mediave sportive të përpiqen për përsosmëri në punën e tyre profesionale, për të shfrytëzuar çdo mundësi dhe për ta përdorur sportin si një mjet për paqen botërore, për të qenë të drejtë dhe të paanshëm. Një gazetar mund t’i shtojë vlera jo vetëm botës së sportit, por edhe më gjerë, kulturës, paqes dhe vlerave më të mira shoqërore e sportive. Edhe në Shqipëri, gazetaria sportive ka njohur rritje të qënësishme nga organizimi i saj para vitit 1944, vazhdoi më pas të tregonte vlera edhe në një diktaturë gjysmëshekullore në vendin tonë, në të cilën edhe kjo gazetari u zhvillua në ritmin e saj. Ndërsa pas viteve 1990, dhe kryesisht me shtimin e mjeteve të informimit publik, qoftë kjo në shtypin e shkruar, atë audioviziv, por edhe në Internet dhe mediat sociale, gazetaria sportive është bërë më e gjerë dhe më e afërt me ndjekësit e saj. Në Shqipëri ekziston (kjo duhet vërtetuar) një degë e AIPS-it, ndonëse duhet theksuar se është në një gjendje gjumi dhe ka vite që ekziston vetëm në letër, për dy-tre persona të veçantë që pretendojnë se e drejtojnë. Ta kujtojmë e respektojmë jo vetëm si Gazetari sportive për qoka e dekorata! Gjithsesi, në shenjë respekti dhe moralisht, do ta kujtojmë këtë datë edhe si ditëlindja profesionale e gazetarisë sportive.

99 vite

Shoqata Ndërkombëtare e Shtypit Sportiv (AIPS) ka 99 vite e krijuar, nga 2 korriku 1924

1 çmim

Në Shqipëri është krijuar çmimi “Ismet Bellova” në respekt të gazetarëve sportive.

Formula 1

Pas garës së sprintit, Vershtapen hedh sytë nga Anglia

Piloti holandez i skuderisë Red Bull, Maks Verstapen, në fundjavën e kaluar fitoi garën Sprint të Çmimit të Madh të Austrisë në Formula 1, si edhe garën në çmimin e Madh po në Austri. Janë zhvilluar 9 gara të sezonit 2023, Maks Verstapen ka fituar 7 prej tyre, me rival pilotin tjetër të kësaj skuaderie, Serxhio Perez. Ndërkohë që pas garës dje, ai ka “tronditur” rivalët. “Do nisem për në Angli dhe do ta fitoj atë garë. Nuk do përsëritet sezoni i kaluar”. Kujtojmë se në sezonin 2022, garën e Anglisë e fitoi piloti i Ferrarit, Karlos Sainz.

Trukime në basketboll, dy të arrestuar në Kosovë

Pas skandalit të ndeshjeve të trukuara në basketbollin e Kosovës, kanë nisur edhe arrestimet. Në mediat kosovare bëhet e ditur se Drejtoria e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës ka arrestuar në Prizren arbitrin Daut Mehmeti dhe trajnerin Arbnor Rifati. Pas skandalit, gjyqtari Mehmeti u përjashtua përjetësisht nga FIBA dhe Federata e Kosovës, ndërsa së bashku me trajnerin Arbnor Rifati përfunduan nën arrest si të dyshuar për trukime dhe u është komunikuar masa e ndalimit prej 48 orëve.