Shqipëria luan sot një ndeshje shumë të rëndësishme, me start nga ora 18:00 në “Air Albania” kundër Anglisë. Është përballja e dytë në grup ndaj një kundërshtari të paimagjinueshëm që të krahasohemi me të, pas asaj me Portugalinë për kualifikueset e Euro 2016
Thënë që në krye të herës që kualifikimi nuk mund të listohet si objektiv, diskutimi vijon në rrafshin e dëshirës dhe llogarive si dhe çfarë duhet bërë bashkë për të shkuar drejt një ëndrre të pacekur më parë. Nëse Shqipëria bën një mrekulli dhe e ndal Anglinë, pra me një barazim, pasi fitorja do të ishte event i jashtëzakonshëm sportiv dhe katapultë e rëndësishme në Grupin I, na jep një dorë për shumë arsye, që realisht të shpresojmë. Kjo, për faktin se do të ndalnim një pretendent.
Më kryesorin e grupit. Së dyti, këtij pretendenti absolut do t’i “impononim” që në përballjet me Poloninë dhe Hungarinë (të cilat shndërrohen në rivale direkte për Shqipërinë për vendin e dytë dhe jo vetëm të tretin) “Tre Luanët” të mos e diskutojnë as edhe një pikë rrugës. Së treti, gjithmonë nëse bëhet “bingo” edhe në San Marino, pra me të paktën shtatë pikë në 3 ndeshje, do të krijonte atmosferën elektrizuese që e ndihmon skuadrën.
Pra, një pikë përballë më të fortës së grupit, kur bashkohet edhe me barazimin 3-3 mes Polonisë dhe Hungarisë, ato që diskutojnë mes tyre vendin e dytë dhe të tretë, na krijon hipotetikisht një situatë shumë të favorshme për Shqipërinë. Këtë fundjavë kuqezinjtë nuk kanë vetëm një ndeshje prestigji, duke regjistruar ndeshjen e gjashtë në histori përballë “Tre Luanëve” të cilët vetëm kanë fituar ndaj nesh, por është edhe një mundësi… hipotetike, për të bërë llogaritë tona.
Trajneri Edi Reja i ka surprizuar të gjithë me formacionin zyrtar. teksa risia e madhe është aktivizimi i Memollës nga minuta e parë, ndërkohë që reparti ofensiv do të përbëhet nga Uzuni, Cikalleshi dhe Broja.
Ndërkohë trajneri i Anglisë ka hedhur në fushë formacionin më të mirë të mundshëm që ka në dispozicion, duke i besuar sulmin treshes, Stërling, Maunt dhe Kejn.






















