Euro 2020, Shqipëria do të sfidojë kampionët e botës

510
Sigal

Panuçi, duhet të luftojmë për vendin e dytë

Në Dublin, të Irlandës, është hedhur shorti i fazës së grupeve për eliminatoret e “Euro 2020”.

Shqipëria ka njohur kundërshtarët për kualifikueset e Kampionatit Evropian 2020, në shortin e hedhur mesditën e së dielës në Dublin të Irlandës. Për këtë event do konkurrojnë 55 skuadra pjesëmarrëse të cilat kanë njohur kundërshtarët e tyre. Shqipëria do të luajë në grupin H, një grup me 6 skuadra. Kundërshtarët e Kombëtares kuqezi do të jenë Franca, Islanda, Turqia, Moldavia dhe Andorra. Shqipëria është përballur më parë me të gjithë skuadrat e shortuara në grup në ndeshje Eliminatore. Takimet nisin në mars të vitit 2019

Shprehen protagonistët

Trajneri Kuq e Zi, Christian Panuçi :

Skuadra do të luftojë për vendin e dytë. Mund të shkonte më mirë por edhe më keq, por e pranojmë se mund të bëhemi gati për të bërë më të pamundurën. Franca është favoritja e madhe, pastaj janë Turqia e Islanda, dy skuadra të forta të cilat janë për vendin e dytë. Gjëja më e rëndësishme është të rikuperoj të gjithë lojtarët se juve në Shqipëri nuk u intereson për lojtarët, por për rezultatin. Po nuk pata lojtarët, nuk mund të bëj rezultat. Ne duhet të shkruajmë historinë tonë dhe të bëjmë një arritje të madhe, se për t’u kualifikuar duhet të bëjmë një arritje të madhe. Shpresojmë të jenë të gatshëm dhe të kemi mundësi të zgjedhim mes shumë lojtarësh dhe të mos jemi të detyruar të bëjmë zgjedhje të sforcuara.

Trajneri Deshamp: E vështirë me Shqipërinë, kam respekt të madh për këtë skuadër

Panuçin e njoh mirë si lojtar kur isha te Monako. Tani presim kalendarin për të ditur se kur luajmë. Kemi hasur vështirësi me Shqipërinë dhe kam respekt të madh për këtë skuadër. Shumë lojtarë po luajnë mirë me klubet e tyre. Duhet përqendrim dhe kujdes për të parë të gjitha detajet. Është shumë e vështirë, por ajo që është e sigurt është që Islanda me rezultatet në Francë ka bërë shumë mirë dhe do të jetë kaq e fortë apo jo nuk e dimë. Turqi është e fortë, por edhe Shqipëria. Nuk i veçojmë dot, por në fushë do të kemi ndeshje të vështira”, u shpreh Deshamp. Kapiteni Mërgim Mavraj: Dimë si të luajmë me Kampionët e Botës

Është kënaqësi të luajmë kundër kampiones së botës. Kemi pasur eksperiencë të mirë me ta, Edhe me Turqinë kemi pasur rezultat të mirë, Islanda ka ecur shumë përpara, është një kundërshtar shumë i fortë, ku i dihen shumë cilësitë. Islandën e Turqinë i kemi kundërshtarë kryesorë. Po ia dolëm këtyre ndeshjeve kemi shanse të mëdha të kalojmë. Besoj se Islanda është më e vështirë për të luajtur se është një ekip që asnjëherë nuk nënvlerëson kundërshtarin, janë gjithmonë të përgatitur, janë të përkushtuar, luftojnë për çdo metër në fushë, Kanë fituar shumë vetëbesim në vitet e fundit, Turqia ka ndërruar trajnerin.

Kosova? Nuk e di, por për kosovarët ndeshjet me Anglinë e Malin e Zi do të jenë ndeshje të jashtëzakonshme, me euforinë që kanë mund të arrijnë rezultate shumë të mira, jo vetëm me Anglinë por edhe ne Malin e Zi, ku do i përkrahim shumë”, u shpreh Mavraj.

Trajneri i Turqisë Mircea Luçesku: Grup i balancuar

Trajneri i Turqisë, e ka cilësuar si të balancuar grupin e kualifikueseve të Euro 2020, ku mes kundërshtarëve ka edhe Shqipërinë. “Të gjithë grupet janë të barabarta. Ky nuk është një grup i lehtë. Ne do të luajmë për të fituar të gjithë ndeshjet tona. Franca është një skuadër e fortë. Ne shpresojmë që skuadra jonë e re të fillojë të tregojë paraqitje më të mira. Ata kanë filluar të luajnë në skuadrat e tyre. Është e vështirë përndryshe për ne të luajmë si një skuadër dhe na duhet të luajmë shumë mirë në këtë grup. Andorra ka një stadium të vogël dhe shpesh ndodh që krijohet trysni në stadiume kaq të vogla. Unë do të dëshiroja që të merrja lojtarë të rinj nge ekipet e të rinjve, në vend që të ftoj lojtarët me eksperiencë që të kthehen përsëri në ekipin kombëtar”, tha Luçesku pas shortit.

Mbrojtësi Andi Lila: Kualifikohemi, i kemi të gjithë mundësitë

Mendoj që është një short shumë i mirë, një grup shumë i mirë, duke parë që ka skuadra që kemi luajtur më parë. E kemi treguar veten, si me Francën, ashtu edhe me Turqinë. Me Francën që kemi bërë ndeshje spektakolare në Euro 2016. Moldavia dhe Andorra janë dy skuadrat që duhet të mposhtim normalisht, shpresoj që të jemi në formë maksimale për ndeshjet e marsit. Edhe në vazhdim të bëjmë surprizën, të shkojmë në Evropian dhe të përsëritim historinë. Sa iku, iku, të shohim para. I kemi të gjithë mundësitë, me grupin që na ra ishte fat për ne. Shpresojmë të vazhdojmë me ritme të mira e të ndjekim hapat e kualifikuesve të Euro 2016”.

Tekniku kosovar Challandes: Nuk është grup i lehtë, por ne jemi Kosova…!

Përfaqësueses së Kosovës, pas paraqitjes shumë të mirë në Ligën e Kombeve duke kryesuar grupin e saj, e pret një sfidë tjetër, ajo “Euro 2020”, që nis në mars të vitit të ardhshëm. Ekipi kosovar është pozicionuar në Grupin A, së bashku me Anglinë, Republikën Çeke, Bullgarinë dhe Malin e Zi. Menjëherë pas hedhjes së shortit ka ardhur reagimi i teknikut Challandes për mediat kosovare duke thënë:

“Nuk është grup i lehtë, por ne jemi Kosova. Nuk mund të mendojmë se jemi në një grup të lehtë pasi Anglia është skuadër shumë e fortë dhe këtë e dimë. Por me skuadrat e tjera është e mundur, kam besim në ekipin tim, i cili është shumë mirë para ndeshjes me Maqedoninë.”

Edvin Murati: Do të jetë e vështirë. Kosova, më shumë shanse se ne

Ish-futbollisti i përfaqësueses shqiptare, Edvin Murati, ka komentuar shortin e Euro 2020 për Shqipërinë dhe Kosovën. “ Do të jetë e vështirë, Kosova ka më shumë shanse në grupin e saj. Çfarë rastësie, për çdo herë me Francën?! Nuk i dihet! Futbollit nuk i dihet, por duhet te jesh optimist, shpresojmë të përfitojmë. Edhe Kosova ka ekip, ka çuna të fortë dhe me entuziazëm. Franca…, ka lojtarë është e “pasur” , ka tre ekipe, pastaj vijmë ne, Islanda dhe Turqia.