Ylli Polovina: Letra kërcënuese e firmosur”Puroja kubaneze”

349
Sigal

Ditari i Ylli Polovinës në sistemin monist

  • Si u varën një seri fletë rrufesh në shkollë në vitin 1971, ku pritej të bëhet bujë
  • – Si më erdhi një letër kërcënuese e daktilografuar dhe e firmosur “Puroja kubaneze”
  • – 24 dhjetor 1961 filloi Festivali i Këngës në Radiotelevizion, tekste nga më të ndyrët “Borgjezia po na mposht”
  • -Melodia e parë e bukur, titulli “Shqipëria” nuk shkon
  • – Një kartolinë e veçantë nga Arshin Xhezo

Kur e lexon këtë ditar befasohesh. Natyrshëm të lind pyetja: Si është ruajtur ky ditar në atë sistem? Po sikur të binte në dorë të Sigurimit të Shtetit?! Si mundet një mësues në atë sistem të mbante qëndrim ndaj vijës së partisë dhe më tej qëndrime kritike? Por nuk janë vetëm shënimet e ditarit… Ka dhe disa elementë jetësorë, që sot nuk mund të konceptohen. Një ndër to ishte Fletë -Rrufeja. Askush nga brezi i ri nuk mund ta konceptojë se çfarë ishte Fletë-Rrufeja. Një letër ku shkruhej kundër një personi kur mbante pantallona të gjera, barseta, flokë të gjata, ndiqte muzikë të huaj, nuk lexonte veprat e Enver Hoxhës, kishte qëndrime borgjeze…Fletë –Rrufe! Ku njerëz anonimë kritikonin Ismail Kadarenë, mësues, profesorë për diçka utopike. Ky ishte realiteti, që sot mund të quhet jetë në një kohë të pabesueshme…(A. ZH)

16 dhjetor 1971

Ora 7.25. E kam bërë zakon që të vij në shkollë nëpër rrugën buzë Osumit. Katër ditët e fundit mbi lumë ka patur edhe shumë çajka. Ato fluturojnë kaq afër, sa mund t’i kapësh me dorë.

Vazhdimisht në pyllin e kodrat nga ku duket sikur del Osumi ka kaq shumë mjegull sa ke përshtypjen se je në një përrallë kineze.

Ora 20.20. U varën një seri fletë rrufesh dhe nesër do të bëhet bujë.

17 dhjetor

Ditë me lodhje dhe mbledhje të panumërta.

Më vjen një letër kërcënuese e daktilografuar dhe e firmosur “Puroja kubaneze”. Dyshoj. Gjithë kolektivi pedagogjik qesh me këtë marrëzi beratase. Poezinë po ma vrasin në shpirt. 17.40. Gjithë mbasditja mbledhje. Dua të shkoj të shikoj filmin japonez “Kur lind dielli”.

18 dhjetor

Më mirë të mos ishte ditë rrogash, sepse do të paguajë lekët e defiçitit të librave shkollorë. Mbledhje mbasdite dhe dhimbje koke gjithë ditën.

Përvjetori i Babë Dudë Karbunarës. Trishtim. Ftohtë.

19 dhjetor

 

Sot është e djelë. Për një kohë nuk e kuptova këtë gjë. Kaq e kisha humbur konceptin e pushimit. Besoj se gjatë gjithë janarit mund ta përfundoj vëllimin e dytë dhe Zoti dhëntë mbarësi edhe për dramën “Qyteti i erërave”.

 

20 dhjetor

 

Ora 14.50. Sot kam edhe dy mbledhje mbasdite. Nga një sapo dola. Mbledhja e komitetit të rinisë për problemin e inisiativës. Mbledhja e kolektivit për bilancin. Në çdo 15 ditë. Debati ideollogjik si bazë e progresit të inisiativës.

21 dhjetor

 Një ditë e lodhëshme dhe me shumë mbledhje. Kam një dhimbje koke, që uroj të jetë më tepër nga të ftohtit se sa nga punët. Pesëmijë komisione. Kam disa motive të bukura për të shkruar. Erdhën kartolinat e para. Jam shumë i gëzuar.

 22 dhjetor

 Ora 10.40. Kartolinat po sjellin një gëzim të veçantë në shkollë.

Transportohen vazhdimisht dhoma gjumi. Brymë kudo.

Fëmijë të grumbulluar para vitrinës ku shkruhet: “Gëzuar Vitin e Ri”. Kukurisen.

Ora 16.10, Erdhi letra e dytë e kërcënimit e dyshoj tek…Duhet t’i dorëzoj në Degën e Punëve të Brendshme me domosdo nesër.

Ora 19.10. Mbrëmë problemi i letrave kërcënuese u diskutua në organizatën e partisë: Nuk duhet bërë publike. Ora 20.30. Historinë e letrës së dytë e mori vesh dhe mamaja. Ajo ka frikë se mos më vrasin. Ndoshta ajo sot s’fle nga meraku. Mbase nesër zgjohem më i qetë dhe mund të shkruaj ndonjë varg.

 24 dhjetor

 Ora 7.20. Jam në qendrën e zërit. Gjithë rruga për në shkollë ishte mbushur me poezi dhe me mjegull. Ora 11.00. Jam me nerva të tendosura. Mora rrobat ushtarake. Muzikë e ngrohtë italiane. Mundohem të jem në qejf. Filloi Festivali i Këngës në Radiotelevizion. Tekste nga më të ndyrët. Borgjezia po na mposht. Melodia e parë e bukur. Titulli “Shqipëria” nuk shkon.

26 dhjetor

 Ora 9.00. Jam në aksion me goditje të përqëndruar. Jam zgjuar në orën 4.00. Në orën 4.30 qytetin e zgjoi banda me njé marsh partizan. Këtej janë vende shumë të bukura. Fshati më i afërt e ka emrin Karkanjoz. Mali i Tomorrit është shumë afër. Burimi i fshatit për çudi është mjaft i ngushtë. Në të gjitha faqet e malit ka njerëz dhe janë ngritur flamuj.

 

30 dhjetor

 

Kartolinë

I dashur Ylli,

Ke për ta parë vetë sa gjëra të mira ka për të të sjellë Viti i Ri: gëzim, shumë gëzim (pra edhe të qeshura më të forta nga ato që lëshon tani), shëndet (natyrisht asnjëherë s’të ka munguar) dhe stacione të reja krijimi dhe kënaqësie. Arshin Xhezo

 Janar 1972, nga shtypi letrar i lëvduar, por edhe i kritikuar shumë

4 janar 1972

 Ora 20.40. Jemi mbledhur në një dhomë të repartit ushtarak të Uznovës dhe rrimë në heshtje. Mallkojmë veten që jemi kaq afër shtëpisë dhe s’po flejmë dot në to. Disa ushtarë në dhomën fqinje po i bien fizarmonikës vetëm me dy nota që mund t’i quash njerën “do” dhe tjetrën “mi”. Sot shokët e mi në sallën e studimit filluan të këndojnë këngën “Ti moj Lili, Lili budallaqe”. Shokët vunë re se unë me të dalë nga salla e studimit natën iu drejtova disa dritave të largëta të një fshati të quajtur Drobonik dhe e thërrita me emrin “Berat”. Kjo u interpretua si shenjë e theksuar malli.