Xhevat Zenjelaj: Karbunara, fshati ku jetohej me 15 lekë për ditë pune

228
Sigal

-Jeta në kooperativën e fshatit Karbunarë

-Kur jetohej me 15 lekë për ditë pune

– Nëse çdo familjeje i llogariten nga 2 krahë pune, të ardhurat e saj janë 2-fish i shifrave

Me statutin e miratuar në vitin 1956, çdo familjeje iu lanë në përdorim 20 krerë bagëti të imta, 1 lopë, 1 kafshë ngarkese, 1 dosë, 25 bletë, shpendë e lepuj pa kufizim, si dhe 3 dynym tokë pa ujë, përfshirë kopshtin e avllinë rreth banesës

Para viteve `90, në kushtet e një ekonomie familjare të dobët, e cila bazohej mbi të ardhurat nga kooperativa, përbënte një favor dhe konsiderohej me gjendje të mirë ekonomike ajo familje që kishte një pjesëtar me rrogë shteti. Këtë “privilegj” e kanë pasur mbi 70 vetë:  minatorë në minierën e Selenicës (rreth 25 persona), naftëtarë (15), traktoristë (14), arsimtarë (10), punonjës shëndetësie (5), të tregtisë shtetërore (2), si dhe kuadro e specialistë të tjerë në ekonomi, ushtri etj. Duke analizuar, konstatojmë se burime kryesore të ardhurash për ekonominë shtëpiake të kooperativistëve ishin dy:

 

Puna në kooperativë

  1. Dita e punës

Nga krijimi i kooperativës e derisa kjo u shpërbë, dita e punës pati vlera të ndryshme. Në vitin 1958 ishte 4.15 lekë/ditë-pune, në 1966 ishte 6 lekë/dp, nga viti 1974-1978 arriti te 15 lekë/dp, por ra në 10.5 lekë/dp rreth viteve ‘90. Prej saj vareshin edhe të ardhurat për krah pune në një vit, të cilat afërsisht ishin: në 1958 baraz me 975 lekë/krahë pune, 1440 lekë në 1966, në vitet 1974-1978 arriti rreth 3.500 lekë, kurse në vitet 1989-1990 ra në 2470 lekë.

Nëse çdo familjeje i llogariten nga 2 krahë pune, të ardhurat e saj janë 2-fish i shifrave të mësipërme, por të pamjaftueshme.

  1. Ndarje në natyrë

Nga të dhënat arkivore rezulton se në vitin 1958 janë ndarë në natyrë për ditë-pune: 0.34 kg grurë, 0.64 kg misër, 0.05 kg patate dhe 0.15 kg ullinj. Të llogaritura në lekë, arrinin në rreth 850 lekë/vit. Kjo praktikë vazhdoi deri në ’64-’65, kur u ndërtuan furrat e bukës. Më vonë, pjesërisht pati ndarje ullinjsh për kripje ose edhe vaji, patate e ndonjë artikull tjetër, të cilat erdhën duke venitur, derisa u ndërprenë fare nga mesi i viteve ’70.

Oborri kooperativist

Si kategori ekonomike përbëhej nga toka dhe bagëtitë që i lejoheshin familjes kooperativiste  t’i administronte për nevojat e saj ekonomike. Me statutin e miratuar në vitin 1956, çdo familjeje iu lanë në përdorim 20 krerë bagëti të imta, 1 lopë, 1 kafshë ngarkese, 1 dosë, 25 bletë, shpendë e lepuj pa kufizim, si dhe 3 dynym tokë pa ujë, përfshirë kopshtin e avllinë rreth banesës. Në Karbunar të drejtën për mbajtje dose e shfrytëzoi me efektivitet vetëm Aben Kapaj. Ullinjtë nuk u lejuan, qoftë edhe kur ishin në oborrin e shtëpisë, ndërsa pemët frutore ose pjergullat në oborr i gëzonte poseduesi. Toka e oborrit jepej në zona trualli, ullishte, lëndina etj., jashtë blloqeve të tokave që punoheshin nga brigadat e bujqësisë. Të ardhurat nga oborri e përmirësuan ekonominë familjare, prandaj fillimisht kjo u vlerësua nga komuniteti. Megjithatë, në vitin 1960 filloi “krasitja” e parë e oborrit kooperativist. Nga Udhëzimet e Këshillit të Ministrave nr. 8 dhe 9, dt.25.3.1960, citojmë:

“…Kur ndahen familjet kooperativiste, sipërfaqja e oborrit ekzistues dhe bagëtitë, bletët etj. pjesëtohen ndërmjet tyre.”.

Kjo është mëse e qartë. Pra, sado kurora familjare të kishte në një shtëpi, dhe që mund të ndaheshin si familje më vete, nuk përfitonte asnjë prej tyre shtesë oborri. Nuk mjaftoi shtrëngimi i mësipërm, por vijoi kufizimi. Me Udhëzimin e Këshillit të Ministrave nr.2, dt. 8.7.1967 “Mbi zvogëlimin e oborrit në kooperativat bujqësore” thuhet:

“…Për kooperativat e zonës fushore (ku hynte edhe Karbunari- shënimi im) oborri duhet të disponojë: deri në 1 dynym tokë pavarësisht me ose pa ujë, 1 lopë ose deri në 10 bagëti të imta, 1 dosë, 10 bletë, 1 kafshë ngarkese, shpend e lepuj pa kufizim”. Siç shihet, fshatarit i mbetet rreth 1/3 e atij burimi të ardhurash që kishte për 12 vitet e kaluara.

Dihen keqtrajtimet e oborrit më pas; sidomos 5 vendimet e qeverisë në vitin 1976 bënë që të zbehej ndikimi i oborrit në vazhdimësi deri te “tufëzat” e “arëzat” pas 1985-s. Në këto kushte karbunarasi përveç punës në kooperativë, shiste për pak të ardhura një barrë dru në Selenicë, apo ndonjë litër raki që e prodhonte duke përpunuar ato pak fruta e rrush që siguronte nga oborri, ndokush tjetër bënte çmos të gjente një vend pune në shtet etj. Me një llogaritje të thjeshtë, vlerësohet se gjatë 10-vjeçarit 1957-1966 të ardhura vjetore nga produktet e oborrit kooperativist ishin mesatarisht 2000-3000 lekë për familje, kurse më vonë ajo u reduktua mjaft. Në mënyrë të përmbledhur, afërsisht të ardhurat nga puna në kooperativë dhe nga oborri paraqiten në tabelën në vijim.

 

Tabela 2: Të ardhurat (sipas burimit të tyre dhe viteve) e një familjeje kooperativiste me 2 krahë pune:

Vitet Të ardhura

nga oborri

Të ardhura

nga kooperativa

Gjithsej

për 1 familje

Lekë Lekë /ditë pune Lekë për 2 krahë pune Në natyrë
1958 2 500 4,15 1 950 850 5 300
1968 1 000 6,00 2 820 0 3 820
1975 1 000 15,00 7 050 0 8 050
1990 1 000 10,50 4 935 0 5 935

 

Deri nga viti 1956, veprimtari ndihmëse ishte edhe prodhimi artizanal i tjegullave, zanat I konsideruar si “monopol” i Telajve.

 

Prezenca e naftës dhe gazit në territorin e fshatit tonë përbën një thesar kombëtar dhe një mundësi punësimi për komunitetin. Fillimi i kërkimeve për naftë u takon viteve 1970-1975. Nga 15 shpime të kryera në zonën e Drizës, 5 prej tyre janë aktive, shfrytëzohen prej shtetit edhe sot.