Vladimir Duraj: Si u dënua me 15 inxhinieri dhe shkrimtari Vlashi Fili në kampet e Bulqizës, Qafë Bari, Batër-Martanesh e Spaç

27
Sigal

Si u dënua me 15 vjet inxhinieri dhe shkrimtari Vlashi Fili në ”kampet e riedukimit” në Bulqizë, Qafë Bari, Batër – Martanesh e Spaç.

Shoferi Naun Fili pas dekorimit: -Ju faleminderit për nderin që po më bëni, po a e thyen banka këtë dekoratë ?

-Vlashi Fili: Burgu ishte  kursi i tretë Pasuniversitar, ku sa në këtë “kurs”, nuk mund të mësoje as në Oksford.

Vladimir Duraj

Më 13 prill të këtij viti, Revista prestigjioze për Letërsinë Ndërkombëtare në Dallas të Hjustonit, USA“, “Mundus Artium”, i jep zotit Vlashi Fili çmimin: “2024 MUNDUS ARTIUM PRIZE FOR LITERATURE”. Vlashi është inxhinjer nafte në profesion, inxhinjer me stof shkencëtari, por, po në këtë lartësi steke qëndron edhe si shkrimtar. Ndaj edhe revista e mësipërme, një revistë me emër dhe peshë të madhe, e nderoi Vlashi Filin me çmimin e mësipërm. Inxhinjerët zakonisht shquhen në Matematikë, por, kur dikush prej tyre shquhet edhe në Letërsi, mund të themi pa frikën e ndonjë hiperbole se inxhinjeri në fjalë është i kompletuar në 360⁰, i ka në unison dhe superioritet shpirt e mendje bashkë. Sigurisht që te kjo tipologji hyjnë pak njerëz dhe mes të paktëve është edhe kuçovari Vlashi Fili.

Vlashi është kuçovar, i datlindjes 10 shtator 1941. Prindërit e tij, Naun dhe Sofie, i pari beratas dhe e dyta vlonjate, menjëherë pas martese, për shkak të varfërisë vendosen në Kuçovë. Kuçova e 1938-ës, për shkak të naftës në nëntokën e saj, në raport me zona të tjera shihej si një “Amerikë” e vogël për ata që përpiqeshin për më mirë e më shumë. Dhe tek “ata” hynte edhe Nauni, mbetur jetim në moshën 4 vjeçare dhe burrëruar para kohe edhe për shkak të kësaj veçantie. Mbas çlirimit të vendit Nauni punoi shofer në Kuçovë, shofer nga ata të “Tabelës së Nderit”. Në një rast, në prani të një pushtetari të lartë të ardhur nga Tirana për të marrë pjesë në dekorimin e Naunit dhe disa shoferëve të tjerë të pararojës, Nauni thotë:

“- Ju faleminderit për nderin që po më bëni, po a e thyen banka këtë dekoratë ?”

Kjo e thënë, paçka se me ngjyra shakaje, kishte një nëntekst të hidhur për pushtetarin e lartë, i cili në moment nuk e dha veten dhe i’u bashkua të qeshurave të sallës.

Berati, Vlora dhe Kuçova ku u lind e u rrit përbënin atë që mund të quhet geni i Vlashit.

Shtoju këtyre të trejave edhe qënien bir i Naunit, një fisnik i vērtetë me zgjuarësi të veçantë dhe humor të hollë, dhe kuptohet lehtësisht formimi i Vlashit, majë në profesion dhe njerzillëk. Dhe jo vetëm Vlashi ishte i tillë në familjen e Naun Filit, bashkë me të përfunduan studimet e larta motra dhe 2 vëllezërit e tij…bile dy vëllezërit, Ilia dhe Nashua janë emra të njohur, i pari si gjeolog i shquar dhe drejtor i Albpetrol për disa vite dhe i dyti si ekonomist me emër dhe një nga futbollistët më të shquar të “Naftëtarit” të madh të ish Q.Stalin dhe “Studentit” të Universitetit të Tiranës. Por le të vijojmë me Vlashin, rrugëtimin e tij nga fëmijëria e deri në ditët e sotme. Si fillim duhet të them se te Vlashi rri bukur fare shprehja “dielli duket që në mëngjez”. Qysh fëmijë Vlashi u shqua për zgjuarësi, shkathtësi dhe ambicje për të qënë i pari kudo e në çdo gjë. Arsimin 7 – vjeçar e kreu në shkollën ”Gaq Karakashi”, ndërsa të mesmen në Teknikumin e Naftës me vlerësimin ‘Shkëlqyeshëm’. Në vitin 1964 diplomohet në Universitetin e Tiranës ‘Inxhinjer për përpunimin e vend-burimeve të naftës e gazit’.

Pas diplomimit punon në disa zona shpimi dhe kontribuon në shpimin e disa puseve me shkallë vështirësie të lartë. Në vitin 1970 transferohet në Institutin e Naftës dhe gjatë periudhës ’70 – ’80 kryen dy kurse Pasuniversitare për :

Përdorimi i izotopeve radioaktive në naftë. Kimia e lëngjeve larës.

Po ashtu, në këtë periudhë Vlashi jep kontribut të çmuar tekniko-shkencor në hartimin e një seri projektesh për shpimin e puseve të thellë dhe shumë të thellë në vendin tonë. I plotësuar më së miri me dijet e nevojshme profesionale dhe i pajisur në gen me vlera e virtyte sipërore njerëzore, Vlashi ishte shndërruar në modelin më të arrirë të specialistit, drejtuesit dhe intelektualit të spikatur për punëtorët, kolegët dhe drejtuesit në naftë. Është për këtë arsye propozimi i Sektorit Shkencor të shpimit në muajin qershor të vitit 1980, drejtuar Presidiumit të Kuvendit Popullor, për vlerësimin e Vlashi Filit. Vlashi ka publikuar një seri artikujsh shkencorë e publicistikë në revistat ”Nafta dhe Gazi” (Fier); ”Buletini U.SH.T, seria ‘Shkencat e Natyrës’ (Tiranë); ‘Përmbledhje Studimesh’ (Tiranë); ‘Teknika’ (Tiranë); si edhe në disa gazeta lokale dhe kombëtare. Vlashi ka kontributin e tij edhe në mësimdhënie, ai ka dhënë leksione në disa seminare pas universitare me inxhinjerët e shpimit të puseve si edhe në Fakultetin ‘Gjeologji Miniera’, dega e Naftës si specialist i ftuar.

Arrestimi

E megjithë këto cilësi të admirueshme, Vlashi arrestohet dhe dënohet me 15 vite burg në vitin 1980, dënim i padrejtë dhe i bazuar në akuzë absurde. Dënimin e kryen në ”kampet e riedukimit” në Bulqizë, Qafë Bari, Batër – Martanesh e Spaç. Lirohet me Amnisti në vitin 1986 dhe fillon punë i detyruar si specialist shpimi. Periudhën e burgut Vlashi e quan kursi i tretë Pasuniversitar, kurs më i gjatë se vet universiteti dhe më “produktivi”…aq sa mësoi në këtë “kurs”, nuk mund të mësonte as në Oksford. Në fakt, Vlashi ishte i kompletuar në cilësi dhe vlera njerëzore, në burg ai vetëm sa vërtetoi ato që dinte, vetëm sa shijoi nderimin dhe vlerësimin e të dënuarve për atë çfarë Ai ishte. Duhet përmendur diçka sinjifikative për Vlashin në burg, e ngjashme me atë që ndodhte vite më parë me Inxhinjer Toptanin.

– ‘Inxhinjer Toptani’ – i drejtoheshin Sherif Toptanit njerëzia në Kuçovë, pa e ditur, në masë të madhe, që quhej Sherif.

– ‘Inxhinjer’ – i drejtoheshin Vlashit të burgosurit, pa e shoqëruar me gjësendi prapa, ndërkohë që drejtuesit e burgut i drejtoheshin me i ‘dënuar’ apo i ‘burgosur’. Vlashi Fili ka të veçantën që pak kush e ka, ka aftësinë që me një shikim, me një buzëqeshje, me një fjalë të nxjerrë nga goja e tij u mundëson të tjerëve të shohin diellin brenda shpirtit të tij, të shohin intelektin në shkallë sipërore brenda trurit të tij. Nuk mjaftonin gjithë këto cilësi sipërore që ata që bënin ligjin ta konsideronin Vlashin si aset kombëtar. Për ta ora kishte mbetur në ’80-ën kur e arrestuan dhe dënuan për hiçasgjë; ndaj, në vitin 1998, si për të çuar në vend ”amanetin’ e të parëve të tyre, qeveria e kohës e nxjerr të papunë. I detyruar për ‘bukën e gojës’, Vlashi emigron jashtê vendit në vitin 2000. Jeta në emigracion për Vlashin është një histori më vete. Ai nuk iku i vetëm nga Shqipëria në Amerikë, ai mori me vete dashurinë për atdheun, Shqipërinë. Nuk ishte rastësi dhe as rrufe në qiell të pastër krijimi në Filadelfia i Shoqatës Mbarëshqiptare Patriotike e Social – Kulturore ‘Bijtë e Shqipes’ nga Vlashi dhe një grup shokësh atdhetarë e mendjehapur si Ai. Kjo ndodhi në vitin 2002 dhe Vlashi zgjidhet Sekretar i Shoqatës, detyrë të cilën do ta mbante për 20 vjet rresht. Për punën e Vlashit si Sekretar i Shoqatës, gazetari dhe bashkëpunëtori i tij në Filadelfia, Llazar Vero, tregon:

“- Në detyrën e Sekretarit të Shoqatës, Vlashi punoi ashtu, heshturazi, por me këmbëngulje dhe seriozitet, thuajse për çdo ditë të javës të këtyre 20 viteve, duke lënë trashëgim një pasuri atdhedashurie, serioziteti dhe duke dokumentuar çdo hap të jetës së shoqatës. Sado mik ta kishe, ai nuk të falte për detyrat që merrje përsipër, për shoqatën. Këtë më mirë se të gjithë e di unë që kam qenë dhe jam afër tij edhe pas 20 viteve të shërbimit të tij si sekretar. Nuk ka hequr dorë edhe pasi e dorëzoi detyrën e sekretarit të shoqatës, nga angazhimi i përditshëm në jetën e “Bijëve të Shqipes”. Ja, po u përmend, një shëmbull: Shkolla shqipe “Gjuha Jonë” e kësaj shoqate, këtë vit feston 20 vjetorin e jetës së saj. Janë botuar tre libra deri tani, për 10, 15 dhe 20 vjetorin e Shoqatës. Në dy të parët ai është bashkautor, kurse librin e tretë për 20 vjetorin e përgatiti vet. Si mund të rrinte indiferent për 20 vjetorin e shkollës, që përbën një nga krenaritë më të mëdha të shoqatës dhe të gjithë komunitetit shqiptar në Filadelfia dhe më gjerë?!”