Antika Hoxha, motra e vogël e Bilal Xhaferit: Ja cili ishte mision i vërtetë i shkrimtarit në Amerikë

736
Sigal

Ja cili ishte misioni i Shkrimtarit Bilal Xhaferi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

 

Antika Hoxha, motra e vogël e Bilal Xhaferit

 

Në gusht të 1969 Bilal Xhaferi arratiset nga Shqipëria i detyruar pasi përndjekjet e vazhdueshme nga sigurimi i shtetit, u kthyen në kërcënim për jetën e tij. Në SHBA krijoi revistën politike, letrare shoqërore “Krahu i Shqiponjës” , prej së cilës arrin të botojë 39 numra.

Krahu i Shqiponjës nr 1-2, Janar-Shkurt, 1976, fq.22

( ky artikull është pjesë e një editoriali të botuar në gazetën “Dielli” ku autori i artikullit ishte editor i asaj gazete, Bilal Xhaferi)

 

Ka zëra që thonë se ne nuk duhet të merremi me politikw, se politika na shkatërron etj., etj. Ndonëse s’kemi ndonjë zell të veçantë që të merremi me politikë, e sidomos që ta diskreditojmë veten me aventura e me gjepura politike, duhet t’iu kujtojmë, o miq se jetojmë në një botë ku politika luan fatin e popujve, luan fatin tonë, të secilit prej nesh, tëndin dhe timin dhe, të jesh apolitik në këtë mes, sidomos në faqet e një gazetë panshqiptare, kjo do të thotë të jesh naiv dhe miop.

Tërë historia e shtypit shqiptar në mërgim, (duke mos përfshirë këtu ndonjë fletushkë, sepse rastistë, reaksionare dhe antipopullore në esencë) që përpara pavarësisë e deri në ditët tona, etapë pas etape, ka treguar se ky shtyp e ka vënë veten totalisht në interes të çështjes së popullit shqiptar, ku ka luftuar për idealet e atij populli, për lirinë dhe çlirimin e tij, për demokracinë dhe të drejtat e tij njerëzore.

…Sot populli shqiptar ka akoma të pazgjidhur problemin numër një, problemin e lirisë, e lirisë së njeriut, lirisë së individit, lirisë për të folur dhe për të dëgjuar, lirisë për të shkruar, lirisë për të udhëtuar, lirisë për të marrë frymë në vendin e tij.

Dikush më shumë e dikush më pak, dikush në një shkallë më të lartë e dikush në një shkallë më të ulët, popujt e tjerë të Evropës gëzojnë sot, lirinë qytetare, luftojnë në forma të ndryshme për këto liri, kurse ai vend i vogël në juglindje të Evropës, që ne e quajmë atdhe, është i vetmi vend i rrethuar me tela me gjemba, është i vetmi vend Evropian i qeverisur me ligje të errëta, aziatike, të importuara që larg nga Azia e largët.

A mund të qëndrojmë ne pra indiferentë kundrejt fatit të atij populli, duke bërë sehir nga larg me gjakftohtësi tragjedinë e tij, duke e lënë që të bëjnë politikë vetëm ata që e terrorizojnë atë popull?

 

Një tjetër artikull në revistën Krahu i Shqiponjës, nr 37, maj 1985

Çudira nga bota e kafshëve

 

Kur sulltanit Enver Hoxha i erdhi exheli, ai u la fjalë të tjerëve që të linin në vend të tij Ramiz Alinë. Ata thanë” Amin o Hoxhë!,” e Ramiz Alia u bë sulltan.

Sulltani Ramiz Alia ndryshon nga merhumi Enver Hoxha. Shoku Ramiz Alia është shumë njerëzor. Enver Hoxha i hante njerëzit të gjallë nga koka te këmbët, kurse shoku Ramiz i ha njerëzit të gjallë nga këmbët tek koka. Në vathën e komitetit qendror tani shoku Ramiz është derri numër një. Sa derra të therur me zile janë në atë vathë ? Unë nuk e di. Më kanë thënë që në byronë politike janë nja njëmbëdhjetë. Ose mund të jenë nëntë, ose trembëdhjetë. Po të isha i sigurt për numrin, e po të dija emrat e tyre, do t’i kisha shkruar ata emra të mëdhenj e të lavdishëm në ballë të secilit në vizatimin e kësaj faqeje.

Çudia ime më e madhe është se unë nuk e di si kanë hyrë ata derra e derrkuqër në atë vathë. Afër mendsh kanë hyrë me të zgjedhur e votime. Po kush i zgjodhi e kush i votoi? Partia, kush tjetër. Unë nuk jam aq i pagdhendur që të pyes:

Po partinë kush e votoi e kush e zgjodhi?

Si mund të zgjidhet partia kur ajo është mbi të gjitha, mbi qeverinë, mbi popullin, mbi Shqipërinë, mbi perëndinë.

Partia udhëzon, partia urdhëron, partia të merr tokën, partia të merr shpirtin, partia të lë pa fe, partia të lë pa besë, partia të ndan nga gjithë rruzullimi, partia të kalb në kampe, partia të tret në burgje, partia të shkrin si qiri te bishti i kazmës, partia të spiunon, partia s’të lë të flasësh, partia s’të lë të heshtësh, partia të trullos me doktrina, të shushat me dokrra, ta jep ushqimin me listë, të mban me terror e tmerr në gjendje shtetrrethimi për dyzet vjet.

E si mund të pyes unë, kush e zgjodhi partinë?

Një parti që bën kaq shumë çudira s’ka nevojë të zgjidhet e të votohet.

Partia nuk zgjidhet dhe nuk votohet.

Partinë e krijoi shoku i dashur Enver Hoxha me ca derrkuqër të tjerë, po ata të tjerët nuk e kishin turirin njësoj si të shokut të dashur Enver, kështu që ai i hëngri të gjallë një e nga një me dashuri të madhe.

  • Po është e vërtetë që disidenti i parë shkrimtar Bilal Xhaferi u arratis për në SHBA për t’u trajnuar në vendin më të lirë të botës, për lirinë e fjalës, për lirinë e mendimit. U trajnua për të treguar sahanlëpirësit e diktaturës, për t’i bërë paçamure në të gjithë botën me shkrime dhe karikatura. Për të treguar se ç’po ndodhte në vendin e shqiponjave, në burgun më të madh në botë me tre milionë njerëz brenda, dhe nëpër të gjitha burgjet brenda burgut të madh. Ky ishte trajnimi që bëri Bilal Xhaferi. Për çdo opinion të pabazuar mbi asnjë fakt apo dokument që, rëndom, përpiqem të hidhen mbi figurën e shkrimtarit, do të publikohen karrikaturat dhe shkrimet që gjenden në faqet e revistës së tij. Bilal Xhaferi ishte trajnuar nga paraardhësit e tij me dashurinë për atdheun, për Shqipërinë dhe shqiptarët, ndryshe nga ju që jeni trajnuar nga partia, nga udhëheqësi juaj, të cilit i qëndroni besnikërisht të palëkundur ende dhe sot.
  • Për ne nuk kanë rëndësi dosjet, ne e kemi të gdhendur në zemër të vërtetën e pamohueshme, e së bashku me të edhe dashurinë për atdheun, për këtë atdhe që u përket të gjithë Shqiptarëve, me të gjitha fetë e tyre.
  • Bilal Xhaferi do të ketë gjithmonë datëlindje, për të gjithë lexuesit, dashamirësit dhe sidomos për mua, motrën e tij.