Veteranët: Qeveria po harron 75-vjetorin e Çlirimit

544
Sigal

Deklaratë e Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të LANÇ: Për hartimin nga qeveria të programit për festimin e 75-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë

Viti 2019 është viti jubilar i 75-vjetorit të çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë dhe bashkëpunëtorët e tyre kolaboracionistë, ngjarje kjo, fondamentale në historinë e vendit tonë. Ishte Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, epopeja më e lavdishme në historinë e popullit tonë që bëri realitet çlirimin e Shqipërisë, lirinë dhe pavarësinë e saj që gëzojmë ne sot. Për këtë ngjarje madhore populli ynë, veteranët e LANÇ dhe pasardhësit e tyre, janë krenarë, sepse vendi ynë, në Luftën e Dytë Botërore, që në nëntor të vitit 1942, u radhit në krahun e fitimtarëve, në Koalicionin e madh Antifashist Botëror me në krye Anglo-Sovjeto-Amerikanët dhe shpëtoi copëtimin e Shqipërisë nga synimi i qarqeve shoviniste. Jubileu i 75-vjetorit të Çlirimit duhet vlerësuar drejt për ta festuar me solemnitet e dinjitet ashtu siç e meriton, sikurse është vepruar edhe në përvjetorët e mëparshëm. Komiteti Kombëtar i Organizatës së Veteranëve të LANÇ që në fillim të vitit ka hartuar dhe miratuar një program të detajuar, si për Qendrën ashtu edhe për komitetet e veteranëve të LANÇ në bazë, kurse qeveria, edhe pse kemi hyrë në muajin e tretë të këtij viti jubilar nuk e ka krijuar komisionin qeveritar për festimet e kësaj ngjarjeje madhore, ndryshe nga përvjetorët e tjerë kur qysh në fillim të vitit krijohej komisioni qeveritar nën drejtimin e zëvendëskryeministrit, i cili nëpërmjet një programi të veçantë përcakton detyrat që duhen zbatuar në qendër e në bazë për festimet e përvjetorëve të çlirimit. Mbetet detyrë e qeverisë që të angazhohet për krijimin e komisionit në fjalë. Çdo vonesë tjetër do të ishte me pasoja.

Komiteti Kombëtar i Organizatës së Veteranëve të LANÇ