Malësorë, në 3 mars votoni për komunën e Tuzit

362

Nga Harry Bajraktari*

Më 3 Mars, të dielën, shqiptarët e Malësisë së Madhe në Mal të Zi do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre legjitim në komunën e Tuzit, e cila pas shumë përpjekjeve politike u themelua në Shtatorin e vitit të kaluar. Këto zgjedhje janë historike, duke marrë parasysh të kaluarën e kësaj krahine, e cila është lënë anash nga pushteti, më herët në kohën e komunizmit dhe më vonë pas rënies së tij. Partitë politike të Malësisë së Madhe të komunës Tuz: Alternativa Shqiptare, Lidhja Demokratike Shqiptare dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve në këto zgjedhje për herë të parë po dalin në një listë të përbashkët (koalicion) për zgjedhjet lokale që do të mbahen të Dielën më 3 Mars. Ky është koalicion parazgjedhor dhe shumë i favorshëm për të marrë në duart e veta fatin e Malësisë së Madhe: zhvillimin ekonomik, ruajtjen e identitetit, zgjerimin e rrjetit shkollor dhe ndaljen e migrimit të shqiptarëve nga kjo krahinë e madhe, e cila përbëhet nga shumë fshatra, të cilat nga mos perspektiva me dekada të tëra braktisën trojet e tyre dhe dolën në botën perëndimore, sidomos në SHBA. Nga regjistrimi I vitit 1981 e deri në regjistrimin e fundit 2011 shihet rënie e numrit të banorëve jo vetëm në Malësinë e Madhe, por edhe në trevat tjera shqiptare siç janë; Ulqini, Ana e Malit, Tivari, Plava e Gacia, Rozhaja e lokalitete të tjera shqiptare. Një numër mbi 5% e shqiptarëve është në kryeqytetin e Malit të Zi, në Podgoricë. Komuna e Tuzit përbëhet nga shumica shqiptare, që do të thotë se tani është rasti historik të udhëhiqet nga vetë ata. Në vitin 1975 në Tuz u hap gjimnazi në gjuhën shqipe, ku pas kryerjes së tij, shumë malësorë u regjistruan në fakultete të ndryshme në Prishtinë dhe në shkollat e larta në Gjakovë, Prizren e Pejë. Këto kuadro të shkolluara nga Malësia e Madhe, për fat të keq nuk mundën të gjenin punë në trevën e tyre të varfër e të pazhvilluar, andaj u detyruan të emigronin jashtë krahinave të tyre. Malësia e Madhe ka dhënë shumë atdhetarë e personalitete të artit dhe kulturës shqiptare, si Dedë Gjo Lulin, shkrimtarin Martin Camaj e piktorin Gjelosh Gjokaj, i njohur në përmasat evropiane e shumë personalitete të tjera. Nga kjo anë shqiptare sot ka shumë malësorë të vendosur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si në Detroit, New York dhe në shtetet tjera amerikane. Nga këtu, ata në forma të ndryshme kanë ndihmuar dhe mbështetur atdheun, si vendasit e tyre në Mal të Zi, e sidomos kanë ndihmuar lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, qoftë duke marrë pjesë në demonstrata në Washington dhe New York pranë OKB-se, qoftë materialisht dhe së fundmi duke marrë pjesë edhe në radhët e UÇK-së. Pra, kur merret parasysh ndjenja e dashurisë ndaj trojeve tona etnike dhe kontributi i tyre që dhanë malësorët nga SHBA për kombin, një kthim borxhi për ta, do të ishte dalja masive e banorëve të Malësisë së Madhe në votimet e së dielës më 3 Mars. Kësaj thirrje, këtij obligimi, besoj se t’i bashkohen edhe malësorët në SHBA dhe ata që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës, dhe që kanë të drejtë vote. Malësorë, merreni si obligim moral e kombëtar, kudo që jetoni e keni të drejtë vote, të dilni masivisht dhe votën tuaj ta jepni për “Forumin Shqiptar”, përkatësisht për listën zgjedhore “Malësia na Bashkon”, për komunën tuaj Tuzin. Në këtë mënyrë ju votoni për perspektivën tuaj, për zhvillimin ekonomik të Malësisë së Madhe, për krijimin e vendeve të punës, shkollimin e fëmijëve, dhe së fundmi, për lumturinë e familjeve dhe fëmijëve tuaj.

*Autori është veprimtar dhe biznesmen i shquar i Komunitetit Shqiptaro-Amerikan dhe themelues i gazetës “Illyria”.