Speciale nga Kujtim Hoxha: Skema e sigurimeve shoqërore në kaos, ja si u mohohen vitet e punës pensionistëve!

356
Sigal

– Ja ndryshimet në ligjet për skemën e pensioneve, problemet e konstatuara në mungesën e dokumentacionit bazë të vjetërsisë në punë dhe kontributeve në ISSH dhe DPTatimeve,  si të llogarisni caktimin e pensioneve , kushtet e përfitimit për pension familjar, invaliditeti dhe si Instituti i Sigurimeve Shoqërore uli në 1 muaj fondin rezervë për garantimin e pensioneve

Info

Në dhjetë vitet e fundit çdo vit e humbasin të drejtën e përfitimit të pensionit të invaliditetit më shumë se 15.000 qytetarë

 

Gazeta “Telegraf” nis sot një cikël për pensionet, temë, e cila ka ngjallur shumë pakënaqësi te qytetarët, çmimet e të cilëve janë rritur 3-fish për tre vjet. Nëse do kemi parasysh se para disa vitesh me 50 mijë lekë kaloje javën me ushqimet tani më kjo gjë është e pamundur me rritjen e çmimeve. Qeveria duket se ka dështuar në trajtimin e pensionistëve në vend me indeksimet qesharake 4.1 % dhe jo rritje reale e pensioneve, ndaj dhe pjesa dërrmuese e pensionistëve në vend është në mëshirën e parave që ju sjellin  fëmijët nga jashtë për të mbijetuar. Eksperti i pensioneve Kujtim Hoxha do trajtojë për lexuesit e “Telegraf” një seri shkrime për problemet në fushën e sigurimeve shoqërore, duke i analizuar sipas pikave si vijon më poshtë.

  1. Çfarë difekte rezultojnë në skemën e sigurimeve shoqërore me Ligjin nr 7703 datë 11.05.1993 të ndryshuar me Ligjin nr 104/2014, (Ose i quajtur Ligji Erjon Veliaj). Përkeqësimi i skemës sipas profileve dhe grupeve shoqërore të dëmtuara nga zbatimi në praktikë në këto 10 vitet e fundit.
  2. Problemet e konstatuara në mungesën e dokumentacionit bazë të vjetërsisë në punë dhe kontributeve në ISSH dhe DPTatimeve, të domosdoshme për kalkulimin dhe caktimin e pensioneve.
  3. Mendime se si duhet përmirësuar/rikonceptuar skema e sigurimeve shoqërore, për të nxjerrë skemën e sigurimeve shoqërore nga kjo gjëndje e vështirë.

(Për të shprehur argumentat dhe mendimet për problemet e mësipërme mendoj që ato t’i analizojmë në tre artikuj të ndryshëm sipas pikave të mësipërm)

Shtesë pensioni për shtyrje të datës së daljes në pension -Në këtë nen është parashikuar edhe rasti kur personi ka plotësuar moshën për të dalë në pension, por vazhdon të punojë, sipas këtij neni qytetari pensionist mund të përfitojë pensionin dhe njëkohësisht të punojë, por duhet të paguajë sigurime shoqërore dhe shëndetësore, Periudha që derdh kontribute në këtë rast nuk i njihen për të përmirësuar pensionin për periudhën që kontribon dhe përfiton pension pleqërie.

Ku konsiston ndryshimi i skemës së sigurimeve shoqërore nr 7703 datë 11.05.1993 me Ligjin Nr 104/2014, dhe përkeqësimi i saj, efektet negative në interes të qytetarëve)?

Ligji nr7703 Neni 8 Periudha e mbrojtjes nga sigurimet shoqërore ishte: për efekt të pensionit të pleqërisë, pensionit të invaliditetit dhe të pensionit familjar është edhe periudhë kur personi përfiton të ardhura nga sigurimi shoqëror për shkak sëmundjeje, barrëlindje, aksidenti në punë ose sëmundje profesionale dhe për papunësinë…”

Me Ligjin 104/2014 të ndryshuar ky nen ka ndryshuar: “…Periudha e mbrojtjes nga sigurimet shoqërore njihen si periudha sigurimi, por deri në nivelin e parashikuar në nenin 92 në momentin e lindjes të së drejtës”. Shembull: ( Në vitin 2024 një qytetari që del në pension pleqërie i nevoiten 38 vjet e 4 muaj punë dhe ai plotëson 36 vjet punë dhe 6 vjet në historinë e tij të punës është trajtuar dhe ka përfituar nga sigurimet shoqërore, pra gjithsej 42 vjet punë, por atij për efekt të përfitimit të pensionit të pleqërisë i njihen vetëm 2 vjet e katër muaj nga koha që ka përfituar nga sigurimet shoqërore.( 36 vjet +2 vjet e 4 muaj nga sig.shoq.=38 vjet e 4 muaj) Tre vjet e 8 muaj i mohohen për llogaritje pension pleqërie),

Neni 33 – Shtesë pensioni për shtyrje të datës së daljes në pension (Ndryshuar titulli dhe neni me ligjin nr. 8776, datë 26.04.2001; ndryshuar neni me ligjin nr. 9377, datë 21.04.2005; ndryshuar neni me ligjin nr. 104/2014, datë 31.07.2014). I siguruari, i cili ka plotësuar kushtet për pension pleqërie, sipas nenit 92, të këtij ligji, merr shtesë në masën 0,5 për qind të pensionit për çdo muaj që shtyn datën e daljes në pension dhe vazhdon të paguajë kontribute.

Në këtë nen është parashikuar edhe rasti kur personi ka plotësuar moshën për të dalë në pension, por vazhdon të punojë, sipas këtij neni qytetari pensionist mund të  përfitojë pensionin dhe njëkohësisht të punojë, por duhet të paguajë sigurime shoqërore dhe shëndetësore, Periudha që derdh kontribute në këtë rast nuk i njihen për të përmirësuar pensionin për periudhën që kontribon dhe përfiton pension pleqërie

Neni 35 Kushtet e përfitimit . Pensioni i Invaliditetit

Ligji Nr 7703 “ Pika 2 Periudha minimale e sigurimit për pension invaliditeti është sa gjysma e diferencës së moshës së personit të siguruar në kohën që bëhet i paaftë dhe moshes 20 vjeç”.

Ligji 104/2014“Periudha minimale e sigurimit për pension invaliditeti është sa 3/4 e diferencës së moshës së personit të siguruar në kohën që bëhet i paaftë dhe moshës 20 vjeç dhe në 5 vitet e fundit para lindjes së të drejtës të ketë së paku 12 muaj sigurim shoqëror”Në këtë rast të gjithë personat, të cilët kanë punuar për një kohë të gjatë dhe kanë derdhur kontribute për llogari të sigurimeve shoqërore nuk mund të përfitojnë pension invaliditeti nëse nuk kanë periudha sigurimi të paktën një vit në pesë vitet e fundit para se të shpallej invalid. Pra qytetarët megjithëse plotësojnë kriteret mjekësore nga KMCAP nuk e përfitojnë pensionin e invaliditetit, sepse nuk plotësojnë këtë të fundit. Në dhjetë vitet e fundit çdo vit e humbasin të drejtën e përfitimit të pensionit të invaliditetit më shumë se 15.000 qytetarë.

PENSIONET FAMILJARE Ligji 7703,Neni 40 “ Pika 2“.. E veja kur ka mbushur moshën 50 vjeç”

Ligji 104/2014 a. E veja, – e paaftë për punë, ose – ka mbushur moshën 55 vjeç. b) Burri i ve, kur provohet se ai është: – i paaftë për punë ose – ka mbushur moshën 60 vjeç. Pra edhe në pensionin familjar mosha për ta përfituar atë është shtuar me 5 vjet.

Ligji Nr 7703, Neni 60 (Shtuar fjalët me ligjin nr. 9377, datë 21.04.2005.) Për personat që nuk kanë pagë ose që nuk kanë dokumentin, i cili vërteton pagën, përfitimet llogariten mbi pagën minimale.

Neni 70 Fondi rezervë (Ndryshuar neni me ligjin nr. 104/2014, datë 31.07.2014)

Ligji 7703 Neni 70, Pika 2”… . Instituti i Sigurimeve Shoqërore krijon një fond rezervë që të mbulojë të paktën 3 muaj shpenzimet për pensione”.

Ligji Nr 104/2014 “Instituti i Sigurimeve Shoqërore krijon një fond rezervë që të mbulojë të paktën 1 muaj shpenzimet për pensione.” Me miratimin e ligjit 104/2014 fondi për garantimin e pensioneve krahasuar me ligjin 7703 ka zbritur nga 3 muaj garanci në një muaj. Kjo tregon një pasiguri në përfitimin e pensioneve.

Neni 91- Periudhat e quajtura si periudha sigurimi (me ligjin nr. 104/2014, datë 31.07.2014)

Shembull: ( Në vitin 2024 një qytetari që del në pension pleqërie i nevojiten 38 vjet e 4 muaj punë dhe ai plotëson 36 vjet punë dhe 6 vjet në historinë e tij të punës është trajtuar dhe ka përfituar nga sigurimet shoqërore, pra gjithsej 42 vjet punë, por atij për efekt të përfitimit të pensionit të pleqërisë i njihen vetëm 2 vjet e katër muaj nga koha që ka përfituar nga sigurimet shoqërore.( 36 vjet +2 vjet e 4 muaj nga sig.shoq.=38 vjet e 4 muaj) Tre vjet e 8 muaj i mohohen për llogaritje pension pleqërie.

Periudha e kryerjes së studimeve në shkollën e lartë, me shkëputje nga puna për gruan, duke filluar 33 nga data 01.09.2000 dhe deri më 31.12.2032, pavarësisht nga vendi se ku janë kryer studimet dhe për jo më shumë se 6 vjet, njihet periudhë sigurimi vetëm për efekt pensioni pleqërie. Në kuptim të këtij neni, viti shkollor është me 12 muaj. Në këtë rast, kontributet përballohen nga Buxheti i Shtetit, në kohën kur merret vendim për caktimin e pensionit.

Neni 92 Zgjatja graduale e moshës dhe periudhës së sigurimit për pension (Ndryshuar me ligjin nr. 8889, datë 25.04.2002; ndryshuar me ligjin nr. 104/2014, datë 31.07.2014)

  1. Mosha dhe periudha e sigurimit për pension pleqërie, deri në arritjen e moshës dhe plotësimin e periudhës së sigurimit, që përcaktohet në pikën 1, të nenit 31, të këtij Ligji, do të rriten;
  2. Prej vitit 2015 e në vazhdim çdo vit vjetërsia e punës shtohet me katër muaj derisa të arrihet vjetërsia e punës 40 vjeç,(Burra dhe gra), që i përkon me vitin 2032.
  3. Për gratë duke filluar nga viti 2015 mosha për të dalë në pension çdo vit rritet me 2 muaj dhe kjo do të vazhdojë derisa gratë të dalin në pension në moshën 65 vjeç.

Neni 93 Për nënat me shumë fëmijë. (Zëvendësuar fjalë dhe ndryshuar paragrafi i dytë me ligjin nr. 104/2014, datë 31.07.2014, neni 44) Nënat që kanë lindur 6 ose më shumë fëmijë, të cilët janë rritur më shumë se 8 vjeç, marrin pensionin e pleqërisë, kur kanë plotësuar moshën 55 vjeç:

Neni 93 i Ligjit Nr 7703 “Nënat që kanë lindur 6 ose më shumë fëmijë, të cilët janë rritur më shumë se 8 vjeç, marrin pensionin e pleqërisë, kur kanë plotësuar moshën 50 vjeç: Në këtë rast qeveria është kontradiktore me vendimet e veta. Në njërën anë nxjerr vendim për shpërblimin e çdo fëmije të lindur, në anën tjetër nxjerr ligj për shtyrjen e daljes në pension për nënat me shumë fëmijë nga 50 vjet në 55 vjet?

Neni 96; ndryshuar paragrafi i tretë me ligjin nr. 104/2014, datë 31.07.2014, neni 46; shtuar paragraf i gjashtë me ligjin nr. 104/2014, datë 31.07.2014. Sipas këtij neni, i cili plotësohet me VKM për vlerësimin e punës të njëjtë me ato të punëve të njëjta në ish NB vlerësohen me diskriminim ndaj punonjësve të ish KB. Kështu puna në bujqësi në KB për efekt të llogaritjes së pensionit vlerësohet me 1.619 lek/muaj, kur e njëjta punë në ish NB vlerësohet me 2.833 lek/muaj. Kjo ka bërë që pensionet e ish KB-ve të jenë më të vogla se pensionet e tjera në RSH.

V.O. Përmëndja e Neneve dhe ligjeve: Ligjit 7703 & 104/2014 është bërë për t’ju referuar burimit të informacionit dhe krahasimi i këtyre ligjeve për probleme të njëllojta. Lexuesi, apo i interesuari le të gjykojë vetë se cili prej këtyre ligjeve plotësonte më mirë interesat e pensionistëve.