Si u organizua kryengritja popullore për largimin e Zogut dhe krijimi i qeverisë së Fan S. Nolit

203
Sigal

Si u organizua kryengritja popullore për largimin e Zogut dhe krijimi i qeverisë së Fan S. Nolit. Fjalimi i famshëm i Nolit në Parlament për ‘Kabinetin e Pykave”.

 

/Gazeta TELEGRAF

Fan S. Noli: Kabineti i Pykave   

Rreth një shekull, Fan S. Noli (6 janar 1882 – 13 mars 1965)  përkthyes, politikan, diplomat, poet e historian shqiptar  analizonte përbërjen dhe kapacitetin e njerëzve të zgjedhur në qeveri dhe në parlamentin shqiptar. Sipas Nolit, qeveritarët dhe deputetët e emëruar kanë për ideal të tyre vetëm mbajtjen e kulltukëve me çfarëdo çmimi dhe mjetet e tyre për të arrirë këtë ideal, janë druri dhe ryshfeti. Ai etiketonte këta qeveritarë si pyka  dhe se është në natyrë të pykave të jenë të rrethuar me pyka e me dallkaukë. Emërimet e  nëpunësve, krijimi i vendeve të punës për militantët  e pazotë,  duke boshatisur  arkën e shtetit me tenderat pa cilësi, zaptimin e pronave, prishjen e objekteve të traditës, prishjen e shesheve dhe rrugëve dhe zëvendësimin me ato që përmbytet dhe prishen me shiun e parë që bie. Po sipas Nolit, nga padia s´u japin asnjë rëndësi degëve të bujqësisë, shëndetësisë e arsimit, degë të cilat janë për Shqipërinë, çështje jete dhe vdekje. Mesa duket, Fan .S. Noli ka folur gati 100 vite më parë dhe fjalët e tij janë një testament i rëndësishëm ku ne sot, në 2020 shohim të njëjtat cilësi tek deputetët dhe qeveritarët, të njëjtat etiketime nga intelektualët, ekspertët e fushave dhe qytetaria shqiptare.

Fan Noli, votuesit dhe qeveritarët sipas kategorive të Makiavelit

Qetësia, me të cilën më dëgjuat dje, më bëri një përshtypje të thellë. Veçanërisht, duke marrë ndër sy që midis dëgjonjësve, ndodheshin shumë kundërshtarë të metimeve tona politike. E ndjej pra, veten të detyruar të falënderoj të gjithë e të këshilloj miqtë tanë të dëgjojnë me atë qetësi kritikat e kundërshtarëve, se, tërë mjeshtëria e politikës është të dëgjosh mejtimet e të gjithë palëve me durim e gjakëftohtësi, të përqasësh e t´i peshosh, dhe pastaj të votosh pas gjykimit e ndërgjegjes. U gëzova shumë që populli i Korçës dhe i rretheve e paskan këtë virtyt civil, dhe tani e ndjej veten time më kryelartë që jam qytetar i nderit i qytetit tuaj të urtë patriotik. Dha jam i lumtur që vinj sot përsëri përpara jush, që t´ju shpjegoj arsyet për të cilat kundërshtojmë qeverinë e sotme. E kundërshtojmë se disorganizon shtetin, se shkel liritë, se s´kujdeset as për bukën , as për shëndetin, as për arësimin e popullit. Këto arësye i kemi shpjeguar dhe në parlament, po taje zëri ynë u mbyt prej gishtrinjve të deputetëve proqeveritarë. Dalim, pra, tani, përpara gjykatores së lartë të popullit që të na gjykojë e ta verë në vend cilindo me topuzen e votës.

Makiaveli i ndau qeveritarët në tri kategorira:

  • Qeveritarët që kanë ment vetë e dinë ta rregullojnë shtetin me squatësinë e tyre, këta janë më

të mirët:

  • Qeveritarët që s´kanë ment vetë, po përfitojnë nga sqotësia e këshilltarëve të tyre, dhe këta

janë të mesmit:

  • Qeveritarët, të cilët s´janë të zotët as vetë, as dinë të përfitojnë nga këshillat e miqve të tyre,

dhe këta janë ata më të humburit. Për fat të keq, qeveritarët tanë hyjnë në kategorinë e tretë.

Kabineti ynë i sotëm është në kuptimin e plotë të fjalës Kabineti i Pykave.

Se ca janë pyka nga dituria e ca janë pyka nga vlera civile. Dhe është në natyrë të pykave të jenë të rrethuar me pyka e me dallkaukë. Ideali i tyre nuk është të organizojnë shtetin, se as ata vetë s´dinë të organizojnë, as organizatorët nuk do t´i lenë të lirë. Ideali i tyre është të mbajnë kulltukët me çfarëdo çmimi. Mjetet e tyre për të arrirë këtë ideal janë druri dhe rushfeti. Me drurin e me forcën brutale po përpiqen të skllavërojnë racën tonë e të përjetësojnë qeverimin tiranik të tyre. Shtypjen e Shqipërisë së Mesme përpiqen tani ta zbatojnë e në prefekturat e tjera, që kështu të mos mbetet asnjë krahinë e gjallë dhe e lirë që të përpiqen t´i kundërshtojnë. Me rushfetin në formë të ndrydhme, me misione të papemëta (pafrutshme), duket  me emërime nëpunës të pazotit, me krijimin e nëpunësirash të reja dhe duke çkallmuar arkën e shtetit, po përpiqen të fitojnë miq e partizanë më të djathtë e më të mëngjër. Nga kjo rrejth defiçiti i buxhetit, i cili është prej 5 meleunash, ndonëse këto 5 meleuno në kartë, nuk duken – shtimi i taksave dhe mospagesa e nëpunësve. Nga padia prishën në vend që të mdërtojnë, çkulën një udhë  moderne të ndërtuar në Berat prej austriakëve dhe e rindërtuan aq bukur sa u çkallmua posa ra shiu i parë. Për të zbukuruar Tiranën rrëzuan përmbi 150 shtëpi e dyqane, pa i çpërblyer popullit para, të cilët mbetën udhëve, dhe Tirana, sot është më e shëmtuar se më parë. Bashkë me barangat e Vlorës që u shitën për dhjamë qeni, jo për banesa, po që të çkulen e të shiten si material, u shitën e disa ndërtesa prej guri të cilat kanë kushtuar qindra mijëra franga. Një ndërtesë e gurtë me një shije të bukur pranë Ujit të Ftohtë që ka kushtuar të paktën 300 000 lireta u shit prej qeverisë sonë vetëm 150 000 lireta, e tani nuk ekziston më. Një debojë (depo armësh) afër Drashovicës, që përmbante vegla të ndryshme për të ndërtuar udhët që bënte meleunë lireta kishte mbetur e pacënuar gjersa arriu në vesh të qeverisë sonë lajmi i ndodhjes së saj. Po me të dëgjuar qeveria jonë emërtoi një kujdestar, që ta ruante: Tërë ky thesar u çduk si me magji në këtë thes, dhe qeveria jonë dërgonte misione jashtë të blinte vegla që të ndërtonte udhët. Nga padia s´u japin asnjë rëndësi dëgëve të bujqësisë, shëndetësisë e arësimit, degë të cilat janë për Shqipërinë çështje jete dhe vdekje.