Shyqyri Alushi, bilbili i “Ahengut Shkodran”

1197
Sigal

Nga Ramazan Çeka

Ndahet nga jeta në moshën 85-vjeçare këngëtari “Artist i Merituar” i qytetit të Shkodrës

Shyqyri Alushi, një prej këngëtarëve më të mirë shkodran, me një karrierë shumë të pasur në muzikën popullore, një nga këngëtarët më të dashur të publikut për shumë dekada me radhë në rang kombëtar, u nda nga jeta në moshën 85-vjeçare, pas një sëmundje që nuk e përballoi. Zhvillimi ekonomik i qytetit të Shkodërs në shekullin e 19-të dhe fillimet e shekullit të 20-të, konsistoi në zhvillimin e tregtisë dhe zejtarisë, që në këtë kohë ishin edhe baza e mbarëvajtjes, mirëqenies, por edhe të një zhvillimi kulturor në këtë qytet, ku shohim një hop cilësor në krijimtarinë artistike si letërsia, muzika, piktura, fotografia dhe sporti. Mbi bazën e organizimeve sipas profesioneve e sidomos atyre të zejtarisë u krijuan edhe shoqata kulturore ku spikasin ato të muzikantëve, të cilët filluan të bashkojnë talentet dhe t’i japin kështu një formë dhe identitet të ri këngës qytetare, duke sjellë ngjyra të reja në kompozimin dhe interpretimin e këngës shkodrane. Skena ku këta grupe do të testonin këngën e tyre, natyrisht ishin sofrat e familjeve shkodrane në gëzimet e tyre, “Koncertet” që ata organizonin në këto raste nuk kishin si të quheshin ndryshe, për posë një emërtimi të huazuar që sot njihet me emrin “Ahengu shkodran”. Muzikantët dhe këngëtarët sollën përmes këtij ahengu një muzikë autentike, me një vijë melodike që e dallonte nga e kaluara, me tekste që pasqyronin pastër shqipen dhe të folmen shkodrane, dhe që sot kur i dëgjon të ngjajnë me arie klasike, të cilat shkodranët i quajnë “Jare”. E filluam kështu këtë shkrim, pasi pak historik për lindjen dhe zhvillimin e “Ahengut shkodran” do të na ndihmojë që lexuesi të kuptojë se personazhi për të cilin do të flasim, dhe për të cilin me shumë dhembje duhet të themi se është përfaqësuesi i fundit i këtij ahengu që u nda nga jeta. Ky personalitet është “Artisti i merituar”, këngëtari i madh popullor Shyqyri Alushi, i cili ka lindur në ambientet e këtij ahengu, është rritur me të, e ka pasuruar dhe mbajtur gjallë, duke dhënë kontributin e tij për këtë pasuri të madhe kombëtare.

Ka lindur më 10 maj 1934, në një familje qytetare në Bahçallek dhe që ishte banor i lagjes “Rus” (Partizani) të Shkodrës. Shyqyri Alushi ka marrë famë si këngëtar jo vetëm i ahengut, por edhe i skenës dhe në Shkodër ka qenë shumë i preferuar, saqë për çdo punë të përkryer apo objekt të punuar në mënyrë të përsosur, lindi shprehja frazeologjike “E ka bërë Shyqi”, “Të paska dalë Shyq”, si p.sh. një biçikletë apo për ndonjë shtëpi të re. Periudha për të cilën po shkruaj, nuk kishte vlerësim më të lartë, pasi e donin jo thjesht Shyqin, por këngën që ai përcillte, të cilën e ka kënduar jo vetëm me pasion e dashuri, por me vërtetësi e saktësi. Ai pati një jetë të tërë si artist, me një kontribut të madh e fatkeqësisht kurrë nuk e ndjeu veten të vlerësuar. Këtë më mirë e dinë organet drejtuese, por edhe ata që sot drejtojnë jetën kulturore e artistike të qytetit tonë. Por le t’i lëmë këta, pasi nuk janë tema e këtij shkrimi. Shyqi ishte shumë i vogël kur ka filluar të këndojë në një familje në Bahçallek, ku çardaku i asaj shtëpie u mbush plot me komshinj, burra e gra që kishin ardhur të dëgjonin aheng. Aty ai bëri aheng me Jonuz Gushtën dhe Enver Anadollin, Jonuzi i binte fizarmonikës, kurse Enveri dajres. Zëri i Shyqit atyre iu pëlqeu dhe e falënderuan. Në bisedë e sipër Jonuz Gushta tha, se këtij djali ne kemi për t’ia pasur nevojën… Kurse në skenë ka filluar për herë të parë të këndojë kur ka qenë 10 vjeç dhe doli në Kino-teatër “Rozafat” me këngën “Mori drandofilja e kuqe”. Disa kohë më vonë ka njohur Hasan Prezën, një ndër ahengxhinjtë e njohur të Ahengut shkodran, i cili e priti me shumë dashamirësi dhe i dha një fletore me këngë, të cilën edhe sot e ka të ruajtur në shtëpi. Kjo fletore ka qenë “Abetaria” e tij e parë në rrugën e këngës, pasi në këtë fletore që ai kishte shkruar me dorën e tij ishin perlat e krijueseve shkodranë. Respekti për këngëtarët dhe instrumentistët e kohës e ka shoqëruar vazhdimisht. Por rastësia, ndonjëherë, kapërcen edhe rrjedhën normale. I përmendëm më lart Jonuz Gushtën dhe Enver Anadollin, pasi Shyqi ishte 17 vjeç kur iu bashkua grupit të këtyre dy mjeshtërve të interpretimit të këngës popullore shkodrane. Shpejt ky grup muzikor bëri emër. Një tjetër virtuoz i kohës ka qenë Kol Vjerdha. Ai i binte violinës në gju. Ai ka pasur një biçikletë me nr.1, por numër 1 Kola ishte edhe në violinë. E njihte ahengun shkodran dhe i jepte shpirt interpretimit. Grupi që ai drejtonte përbëhej nga Jonuz Gushta – në fizarmonikë, Karlo Pali – në braç, Shefqet Kruja – në dajre, Qazim Shazi dhe Shyqi – këngëtar. Qe një grup shumë simpatik, i përbërë nga ahengxhinj pasionantë e të aftë dhe u quajt “Grupi karakteristik i ahengut shkodran”, duke u bërë shpejt i njohur në të gjithë Shkodrën e më tej. Më pas, për arsye familjare Jonuz Gushta u largua nga grupi i Shyqit dhe në këtë grup erdhi Rexhep Zaganjori, një fizarmonicist shumë i talentuar me të cilin vazhduan disa vite, duke qenë të pranishëm në gëzimet familjare të qytetarëve shkodranë. Kishin harmoni e mirëkuptim me njëri-tjetrin dhe çdo aheng e bënin me qejf të madh. Për fat, në grup patën edhe kompozitorin popullor, krijuesin e talentuar Shefqet Kruja, i cili në këngët popullore qytetare shkodrane qysh atëherë e në vijim pati një jehonë të admirueshme. Me këngët e tij të bukura, për nderin e tij dhe tonin, bënë edhe një shtesë të ahengut shkodran, duke futur në kulm të tij këngën që ata e quanin “Zyl hava”. T’u përgjigjeshe kërkesave të njerëzve për të marrë pjesë në gëzimet e tyre familjare ka qenë sakrificë e vërtetë, pasi pavarësisht telasheve që sillte lëvizja nga një cep i Shkodrës në tjetrin, nga një fshat në tjetrin, për mungesë mjetesh udhëtimi, organizimi i ahengut kishte përgjegjësinë e madhe për t’u realizuar në nivel të lartë profesional e artistik, sepse përballë kjo orkestër kishte kritikun më të madh, popullin aq artdashës, i cili i korrigjonte dhe i vlerësonte.

Shkodra ka pasur gjithmonë dashamirës të Ahengut shkodran, siç i quajmë “ashikë”, që dinin çdo lëvizje të tyre, merrnin pjesë si spektatorë, ndoshta duke qëndruar gjithë natën pas gardheve dhe avllive të shtëpive shkodrane me tifo dhe pasion, sa mund të krahasohen me tifozët e zjarrtë të futbollit. Nuk duhet lënë pa përmendur, midis shumë të tjerëve ashiku Cuf Shkreli, i cili ka thënë një fjalë me shumë kuptim, “Kafaza ka shumë, bilbila ka pak”. Vitet kalojnë dhe nga skena e “Sofrave” Shyqyri Alushin e shohin në skenën e madhe të Teatrit “Migjeni”. Rreth viteve ’70 Shyqi kishte bërë emër si këngëtar edhe nëpër ahengjet shkodrane, por edhe nëpër skenat e trupave amatore. Kështu që në vitin 1974, duke pasur parasysh kontributin e tij, e punësuan këngëtar në Estradën Profesioniste të qytetit të Shkodrës. Aty fitoi admirimin e spektatorëve, duke u bërë e mundur përfshirja e tij në radhët e profesionistëve. Kjo i rriti edhe më shumë përgjegjësinë para mijërave simpatizantëve që kishte e ashikëve të mirëfilltë të ahengut shkodran, aq më tepër kur përkrah Shyqit ishte i madhi Bik Ndoja. Ndërkohë në këtë estradë, drejtues muzike ishte Mark Kaftalli. Mes profesionistëve të estradës së Shkodrës, edhe cilësia e të kënduarit nga Shyqi fitoi dimensione të reja, hyri në një rrugë më shkencore, pasi dhe orkestrimet nuk ishin më improvizime të çastit apo të mbartura me vesh nga njëri grup tek tjetri, por të shkruara nga mjeshtër të mëdhenj si Pjetër Gaci, Mark Kaftalli, Nazmi Lishi, Luan Barova etj. Gjatë karrierës tij artistike, Shyqi ka bërë edhe disa turne jashtë Shqipërie. Për herë të parë ka dalë me “Ansamblin Dajti”, ku kanë dhënë shfaqje në Turqi, Rumani, Bullgari, Portugali, Francë, Gjermani etj. Shyqyri Alushi ka pasur bashkëpunim të gjatë me kompozitorët e mirënjohur Shefqet Kruja dhe Mark Kaftalli, i cili ka ndikuar në rritjen e tij profesionale, por edhe në pasurimin e repertorit të tij. Nuk duhet harruar se këngë për Shyqin ka bërë edhe Sait Hoxha. 12 këngë që i ka të shkruara edhe sot dhe që i ka interpretuar gjatë gjithë kohës së karrierës së tij.

E tashti po kthehemi tek emrat që përmendëm. Ndoshta talenti dhe prezantimi Shyqit, interpretimi fanatik që i bënte këngës shkodrane në ahengje, por edhe me ngjyra ahengu në skenë, bëri që një kontribut të veçantë të japë për repertorin e tij edhe kompozitori popullor Shefqet Kruja, virtuoz dhe unikal në llojin e tij, për të cilin Shyqi kishte një respekt të veçantë, sepse nëpërmjet ritmit të dajres, trashëgimisë së vjershërimit popullor dhe frymëzimit patriotik e pasuroi repertorin e tij duke sjellë këngë perla, që jo vetëm e frymëzuan por edhe e pasuruan profesionalisht në interpretimin e këngës shkodrane, ku duhen përmendur këngët: për Bajram Currin, Pesë Heronjtë e Vigut, Shejnaze Juka, Dasho Shkrelit, Tofik Çanga, Nëpër fusha në kodrina, Kët’ stinë të bukur, Sa e bukur je natyrë e shumë të tjera. E, sa për Markun, përveç cilësive të tjera që e bëjnë atë një artist të madh, ai ishte timonieri i skuadrës, që i fuste në hulli, e nuk i lejonte të bëjnë as më të voglin gabim. Të flasësh për karrierën e Shyqit ka vetëm fillim, nuk ka fund, pasi karriera është aq e gjatë saqë nuk i shkon për shtat fjala fund. Mosha bën punën e vet, por Shyqi e ndjente veten shumë të lumtur që gjatë gjithë jetës ka qenë pjesë e këngës shkodrane dhe ajo ka qenë ushqimi i tij që e ka rritur. Me keqardhje, Shyqi vazhdimisht ka thënë se nuk më mbushet mendja se me këtë trajtim që u bëhet këngëve, mund të themi se është në nivelin që duhet dhe nuk mund të bindemi që kënga po përparon, por përkundrazi ajo në shumë raste po e humb vlerën dhe identitetin e saj. E kishte fjalën për këngën shkodrane, sepse i kujtoheshin interpretimet e këngëtareve brilante: Marie Kraja, Luçie Miloti, Hafsa Zyberi, Drita Papajani, Limane Ymeri etj., që kanë shkëlqyer me madhështinë e zërit të tyre, por që edhe vepra që kanë lënë pas shërben sot jo vetëm si frymëzim, por edhe si shkollë për këngëtarët e rinj. Duhet thënë se Shyqi ishte këngëtari i fundit përfaqësues i plejadës së këngëtarëve dhe muzikantëve të “Ahengut shkodran”. Ishte i vetmi këngëtar që e ka radhitur këtë aheng ashtu si e kanë radhitur ata të moçmit, një për një.

Për ta mbyllur këtë shkrim, mendova se nuk do ishte merita ime sikur të mos përmendja dhe të mos i referohesha një libri, i cili doli në dritë në qershor të vitit 2013 me titullin “Ahengu shkodran më dha jetë”, një autobiografi e këtij artisti të madh, e “kapur” në dorë nga miq të tij të letrave, që nëpërmjet këtij botimi, sollën jo vetëm pasqyrimin e një libri të madh, e një epoke të madhe të muzikës popullore shkodrane, por edhe të një epoke që në Shkodër kishte “Të fundmin e mohikanëve”. Profesor Zef Çoba në parathënien e këtij libri, ndër të tjera thotë: “Artisti i Merituar” Shyqyri Alushi ka fituar një popullaritet të gjerë si këngëtar i mirënjohur i këngës tradicionale qytetare shkodrane. Ndërmjet emrave të shquar që e lidhin talentin dhe përkushtimin e tyre me këtë trashëgimi, Shyqyri Alushi shquhej për individualitetin artistik, që e bën të dallueshëm prej të tjerëve. Duke i hedhur sytë fondit të këngëve të regjistruara ndërmjet viteve 1960-90, të bie në sy që ai i ka interpretuar këngët me formacione nga më të ndryshmet, duke filluar që nga ato të përbëra nga ahengxhinj të njohur, orkestrina amatore, formacioni i estradës profesioniste Shkodër, formacioni i Ansamblit Popullor të Shtëpisë së Kulturës Shkodër, orkestra simfonike e Shtëpisë së Kulturës Shkodër, formacioni i Ansamblit të Këngëve e Valleve Popullore Tiranë, orkestrina simfonike e Radio Televizionit Shqiptar etj. E gjithë kjo tregon, nga njëra anë, interesimin dhe vlerësimin që kanë treguar të gjithë këto struktura muzikore për këngëtarin Shyqyri Alushi, nga ana tjetër, eksperiencën që ka fituar vetë këngëtari i mirënjohur, duke punuar me këto formacione e me drejtuesit e nderuar të tyre”. Dhe le ta mbyllim me një “statistikë”, referuar librit “Ahengu shkodran më dha jetë” botuar nën kujdesin e shkrimtarit Skënder Temali, ish Kryetar i Klubit të Shkrimtarëve të Shkodrës: Shyqyri Alushi thuajse tërë jetën e tij ia kushtoi këngës popullore, duke u bërë një nga mjeshtrit më të shquar të saj. Specialistët e muzikës e kanë konsideruar Shyqyri Alushin si përfaqësuesin e fundit të ahengut shkodran. Gjatë karrierës 60 vjeçare artistike është nderuar me titullin: “Artist i Merituar” (1984), “Krenaria e Qytetit” (2000), me “Çmimin e karrierës” në festivalin e këngës popullore qytetare në Elbasan (1996), fitues i “Diskut të Artë” në maratonën e këngës popullore qytetare në shkallë kombëtare. I nderuar me çmime të tjera e dekorata për kontributin e tij stolistik dhe si përfaqësues dinjitoz i ahengut shkodran. Titullin, dekoratën dhe çmimin më të madh atij ja ka dhënë populli, ndaj dhe ai për popullin këndoi një jetë të tërë. Në emër të publikut të mrekullueshëm shkodran dhe të lexueseve të këtij shkrimi, le t’i themi: Faleminderit mjeshtër për ç’ka na fale me bujari! Tash pushofsh në paqe, duke iu kënduar engjëjve këngët e shpirtit shkodran që ti na i mësove ne! Ngushëllimet më të sinqerta familjes!