Prof.Dr.Alqi Naqellari: Shteti i mbron qytetarët nga konkurrenca e pandershme, me çmimet tavan, jo heqje të TVSH

187
Sigal

Shteti i mbron qytetarët nga konkurenca e pa ndershme nëpërmjet ÇMIMEVE TAVAN

                                                                       

Ja pse nuk është normale që rruga e zgjidhjes të shikohet te ulja e TVSH-së, sepse eksperienca e uljes së saj në interes të konsumatorëve prej uljes së çmimeve është negative

Prof. Alqi NAQELLARI

Në kapitalizëm  çmimet i përcakton tregu, por është qeveria ajo, që vendos kufizime në çmime dhe pikërisht në strukturën e tregut oligopol. Konkurenca është e mirë publike dhe eleminimi i saj është eleminimi i demokracisë

Për këtë shkrim do tju referohem autorëve të huaj dhe shqiptarë, materialeve të institucioneve të pa varura si pjesë e shtetit që funksionojnë në Shqipëri si dhe reagimeve të qeverisë shqiptare ndaj situatës së sotme ekonomike në fushën e çmimeve.

Historia e ndërhyrjes së shtetit në ekonomi është e hershme, që kur ka lindur vetë shteti. Nuk ka pasur një shoqëri të tillë në historinë e njerëzimit ku ka pasur mungesë të plotë të ndërhyrjeve shtetërore edhe, në rastet e ekonomistëve më ekstremë me mendje të hapur dhe liberale. Ata kanë pranuar në disa pika se duhet të ketë mbrojtje nga qeveria e të drejtave të pronësisë, mallrave dhe shërbimeve publike, sistemin kombëtar të mbrojtjes dhe kontrollet e çmimeve. Më vonë dhe deri në ditët e sotme, sidomos gjatë periudhës së pandemisë Covid-19, vazhdon debati për masën në të cilën ndërhyrja e qeverisë mund të jetë e lejueshme dhe drejtimet e saj. Duke parë ndërhyrjet e qeverive dhe të shteteve në tregun monetar, në nxjerrjen e mijra miliarda euro dhe dollarë  nga BE, SHBA e më gjerë, arrihet në përfundimin se ndërhyrja e shtetit në ekonomi është jo vetëm e nevojshme, por edhe e domosdoshme. Ajo mund të jetë në çdo formë mbi ndërhyrjet klasike që mund të ndryshojë nga njëra ekonomi tregu në tjetrën dhe nga njera periudhë në tjetrën.

            Argumentet pro ndërhyrjes së qeverisë në ekonomi:

 

  1. 1. Ndërhyn për të ofruar të mira dhe shërbime publike pë të gjithë pa dallim prej zotërimit të faktorëve ekonomikë. Është shteti që për llogari të funksioneve të tij merr përsipër furnizimin e qytetarëve të tij pa asnjë dallim pronësor, apo arsye të tjera të mira dhe shërbime pa kurfarë kompensimi apo pagese. Në këtë grup përfshijmë jo eksternalitetet, por të mirat publike si shërbimi i mbrojtjes kombëtare, shërbimi i zjarfiksave, shërbimet e bibliotekave, arsimit, spitaleve etj: pra të shërbimeve me karakter jo konkurues.

2.Shteti është edhe një nga konsumatorët kryesorë të mallrave finale. Shteti ka veçoritë e dy subjekteve të tjera përveç asaj që e kemi theksuar që është hartues dhe zbatues i kornizës së ligjeve të tregut. Kështu shteti sillet në treg edhe si shitës edhe si blerës.Ai është blerësi kryesor dhe i vetëm i materialeve ushtarake, blerës i të mirave spitalore, arsimore etj.

  1. Shteti sillet si rregullator në treg. Shteti ndërhyn në mënyrë të vazhdueshme në treg. Arsyeja është se ai kërkon një rritje të qëndrueshme ekonomike, nivel normal papunësie dhe çmimesh. Rrugët e ndërhyrjes në treg janë: Barazi më e madhe në rishpërndarjen e të ardhurave dhe pasurisë për të përmirësuar barazinë e mundësive dhe barazinë e rezultatit.

– Kapërcimin e dështimit të tregut – Tregjet dështojnë të marrin parasysh efektet e jashtme dhe ka të ngjarë të nënprodhojnë të mira publike. Për shembull, qeveritë mund të subvencionojnë ose të sigurojnë mallra me efekte të jashtme pozitive.

– Ndërhyrja makroekonomike për të kapërcyer recesionet e zgjatura dhe për të ulur papunësinë.

 

4.Ai bën rishpërndarjen e të ardhurave që realizohen nëpërmjet sistemit të tatimeve, doganave etj. Është një nga rolet më të hershëm të shtetit.Në ekonomitë e sotme sistemi i rishpërndarjes bazohet në sistemin e taksimit prej të cilit sigurohen të ardhurat që ju shpërndahen shtresave të ndryshme shoqërore me të ardhura minimale.

  1. Mban monopolin e një sërë funksionesh publike. Ka shumë funksione, që nuk mund t’ju besohen subjekteve private.Të gjitha institucionet e pavarura, minimalisht kanë lidhje me shtetin (qeverinë) kështu funksionimi i Bankës Qëndrore dhe i institucioneve të tjera të pavarura. Këtu nuk po përmend Gjyqësorin, Presidentin, por përmend të gjitha Entet Rregullatore dhe autoritetet e tjera që janë të lidhura me shtetin.I përmend këto të fundit, sepse kanë lidhje direkte me institucionin e konkurencës ndaj të cilit edhe shteti nuk është indiferent. Është kjo arsye që e përmendim, sepse ne kemi marrë përsipër të analizojmë ekonominë e konkurencës dhe në këtë kuadër edhe rolin e shtetit në funskionimin normal të saj.
  2. Ndihma nga katastrofat. Vetëm qeveria mund të zgjidhë kriza të mëdha shëndetësore siç janë pandemitë. Në një katastrofë të madhe siç është Coronavirus, ekziston një nevojë e fortë për ndërhyrje të qeverisë në shumë forma pasi tregu nuk mund ta zgjidhë.

Së pari, qeveritë janë të nevojshme për të ngadalësuar përhapjen e një virusi shumë infektiv.Kjo mund të përfshijë imponimin e bllokimeve dhe karantinave.

Së dyti, ekziston nevoja për ndërhyrje të qeverisë për t’u marrë me kostot ekonomike të këtyre masave shëndetësore. Për shembull, dhënia e huave dhe subvencioneve për firmat për të vazhduar punësimin e punëtorëve gjatë periudhës së vështirë.(12 Prill 2020 nga T.Pettinger)

            A duhet qeveritë të ruajnë industritë në rënie?

Po. Nëse industritë e mëdha dalin nga biznesi, do të ketë papunësi të lartë rajonale dhe dështim të tregut nga vështirësia për të gjetur punë të reja.

Jo. Nëse qeveria mbështet industritë në rënie, ato do të ngarkohen me kosto të larta dhe një industri të përhershme jo-fitimprurëse.

            Argumente kundër ndërhyrjes së qeverisë (12 Prill 2020 nga T.Pettinger)

  1. Qeveritë që mund të marrin vendime të gabuara – të ndikuara nga grupet e presionit politik, ata shpenzojnë në projekte joefikase që çojnë në një rezultat joefikas.
  2. Liria personale. Ndërhyrja e qeverisë u heq vendimin individëve se si të shpenzojnë dhe të veprojnë. Ndërhyrja ekonomike heq ca liri personale.
  3. Tregu është më efikas në vendosjen se si dhe kur të prodhohet.

Rrymat e mendimit për efektin e ndërhyrjes së shtetit në ekonomi:

Rrymën klasike me përfaqësues Adam Smithin, Fridmanin etj dhe rrymën Kejnsiane me përfaqësues Xhon Mejnard Kejnsin (John Maynard Keynes).

Adam Smithi është përfaqësues i rrymës që nuk e presupozon ndërhyrjen e shtetit në ekonomi, ai ka krijuar atë teori që ne e quajmë “laissez faire”. Kjo teori presupozon vetërregullimin e tregjeve, kështu arritja e ekuilibrave në treg nuk duhet të pengohet nga ndërhyrjet qeveritare. Smithi thekson se interesi personal është forca dhe burimi parësor i motivimit ekonomik. Shprehet se rendja pas interesit personal privatisht dhe në mënyrë konkurrenciale është burimi i mirëqënies publike më të lartë.

John Maynard Keynes është përfaqësues i rrymës që e presupozon rolin e shtetit në ekonomi. Mbron një lloj ndërhyrje në ekonomi që ka si synim të korigjojë disa rrjedhoja negative që mund të ndodhin në treg. Ekonomia e sotme, -sipas tij,- nuk arrin domosdoshmërisht të arrijë ekuilibrin makroekonomik në kushtet e një punëzënje të plotë, por mund të jetë në ekuilibër edhe në kushtet e një norme të lartë papunësie. Ai këshillon dhe mbron me argument një ndërhyrje në sferën politike dhe atë ekonomike.

Konsiderata interesante kanë dhënë edhe Presidentët amerikanë, por po japim vetëm një thënie të Reganit: “Këndvështrimi i qeverisë për ekonominë mund të përmblidhet në disa fjali të shkurtra: Nëse lëviz, taksoje. Nëse vazhdon të lëvizë, kontrolloje. Nëse pushon së lëvizuri, financoje”.”Qeveria nuk është zgjidhja e problemeve tona. Qeveria ËSHTË PROBLEMI!” “Fjalët më të tmerrshme në gjuhën angleze janë: “Jam nga qeveria dhe jam këtu që t’ju ndihmoj” (President Ronald Reagan (1981-1989).

Cilat janë institucionet e shtetit me anë të të cilave ndërhyjnë në ekonomi?

 

Kur themi shteti përfshijmë një sërë institucionesh dhe jo vetëm qeverinë. Në Shqipëri kemi një sërë institucionesh të pavarura që janë pjesë e shtetit si :

’BSH(Banka e Shqipërisë ose Banka Qendrore). Banka Qendrore bën politikë nëpërmjet parasë me objektiv “arritjen dhe ruajtjen e stabilitetit të çmimeve”.Ajo aolikon sipas situatave të gjëndjes së ekonomisë politikës monetare ekspansioniste ose rrudhëse. Këto politika duhet të jenë të kombinuara me politikat fiskale të qeverisë.

AK(Autoriteti Konkurencës) Ka për synim mbrojtjen e konkurencës efektive. Objektivi kryesor i politikës së konkurrencës është ruajtja e procesit konkurrues dhe nxitja e konkurrencës efektive në treg. Ruajtja ose nxitja e konkurrencës efektive është e domosdoshme, duke patur parasysh kufizimet që sektori privat apo ai shtetëror mund t’i bëjnë konkurrencës. Prandaj ligji i konkurrencës ndalon marrëveshjet për fiksimin e çmimit, abuzimin me fuqinë dominuese, si dhe për qëndrimet që rrezikojnë të krijojnë një pozitë dominuese në treg. Sot në rastin e bukës është fiksimi i çmimeve nga firmat që operojnë në strukturën e tregut oligopol.

ERRE(Enti rregullator i Energjisë).

ERRU(Enti Rregullator i Ujit)

AMF(Autoriteti Mbikqyrjes Financiare)

AKEP(Autoriteti i Komunikimeve Elektronike e Postare). Secili prej tyre ka objektivat dhe qëllimet në interes të mbrojtjes së  konkurencë efektive.

Kur ndërhyrja e Institucioneve të pavarura nuk ka efektin e kërkuar atëhere ndërhyn qeveria për të mbrojtur konsumatorin duke aplikuar ÇMIMET TAVAN, taksa të ulta, subvencione etj.

Cilat janë instrumentet që përdor qeveria në mbrojtje të qytetarëve të saj?

Qeveria ndërhyn në treg dhe përgjithësisht në ekonomi nëpërmjet një sërë instrumentesh ekonomike ndër të cilët përmendim: taksat dhe tatimet, çmimet dysheme dhe çmimet tavan, subvencionet, etj.

Qeveria: qytetarët e saj, konsumatorin e mbron nëpërmjet çmimeve tavan, ndërsa biznesin e mbron nëpërmjet çmimeve dysheme.

Sot nuk është normale që rruga e zgjidhjes të shikohet te ulja e TVSH-së, sepse eksperienca e uljes së saj në interes të konsumatorëve prej uljes së çmimeve është negative. Sa herë është ulur TVSH-ja nuk janë ulur çmimet, por është rritur niveli i fitimit të ndërmarrjeve, që kanë qenë prodhuese të këtyre  mallrave apo shërbimeve. Rasti më i fundit është ulja e TVSH-së në sektorin e turizmit pa ditur se kush janë ato subjekte që e përfitojnë, nuk ka dhënë ndonjë pasojë pozitive në uljen e çmimeve, por përkundrazi çmimet janë mbajtur të pa ndryshuar. Efekti i këtij veprimi është ulja e të ardhurave nga ky sektor i pa përcaktuar.

ÇMIMET TAVAN, janë pjesë e instrumenteve që përdor qeveria për ndërhyrjen në treg. Ato janë të lidhura me nivelin e lartë të çmimeve që aplikohen prej firmave pa pasur motive të breëshme ekonomike por thjesht duke abuzuar në konkurencë, për mungesë të dukshme të mallrave në treg ose për efekte stimulimi të kërkesës së mallrave të caktuar. Këto çmime vendosen vetëm në raste të veçanta dhe të studiuara mirë dhe jo kurdo kur ka rritje të çmimeve. Nuk mund të vendosi çmime tavan qeveria kur rritet çmimi i domateve ose patateve. Ato vendosen përgjithësisht mbi mallrat e dorës së parë, të mbijetesës si bukë, vaj, oris, sheqer etj që ne i quajmë “mallra të shportës”. Kështu ato vendosen ose për frenimin e abuzimeve për mungesa të dukshme të mallrave në treg për periudha të veçanta kalimtare ose për të stimuluar kërkesën e një malli të caktuar. Në rastin e dytë është e lidhur me mallrat zëvendësues. Konkretisht nëse kemi mallin energji elektrike dhe gaz i lëngët, për mungesë të energjisë elektrike kur kërkesat për të janë të larta, qeveria ul çmimin e gazit të lëngët për të rritur kërkesën për të dhe për të ulur kërkesën për energji elektrike.

Çmmimet tavan janë çmime kontrolli që vendos qeveria në mbrojtje të interesave të shtetasve të vet nga konkurenca e pandershme që realizohet në treg.

Çmimet tavan janë çmime kufi maksimal të detyrueshme për t’u zbatuar prej subjekteve ekonomike në kuptimin “jo më i lartë se ky kufi ”, që vendos shteti me ligj për shërbime apo mallra të caktuar në mbrojtje të interesave të qytetarëve dhe bizneseve të vendit nga konkurenca e pa ndershme ose për arsye të tjera të kësaj natyre.

Çmimet tavan përbëjnë një ndërhyrje arbitrare të shtetit në ekonomi, por të nevojshme për të vendosur jashtë kushteve të ekuilibrit të sasisë dhe çmimit, çmim tjetër të detyrueshëm për zbatim prej të gjithë shitësve për një periudhë kohe të caktuar. (Naqellari A, Mikroekonomia 2016).

A ka raste të vendosjes së çmimeve tavan në Shqipëri?

 

Kemi rastin e Qeverisë Meksi që vendosi çmime tavan për produktet e shportës së mallrave të domosdoshme si: bukë masive, vaj gatimi, sheqer, etj. Vendosja e këtyre çmimeve tavan ishte në mbrojtje direkte të konsumatorëve shqiptarë pasi në këtë periudhë kohe çmimet u rriten 10 herë, ndërsa pagat u rritën me përqindje. Kemi rastin e gazit të lëngët në 2005-2006 kur Shqipëria kishte krizë energjitike.Në këtë periudhë kohe u fut në treg edhe çmimi dysheme i grurit për të stimuluar prodhimin e tij nga konkurenca e pandershme, sepse gruri që vinte nga importi ishte me çmim tepër të ulët. Gruri i fermerëve u ble nga qeveria me çmime të larta.

Qeveria shqiptare ka ndërhyrë në vitin 2005-2006 në tregun e gazit të lëngët për mungesë të energjisë elektrike. Më lart ne e analizuam teorikisht se çfarë do ndodhte në këtë treg nëse qeveria do vendoste çmim tavan. Do stimulonte krijimin e tregut të zi dhe çmimet do qëndronin mbi çmimin tavan të vendosur prej saj. Qeveria në këtë periudhë kohe nuk vendosi një çmim tavan për të mbrojtur konsumatorët, sepse ishte e pa mundur të kontrolloheshin të gjitha pikat e shitjes së gazit të lëngët për zbatimin e këtij çmimi. Duke mos arritur të kontrollojë dot zbatimin e vendimit qeveria mori një masë tjetër lehtësuese. Kështu ajo u hoqi taksën e akcizës së gazit importuesve të saj. Duke ju hequr taksën e akcizës asnjë shitës nuk e rriti çmimin. Kjo ishte një zgjidhje shumë efikase që i erdhi në ndihmë konsumatorit shqiptar. Në këtë mënyrë nuk ndryshoi as çmimi i energjisë elektrike dhe as ai i gazit të lëngët.

Qeveria shqiptare ka ndërhyrë në fushën e referencave doganore në importin e medikamenteve pikërisht për të mbrojtur konsumatorin shqiptar.

Qeveria shqiptare sot dhe në vijim, duhet të aplikojë çmime tavan për bukën, pa marrë në konsideratë Vendimin e Autoritetit të Konkurencës. Në kapitalizëm nuk i vendos qeveria çmimet, por ajo ka detyrimin e saj, të drejtë ligjore për aplikimin e masave mbrojtëse ndaj qytetarëve, dhe pikërisht në këtë rast ka të drejtën e vendosjes së çmimeve tavan dhe këtë ta vendosi me ligj në parlament. Qeveria për artikujt kryesor të jetesës si bukë, vaj, sheqer, energji elektrike, ujë e transaport duhet të ndërhyjë në çdo kohë.

“Krizat” e herëpashershme të çmimeve të produkteve të konsumit të gjerë më së shumti, ashtu siç i kanë argumentuar ekonomistët e fushës në mediat e shkruara dhe vizive, janë kriza nga keq menaxhimi, nga faktorë të brendshëm dhe pak nga faktorë të jashtëm, pavarësisht se inflacionin e kemi fenomen përgjithësisht të importuar. Nëse ato administrohen në mënyrë racionale dhe shkencore në mos eleminohen, zbuten në minimum. Prandaj është detyrë e qeverisë që kur institucionet e pavarura nuk reagojnë mbi bazën e realitetit, të ndërhyjnë në treg.

Po, po në kapitalizëm  çmimet i përcakton tregu, por është qeveria ajo që vendos kufizime në çmime dhe pikërisht në strukturën e tregut oligopol, pikërisht aty ku ndodhi fenomeni. Nuk abuzohet me çmimet në tregun e pastër konkurencial, apo edhe në konkurencën monopolistike, por në oligopol dhe në monopol. Nuk them të luftohen monopolet e oligopolet kur i duhen ekonomisë por të luftohen abuzimet me konkurencën efektive, të luftohet korrupsioni. Konkurencë do të thotë demokraci, dhe demokracia ekziston në një shtet të së drejtës. Konkurenca është e mirë publike dhe eleminimi i saj është eleminimi i demokracisë. Të luftojmë të gjithë për të mbrojtur konkurencën efektive, sepse duke mbrojtur atë kemi mbrojtur interesat e qytetarëve shqiptarë.