Shpendi Topollaj : Ali Kastrati, një emër i madh që të bën të ndihesh krenar

187
Sigal

 

Me rastin e 100 vjetorit të lindjes

Kaloi plot një shekull1 qysh kur lindi në Preshevë në një ditë vere të vitit 1922 “Mjeshtri i Madh”, Ali Kastrati, një figurë e paharruar si për kontributin e tij si sportist, si trajnier, si mjek popullor ashtu edhe si një humanist me zemër të madhe.

Në qoftë se ka njeri që duke sfiduar moshën, punoi me vrull djaloshar deri në fund të jetës, ky pa dyshim që është profesor Ali Kastrati. Në qoftë se ka njeri që nuk do të harrohet kurrë për kontributet e dhëna në përzgjedhjen dhe përgatijen e sportistëve që me rezultatet e tyre të larta nderuan Shqipërinë, ky është Ali Kastrati. Por edhe në qoftë se ka njeri që me mirësinë e tij kishte bërë vetëm miq, anë e mbanë atdheut, ky përsëri ishte gojëmjalti Ali Kastrati. Madje edhe tani që na mungon fizikisht në veprimtaritë sportive, hija e tij është e pranishme në të gjitha palestrat e fushat sportive. Kujtimi i veprës së tij, fjala e tij e ngrohtë, shembulli që ai dha, mbetet brez pas brezi, burim frymëzimi për këdo që i ka hyrë rrugës së bukur të sportit. Veçanërisht emri i tij mbetet aq i dashur për ata të sporteve të rënda, ku ai dhe shkëlqeu me tërë madhështinë e tij, si sportist apo si trajnier e mjek i ekipeve tona.

Jo më kot i ndjeri Ahmet Golemi do të shktuante për të: “Mjeshtrat tanë të mëdhenj, si Ali Kastrati… etj. janë njerëz me vlera të larta sportive, qytetare e humane, figura sportive me një shpirt shumë të madh.”

Kur në vitin 1960, unë shkova në shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”, ai ishte ende shumë i ri, por kishte një autoritet të jashtëzakonshëm. E respektonin të gjithë pa dallim; skënderbegasit, kursantët e shkollës së oficerëve, komandantët e pedagogët, për cilësitë e tij të rralla. Kishte qenë një nga sportistët tanë më të njohur dhe tani, trajnier i ekipeve të mundjes, boksit dhe ngritjes së peshave të “Partizanit” për të rritur dhe të rinj. E vërteta është që sportistët e këtij ekipi, përbënin shumicën e ekipeve kombëtare dhe në ballafaqime brenda dhe jashtë vendit, kishin dhënë rezultate të shkëlqyera, duke fituar më shumë se kushdo tituj kampionë. Ishte një rregull aso kohe; çdo sportist do të kryente patjetër shërbimin e detyrueshëm ushtarak, kështu që për dy a tri vjet, gati të gjithë sportistët e dëgjuar të Shqipërisë, janë stërvitur dhe kanë mësuar prej tij. Mjafton të kujtojmë emrat e Luigj Dedës, Rahim Ramës, Iliaz Ahmetit, Veliçan Golemit, Prokop Beqarit, Ethem Ibrahimit, Martin Çetës, Ymer Reçit, Skënder Sadushit, Hysen Sharrës, Selim Bardhetit, Hamdi Ukës, Mirash Vuksanit, Hysen Omit, Abaz Haxhisë, Rami Sadushit, Haxhi Ramës, Met Doçit, Asllan Lames, Mustafa Allushit, Niko Telit, Emin Dagestanit, Sejdin Gjonit, Ahmet Golemit, Bashkim Likës, Suvorov Nikollës, Ismet Varfit e shumë e shumë të tjerëve.

Pastaj, Ali Kastrati, profesori siç e quanin të gjithë, nuk bënte dallime as me sportistët e ekipeve kundërshtare; ata duke parë a ndjerë ngrohtësinë, kujdesin apo këshillat e tij, e quanin edhe baba Aliu. Vështirë të gjendet një tjetër sportist a trajnier që të mbajë në gjoksin e tij, më shumë trofe të fituara, se Ali Kastrati. Në takimet ndërkombëtare ai ka pasur një bilanç të shkëlqyer: është fitues i titullit kampion në boks në vitet 1947, 1948, 1950 dhe 1951 dhe në mundje është shpallur pesë herë kampion kombëtar. Nga 20 takime ndërkombëtare që ka zhvilluar, ka fituar shtatëmbëdhjetë ndeshje, ka barazuar një dhe ka humbur vetëm dy të tilla. Vetëm në boks, ekipi i “Partizanit” i drejtuar prej tij është shpallur pesëmbëdhjetë vjet kampion (1947 – 1953, 1956 – 1963) deri sa ky sport për çmendurinë e kohës u ndalua. Kurse në mundje ekipi i tij është shpallur tetëmbëdhjetë herë kampion. Në peshëngritje, ky sportist universal ka mbajtur dymbëdhjetë rekorde dhe ekipi i tij i “Partizanit” ka fituar titullin kampion tetëmbëdhjetë herë radhazi, nga vitet 1949 – 1966. Ekipet e drejtuara prej tij kanë fituar plot gjashtëdhjetë e pesë tituj kampion kombëtar dhe të gjitha kupat e Republikës që zhvilloheshin atëherë. Ai ka qenë për një kohë shumë të gjatë edhe trajnier i ekipit tonë kombëtar, ku nuk mund të lihet pa përmendur rezultati i lartë i sportistëve tanë Hysen Sharra, Rami Sadushi, e Martin Çeta në lojrat e “GANEFO” – s në Xhakarta. Por mbi të gjitha trofetë, ai ndihej i lumtur me dashurinë dhe respektin e pafund që kishin njerëzit anë e mbanë Atdheut. Nga ai mësoje sesi të duash shokët, t`i gëzohesh rezultateve të tyre, të përfitosh nga arritjet e tyre dhe të ecurisë shkencore në stërvitje. Asnjë urrejtje, zili a cmirë nuk mund të konstatoje te ky njeri. Asnjëherë sportistët që ai ka drejtuar, nuk kanë fyer kundërshtarin, nuk kanë reaguar ndaj arbitrave apo ndaj publikut me fjalë apo gjeste të papëlqyera. Në ato vite, baza materiale mund të ishte e mangët, por Aliu i gjente mënyrat që ta plotësonte atë dhe ta bënte sa më të efektëshme. Kudo, ai do të ishte vetë në krye. Deri në fizkulturën e mëngjesit, ai do t`u printe vetë ekipeve deri rrëzë malit të Dajtit. Nga qyteti sportiv; pra nga shtanga, tapeti apo ringu, ai largohej vetëm kur bindej se objektivat ishin realizuar tërësisht. Dhe sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, Ali Kastratin, shumëkush e njeh dhe për mjek – masazhator të ekipeve tona në lloje të ndryshme sporti. Të gjithë e mbajnë mend mirë sesi në moshë të thyer ai vraponte me entuziazmin e vrullin e djalit të ri, për t`u ardhur në ndihmë sportistëve të dëmtuar në ndeshjet e ndryshme.  Dhe kjo është dhe arsyeja që unë dhe shokët e mij e kujtojmë me kaq dashuri këtë figurë edhe pas kaq vitesh dhe shkruaj në faqen e parë të librit tim “Vepra dhe vlera” fjalët kuptimplota: “Këtë libër ua kushtoj profesorëve të mij të paharruar, Ali Kastratit dhe Ismet Bellovës, shëmbëlltyrës së njerëzve të ndershëm dhe të përkushtuar, që i deshën skënderbegasit njëlloj si fëmijët e tyre dhe që i edukuan ata me virtytet më të larta njerëzore, këtyre kuadrove me kontribute të jashtëzakonshme në zbulimin dhe përkrahjen e talenteve të rinj në llojet e ndryshme të sportit, të cilëve Atdheu do t`u mbetet përherë mirënjohës”.