Rustem Peçi, Kreu i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ

644
Sigal

Lufta Antifashiste është dhe mbetet epopeja më e lavdishme e popullit shqiptar gjatë historisë së tij. 70 mijë partizanë përballuan me luftë ushtritë nazi-fashiste dhe kolaboracionistët me efektiv mbi 130 mijë veta. Heronjt e popullit, aleatët dhe analiza e Prof.Aleks Budës

70 mijë partizanë, prej tyre rreth 700 partizane, përballuan me luftë 15 divizione të ushtrive nazifashiste me efektiv, mbi 130 mijë veta

LUFTA ANTIFASHISTE NACIONALÇLIRIMTARE ËSHTË DHE MBETET EPOPEJA MË E LAVDISHME E POPULLIT SHQIPTAR GJATË HISTORISË SË TIJ

Dëmet në vlera materiale kapën shifrën 1.8 miliard $, sipas kursit të kohës.

 

RUSTEM PEÇI
Kryetar i Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Popullit Shqiptar

Lufta ANÇ është epopeja më e madhe dhe e lavdishme me rëndësi historike në historinë e kombit shqiptar, sepse çliroi vendin nga pushtuesit dhe e radhiti Shqipërinë ne krahun e fitimtarëve. Si rrjedhojë, ajo u bë simbol i mbrojtjes së integritetit territorial të shtetit shqiptar. Detyra parësore dhe strategjike e Luftës së Dytë Botërore, dhe e LANÇ në Shqipëri, si pjesë e saj pati si objektiv kryesor çlirimin e vendit nga pushtuesit nazifashistë. Lufta NÇ ishte luftë çlirimtare, antifashiste, kombëtare e patriotike që u shndërrua në revolucion popullor nëpërmjet Kryengritjes së armatosur, e fituar me heroizëm partizan dhe e shkruar me gjakun e 28 mijë Dëshmorëve. Italia fashiste me tradhti dhe me forcë, duke përfituar nga qëndrimet antikombëtare të tradhtarit Ahmet Zogu, i vetëshpallur mbret i Shqipërisë, i cili i kishte lidhur fatet e Atdheut me të Italisë, pushtoi vendin tonë, më 7 Prill të 1939. Ndërsa fuqitë e mëdha evropiane padrejtësisht nuk reaguan fare. Pas 7 Prillit, në Shqipëri u vendos pushteti fashist dhe u krijua Asambleja tradhtare. Shefqet Vërlaci krijoi qeveri pa Ministri lufte, pa Ministri të Jashtme, dorëzoi kurorën e Skënderbeut tek Viktor Emanueli i Italisë.
Në 1 shtator 1939, filloi Lufta e Dytë Botërore

Shqipëria ishte një nga viktimat e para të agresionit fashist, edhe pse i tradhtuar, populli shqiptar, nuk ju nënshtrua okupatorit, por filloi rezistencën me armë. Në Durrës, në Vlorë, në Sarandë, në Shëngjin e gjetkë u derdh gjak shqiptari për mbrojtjen e vendit të vet. Midis luftëtarëve të rënë ishte dhe Heroi i Popullit Mujo Ulqinaku, që i theu disa herë falangat fashiste. Kolonizimin e vendit e ndjen të gjitha shtresat e popullit, dhe intelektualët, por shfrytëzimi, vuajtjet, mjerimi, lufta Italo-Greke rritën shtypjen fashiste çuan në greva, demonstrata, sabotazhe. Ndërsa patrioti Vasil Laçi, qëlloi me plumb mbi perandorin fashist.
Nga aksionet dhe aktivitetet antifashiste të lëvizjeve popullore të viteve 1939-1941 dhe rritjen graduale të grupeve dhe të guerileve, me themelimin e PKSH LANÇ e popullit shqiptar hyri në një etapë të re, e drejtuar dhe e bashkërenduar në të gjithë vendin me një program ushtarak e politik, që përfshinte organizimin e luftës së armatosur për çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj. Në Pezë u krijua çeta e parë patriotike në Evropë, në vitin 1940 dhe në vitin 1941, u kthye në çetë partizane. Më pas, në tërë vendin, nga jugu në Shqipërinë e mesme e në veri u krijuan çeta e njësite guerile. Në situatën e krijuar, u përgatit dhe u zhvillua Konferenca e parë NÇ, në Pezë, më 16 Shtator të vitit 1942 me iniciativën e PKSH, zgjodhi Këshillin e Përgjithshëm dhe Frontin NÇ, për bashkimin dhe përgatitjen e popullit në luftë kundër pushtuesit dhe për kryengritjen e përgjithshme të armatosur, nën thirrjen lapidar: “ Në radhët e Frontit Nacionalçlirimtar të bashkoheshin të gjithë shqiptarët, pa dallim klase, feje, krahine dhe bindje politike, të hidhen në luftë pa kompromis kundër pushtuesve fashistë për Shqipërinë e lirë, të pandashme, indipedente dhe demokratike”. Thirrja e Konferencës së Pezës, drejtuar popullit shqiptar , për luftë pa kompromis kundër pushtuesit fashist, u shndërrua në kushtrim për tërë shqiptarët e vërtetë që u dhimbsej Atdheu. Nën parullën, “Vdekje fashizmit”, “Liri Popullit”. Karakteri demokratik u shpreh ne parullën : “Luftë për Shqipërinë e lire, të pandashme, indipedente dhe demokratike”. Këshilli i Përgjithshëm i Frontit NÇ të Shqipërisë do t’i jepte një ndihmë të pakursyer popullit të Kosovës, të ngrinte Këshillat Nacionalçlirimtare dhe të hidhej në luftë pa kompromis kundër pushtuesit.
Rol të rëndësishëm në mobilizimin, organizimin dhe formimin e formacioneve luftarake të ushtrisë ANÇ ka luajtur krijimi i këshillave ANÇ dhe i komandave të vendit në zonat e çliruara.
Dështimi i operacionit fashist në Pezë, në Shtator 1942, çlirimi i Kurveleshit, Skraparit, Oparit etj bënë të mundur njohjen zyrtare të LANÇ-it nga pjesëtarët e koalicionit të madh antifashist botëror Anglo-Sovjeto-Amerikan, qysh në Dhjetor të vitit 1942. Pas kësaj, LANÇ mori hov të madh, u zhvillua e pandërprerë me intensitet të larë dhe u rrit shkallë – shkallë; dhe e bëri atë të sigurt, nëpërmjet forcimit të besimit në fitore për liri e pavarësi . Parimet kryesore të luftës sonë partizane, ishin iniciativa, shpejtësia, befasia, shkathtësia, goditja e rrufeshme etj.

Me këto cilësi, virtyte e veti UNÇ kapërceu rreziqe të mëdha në luftime e beteja dhe doli fitimtare

Në fillim kundër fashistëve italianë ajo ndërmori aksione e luftime të guximshme, megjithëse e vogël në numër dhe pa armatime të mjaftueshme. Nën okupacionin nazist gjerman ajo u armatos me armët e armikut dhe shkroi Epopenë e shkëlqyer. UNÇSH, kishte karakter popullor, në të gjitha drejtimet e formacioneve luftarake të saj, u futën shumë patriotë e nacionalistë të ndershëm shqiptarë. Çetat ishin popullore, në përbërje të tyre kishte patriotë, luftëtarë pa dallime e tendenca politike. Në të gjitha hallkat e drejtimit të luftës kishte patriotë, elementë komunistë dhe nacionalistë të vendosur për luftë. “ Epopeja e LANÇ, është e lavdishme, historike, që na jep krenari, forcë, dinjitet”, se në këtë luftë të madhe e të gjatë, mbi pesë vjet e gjysmë, sipas zhvillimit dhe ashpërsimit të saj, Ushtria Nacionalçlirimtare kaloi disa etapa organizimi. Nga çetat dhe njësitet luftarake të fillimit, u organizuan batalionet, grupet, brigadat, komandat e qarqeve, divizionet e korparmatat, të formuar nga fshatarë, punëtorë e intelektualë, djem e vajza të rinj, që përbënin mbi 80% të efektivit të cilat u udhëhoqën me aq guxim e zgjuarsi, prej kuadrove që dolën nga lufta dhe nga gjiri i ushtrisë. Ata udhëheqës ushtarakë e politikë, që çuan Ushtrinë partizane në fitore, ata që mundën oficerët italianë, gjermanë që ishin të pajisur me njohuri të mëdha ushtarake. Pra, Ushtria Nacionalçlirimtare, lindi dhe u rrit në luftë, u forcua dhe u udhëhoq prej djemve të popullit në shpirtin e të cilëve vlonte entuziazmi, trimëria, vetëmohimi, dashuria për Atdheun dhe për shokun, besimi i patundur për fitoren mbi pushtuesit e tokës mëmë.
Krijimi i Shtabit të Përgjithshëm i UNÇSH, më 10 korrik të vitit 1943, me komandant Spiro Moisiu dhe komisar Enver Hoxha, si organi më i lartë i udhëheqjes politike dhe ushtarake të luftës, ishte kërkesë e domosdoshme, me rëndësi historike , për të drejtuar kalimin në kryengritjen e përgjithshme të armatosur, hallkë kryesore e së cilës ishte ushtria e rregullt NÇ. Organizimi prej tij i UNÇSH, bëri të mundur drejtimin e centralizuar të saj dhe udhëheqjen e sigurt të kryengritjes së armatosur, sipas parimeve e rregullave të luftës partizane.
Pas kapitullimit të Italisë, zhvilloi luftime të ashpra me një pushtues më të fuqishëm, dhe më të egër , me divizionet naziste-gjermane të cilët zhvilluan operacione të njëpasnjëshme për bllokimin dhe asgjësimin e forcave të UNÇSH në të gjithë territorin e vendit veçanërisht në Pezë, Gjirokastër, Vlorë, Berat, Mallakastër, Korçe, etj në kohë të keqe e në situate të rënda për forcat partizane dhe popullin, veçanërisht në operacionin e dimrit 1943-1944 dhe në atë të pranverës 1944.
Përmes dokumenteve provohet se fronti NÇ dhe ushtria NÇ, ishin forcat kryesore në vend, që i dhanë tonin luftës , pasi synimi i tyre ishte dëbimi i okupatorit dhe çlirimi i vendit. Dhe këtë objektiv madhor e arritën. Ndërkohë, që forcat nacionaliste, Balli Kombëtar dhe Legaliteti, që lindën si forca rezistence shfaqën lëkundje dhe gradualisht u futën në rrugën e kompromisit dhe bashkëpunimit me okupatorët nazi-fashistë, dhe kryen krime ndaj popullit të vet. Por kjo, nuk ndryshoi karakterin e luftës. Ajo u zhvillua deri në fund si një luftë NÇ, që drejtohej, në radhë të parë, kundër okupatorit, si dhe forcave që ju bashkuan atij, e bashkëpunuan me të.
Fronti NÇ, forca kryesore që vepronte në vend, nuk devijoi nga program i miratuar në Pezë, Dhe drejtoi deri në fund një luftë të vendosur kundra okupatorit, përkrah aleatëve, çka bëri të mundur edhe arritjen e objektivave që kishte lufta, çlirimin e vendit dhe rivendosjen e pavarësisë kombëtare. Detyra këto të revolucionit nacional, të luftës NÇ. Përpjekjet për të identifikuar luftën me zhvillimet pas saj, synojnë të ç’vlerësojnë luftën, gjakun e Dëshmorëve , sakrificat e popullit që u bënë jo për vendosje sistemi, por për çlirimin e Atdheut, përpjekjet për të identifikuar luftën me zhvillimet pas saj janë antihistorike, antishkencore e antikombëtare.

Sipas profesor Aleks Budës
Në historinë mijëra vjeçare të trojeve shqiptare, sipas profesor Aleks Budës, kanë shkelur si pushtues rreth 60 ushtri të huaja. 75 vjet më parë më 29 Nëntor 1944, mori fund përgjithmonë historia e pushtimeve të Shqipërisë, ndaj kjo datë që shënoi çlirimin e vendit nga fashistët, shpëtoi copëtimin e Shqipërisë dhe siguroi integritetin e saj, është një datë historike e patjetërsueshme, që së bashku me 28 Nëntorin e vitit 1912 ditën e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, përbëjnë dy data lapidar të historisë tonë kombëtare që do të kujtohen e nderohen në shekuj.
Për përsosjen e drejtimit te mëtejshëm të UNÇSH dhe krijimin e njësive të shkallës operativo-strategjike, u vendos në Kongresin Historik të Përmetit krijimi i Komandës së Përgjithshme, me Enver Hoxhën Komandat të Përgjithshëm, që të drejtonte njësitë operativo-strategjike, për kryerjen e Kundramësymjes së Përgjithshme, koordinimin e veprimeve luftarake me Shtabin aleat të Mesdheut dhe çlirimin e plotë të vendit.
Enver Hoxhës, si Komisar Politik i Shtabit të Përgjithshëm dhe Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë NÇSH, i takon merita që orientoi drejt dhe udhëhoqi me mjeshtëri të rrallë Kryengritjen e Armatosur të Popullit tonë, Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Në sajë të LANÇ, populli shqiptar fitoi për jetë lirinë, siguroi pavarësinë e Atdheut dhe zhvilloi me sukses reformat e mëdha historike, shoqërore, ekonomike, kulturore, rindërtoi vendin e shkatërruar nga lufta.
Mendimet apo parullat se antifashizmi ishte pa armë dhe pa uniformë janë përpjekje e kota të mashtruesve të historisë, të pseudo-historianëve dhe janë pseudoshkencore. Se lufta u fitua me armë, me gjak, me uniform e rregulla të një kryengritje të armatosur popullore, që mbetet shembull për të gjithë kohërat.
Por, pavarësisht nga vrasjet, internimet, djegiet, shkatërrimet dhe torturat që përdorën pushtuesit, jo vetëm që nuk ja arritën qëllimeve, siç pranojnë edhe vetë në komunikatat e tyre, këtu kanë hasur në rezistencë të pa llogaritur, pësuan humbje në çdo luftim e betejë dhe në kompensim digjnin dhe vrisnin njerëz të pafajshëm. Gjatë LANÇ-it janë varur pesë vajza, një e djegur me benzinë, partizania e plagosur, Heroina e Popullit Liri Gero.
Shumë sakrifica, shumë vuajtje e mjerime ka bërë e ka hequr populli shqiptar nga pushtuesit barbarë nazifashistë, por mbijetoi, fitoi lirinë dhe pavarësinë e mohuar.
Pa u çliruar plotësisht Shqipëria, forcat e UNÇSH, morën urdhër për të vazhduar luftën kundër forcave hitleriane edhe jashtë kufirit shtetëror, duke ndihmuar për çlirimin e Rrafshit të Dukagjinit e të Fushë Kosovës, të Malit të Zi, Bosnjës e Hercegovinës, Maqedonisë. Morën pjesë 11 (njëmbëdhjetë) brigada sulmuese dhe 2 divizione ( 5 & 6). Në tokat e ish-Jugosllavisë, ranë në fushën e luftës 680 partizanë shqiptarë.
Në asnjë luftë çlirimtare nuk është parë pjesëmarrje kaq e gjerë e popullit në të, me mbi 70 mijë partizanë, prej tyre rreth 700 partizane, të inkuadruar në reparte e njësi luftarake, me përgatitje të lartë dhe disiplinë të çeliktë, e dalë nga një popull prej afro 900 mijë banorë dhe që përballoi me luftë 15 divizione të ushtrive nazifashiste me efektiv, mbi 130 mijë veta.
Urdhri i Komandantit të Përgjithshëm të UNÇSH për çlirimin e Kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranën, me çdo kusht, ishte i rëndësisë së veçantë dhe u krye me sukses të plotë, me operacionin operativo-strategjik sipas kërkesave të kohës të një ushtrie të rregullt dhe ishte preludi i çlirimit të Atdheut me Ushtrinë e saj partizane.
Populli shqiptar dhe UNÇSH e tij, me luftën heroike që bënë kundër pushtuesve nazifashistë dha një kontribut të çmuar për fitoren mbi nazifashizmin në Luftën e Dytë Botërore. Mbi 28 mijë Dëshmorë, 21 % e shtëpive në fshatra e qytete u dogjën ose u rrënuan; urat, fabrikat, punishtet, minierat, portet, mjetet e ndërlidhjes u shkatërruan ose u asgjësuan, 1/3 e gjësë së gjallë u asgjësua.

Dëmet në vlera materiale kapën shifrën 1.8 miliard $, sipas kursit të kohës

Prandaj populli shqiptar me të drejtë zuri vënd të nderuar në radhët e popujve që luftuan për shpartallimin e fashizmit dhe për fitoren e Luftës së Dytë Botërore. Për këtë fitore krijoi kushte të favorshme, Lufta e Madhe Patriotike e Bashkimit Sovjetik dhe e forcave Anglo-Amerikane që ishin tre udhëheqësit kryesorë te Koalicionit Antifashist Botëror. Mbi 70 mijë armiq u vranë, u plagosën e u zunë robër. Shqipëria u çlirua me forcat e veta, fitoi lirinë dhe vendosi regjimin demokratik.
Historia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, u shkrua nga fitimtarët, dhe mund të rishkruhet, e parë në distancën e 75 viteve, në dritën e dokumenteve të reja arkivore, mbështetur edhe në studime të thelluara monografike, ashtu sikundër kanë vepruar profesorët: Kristo Frashëri, Xhelal Gjeçovi, Xhemil Frashëri, Pëllumb Xhufi, Moikom Zeqo, Paskal Milo etj dhe Referatet e profesorëve në këtë Konferencë kombëtare e ndërkombëtare, për karakterin dhe rëndësinë e kësaj lufte , që është ngjarje madhore në historinë e Shqipërisë. Vlerësimi i Luftës NÇ duhet të mbështetet ashtu siç e kërkojnë parimet e historiografisë shkencore, në parametrat e kohës kur kanë ndodhur. Detyrat që mori përsipër PKSH, në Nëntor të vitit 1941, të cilat i zbatoi Fronti NÇ, në Shtator 1942, dhe ishin në përputhje me detyrat që shtronte koalicioni i madh antifashist botëror dhe me ato që plotësuan organizatat partiake të popujve të shtypur të Evropës. Qëndrimi i Ballit Kombëtar dhe i Lëvizjes së Legalitetit, për faktorët që përcaktuan fitoren e LANÇ-it, akuzat e tyre ndaj PKSH-së, si “udhëheqëse e vetme e LANÇ”, dhe qëllimi i Luftes Çlirimtare “si luftë për pushtet”, që në fakt kishte karakter patriotik dhe jo ideologjik dhe se teza e tyre se “LANÇ-i, ishte luftë civile”, është jo vetëm e pasaktë, por keqdashëse dhe antikombëtare. LANÇ, është revolucion shoqëror, prandaj dhe programi i vet, ishte demokratik popullor. LANÇ, u lidh ngushtë me koalicionin e madh antifashist botëror Anglo-Sovjeto-Amerikan. Për rrjedhojë del dhe rëndësia historike e fitores së Luftës NÇ.
Populli bën historinë dhe e shkruajnë atë historianët e vërtetë, jo sipas bindjeve politike, por nga e vërteta historike, se historia e LANÇ, nuk ndryshon por pasurohet me konkluzione nga historianë atdhetarë, e jo nga humbësit ose pinjollët e kolaboracionizmit.
LANÇ karakterizohej nga veprime të pandërprera me karakter aktiv sulmues, nga befasia e goditjeve dhe manovrimi i shkathët i trupave, nga shfrytëzimi i terrenit, nga iniciativa e komandave partizane të të gjitha shkallëve, nga kombinimi i veprimeve të ushtrisë së rregullt partizane me ato të popullit të armatosur, nga kombinimi i taktikës partizane me ato të luftës frontale në çlirimin e qyteteve, që taktika partizane i lejoi ushtrisë sonë NÇ, të përballonte një armik me epërsi të madhe në njerëz, armatime e teknikë, ti shkaktonte atij humbje të rënda e të korrte mbi të fitore të plotë. E tillë është rruga heroike e LANÇ, e revolucionit tonë popullor, që u kurorëzua me fitoren e madhe historike: me dëbimin e pushtuesve të huaj fashistë, me shpartallimin e forcave të reaksionit dhe me vendosjen e pushtetit demokratik, i tillë ishte drejtimi operative-strategjik i LANÇ-it.
Por duhej edhe qëndrimi i delegacionit tonë, që Konferenca e Paqes e Parisit më 1946 pranoi Shqipërinë si aleate të Frontit Antifashist dhe e shpëtoi atë nga copëtimi.
Pra, Lufta ANÇ, ishte dhe një katalizator i madh social , që solli ndryshime epokale ne gjirin e shoqërisë . Tërë shqiptarët e ndershëm kanë detyrim historik për tu krenuar e për të mbrojtur LANÇ-in. Se ajo ka qënë dhe mbetet pikë referimi , për të sotmen dhe për të ardhmen, se kur populli është i bashkuar dhe në unitet mendimi e veprimi, është i pamposhtur. Ngjarje të tilla madhore përsëriten rrallë në histori dhe mbeten si përmendore lavdie. Ndryshe ndodhi me ata që u larguan me arsyetime të ndryshme nga lufta e shkuan ne prehrin e pushtuesit, bënë krime së bashku me ta, dhe morën dënimin e merituar ne gjyqin ndërkombëtar të Nurembergut, e nga çdo shtet antifashist për kriminelët e vet.
75 -vjetori i Çlirimit të Shqipërisë, është ngjarje e rëndësishme kombëtare, që na kujton, se Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare e popullit tonë, është një nga luftërat më të mëdha e më të suksesshme që kanë zhvilluar shqiptarët në historinë e tyre mijëra vjeçare dhe i bën nder Kombit Shqiptar. Ajo u zhvillua në kushtet e Luftës së Dytë Botërore gjatë së cilës shtetet e Koalicionit Antifashist Botëror dhanë ndihmesë të çmuar me këshilltarë dhe materiale.
75- vjetori i çlirimit të Atdheut tonë bën apel, që si patriotë të duam Atdheun me gjithë forcën e zemrës, të respektojmë LANÇ, dhe gjakun e derdhur për liri e pavarësi, të forcojmë unitetin pa dallim feje, krahine, ideje e përkatësie partiake, të edukojmë rininë me dashurinë për vendin që e kemi me histori krenarie e që ta mbajnë kokën lart. Kush nderon LANÇ, nderon historinë.
Në këtë 75 vjetor, kujtojmë me respekt dhe përulemi me nderimet më të larta për UNÇSH, për partizanët dhe partizanet, komandantët e komisarët, për heronjtë, dëshmorët dhe invalidët e LANÇ, përulemi para familjeve të tyre, para bazave të LANÇ dhe popullit tonë heroik.