Rushan Dosti & Evdal Nuri: Nënë Pashkoja e Beratit, guraja e hekurt me zemër të madhe!

Puna të nderon dhe të bën që të mos ndjehesh në boshllëk”. Kjo ishte filozofia dhe jeta e vërtetë e Nënë Pashakos!

Nëpër vite bëri emër,

Sigal

në dallgë të jetës e të fatit.

Kush e njeh e ka për zemër,

Nënë Pashakon e Beratit.

 

Rushan  Dosti& Evdal Nuri

Zakonisht, jemi mësuar të intervistojmë, apo portretizojmë emra njerëzish të shquar e personalitete të fushave të ndryshme, të cilët i quajmë të mëdhenjë më shumë për detyrën, apo staturën që mbartin, se sa për vlerat reale që ata rrezatojnë në publik. Kjo s’do të thotë që të mos ndodh kjo gjë, por për të qënë realist me veten e të tjerët, shpesh harrojmë njerëz të “vegjël” që kanë mbartur e kanë lënë pas si trashëgimi vlera të mëdha njerëzore. E në këtë pjesë, kush më shumë e kush më pak, jemi borxhllinjë ndaj jetës dhe veprës së tyre. E tillë është për komunitetin e madh e të vjetër beratas, tashmë ndarë nga jeta, një grua e fortë dhe me zemër të madhe Shake Agalliu e njohur në publik me emrin “Nënë Pashakoja e Beratit”. Siç thuhet edhe në vargjet hapëse të këtij portretizimi të figurës së saj, ajo grua bëri emër duke “notuar” fuqishëm nëpër dallgët e detit të jetës plot tallaze, duke bërë vend në zemrat e qytetarisë beratase.

 

1-Kush ishte Shake Agalliu ose “Nënë Pashakoja e Beratit”?!

U lind më 23 tetor 1937 në fshatin Plashnik të Rrethit të Beratit në një familje të varfër dhe me ndjenja të thella atdhetare. Qysh e vogël u përballë me vuajtje dhe sakrififica të mëdha. Kur ishte vetëm 10 vjeç provoi fatkeqësinë e parë të jetës së saj që vështirë se mund ta përballonte zemra e njomë e një fëmija. Tash e tutje ajo nuk do të kishte në krah njeriun më të shtrenjtë të jetës së saj, nënën e dashur, e cila ndërroi jetë papritur. Ikja e nënës do ta bënte vajzën nga Plashniku më të fortë për të përballuar prova të tjera ndodhta edhe më të vështira. Duke qënë se bashkë me të kishin mbetur jetimë pa nënë edhe shtatë fëmijë të tjerë, katër vëllezër dhe tri motra, edhe pse ishte ende fëmijë, ajo i vuri shpatullat shtëpisë duke u bërë jo vetëm, por edhe nënë e fëmijëve të mbetur pa nënë, duke plotësuar amanetin e nënës së saj. Varfëria e tejskajshme nuk e mposhti kurrë as kur ishte vajzë dhe as kur krijoi familjen e saj dhe u bë nënë e tre fëmijëve. Krahas kujdesit për mirërritjen dhe edukimin e fëmijëve të saj, nuk hoqi dorë nga përkujdesja prej motre e nëne ndaj vëllezërve dhe motrave të saj. Me ambicien e pafundme që e karakterizonte, me përvojën e fituar përmes peripecive dhe dallgëve të jetës, Shakja u bë një nga punonjëset më shembullore të qytetit të Beratit. Krahas punës, ajo vazhdoi studimet, dhe pas përfundimit të tyre arriti të jetë ndër tregtaret me të dalluara të qytetit. Ajo arriti që me punë, pasion dhe përkushtim të veçantë, të bëjë diferencë në shërbim të familjes dhe të qytetarëve të saj, të cilët në shenjë respekti e dashamirësie e thirrnin me emrin “Nënë Pashakoja”. Nuk ka qytetar apo qytetare beratase që nuk e njeh Nënë Pashakon. Ajo ishte sa e thjeshtë, aq dhe madhështore. Mjafton të kujtojmë një rrëfim të shkurtër të saj, ku me pak fjalë ka folur shumë:

 

2-Jeta e saj .Gjithë jetën time kam punuar pa u ndalur, duke u përpjekur të arrij atë që dukej e pamundur, të mos kënaqem me ato që arrija dhe gjithnjë të synoja për më lart. Asnjëherë nuk u lodha me punën që kam bërë. Kjo them se me ka ndihmuar të vendos emrin tim, duke patur në plan të parë dinjitetin dhe moralin në të gjithë aspektet. Kam dashur të jem gjithnjë një shembull i mirë për fëmijët e mi, të cilën mendoj se e kam realizuar. Jeta të bën t’i kalosh të gjitha, vuajtja më ka shoqëruar gjithnjë, por kur mendon se i kalon me sukses harrohet shpejt. Puna, të bën të jesh i lumtur, puna të bën krenar, puna të bën të jesh ballë hapur. Puna të nderon dhe të bën që të mos ndjehesh në boshllëk. Kjo ishte filozofia dhe jeta e vërtetë e Nënë Pashakos! Kur kishte shtëpinë plot me fëmijë, nipër e mbesa, si nënë dhe si gjyshe ajo profetizonte me veten, por mesazhi përcillej tek fëmijët e saj dhe fëmijët e tyre:“Ëndrrat dhe dëshirat janë pa fund, shumë pak realizohen nga ato që mendon, por me punë e përpjekje mendoj se jam e plotësuar kur shoh shëndetin e familjes që më rrethon”– thoshte Nënë Pashako para se të ndërronte jetë.

 

3-Intervista e fundit me Pashakon e Beratit

 

Amaneti i saj para se të ikte nga kjo botë ishte për popullin e Beratit, që e kishte pagëzuar me emrin “Nënë Pashakoja e Beratit:

 

  • Opinioni juaj për komunitetin beratas?

 

          “Mirënjohje për këdo që kam njohur dhe më ka njohur. Mirënjohje për popullin berates, që mbetet brenda shpirtit tim. Ky popull më dha një emër që më nderon më shumë se çdo dekoratë apo medalje, më etiketoi “Nënë Pashako”. Përulem me respekt përpara familjes dhe çdo qytetari e qytetareje beratase. Unë do mbetem mes tyre sot kur jam gjallë dhe nesër kur të kem shkuar në atë botën e përtejme. Kurrë mos më ndani nga vendi im ku u linda dhe u rrita. Në këtë vend dua të vdes dhe të tretem përjetësisht!” 

 

  • Kush janë gjërat që të kanë bërë të lumtur?

 

– Janë fëmijët dhe sidomos fëmijët e fëmijëve që më bëjnë të lumtur. A kam ndonjë brengë për ta? Dua t’i shoh lart e më lart siç edhe kam ëndërruar dhe kërkuar nga vetja. Sot pjesa më e madhe e tyre m’i kanë plotësuar dëshirat. Një pjesë kanë kohën e duhur për t’u përmirësuar dhe arritur të tjerët. Ëndrrat dhe dëshirat janë pa fund, shumë pak realizohen nga ato që mendon, por me punë e përpjekje mendoj se jam e plotësuar kur shoh shëndetin e familjes që më rrethon.

– Gjykimi juaj për jetën dhe vuajtjet e saj?

– Nuk mund të lë pa përmendur se jeta më ka bërë dhe më të fortë, pamvarësisht se kam patur probleme me shëndetin. Kam bërë shtatë operacione në trupin tim të cilat kanë dalë me sukses falë punës profesionale dhe përkushtimit të doktorëve human si Halim Kosova.

Kujtoj gjithmonë fjalët e Doktor Ymer Dishnica, i cili më tha: “Pashako, kur të shërohet “Marrëveshja e Mukjes” në trupin tim, atëherë mund të shërohet plotësisht trupi juaj, por do të bëjmë të pamundurën që të jetosh pa dhimbje të forta”. 

Me të vërtetë fjalët e tij ishin një realitet që më shoqëruan gjithë jetës. Njeriu qenka i fortë, nuk kuptoj që pas shumë peripecive dhe komplikacioneve shëndetsore përsëri jam gjallë. Një faleminderit për punën e tyre plot përkushtim që më bënë të jetoja kaq gjatë. Ata janë heronj të vërtetë, shembull për t’u ndjekur nga plejada e re e mjekëve. 

3– Çdo të thotë për ju që të jesh i suksesshëm?

Të jesh i sukseshëm në jetë nuk kërkohet shumë zgjuarsi, por mbi të gjitha kërkohet përkushtim i pandërprerë. Sipas përvojës time, njeriu duhet të vuajë  që të mësojë të ecë përpara. Përgjithësisht këtë e gjen tek jetimët, apo njerëzit e rritur pa mbështetje. Sa e sa figura botërore kemi parë e dëgjuar, që janë rritur dhe zhvilluar nga hiçi por më në fund janë bërë të famshëm. Puna, të bën të jesh i lumtur, puna të bën krenar, puna të bën të jesh ballë hapur. Puna të nderon dhe të bën që të mos ndjehesh në boshllëk.

– Një sipërmarrëse e zonja dhe zemërmadhe, ku qëndron sekreti?

– Ndoshta ndryshimet demokratike, mua më gjetën më të përgatitur, pasi puna ime, tregtia, ishte e tillë që lidhej më shpejt me ekonominë e tregut. Por, asnjëherë paraja nuk ka qenë qëllim më vete. Unë mendoj se mbeta e njëjta pa para dhe me para, e varfër dhe e pasur. Dëshira ime ka qenë dhe mbetet të jem njeri mbi të gjitha.

Mbase pleqëria bën të vetën, gëzimet dhe hidhërimet, lëndimet dhe komplimentet janë shumë afër njëra tjetrës, por kur më në fund arrin suksesin, të gjitha harrohen. Po prek pak termin falje. Kush fal i ka arritur të gjitha. Mund të kem lënduar dikë, apo edhe mund të më kenë lënduar, por kam ditur të kërkoj falje dhe vazhdimisht kam falur këdo që me apo dashje më ka lënduar!”