Rrëfimi/ Roland Trebicka: Duke ndjekur filmin “debatiku” regjizoi Hysen Hakani më ofroi rolin që me hapi rrugën e artit

194
Sigal

Intervista e fundit e Roland Trebickës: Duke ndjekur  filmin “Debatiku” regjisori Hysen Hakani. më ofroi një rol që më hapi rrugën.

  • – Jovan Bregun e gjen edhe në shtëpi, edhe në rrugë, edhe në punë, edhe në kafene… kudo!
  • Me humorin, këtë gjini mjaft interesante, jam marrë për herë të parë kur nisa punë në trupën e Estradës së Ushtarit.
  • -Kur fillova të intepretoja gjeta kolosët e artit shqiptar: Piro Mani, Naim Frashëri, Kadri Roshi, Sulejman Pitarka, Drita Pelingu, Lazër Filipi, Prokop Mima, Violeta Manushi, Sandër Prosi, etj

Intervistoi: Fadil Shehu

Roland Trebicka lindi në Korçë në vitin 1947. Kreu shkollën e mesme të përgjithshme “Raqi Qirinxhi” në vendlindje.

Kur ishte i ri punoi si aktor në Estradën profesioniste te SHQUP (Shtëpia Qendrore e Ushtrisë Popullore) ose shkurt “Estrada e Ushtarit”. Gjatë këtyre viteve në këtë trupë profesioniste debutuan edhe aktorë të tjerë, të cilët më vonë do teë bëheshin të famshëm në fushën e humorit skenik dhe televiziv si Aleko Prodani, Koço Devole, Zef Deda, Sejfulla Myftari (Cekja), Mehdi Maljak, Behar Mera etj. Në vitin 1971 u bë pjesë e Teatrit Kombëtar (i njohur atëherë si Teatri popullor). Punoi në Teatrin Kombëtar deri më 1999. Pas një përvoje tri vjeçare me kompaninë “Publimedia”, u rikthye në Teatrin Kombëtar. Kjo intervistë është zhvilluar në vitin 2011.

Qysh në rininë time të hershme kam ndjekur me ëndje në kinema filmat shqiptarë. Do të veçoja filmin “Debatiku”, aq shumë i ndjekur nga publiku, ku midis aktorëve të mëdhenj, spikati dhe roli juaj. Ndoshta ky rol shënon dhe startin e karrierës suaj si aktor?

Ishte viti 1961, kur në Tiranë nisi të xhirohej filmi “Debatiku”. Xhirimi i një filmi në atë periudhë konsiderohej si ngjarje e jashtëzakonshme, ndaj unë së bashku me disa shokë të mi, nga kureshtja harrohesha pas xhirimeve. Shpeshherë dreka na gjente në shkollë dhe pasditja na gjente pa darkë. Mesa duket, interesimi im për këto xhirime tërhoqi vëmendjen e regjisorit, i cili më ofroi dhe një rol në këtë film. Duhet thënë se këto ishin ngacmimet e para që më bënë të dashurohesha për gjithë jetën me artin. Ndaj këtë film sot e kujtoj me respekt e nostalgji të veçantë.

Për aktorin emocioni krijohet më natyrshëm kur ai luan në skenë, apo gjatë xhirimeve të një filmi?

Mendoj që aktori e gjen veten më mirë në teatër, pasi aty zhvillohen një sërë proçese që i “mungojnë” filmit. Emocioni në teatër lind një orë para shfaqjes dhe përfundon kur mbyllet perdja. Ndërsa në film ndikojnë problemet teknike…Në qoftë se në film, një gabim përsëritet disa herë, sado i vogël qoftë ai, në teatër ndodh e kundërta…

Ju kujtohet regjisori juaj i parë, i cili ju krijoi mundësinë të shfaqnit talentin tuaj si artist?

Natyrisht, ende shpesh e kujtoj në kujtesën time me respekt të veçantë. Ai ishte regjisori i mirënjohur Hysen Hakani.

Ju jeni shquar më shumë si aktor i humorit. Po në këtë gjini, si aktor e mbani mend suksesin tuaj të parë?

Me humorin, këtë gjini mjaft interesante, jam marrë për herë të parë kur nisa punë në trupën e Estradës së Ushtarit. Aty mjaft artistë hodhën themelet e humorit shqiptar, të cilët me punën e talentin e tyre, sot me meritë gëzojnë admirimin e shikuesve.

Cilët ishin kolegët dhe partnerët që koha ju ofroi përkrah tyre?

Të gjithë ishin të talentuar dhe kurdoherë synonin të ishin dikush. Mund të përmend Dhimtër Furxhi, Vilson Gjonça, Mërkur Bozgo, Koço Devole, Sejfulla Myftari, Gëzim Kruja, Zef Deda e të tjerë. Estrada e Ushtarit, duke patur në gjirin e vet artistë të tillë, krijoi për shumë vite një ansambël të mrekullueshëm.

Si erdhët në Teatrin Kombëtar ku vazhdoni të punoni prej vitesh, në strehëzën e të cilit në këto momente po zhvillojmë këtë intervistë?

Në pranverën e vitit 1973, kur i shquari Sandër Prosi, këmbënguli që rolin e Xhorxhias, në dramën “Njeriu që pa vdekjen me sy”, të Viktor Eftimiut, ta interpretoja unë. Duke u ndodhur përballë Robert Ndrenikës, Drita Haxhirajt, Fatos Haxhirajt, Ilia Shytit, arrita të inkuadrohem shumë shpejt me këtë ansambël model, duke ndjerë atë ditë kënaqësinë e madhe që na dhuroi publiku gjatë shfaqjes së dramës që posa përmenda.

Duke filluar karrierën me role seriozë, iu “qepet”roleve komikë, të cilëve ju i keni mbetur në vite e dekada besnik. Cili ishte motivi ?

Brezit tim i ka qëlluar një fat i madh,çdo brezi i qëllon ky fat. Shprehem kështu Fadil, sepse në atë periudhë kur hymë për herë të parë në teatër, në gjetëm kolosët e artit shqiptar: Piro Mani, Naim Frashëri, Kadri Roshi, Sulejman Pitarka, Drita Pelingu, Lazër Filipi, Prokop Mima,Violeta Manushi, Sandër Prosi e plot të tjerë. Nëse para këtyre artistëve, përgjegjësia ishte shumë e madhe, detyrimi ndaj tyre ishte më i madh.Të kishe partnerë këta artistë gjigandë, kurrsesi nuk ishte e lehtë. Ndërsa për sa i përket angazhimit tim nga drama në komedi, kjo është vepër e regjisorëve.

E ndieni që me interpretimet tuaja brilante, jeni bërë mjaft i afërt dhe i dashur me spektatorin?

Kudo ndiej respektin e spektatorit,jo vetëm gjatë kohës së dyorëshit të shfaqjes, por edhe gjatë jetës së përditshme. Natyrisht i mbetem borxhli çdo spektatori. Dhe këtë e them me sinqeritet e mirënjohje.

Me cilin partner jeni ndjerë më i sigurtë dhe i suksesshëm?

Veçoj gjeniun Naim Frashëri, duke mos harruar Robert Ndrenikën dhe Violeta Manushin.Të luash me këta artistë, ndihesh mjaft komod. Po kështu, kënaqësi ndien kur luan me Pavlina Manin, Luiza Xhuvanin,Yllka Mujon, apo me Elvira Diamantin.

Jo pak artistë gjatë interpretimit krijojnë pauzë.Po ju keni patur një rast të tillë, ku jeni ndjerë ngushtë?

(Qesh) Është e vërtetë që këto janë incidente, që i ndodhin jo shpesh aktorit gjatë shfaqjes. Nëse ke arritur që figurën ta realizosh mjaft mirë dhe për një moment ndodhesh para incidenteve të tilla artistike,të cilat janë të pranueshme për çdo artist, aktori që ka filluar të xhonglerojë në rol, e kalon këtë defekt pa u ndjerë….

Si arrini që duke qëndruar vetë tepër serioz, bëni që publiku të duartrokasë dhe gajaset së qeshuri?

Të luash në komedi, domethënë duhet të qeshë publiku dhe jo aktori. Pastaj humori duhet të jetë i sinqertë dhe jo i stisur, jo i sajuar.

Ndonëse më se 35 vjet në skenë, ku keni interpretuar role të ndryshme, sërish spektatori ju përmend shpesh si Jovan Bregu. Sipas jush, është ky rol që vlerësoni si më të arririn në jetën tuaj artistike?

Jo, nuk mund të cilësoj një gjë të tillë. Ai është një rol që është ngjitur të publiku, por po ta trajtosh nga vlerat artistike, them se ka dhe role të tjera shumë më të arrirë,si fjala vjen, roli në komedinë “Pas vdekjes”, për të cilin jam vlerësuar me çmimin “Aleksandër Moisiu”. Mund të përmend këtu dhe rolet te “Valsi i Titanikut”, në komendinë e kohëve të fundit të Teatrit Kombëtar “Oportunesku”. Por edhe pse luajta në rolin episodik tek “Magjia e Madhe”, u vlerësova sërish me çmimin e madh “Aleksandër Moisiu”. Pra, është pikërisht ky rol, i cili për mua mbetet si më i arrirë në jetën time artistike.

Duke përmendur përsëri figurën e Jovan Bregut, mendoni që kjo figurë ndeshet sot në jetën tonë të përditshme?

Sigurisht.Vani është një personazh, të cilin e ndesh në çdo kohë e moment. Vanin e gjen edhe në shtëpi, edhe në rrugë, edhe në punë, edhe në kafene… kudo. Pra, ai është jetësor. Është pikërisht ai që e bën këtë personazh të mbetet gjatë në kujtesën e spektatorit.

Kohët e fundit autorja e suksesshme e komedisë “Pallati 176”, Adelina Balashi, paraqiti pranë Teatrit Kombëtar pjesën e dytë të kësaj komedie. Nëse kjo pjesë do aprovohet,mendoni se do të jeni sërish një personazh i spikatur në një nga rolet e saj?

Dihet që zgjedhjen e roleve e bën regjisori. Komedia është shfaqur me shumë sukses. Kjo komedi ka një fillim dhe një mbarim.“Pallati 176 ”nisi dhe përfundoi me “Pallati 176”. Jam i mendimit që kjo komedi, mos të këtë më vazhdim…Le ta lëmë këtë pallat pa shtojca…

.