Rilindasi Pashko Vasa: Feja e shqiptarit është shqiptaria!

Krijuesi i lajtmotivit të bashkëjetesës shqiptare: “Feja e shqiptarit është shqiptaria”

Pashko Vasa ideologu dhe poeti emblematik i Rilindjes Kombëtare

NOA

(129-vjetori i vdekjes)

Vaso Pasha ishte njëri ndër rilindësit më të spikatur të Shqipërisë dhe njëri ndër iluministët e ndritur të kombit. Ai, tërë jetën dhe veprën ia kushtoi çështjes së çlirimi të Shqipërisë, arsimimit, kulturës, diturisë. Pashko Vasa, lindi në Shkodër më 17 shtator të vitit 1825. I ati quhej Hilë Gjokë Vasa, kurse e ëma Drande Gjegja. Të parët e fisit të tij, nga i ati, ishin shpërngulur nga Mirdita dhe ishin zhvendosur në qytet, n’atë shtëpi ku sot është shtëpia-muze e Pashko Vasës. Pasi kreu mësimet e para në vendlindje, shërbeu si sekretar i konsullatës britanike nga 1842 gjer më 1847, ku pati mundësinë me përmirsuar dijet e tij në gjuhët e huaja: italisht, frëngjisht, turqisht dhe greqisht.

Më 1847 vajti në Itali, ku ziente lufta kryengritëse për liri Ai mori pjesë gjallerisht në radhët e forcave kryengritëse italiane. Në Bolonjë u caktua si oficer i Kalorësisë  Qytetare. Asokohe ishtë  frymëzuar nga atdhetarët e shquar italian, si  Aleksando Mazzini, Gjuzepe  Garibaldi, Gioberti. Idetë që e ushqyen për këtë qëllim solidar ai i shpreh në dy letra, që i dërgon në qershor dhe korrik 1848, nga Bolonja, Nikolo Tomazeut, poet dhe enciklopedist, mik i Jeronim De Radës dhe i Dora d’Istrias. Në shpalljen e Republikës Venedikase jetëshkurtër, nga Daniele Manin, mori pjesë përkrah popullsisë kryengritëse të atij qyteti që u rrethua nga austriakët. Ndërkohë që austriakët hynë me 28 gusht 1849 dhe Pashko Vasa u largua me disa shokë tjerë për në Ankona. Aty austriakët e kapën dhe e detyruan, si shqiptar me nenshtetësi turke, të ikte në Stamboll. Mbas disa peripecish ze vend në shoqënin e tramvajeve të qytetit, duke u ngjitur ma vonë në shkallët e administratës së saj. Që këtej u vendos me punë në aparatin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Perandorisë Osmane. Perandoria merrte nepër poste njerëz të kombësive e feve të ndryshme për të lënë përshtypjen se shteti i përkiste gjithëve. Disa nga atdhetarët, e në mesin e tyre edhe Vaso Pasha këtë veprim të Preandorisë e shfrytëzoi për të ngritur për zgjidhje  çështjen kombëtare shqiptare. Nga disa të dhëna që nxirren prej përmbledhjeve me vjersha italisht “Rose e spine”-“Trëndafila e gjemba”, botua në Stamboll më 1873, mësojmë se Pashko Vasa ka qenë i martuar me nje shqiptare (rreth 1855), që vdiq më 1872. Nga po kjo vepër mësohet se Pashko Vasa së paku që nga viti 1861, ishte me punë në Halep të Sirisë. Gjitashtu thuhet se Pashko Vasa kishte shërbyer disa vjet pranë ambasadës turke në Londër, ku dhe botoi më 1887 veprën frëngjisht “Gramatikë e shqipes”. Më 1862 e gjejmë në Shkodër. Vit në të cilin nji grup intelektualësh, përfshire Zef Jubanin e tjerë, u përpoqën për nje kryengritje antiosmane në Shqipwrinw e Veriut, në Mirditë.

Më 1864, në Stamboll, bashkohet me Kostandin Kristoforidhin, Hasan Tahsinin dhe Ismail Qemalin, për sigurimin e fondeve financiare, lidhur me formimin e shkollave shqipe, si dhe me caktimin e nje alfabeti të vetëm. Më 1867 ai qëndron në krye të përpjekjeve për themelimin e një shoqërie kulturore dhe të një alfabeti të përbashkët mbi bazën e alfabetit latin. Më 1869 merr pjesë në grupin nismëtar për krijimin e një shoqate shqiptare me karakter kulturor, arsimor e gjuhësor. Më 1871, në Stamboll, bashkë me Jani Vreton dhe Sami Frashërin, nis orvatjen për krijimin e një organizate atdhetare shqiptare. Pashko Vasa hyri që herët në lëvizjen patriotike, por veprimtari të dendur për çështjen kombëtare zhvilloi në vitet 70, kur bashkë me Kostandin Kristoforidhin, u përpoq për krijimin e një shoqërie për përhapjen e shkrimit shqip dhe ngjalljen e ndërgjegjies kombëtare. Në vitet 1878-1882 krahas Abdyl Frashërit u shqua si një nga figurat kryesore të Komitetit të Stambollit për mbrojtjen e Shqipërisë. Më 1879 ishte ndër veprimtarët më aktivë të «Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip». Pashko Vasa ishte autor i një vargu veprash me karakter politik e historik, në të cilat mbrojti çështjen e popullit shqiptar, të drejtën e tij për të jetuar i lirë dhe i pavarur. Botoi «Skicë historike mbi Malin e Zi sipas traditave të Shqipërisë («Esquisse historique sur le Monténégro d’après les traditions de l’Albanie», Constantinopole, 1872), ku përshkroi pashallëkun e Shkodrës nën Bushatasit, «E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët» («La vérité sur l’Albanie et les Albanais», Paris 1879), në të cilën, krahas të dhënave historike mbi popullin shqiptar dhe qëllimet e luftës së tij, kritikoi administratën burokratike osmane dhe paraqiti kërkesat e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Penës së Pashko Vasa i përket edhe vepra «Bosnja dhe Hercegovina gjatë misionit të Xhevdet Efendiut» («Bosnie et Hercegovine pendant la mission de Djevdet Effendi», Constantinopole 1865). Pashko Vasa shkroi një varg veprash të cilat i shërbenin zgjidhjes së çështjes së shkrimit dhe mësimit të shqipes; «Alfabeti latin i zbatuar në gjuhën shqipe» 1878, «Gramatika shqipe për të u përdorur nga ata që dëshirojnë ta nxënë këtë gjuhë pa ndihmën e një mësuesi», London 1887).

Ai zuri një vend edhe në historinë e letërsisë shqiptare që po krijohej; ai është autor i vjershës së njohur «Moj Shqypni, e mjera Shqypni!» (1880), e cila u botua si fletë fluturuese. Me dashurinë e flaktë për atdheun që dergjej nën thundrën e të huajit, me notën e dhimbjes për të, me grishjen drejtuar bashkatdhetarëve për të kapërcyer dasitë fetare dhe për t’u bashkuar në emër të çlirimit të vendit, vjersha luajti rol për zgjimin kombëtar të shqiptarëve. E vënë në muzikë, ajo u këndua si himn patriotik. Vepër tjetër e Pashko Vasës në lëmin e letërsisë është «Bardha e Temalit» («Barda de Témal», Paris 1890), një nga romanet e para në letërsinë shqiptare. Aty përshkruhet mjedisi shqiptar në Shkodër në vitet 40 të shek.XIX me doket dhe zakonet karakteristike. Botoi edhe një përmbledhje me vjersha italisht «Rose e spine» (1873). Që nga viti 1883 e derisa vdiq, në qershor të vitit 1892,  Pashko Vasa shërbeu si Guvernator i përgjithshëm i Libanit, ku edhe vdiq.  Eshtrat tij u sollën në Atdhe në kohën e regjimit komunist të Shqipërisë. (Vik.)

 “O MOJ SHQYPNI, E MJERA SHQYPNI” OSE “MARSEJEZA” E POPULLIT SHQIPTAR

Poema e famshme “O Moj Shqypni, e mjera Shqypni” është vepra më e shkëlqyer e Pashko Vasës. Ajo u dërgua nga Stambolli në frontin e luftimeve me fletë të veçanta, kaloi dorë në dorë dhe u këndua me një muzikë sa prekëse aq mobilizuese. Autori u frymëzua nga atmosfera luftarake e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit…Gjendja e mjerueshme e popullit, veçanërisht figura simbol e Nanës Shqipëri, i jepte asaj forcë të madhe emocionuese dhe mobilizuese në luftë për liri e pavarësi. Me 20 shkurt 1881 Sami Frashëri i shkruante Jeronin de Radës: “Të dergonj edhe një këngë patriotike nga vëllait tonë Pasko Vasës…”O moj Shqypni…” u bë “Marsejeza” e popullit Shqiptar:”Këtë nanë të dashtun a do ta lamë/që njeri i huej ta shkelë me kambë/ para se të hupë kështu Shqypnia/ me pushkë në dorë le të desë trimnia”.

……………………………………………….

O moj Shqipni, e mjera Shqipni

kush te ka qitë me krye në hi?

Ti ke pas kenë një zonjë e rande

burrat e dheut te thirshin nanë

Ke pasë shumë t’mira e begati

me vajza t’bukra, me djem t’ri

Gja e vend shumë, ara e bashtina

me armë të bardha e pushkë ltina

me burra trima, me gra të dlira

ti ndër gjithë shoqet ke kenë ma e mira

……………………………………………….

Çoniu shqiptarë prej gjumit çoniu

të gjithë si vllazën n’një besë shtrëngoniu

e mos shikoni kisha e xhamia

feja e shqiptari asht shqiptaria

Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë

gjithkund lshon dielli vapë edhe rrezë

asht toka jone, prind na e kan lane

kush mos na e prekë se desim t’tanë