Hyqmet Zane: Ku ndodhet shoqata patriotike “Çamëria” ?!

512
Sigal

Ku ndodhet Shoqata patriotike “Çamëria” ?

Mirëkuptimi dhe bashkimi i vlerave e bëjnë strategjinë e zgjidhjes së çështjes çame

Nga Hyqmet Zane

Situatat, ngjarjet emergjente, por edhe rrjedhshmëria e punëve në një vend si ky i yni nuk ka se si të bëhen pengesë për funksionimin e punëve të tjera si ato në komunitetin çam të pranishëm në Shqipëri si shqiptarë të Çamërisë të organizuar që më 10 janar 1991 në “Shoqatën Politike Çamëria”. E shtroj këtë problem me këtë këndvështrim sepse kam parasysh se në këtë vordull nacionalizmash antishqitpare serbo – greke, aq më tepër që një komuniteti si ai i shqitparëve të Çamërisë i është bërë një genocid. Organizimi dhe mirëfunksionimi i kësaj Shoqate është një domosdoshmëri jetike për amanetin e të parëve për kauzën e shënjtë të këtij komuniteti.

Por çfarë po ndodh në mesin e kësaj shoqërie, çfarë ka ndodhur që ka një heshtje totale, përse u ndërpre procesi i zgjedhjeve brenda strukturave të degëve dhe sidomos në degën e Tiranës dhe mosbërja e Kuvendit të përgjithshëm? U bënë dy vjet që gjithçka është futur në një ngërç instritucional, ku qëndron problemi ? Jemi një komunietet vital dhe që kemi mbijetuar në diktaturë dhe kemi shpalosur vlera dhe dinjitet në tranzicionin demokratik deri në përfaqësimin tonë në Parlamentin Shqiptar me 5 deputetë.

Bile, në 25 vjetorin e krijimit të kësaj Shoqate Presidenti Bujar Nishani e vlerësoi me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” :“Në shenjë vlerësimi për kontributin e vyer e të pamohueshëm dhënë ndaj çështjes çame, si dhe për veprimtarinë e çmuar atdhetare dhe nxjerrjen më në pah të vlerave kulturore dhe etnografike të kësaj bashkësie të rrallë shqiptare me histori sa të lashtë, aq edhe të lavdishme”.

Mandej gjithçka ka rënë në një amorfitet ku nuk ka za të flasë, nuk ka gazetë të lexohet, nuk ka funksionim të jetës së këtij komuniteti, nuk ka aktivitete, duke injoruar edhe zgjedhjet demokratike për të sjellë një motivim të ri në “luftën” e këtij komuniteti për të gjetur orientimin për kauzën e Çamërisë. Kush e frymëzon një situatë të tillë, kush ka përgjegjësinë për këtë inaktivitet që ka mbetur në një pezullim të qëllimshëm? Askush, asnjë pjesëtar i komunitetit çam nuk e dëshiron dhe ata që morën përgjegjësi dhe u komanduan për të realizuar proceset demokratike brenda komunitetit. A ka moral kushdoqoftë ai që futet si dorë e zezë mes nesh apo mos kanë ndonjë mision që të bëhen palë me ata që duan të mos përmendet emri “Çamëri”?

Edhe pse nuk besoj në perversitetin e ndonjë njeriu që pretemdon se ka shumë merita për kauzën e Çamërisë dhe që i ka hyrë deliri i madhështisë, përsëri them se çamët e lerë, ata që kanë lindur nga një nënë apo baba nga krahina e Çamërisë, kanë përgjegjshmërinë dhe krenarinë, kanë detyrimin dhe presin zhvillimet brenda komunitetit çam jo sipas skemave të politikës të njerit apo tjetrit krah, por të marrjes së frenave në dorë për t’u bërë faktor në arenën kombëtare kauzën e Çamërisë.

Që nga krijimi i Shoqatës Çamëria ne kemi qenë të gjithë bashkë siç na e do sëra dhe kauza, kemi qene bashkë siç na e do amaneti dhe zgjidhja e një problemi që tanimë ka hyrë në 77 vjet nga ajo gjëmë që na la “jetimë” dhe pa shtëpi e katandi, na la pa varre dhe pa historinë e gjallë të së shkuarës sonë me ndërtesat dhe pasurinë tonë të tundshme dhe të patundshme. Të gjithë bashkë mbetëm pa kujtimet e vegjëlisë të stërgjyshërve tanë, po aq sa edhe pa bukuritë e vendit tonë të shtrenjtë. Edhe pse kancelari i nderuar gjerman Shrëder është shprehur se “Një njeri mund ta largosh nga shtëpia e tij, por shtëpinë s’ia largon dot nga zemra”,  jam i detyruar të shtoj se neve çamëve edhe historinë duan të na e shkulin nga e tëra histori mbarëkombëtare, se edhe kujtimet duan të na i zhbëjnë me shtyrjen e viteve, edhe interesimin duan të na e degdisin në kalendat greke, a thua se nuk kemi ekzistuar dhe nuk duhet të ekzistojmë që t’i bëjmë qefin grekut ?

Vitet kalojnë dhe me dashje apo pa dashje them se kemi ardhur në një pikë kritike si për t’i bërë qefin disa njerëzve që duan merita për të qenë në krye të punëve jo për të krijuar potencialitetin e vlerave që kemi e për t’i shndrruar ato në mundësi drejt zgjidhjes apo futjes së problemit në hullinë e zgjidhjes. Fatkeqësisht kështu po ndodh edhe pse jemi vitalë si komunitet që ka vlerësim edhe popullor apo ndodh ashtu siç nuk e meritojmë dhe që nuk është as devizë, as kauzë dhe as mendje me dashuri për vatanin.

Qartazi kjo u reflektua edhe në këtë 27 qershor që iku, ku ndarja edhe në një ditë të shënuar, shënoi evidentimin e një mungese dëshire për të qenë bashkë. Në fakt bashkë ishin vetëm ata që ikën nga kjo botë dhe janë të gjithë aty në memorialin e kujtesës sonë. Ata ishin bashkë edhe kur

ikën nga Çamëria edhe pse në një situatë lemerie të paparë. Bashkë ishte komuniteti çam në çdo ngjarje edhe pse me vuajtje të mëdha dhe fatkeqësi të njëpasnjëshme. Bashkë ishin baballarët e nënat tona me gjithë familjet se ishin trungu i shkulur që nuk meriton të thahet, por të gjelbërojë se druri i jetës sonë çame duhet të jetë gjithnjë i gjelbërt.

Përse ndodh një realitet i tillë, lind përherë pyetja apo ka hyrë në mes tonë ajo hija e ligësisë greke që di të bëjë intriga në çdo kohë dhe kurdoherë. Them me bindje të plotë se gjithçka fillon nga vetja, se po të jemi bashkë dhe të dimë të faktorizohemi me punët tona dhe me aktivitetet

tona, nuk ka qeveri që e mposht kauzën tonë, sado e painteresuar që të jetë dhe sado në halle të jetë populli i këtij vendi.

Kujtoj me shumë respekt faktin që më 1994 presidenti i kohës Sali Berisha e dekretoi datën 27 qershor si “Dita e genocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinizmi grek”. Dhe e gjithë kjo ishte një mbështetje për komunitetin çam përmes Shoqatës Çamëria. Më pas dekorimi që i bëri presidenti Alfred Moisiu dy pjesëtarëve të komuntietit çam me “Medaljen e Artë të Shqiponjës” për merita në luftën antifashiste dhe të internuar në kampet e shfarosjes në Itali e Gjermani si për Nuri Emin Zane nga Filati dhe Hajri Hasan Fetahu nga Grikohori. Gjithashtu dy herë presidenti Bujar Nishani bëri takime me komunitetin çam përmes Shoqatës Çamëria më 8 maj 2016 me familjet nga Çamëria pjesëtare në Luftën II Botërore si antifashistë dhe, më pas, kur dekoroi

Shoqatën Patriotike Çamëria më 4 korrik 2016. Janë vlerësime që nuk mund t’i zhbëjë kush, por që do të doja të ishin potencialisht më shumë.

Për fatin e keq sjell në vëmendje atë shprehjen e nënës sime se “çfarë i bën vetja vetes gjithë bota të mblidhen nuk ia bëjnë, qoftë për mirë e qoftë për keq”. I gjithë ky realitet është mes nesh si limontozi në qumësht që ka thartuar gjithçka.

Përfaqësuesit e komunitetit çam janë krenarë për historinë e tyre dhe për trashëgiminë e pasur sa në përpjekjet për kauzën e idealeve që ka në misionin e vet kjo shoqatë për respektimin e të drejtave universale të njeriut, po aq sa edhe në nënshkrimin e identitetit etnokulturor, dhe

dinjitetin si shqiptarë me kontribute në luftën me penë e me pushkë për liri, arsim dhe kulturë.

Duhet thënë se në këto 100 e ca vjet të jetës së Pavarësisë së shtetit shqiptar, komuniteti çam ka pasur një përfaqësim jo thjesht intelektual, por edhe përmes pararendëses së saj “Klubit Vëllazëria” të Filatit me kryetar Mehmet Sejko (babai i Taho e Teme Sejkos) dhe sekretar Musa Demi (Nder i Kombit) që në letërkëmbimet e tyre me homologen “Klubi Vëllazëria” të Elbasanit, me Lef Nosin, ishin kotributorë të çështjes mbarëkombëtare në luftë me pushtuesit dhe lakmitë e fqinjëve ndaj trojeve shqiptare.

Sipas dëshmive historike të kohës kanë qenë personalitete si Hoxha Hasan Tahsini dhe Abedin Pashë Dino apo Abdyl, Naim e Sami Frashëri që ishin vizitorë të Çamërisë dhe investues në zgjidhjen e problemeve të kombit. Kështu në vazhdimësi deri në krijimin e Shoqatës Patriotike Çamëria më 10 Janar 1991 themi me mburrje se ky institucion i ka dhënë shoqërisë shqiptare shembullin e një shoqërie që ka marrë mbi vete një mision historik në zgjidhjen e çështjes çame dhe në pozicionimin gjeostrategjik të këtij komuniteti përballë mendësive degraduese të fqinjëve grekë që mohojnë ekzistencën dhe jetën e një popullate gjeneruese historikisht.

Nëse ecuria në vite e Shoqatës Çamëria është një gur themeli në

potencialin e historisë mbarëkombëtare, për të cilën breza luftëtarësh, që nga Pirro i Epirit e deri tek Skënderbeu, që nga Kapedanët e shquar arvanitas që i dhanë lirinë Greqisë e deri tek përfaqësuesit e shtetit shqiptar në Konferencën e Lodrës me Rasip Dino, dhe më tej me

kontributin e spikatur të shkrimtarit disident Bilal Xhaferri, kjo shoqatë ka të drejtën të jetë e vlerësuar, nuk mund të themi sot se kjo ecuri i ngjan së shkuarës. Këtë vlerësim e kanë bërë edhe vetë popujt fqinj që janë shprehur “Shqiptarë Trima, Çamër Krenarë”, por sot kemi rënë në batakun e mungesës së krenarisë së ligjshme dhe në vlerësimin e kultit të individit si një antivlerë.

Asnjë shoqëri e zhvilluar dhe demokratike nuk mund të pranojë njëanshmërinë e qëndrimeve në mes shteteve kur vjen fjala për respektimin e të rënëve dhe nderimin e atyre viktimave si ato të popullatës çame që sot nuk kanë varr, që dergjen në tokën e të parëve të tyre pa asnjë nderim

edhe pse ata ishin në shtëpitë e tyre, në pronat e tyre, në të drejtat e tyre për të jetuar si gjithë kombet e tjera, në paqe e liri. Di që një personaliteti i larte grek që ka pohuar nje gjë që më habiti kur u pyet se sa fonde kanë derdhur qeveria e tyre për të nxitur ngatërres në lidhje me ngjarjet e kohë pas kohe në Shqipëri apo në mes të komunitetit çam, kur tha se “edhe trefishin e fondeve të kishim paguar ne, nuk do t’i kishin bërë ato ngatërresa që kanë bërë ata vetë mes vetes”, që nuk ka nevojë për komente të tjera.