Reportazh nga Pëllumb Gorica: Të prekësh Ulqinin e historisë dhe detit

 

Ulqini, qytet i Historisë, i Diellit, i Kalasë, i Detit, i Ullirit…

Sigal

Në çdo udhëtim është bërë zakon të prekim copëza të gjalla natyre, historinë e vendeve dhe kulturën e tyre të lashtë.
Kështu ndodhi edhe në Ulqin, në këtë qytet të lashtë shqiptar, më shumë se 2500 – vjeçar, në këtë pjesë të Mesdheut, i cili, si një Cruiser i madh, ngrihet mbi detin e shkëmbinjtë.
Edhe nëse ke shkelur më parë në bukuritë përrallore natyrore dhe arkitekturore dhe ke lexuar për historinë e tij, kur e viziton përsëri, të befason natyra, kalaja, deti, mikpritja gati proverbiale e ulqinakëve…
Nisemi nga Shkodra për rrugë.
Na ndajnë vetëm pak kilometra nga pikëkalimi doganor i Muriqanit, me një radhë të gjatë automjetesh dhe udhëtarësh që presin.
I japim pashaportat çërnagorasit me uniformë policie, të cilat ai i rrotullon gjatë nëpër duar, derisa vendos vulën e kalimit.
Jemi përqëndruar në gjarpërimet e rrugës: Panoramat parakalojnë përtej xhamave të autobuzit, herë kodrinave, herë luginave, me një rrezatim dendurie nga gjelbërimi i vreshtave të harlisura dhe i peizazheve të qeta.
Shoferi, një banor i atyre anëve, të tregon Shegët Devedishe, që ngjanin si diej të vegjël, duke shpërndarë aromën e tyre.
Bahçevanët shqiptarë të Krajës, që punonin në oborret e Perandorisë Osmane, i sollën aty ato kultivarë shegësh.
Bisedat mbështillen edhe rreth Artit, Kulturës e Historisë së Lashtë.
Përtej shtrihen sinoret e historisë së Shasit, dikur qytet, që mendohet se u ndërtua nga Justiniani në shek. VI.


Deri në shek. XI ishte pjesë e Mbretërisë Bizantine.
Në shek. XII u shkatërrua nga krijuesi i Kishës Serbe, Princi i Rashës, Stefan Nemanja, i cili kishte rrënuar edhe Drishtin, Shkodrën, Ulqinin, Tivarin…
Kurse shkatërrimin e fundit Shasi e merr në shek. XV nga Perandoria Osmane edhe pas këtij rasti nuk e merr më veten. Madje, prej asaj kohe i kemi këto rrënoja.
Thuhet se, kur është ndërtuar, ka pasur aq kisha, sa ditë ka viti.
Në këndvështrimin e Arkitekturës, gjysma e tyre janë të Stilit Romanik e gjysma tjetër të Stilit Gotik.
Burimet e nevojshme për të siguruar jetesën në atë vendbanim (uji i pijshëm, lënda drusore, mundësia për dalje sa më të afërt në bregdet, tokat e përshtatshme për kulturat bujqësore) ishin baza e mbijetesës së banorëve qysh në periudhën Para Krishtit.
Veçse ky udhëtim krijon të tjera ndjesi për peizazhet, urtësinë dhe madhështinë ulqinake.
Janë të zakonshme bisedat me miq të njohur dhe të rinj; me poetë, studiues, atdhetarë…
Të zhytur në panoramat dhe bisedat mbresëlënëse, aty nga mesdita mbërritëm në Ulqin.
Ashtu, me plot emocion shëtitëm nëpër tablonë monumentale të Ulqinit: tepër rrezatuese, nga deti, nga varkat, nga peshkatarët, aq sa ngjason si një panair me ngjyra përndritëse.
Ndërthurja e tyre me ato moderne (sepse ende ekziston mentaliteti që e vjetra është relike e duhet ruajtur) krijon ndjenja respekti për banorët.


Gjallëria e turistëve dhe jona shkrihen në shëtitoren, në baret dhe restorantet buzë detit dhe, më shumë, në dyqanet artizanale që të tundojnë për t’u futur brenda.
Ulqini është një ndër qendrat më të vjetra ilire në Bregdetin Adriatik, i ashtuquajtur ‘‘qytet i romantizmit dhe legjendave të bukura”: me histori e kulturë që përcjellin bukuritë magjike të kohëve të largëta dhe urbanistikën tipike, si një thesar dhe pasuri e krijuar nëpër mijëvjeçarë.
Në trokitje historike…
Në truallin e Ulqinit Historia ka hipotekuar Lashtësinë, që mund të lexohet, ndonëse e mbuluar me eklipse e dallgëzime kohësh.
Faktet e përdritësimit të kujtesës të nxisin kureshtjen për të depërtuar në përmasat e historive: Herë duke u zmadhuar dhe herë duke u tkurrur.
Historia ka trashëguar gjurmë të hershme, që nga Epoka e Bronxit, edhe pse luftrat rrënuese e kanë fshirë një pjesë prej tyre.
Kur flasim për të gjitha këto, domosdo do të shkruajmë edhe për rrjedhat e jetës: Zanafillë e lidhur me periudhën plot labirinte të Lashtësisë Ilire.
Ulqini mendohet se është themeluar në shekullin V (Para Krishtit) prej kolonëve nga Kolkida, siç përmendet në një poemë të Apolonius së Rodosit.
Ulqinakët njihen si popull i detit, ashtu si vetë Ilirët e lashtë, që i mësuan Njerëzimit Lundrimin, Peshkimin, por edhe Bujqësinë, etj, një kulturë e përmendur nga autorët romakë.
Këtu, në këtë trevë të lashtë, jetonin Ilirët e fisit të Labeatëve: me madhështi emrash, kalash e vendesh historike.


Oleotopolis antik gjendet në Valdanos, që ka gjurmë të një kohe të harruar, të Mitit Pellazgjik, me struktura muri ciklopik (i fundosur nga tërmeti i 20 shekujve më parë).
Më herët duhet të ketë qenë Olcinium (qyteti i Diellit).
Këtu shkrihen legjendat, mistika, realiteti, përrallat…
Kalanë buzë detit, me kalldrëmet e bukura, e vizitonte herë pas here edhe mbreti Genti. Ndërsa Balshajt në Mesjetë e kishin atë selinë e tyre.
Ulqini, pavarësisht kohëve të turbullta, është qytet me trashëgimi të pasur kulturore dhe legjendare: vend i mistikës, fateve njerëzore, mugëtirave në kohërat e zvenitjeve nga luftrat e mëdha që shpesh sillnin shkatërrim.
Është lakmuar nga re stepash dhe stuhi përtej detit, të cilat përplasnin hieroglife pushtuese.
Shqipëria s’qe veçse një hartë e diskutueshme mbi tavolinat e Të mëdhenjve Evropianë, duke e quajtur atë një “Shprehje gjeografike” dhe e ndanë ndër shtete të tjera, deri në “atë farë feje” saqë u katandis “kokoshi një thelë”.
Fuqitë e Mëdha, të mbledhura në Berlin më 13 qershor 1878, e lanë Ulqinin jashtë kufinjve të Shqipërisë.
Një pjesë e banorëve, duke mos përballuar dot stuhitë, ka qënë e shtrënguar t’i lëshojë vatrat shekullore…Sepse, më së shumti kërkonin të zhduknin jetesën, pasurinë dhe vetë shqiptarët në këto troje.
Ulqinakët mbijetuan me besnikëri kësaj toke të bekuar (në limanet për varkat dhe velanijet liburne) aq emërmëdha në Botën Antike.
Ishte interesante biseda me poetin Ibrahim Berjashi: Sigurisht rrëfim për Historinë, Kulturën, Traditat dhe gjithçka që e bën Ulqinin (Qytetin e vjetër) kaq përrallor dhe unik në këtë pjesë të Mesdheut (nëpër mijëvjeçarë) me ata që kanë lënë gjurmë të pashlyera në jetën dhe në trashëgiminë e tij:
Vërshuan nga goja e tij historitë përrallore: për kalanë e lashtë 2500 – vjeçare; për banorët e hershëm (Ilirët); për “Farin”, (Fnerin) siç e kanë quajtur “Kepin Mendra”, më të lashtin në Mal të Zi; për Valdanosin, mbushur me aromë gjelbërimi, hijeshi e mrekulli ullishtash të lashta e kokrraplotë (siç shkruan Baldaci) të cilat këtu kanë gjetur një tokë të përshtatshme (për “Shpellën e Pllumbit” një bukuri magjepsëse, përcjellë me përralla të frikshme; për “Adën e Krruçit”, për “Kronin e Begut”, për “Kronin e Bashbylykut”, apo “Kroin e Çinarit”) që është vështirë të përcaktohen se nga cila kohë datojnë.
E pyes për rrugën që të çon te “Lugu i Xhemiles”.
Më rrëfen për “Legjendën e nuseve të reja”, të cilat nuk mund të lindnin fëmijë dhe i çonin “për derman” te “Fontana e Zanave”: një bukuri përrallore dhe vend mistik njëherazi.
“Kroni i Mbretëreshës Teutë”, në afërsi të të cilit ishte qyteti i fundosur i “Oleotopolis” ka lënë gjurmë.


Thuhet se aty macja ka ecur nëpër kulme shtëpish nga “Olciniumi” deri në “Oleotopolis” …
Dhe vazhdon rrëfimin për “Gurin e Vogël” dhe “Gurin e Madh të Limanit”: një bukuri e jashtëzakonshme; për brigjet detare me rërë shëruese, ku në orët e mbrëmjes nganjëherë paraqitet “Floçka” jonë legjendare nga mitologjia si femër me bukuri të jashtëzakonshme, gjysmë grua, gjysmë peshk duke krehur flokët e e kaçurrelta, me krahët e artë.
Nga ato brigje (saktësisht 122 vjet më përpara) Fuqitë e Mëdha bombarduan mbrojtësit shqiptarë të Ulqinit, duke i detyruruar këta të fundit që më së dundi të bashkohen me Malin e Zi…
Për “Ranën”, “Prishtanin” e “Pinjeshin” me pamje nga Otranto; për vendet e kultit, tempujt e lutjes e të besimit, të ndërtuara në shekuj; për “Xhaminë (e bukur) të Marinarëve”…
Një histori e shkurtër për Shën Marinë, tyrben e familjes Fani; për “Sahat Kullën”, për “Molen e Madhe”, “Kacemën”, “Vraçarin”; për ”Plazhin e Ludvigut “, për “Kronin ujk me shkalla” dhe “Plazhin e Grave”, me legjendën hyjnore për vetitë shëruese të ujit të squfurit; për “Agiranën” (Guri i Gjeranave) dhe “Plazhin e Madh” në “Copacabana”, që është më i bukuri i Mesdheut; për Bunën, këtë lumë hyjnor, i cili me bukurinë e tij magjike tërheq përherë mijëra mysafirë në brigjet e tij dhe për “Ada Bojanën” (“Ishulli i Parajsës”) … bukuri magjepsëse, mbushur plot shtëpiza të vogla dhe restorante; për “Kalimerat” joshëse të “Portmilenës”.
Ulqini krenohet për kapedanët dhe detarët me nam, për barkat që kanë lundruar në udhët e paudha’’ të detit; për ikonat e folklorit shqiptar: Legjendën krahë e këmbë fluturues të paarritshmin dhe të papërsëritshmin Rexhep Abazi, që ka lënë gjurmë të pashlyera në jetën dhe në trashëgiminë e këtij qyteti; për simbolin e këngës burimore Shaban Gjeka, që pa dyshim askush tjetër aty nuk do mund të këndojë si ai.
Kohë më parë Ulqini tërhiqte Burra Shteti, mbretër, princesha e princër, artistë të mëdhenj, shkrimtarë e udhëtarë, të cilët gjithmonë gjenin paqen aty, por edhe frymëzim për veprat e bëmat e tyre.
Arnold von Harfi, udhëtari i famshëm gjerman, në një udhëtim të tij nga Venecia në Orient (më 1467) thotë se duke parë Qytetin e Vjetër të Ulqinit përfytyroi Parajsën.
Ndërsa shkrimtari i madh çek (i udhëtimeve) Jan Svatek e rendiste Ulqinin (për të gjitha periudhat) qytet në kulmin e vlerave të qytetërimit.
Miguel de Servantes, autori i romanit të famshëm “Don Kishot ((i Mançes” që më vonë do të bëhej një nga personalitetet më të kënduar të Letërsisë Botërore dikur ishte rob lufte në Ulqin. Këtu gjen frymëzim për gruan Dylqinjë.
Hebreu Sabatai Cvih, reformatori i “Talmudës”, në Ulqin (në “Kullën e Balshajve”), i kaloi ditët e fundit të jetës, deri në vdekjen e tij në vitin 1676.
Kalaja e Ulqinit, jehonë Lashtësie
Kalaja Ilire e Ulqinit, e ndërtuar në shekullin IV Para Erës së Re (simboli i qytetit) ngrihet si një anije e ngelur mbi shkëmbin e “Pontës së Nuradinit”.
Prej bedeneve të Kalasë pamja kah deti është magjepsëse.
Në shoqërinë e mikpritësit tonë, Arbenit, një njeri i qetë dhe me një buzëqeshje të çiltër, ecim përmes Qytetit të Vjetër dhe historisë së tij përrallore mbi 2500 – vjeçare, shëtisim rrugicat e ngushta të kalasë; saqë, kur hapje krahët, takoje muret e shtëpive në të dyja anët.
Kalaja është e banueshme gjithandej: me shtëpitë, bar – kafenetë, restorantet, kompleksin muzeal, të ndërtuar me gurë të skalitur.
Një numër tabelash informacioni që detajojnë historinë e Kullës (magjike) të Balshajve…
Pastaj do të ngjiteshim të shihnim prej dritareve peizazhin e Ulqinit në të cilin, në qiell të pastër, mund të dallonim lehtë çdo gjë.
Mes mureve të lashta, mes rrënojave të qytetit të vjetër, në Tophanet e Kalasë, të vendosur nga duart e mjeshtrave të asaj kohe (që sikur pëshpërisin histori të një Të shkuare të largët) shohim Perëndinë Ilire të Detit, Bindin, që njësohej me Poseidionin e Grekëve dhe Neptunin e Romakëve
… Po ashtu edhe ndërtimet fragmentare të Kulturave Turke, (edhe ndikimet e dominimit venecian në arkitekturën e vendit) etj.
Vështirë të përshkruash me pak fjalë (por edhe të shprehësh respekt e përzemërsi) për udhërrëfyesen, znj. Zenepe Draga, këtë zonjë të mrekullueshme (për mirësinë e saj, por sidomos për buzëqeshjen magjike) që e zbukuronte personalitetin e vet në gjenezë.
Zenepja, me sharmin e vet, me zërin kumbues dhe njohuritë detajuese, na jep shpjegimin e saj me shumë pasion dhe entuziazëm për historinë dhe kulturën e Ulqinit magjik dhe përrallor, që nga Koha Antike e deri më Ditët e Sotme, nëpër kompleksin muzeor me thesare arkeologjike, ormanente të veshjeve, armë luftarake, të ekspozuara në stenda, që shpalosin motive të jetës, por edhe të legjendave.
Ishte një befasim për të gjithë ne, maketi i Kalasë, i realizuar në vitin 1956, që “ringjallte” ndërtesat mesjetare, materiale dhe kultura jomateriale nga Ilirët, Sllovenët, Venecianët dhe nga Perandoria Osmane, duke lënë gjurmë të pashlyeshme, të dukshme edhe sot, në çdo hap.
Në një portë, në një nga rrugët e kësaj kalaje, së cilës edhe Turqit, për një kohë të gjatë, i vunë emrin “Ylgym”, është një pllakë ku shkruhej:
“Asnjë profet nuk pranohet në atdheun e tij”, e cila i kushtohej Kontit Venedikas Antonio Zanoto, që vdiq duke mbrojtur kështjellën e Ulqinit, që u sulmua nga Perandoria Osmane më 1571.
Shumë tregtarë venecianë ishin vendosur në Dulcignio Ulqin.
Ecim nëpër rrugët e tij magjike. I ngadalsojmë këmbët para “Kroit të Skurajve”, “Pazarit të Gjytetit”, “Shkalasë”, “Sheshit të Skllevërve”, “Murit të famshëm të Johani Bolanit”, para ndërtesësës së “Zyrës Doganore Veneciane”; para “Pallatit Venezia”, “Fushës së Topave” (pjesës më të bukur të Kalasë së Ulqinit) si edhe para “Xhamisë së Kalasë të Halil Skurës” (ose e Mbretit, siç e quante udhëpërshkruesi Osman Evliha Çelebiu).
Një pamje magjepsëse nga bedeni i Kalasë, në “Gurin e Madh” dhe në “Gurin e Vogël” të Limanit…