Rajna Kovaçi: Laskarina Bubulina, arvanitësja që luftoi për çlirimin e Greqisë

80

 

Që në lashtësi dhe në kohët antike,  imazhi gruas lidhej me jetën, sepse është  përkatësisht ajo që jep lindjen e jetës  së re. Për mijëra vjet, gruaja u izolua brenda kufijve të caktuar për ta mbajtur atë larg pushtetit dhe fushës së betejës, që nuk ishte vend për krijesa “të brishta”. Dhe shumica e tyre ju bindën kufijve të vendosur nga shoqëria dhe perënditë. Historia njeh më shumë se një ose dy gra që vendosën të tregojnë se kanë cilësi ushtarake në të njëjtin nivel me burrat, ose në zotërimin e teknikave luftarake si në zbatimin e strategjive në beteja. Një nga gratë që i ktheu shpinën vatrës apo sallave dhe ballove mondane për t’u përfshirë në luftime, ishte Laskarina Bubulina. Dihet se   gjatë gjithë historisë ka shembuj të zonjave që preferuan fushën e betejës.

Mitologjia greke ishte nga të parat që përmendte një fis luftarak grash e vajzash. Krijesa të bukura, fryt i incestit të perëndisë së luftës Ares dhe vajzës së tij, Nimfës Harmonia, luftëtare e egër dhe mizore arrinte deri sa ti transformonte trupat e tyre për t’i bërë më luftarake. Amazonet zgjuan imagjinatën e studiuesve dhe shkencëtarëve dhe u bënë shembull  dhe kryefjalë për të gjitha zbulimet e mëvonshme të fiseve që përbëheshin nga anëtarë të seksit të bukur. Ata pothuajse e magjepsën Herakliun, luftuan poshtë mureve të Trojës dhe u përpoqën të thyenin Bellerophonin e madh, por pa sukses. Sidoqoftë, historianët e antikitetit – Herodoti, Diodori dhe Straboni ishin të një mendje  jo vetëm për ekzistencën e tyre, por edhe për egërsinë dhe trimërinë e tyre.

Edhe pse me origjinë të përzier shqiptaro-greke, ajo mbetet një nga përçueset e idesë së lirisë dhe shtetit  të pavarur.  Ishte  Stavrianos Pinotsis, kapiten i një anijeje nga ishulli Hydra, qe së bashku me ndjekësit e tij u bashkuan me rebelimin e vitit (1770-1771).

Kryengritja e Peloponezit dhe Kretës shpërtheu paralelisht me një konflikt tjetër ushtarak midis Rusisë dhe Perandorisë Osmane (1768-1774) dhe synonte më shumë për të larguar vëmendjen e Osmanëve nga frontet kryesore të luftës se për të arritur pavarësinë e Greqisë. Megjithëse Traktati Kyuchuk Kaynardzha u dha Grekëve të drejtën për të valvitur flamurin rus dhe për të shijuar mbrojtjen ortodokse të Rusisë, kryengritja Orlov ishte një lumë gjaku që mori shumë jetë pa u dhënë atyre asgjë. Ata që nuk ranë nën thikën osmane u hodhën në burg, siç ishte fati i Stavrianos.

 

Kohët e luftimeve mbeten pas tij dhe ajo që i solli gëzim ishin vizitat e gruas së tij – Shkevos. Herën e fundit gruas së tij i filluan dhimbjet e lindjes, dhe ajo lindi. Kështu, më 11 maj 1771, mes mureve të burgut të rreptë osman, një foshnjë qau, prindërit e së cilës e pagëzuan Laskarina, sipas njërës  prej familjeve të famshme fisnike bizantine. Babai i saj nuk mbijetoi gjatë kushteve te rënda të burgut dhe vajza e vogël nuk e pa më. Kujtimi i shpirtit  karakterit të tij te forte shqiptar dhe pjesëmarrja në luftë, lane gjurmë të thellë në mendjen e saj.

 

Dekada më vonë, Stavrianos do ishte krenar për arritjet e të bijës. Ashtu si amazonat e lashta, ajo u përfshi ashpër në luftën greke për pavarësi, duke lundruar me anije, dhe luftuar nësoj si burrat dhe duke dhënë gjithë pasurinë e saj, gjë që i dha pseudonimin – “Kapitene”. Megjithëse jeta e saj filloi në burg, vitet e para të jetës së Laskarinas ishin mjaft konvencionale. Pas vdekjes së babait  nëna e saj u zhvendos në ishullin e Spetses dhe u martua përsëri. Heroina e ardhshme e Greqisë u rrit në një mjedis harmonik, me shumë vëllezër dhe motra. Ajo  mori një arsimim të pasur për kohën.   Ishte koha e iluminizmit, epoka e Revolucionit Francez.  Laskarina i preku këto ide, por mbeti në hijen e kufijve të vendosur nga shoqëria. Ajo u martua dy herë me tregtarë të pasur, i pari dhe i dyti vdiqën nga duart e piratëve.

Kështu, në moshën 40 vjeç, Bubulina mbeti jo vetëm e ve me shtatë fëmijë, por edhe trashëgimtare e një pasurie të konsiderueshme. Mjetet i dhanë Laskarinas diçka që pak gra e kishin në të kaluarën – lirinë për të qenë zotja e fatit të vet. Ajo nuk u martua për të tretën herë, por mori kontrollin e biznesit familjar. Ajo tregoi cilësitë e saj të jashtëzakonshme dhe aftësinë e saj tregtare. Bubulina bashkëpunoi me anije të tjera tregtare, ndërtoi me shkathtësi, përfitoi nga luftërat Napoleonike. Për shkak të këtyre konflikteve, vendosën embargo në shumë vende, dhe tregtarëve grekë, duke përfshirë Laskarinan, përfituan duke siguruar mallra atje ku të tjerët nuk mundën. Pasurimi i shpejtë i tyre nuk kaloi pa u vënë re nga autoritetet osmane, të cilët,  ishin zhytur në borxhe.

Fillimisht autoritetet osmane bënë  sikur nuk i vunë re pasuritë e Bubulinës. Në 1816, kur ajo  dyfishoi të ardhurat, osmanët i hoqën të drejtat e trashëgimisë dhe ndërmorën veprimet e nevojshme ligjore për ta privuar nga pasuria e saj, duke u mbështetur në faktin se burri i saj i fundit ishte kapiten i një anijeje gjatë konfliktit tjetër ruso-osman. Gabimi i tyre i madh ishte se nënvlerësuan cilësitë e saj. Laskarina pranoi me ngurrim presionin  e atyre që ishin në pushtet, por vendosi të luante një luftë të ndërlikuar tregtare.U takua me ambasadorin Rus në Stamboll, Kontin Pavel Stroganov dhe me ndihmën e tij arriti të takonte Nakshidil Valide Sultan, nënën e Sulltanit Mahmud II. Të dyja gratë e mirëkuptuan njëra-tjetrën, dhe Nakshidil arriti të bindë djalin e saj që të japë amnisti për Bubulinën dhe të garantonte pronën e saj.

Në të njëjtën kohë, Laskarina u pranua në radhët e “Filiki Eteria” (Shoqëria e Miqve), një organizatë e fshehtë revolucionare Greke, qëllimi i së cilës ishte të çlironte Greqinë nga sundimi Osman. Megjithëse nuk është ruajtur asnjë dokument, Laskarina ishte ndoshta një nga anëtarët e pakta e të rralla femër. Aktiviteti i saj ishte kryesisht kontrabanda. Nën flamurin e saj, ajo siguroi armë për kryengritjen e ardhshme dhe i ruajti ato në ishullin Spetses. Gjithashtu ajo filloi ndërtimin e anijes së famshme, “Agamemnon”, duke bindur Osmanët se sipërfaqja e saj e madhe ishte të rriste tregtinë,  dhe 18 topat e vendosura në të ishin për të mbrojtur veten nga piratët. Bubulina gjithashtu rekrutoi me sukses luftëtarë  nga ishulli për të marrë pjesë në luftën e ardhshme.

Koha e dëshiruar erdhi, në vitin 1821 – vëmendja dhe forcat osmane ishin përqëndruar në frontin persian. Sidoqoftë, fitili u ndez dhe shpërthimet e tjera kryengritëse filluan të ndizeshin gradualisht, fillimisht në Peloponezin Jugor, pastaj në Greqi, Kretë, Qipro dhe pjesë të tjera të Ishujve Egje. Lufta Greke e Pavarësisë u zhvillua në disa fronte, popullsia civile iu nënshtrua mizorive që nuk i lanë indiferent Fuqitë e Mëdha, dhe shumë vullnetarë, admirues të kulturës antike Greke, përfshirë poetin Bajron, u bashkuan në radhët e Grekëve. Fondet u mblodhën në Amerikë dhe Rusi për të ndihmuar rebelët, duke blerë municione, armë dhe ushqim.

Laskarina hyri hapur në Luftën Greke të Pavarësisë (1821-1832), Më 13 mars 1821 Bubulina ngriti mbi direkun e anijes “Agamemnoni” flamurin e saj, bazuar në flamurin e dinastisë Komneni të perandorëve bizantinë,  ku në qendër ishte një shpend në formën e shqiponjës.

 

Ajo drejtoi flotën e parë, të përbërë nga 8 anije në mbështetje të kryengritjes dhe ndalesa e parë në rrugën e tyre ishte kalaja e Nafplio, të cilën ata e rrethuan nga deti. Rrethimi zgjati një vit e gjysmë, dhe Bubulina personalisht udhëhoqi disa nga sulmet, dhe më vonë historiani grek Hadji Anargiru, që ishte dëshmitar i luftimeve direkt, e përshkroi atë si një “zemër luani”. Në vitin e parë të konfliktit, një nga djemtë e Laskarina, Janis, një nga mbrojtësit e qytetit të Argos, vdiq.

Njëherë kur nuk ishte kulmi i luftimeve në Nafplio, Bubulina drejtoi  “Agamemnonin” në Tripoli për t’iu bashkuar rrethimit të qytetit. Në kujtim të mbështetjes së marrë nga Nakshidil Valide Sultan, Laskarina nxitoi dhe shpëtoi nga vdekja e sigurt të gjitha gratë e haremit të Sulltanit, të cilat në atë kohë ishin në qytet. Bubulina më pas,  mori pjesë në rrethimin e qyteteve të Monemvasia dhe Pylos. Gjatë luftimeve, udhëheqësit e kryengritjes e konsideruan Laskarinan një pjesëmarrëse të barabartë në debatet mbi qëllimet strategjike ushtarake. Ajo jo vetëm që u bë mike me heroin revolucionar Theodoros Kolokotronis, por martoj vajzën e saj – Eleni me djalin e tij – Panos.

Në dhjetor 1821, u njoftua krijimi i shtetit grek, por luftimet vazhduan për dhjetë vite me radhë. Fillimi i luftës civile u shënua gjithashtu nga luftërat e brendshme midis përfaqësuesve të fraksioneve të ndara mes kryengritësve. Bubulina nuk mbeti e paprekur nga këto grindje dhe u arrestua dy herë për lidhjet e saj me Kolokotronis. Duke humbur mbështetjen politike të rebelëve dhe duke shpërndarë tërë pasurinë e saj në mbështetje të luftës, Laskarina u tërhoq në ishullin e saj të lindjes, Spetses. Atje ajo gjeti vdekjen e saj në një mënyrë qesharake, si rezultat i një grindjeje familjare. Djali i saj George,  arratiset me një nga vajzat e familjes lokale Kucis,  dhe kur të afërmit erdhën për të kërkuar bijën, megjithëse ishin të armatosur, Bubulina jo vetëm që nuk i lejoi  të shkonin në shtëpinë e saj, por gjithashtu tregoi natyrën e saj të zjarrtë. Fatkeqësisht, ajo u qëllua për vdekje nga një anëtar i familjes Kucis.

Duke pasur parasysh personalitetin dhe madhështinë e Laskarina-s, ky episod i vdekjes së saj ishte kaq ordiner  për të si dhe për për ishullin e Spetses,  sa që sot e kësaj dite nuk është e qartë se kush e tërhoqi me të vërtetë këmbëzën. Laskarina shkroi emrin e saj krahas një numri heronjsh që luftuan për pavarësinë  e Greqisë. Në të gjitha betejat ku ajo luftoi dolën në pah aftësitë dhe talenti i saj i rrallë si një stratege, trime – një ushtarake e vërtetë, ku spikaste heroizmi dhe guximi shqiptar. Si rrjedhim duke studjuar figurën e saj zbulova edhe një aftësi tjetër të Bubulinës, diplomacinë. Ajo veproi si diplomate e vërtetë.

Disa nga shkrimtarët që e përmendin në veprat e tyre ishin Nikolai Gogol, Ivan Turgenev, Nikolai Leskov etj. Shkrimtari i madh rus Gogol si dhe shumë historianë e përshkruan Bubulinën si një sokoleshë të vërtetë, truplidhur, të hijshme, të fortë si lisi, guximtare, e pajisur me një mençuri natyrale, stratege e vërtetë. Një historian grek, Filimoni,  jepte këtë përcaktim për të: “Frikacaku përpara saj turpërohej, ndërsa trimi tërhiqej…” Kjo figurë e spikatur historike u quajt “heroinë” nga poetët dhe shkrimtarët e asaj kohe. Këtë grua trimëreshë me bukuri të rrallë e gjen të përshkruar me gjithë madhështinë e saj tek poeti arbëresh Zef Serembe, Zhyl Verni, tek historiani grek Kosta Biri, Michael Kokinaris etj. Ajo tashmë është një legjendë nga gojëdhanat, poezia popullore, ka hyrë në pikturë, skulpturë, mbetet e tillë si në Greqi dhe Shqipëri, tek arbëreshët e Greqisë. Në artin e kulturën botërore,  shkrimtari francez Michel de Grece,  përshkruante betejat historike të Bubulinës të revolucionit grek. Arvanitësja që kishte ardhur në Hidra në këtë ishull sëbashku me shumë emigrantë  të tjerë shqiptarë  rreth afër tre shekuj më parë, si në ishujt e tjerë të Greqisë pranë  në Specaj, Psaros, në Peloponez dhe Eubë. Është vërtetë shumë interesant fakti që në muzeun “Zhan D’Arka” në Rouen në Francë, krahas figurave gra luftëtare të vlerësuara nga bota e kulturuar qëndron krenare madhështore e jona Bubulinë.

Pasi dëgjoi lajmin e vdekjes së Laskarinas, Perandori Rus Aleksandri I,  pas vdekjes,  i dha asaj titullin e nderit  “Admiral i Marinës Ruse”. Në të gjithë historinë e vendit, ajo është e vetmja grua që iu dha një nder i tillë, duke e bërë atë gruan e parë në histori që u nderua me këtë titull.

Disa nga trashëgimtarët e Bubulinës u bënë oficerë të marinës greke dhe pasardhësja e saj ishte Eleni Karaiani, një nga udhëheqëset e rezistencës gjatë Luftës së Dytë Botërore (1939-1945). Fytyra e Laskarinas është pasqyruar në monedhën greke, në dhrahmi, emri i saj është vendosur në rrugët në të gjithë Greqinë si dhe ne Qipro. Shtëpia  e saj në ishullin Spetses është kthyer në një muze për nder të saj. Shpirtin luftarak ajo e kishte trashëguar nga babai i saj, Bubulina zgjodhi të luftojë për lirinë e popullit të saj dhe veprimtaria e saj e vendosi pranë emrave me të mëdhenj të Revolucionit Grek. Historia greke është e mbushur me heronj me prejardhje shqiptare që i sollën lirinë dhe pavarësinë Greqisë. Nga studiuesit e sotëm është vlerësuar si një nga gratë që ka sjellë ndryshime në historinë e njerëzimit. Është quajtur Zonja e Hekurt dhe një nga gratë e famshme që ka hyrë në histori.

Rajna Kovaçi