Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk arritën të kenë sukses në takimin e shumëpritur të kryemistrit Albin Kurti me Presidentin Aleksandër Vuçiç. Dihej se kishte pak shpresa për ndryshime nga pozicionet e njohura të kundërta midis Kosovës e Serbisë, si dhe ndërmjetësimit ndërkombëtar që kuptohet se mbështet kërkesat e Beogradit, të cilat nuk pranohen nga Prishtina. Faji nuk u lihet domosdoshmërisht vetëm ndërmjetësve, sepse suksesi i tyre varet nga palët nëse ato nuk duan të lëvizin në një drejtim të caktuar.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës si superfuqia më e madhe e kohës dhe me dominim edhe në Evropë e Ballkan kanë më shumë mundësi për të realizuar arritjen e marrëveshjes që zyrtarisht ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian si bashkësi, por pa pushtet qëndror federativ. Që në kohën e ish Presidentit Donald Trump u vendos që Kosova dhe Serbia të bisedojnë e pranojnë zgjidhjen që do të pranohet edhe nga SHBA e BE. Interesat gjeopolitike krijuan këtë situatë që ka krijuar natyrshëm pamundësinë për marrëveshje midis Serbisë së fuqishme dhe Kosovës me një shtet të ri që bazohet në suksesin e saj nga mbështetja e partnerëve ndërkombëtarë, SHBA, BE dhe NATO. Kosova dhe Serbia nuk mund të arrijnë të vetme marrëveshjen, pasi ato i ndajnë dy problemet kryesore: mosnjohja e pavarësisë dhe presioni për krijimin e Asociacionit me kompetencat e pushtetit vendor, që i kundrvihet dhe pengon pushtetin qëndror. Prishtina nuk e pranon, sepse e konsideron si një instrument për ndërhyrje politike nga Beogradi në çështjet e Kosovës. Në këto kushte, është e domosdoshme që SHBA dhe BE të vlerësojnë me objektivitet situatën, të kenë një plan konkret dhe të ndihmojnë konkretisht. Mbështetja e kërkesave të Vuçiçit dhe presioni ndaj Kurtit për të imponuar zgjidhje të parapëlqyera dhe dëshëruara nga Beogradi, nuk mund të japi rezultatin e kërkuar nga Vashingtoni dhe Brukseli. Në komunikimin e menjëhershëm para medias, pas përfundimit të takimit pesë orësh, Josef Borrell, i ngarkuari i BE për Politikën e Jashtme, është shprehur, se i ka propozuar Kurtit dhe Vuçiçit që të zhvillojnë paralelisht planet për Asociacionin e Komunave Serbe dhe njohjen e Kosovës. Konkretisht propozimi i Borrell ishte që në një kohë që fillon ngritja e Asociacionit të rënë në ujdi prej kohësh, nga ana e Serbisë do të fillonin hapat për njohjen e Kosovës. Por Kurti për fat të keq ka këmbëngulur në njohjen e Kosovës si hap të parë,- u shpreh Borrell, kurse Vuçiç e pranoi këtë propozim.
Para medias Borrel tha se kompromisi kërkon që të bëhen lëshime për kërkesat e palës tjetër që edhe ajo të marri atë që do. Kjo është kërkesa e vazhdueshme që thekson Vuçiç dhe bashkëpunëtori i tij i ngushtë Dajiç. Kjo kërkesë pretendohet se është e drejtë dhe e pranueshme. Por në të vërtetë bëhet fjalë për lëshime për Asociacionin ashtu si e do Serbia. Më qartë do të thotë që Mitrovica e Veriut të marrë statusin si Republika Srbska në Bosnje e Hercegovinë. Pra të pranohet krijimi i një Republike të Re Srbska. Kryeministri Kurti, tha ndërkaq se nuk mund të bënte kompromis me atë, që ai e cilësoi si “kushtëzim të vjetër të Serbisë” për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. “Është për të ardhur keq që emisari evropian, (Miroslav) Lajçak, e ka pranuar një kushtëzim të tillë”, -tha kryeministri Kurti pas takimit, duke theksuar gatishmërinë për zbatimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit, “një orë e më parë, në plotni, pa asnjë kusht”. Propozimi në fakt ishte kushtëzim i detyruar, ultimatum me qëllim imponimin e pranimit të kërkesave serbe. Në të kundërtën do të thelloheshin masat kundër Kosovës, të cilat janë në të vërtetë sanksione që i vihen një shteti të ri evropian. Serbia, sipas presidentit serb Vuçiç “është përpjekur, ka qenë shumë konstruktive, partner serioz dhe i përgjegjshëm i bashkësisë ndërkombëtare. Të shohim si do të rrjedhin gjërat në të ardhmen.” E vërteta është se nuk është Kosova që pengon arritjen e marrëveshjes, por Serbia. Për objektivitet, përmendim, së pari, se Kurti ka pranuar dhe është gati të nënshkruajë marrëveshjen e arritur në Bruksel dhe aneksin e pranuar pa rezerva në Ohër. Vuçiç e ka pranuar, por nuk ka dashur dhe nuk dëshëron të nënshkruajë me përgjegjësinë e tij si Kryetar Shteti. Së dyti, Qeveria e Kosovës ka pranuar dhe është e gatshme për të arritur hartimin dhe miratimin e Asociacionit, sipas parimeve Kushtetuese ku janë në themel kërkesat e Quintit të parashtruara me Planin Ahtisari. Edhe Franceska Mogerini ish Përfaqësuesja e Lartë e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, që ndërmjetësoi në vitin 2012 dhe 2013 për dy marrëveshjet për Asociacionin pa kompetenca të pushtetit vendor. Së treti, kërkesat e Serbisë për kompetencat e pushtetit vendor janë të mëvonshme, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që vlerësoi në kundërshtim me Kushtetutën 23 nene të marrëveshjes. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se kur e pyes Kurtin, vetëm më konfirmo, a dëshiron të pranosh formimin e asociacionit të komunave serbe, kurrë nuk merr përgjigje pozitive. Asociacioni komunave serbe duhet bërë, sepse këtu nuk është çfarë doni e çfarë nuk doni, vetëm ajo që keni pranuar, dhe ajo që keni nënshkruar. BE tha, le të bëjmë kompromis. Unë u thashë, nuk është problem, mund të bisedojmë, të shqyrtojmë gjithçka. Kur erdhëm deri këtu, Kurti e refuzoi. Qeveria e Kosovës dhe veçanërisht kryeministri Kurti është e domosdoshme të sqarojnë më shumë dhe të bindin partnerët për qëndrimet e tyre. Kjo është një sfidë e madhe pasi te partnerët është krijuar bindja se ata janë fajtorë për mos arritjen e marrëveshjes dhe dështimin e bisedimeve në Bruksel. Mendoj se do të ishte me vend që të reflektohet dhe të shpejtohen përpjekjet për masat e kërkuara nga partnerët duke ruajtur edhe qëndrimet e drejta. Zgjedhjet në Komunat veriore të bëhen sa më shpejt. Të dy variantet e diskutuara janë në përputhje me Kushtetutën. Varianti i parë, i kërkuar nga parnerët dhe i dëshëruar edhe nga Serbia mbetet dorëheqia e kryetarëve të komunave për të shpejtuar procesin. Dorëheqia është akt demokratik që merret me ndërgjegjen e personit. Në situatën e tendosur, do të ishte me vlerë që të bisedohet me këta kryetarë për dorëheqien vullnetare. Po të pranonin, do të ishte një ndihmë për procesin. Varianti i dytë, kërkon deri 181 ditë për t’u realizuar. Por vështirësitë janë të shumta për të marrë firmat pasi ka edhe ndrojtje ose kundërshtime. Në të dy këto variante duhet punuar dhe bërë transparente edhe masat që merren që ato të njihen dhe të mbështeten nga partnerët.
Asociacioni është detyrim kushtetues dhe i pranuar për t’u realizuar. Marrëveshja duhet të përgatitet nga Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me partitë politike për të arritur një mirëkuptim të gjerë. Partitë politike të opozitës të bashkëpunojnë për të mbrojtur interesat kombëtare për këtë çështje kaq të rëndësishme. Asociacioni të pasqyrojë realitetin e Kosovës.
Qëndrimi për njohjen de fakto nga Serbia dhe pastaj miratimi i marrëveshjes për asociacionin është i drejtë. Do të ishte pozitive që duke e ruajtur këtë qëndrim të bëhet lëshim duke filluar me masat për asociacionin. Serbia me qëllime politike vë si barrierë asociacionin. Për këtë ka edhe mbështetjen e BE dhe SHBA. Në rast se Beogradi do të mbajë qëndrimin që deklaroi Vuçiç për të ndikuar që serbët e Kosovës të marrin pjesë në votime, do të arrihen synimet për shtensionimin e situatës dhe normalizimin e veprimtarisë së institucioneve shtetërore. Përvoja ka treguar se Serbia nuk zbaton marrëveshjet e miratuara dhe në vend që të ndryshojë, akuzon Kosovës se nuk i zbaton. Me plotësimin e këtyre dy kërkesave, besoj se do të tregohet bashkëpunimi i sinqertë si përherë dhe të ndikohet në rifitimin e mbështetjes nga SHBA dhe BE.