Prof. Qemal Lame: Marrëveshja Kosovë-Serbi dhe roli i Trumpit

701
Sigal

 

Marrëveshja Kosovë-Serbi në Washington,  më 4 shtator 2020,  është një arritje e politikës amerikane  për të mënjanuar mosmarrëveshjet e vjetra dhe hapur mundësitë në zhvillimet aktuale e perspektive. Rëndësia e marrëveshjes njihet e vlerësohet me analizën objektive dhe me dimensionet  “reale të politikës”  dhe jo me ato  “ideale politike”  të gjeopolitikës amerikane, evropiane, interesave të njëanshme e të njohura shqiptare e serbe, si dhe të presionit në rritje të gjeostrategjisë ruse e kineze.

  1. Marrëveshja pritej të ishte politike dhe të zgjidhte krizën e vjetër të njohjes së Kosovës nga Serbia. Por ditën e nënshkrimit u njohëm me përmbajtjen e saj me probleme kryesisht të natyrës ekonomike. Çështjet ekonomike  është synuar të përforcohen politikisht me njohjen nga Izraeli. Marrëveshja bazohet  në arritjet e  mëparshme. E re është forca e saj me nënshkrimin e palëve me ndërmjetësimin e praninë e Presidentit Trump. Ajo nuk u përfundua ashtu si e kishin përgatitur të ngarkuarit e Trump,  as si shpresonte Kosova dhe as si e dëshëronte  Serbia. U arrit një produkt që nuk ka kriteret e njohura deri tani të marrëveshjeve ndërkombëtare.  Problemet ekonomike  pleksen me ato politike dhe përfshihet njohja diplomatike me interesa gjeopolitike.  Megjithë këto bashkime jo natyrale të problemeve,  po ta studiojmë me kujdes dhe ta analizojmë me strategjinë e gjeopolitikës  amerikane, do të kuptojmë  edhe qëllimin e qartë politik të njohjes e marrëdhënieve  midis dy shteteve sovrane, megjithëse  kjo nuk është e formuluar e deklaruar konkretisht e saktësisht. Kosova dhe Serbia nënshkruan  marrëveshjen  si dy shtete sovrane,  pa u përmendur  konkretisht  statusi i tyre. Përfaqësuesit e lartë të shtetit, të identifikuar me flamurin shtetëror, në prani të Presidentit dhe të flamurit amerikan, nënshkruajnë marrëveshjen për problemet që arritën të mirëkuptohen e të përcaktojnë masat konkrete ekonomike, politike, të sigurisë, bashkëpunimit rajonal që u pranuan bashkërisht.

2.Marrëveshja dëshmon për orientimin politik të perëndimorëve.  Serbia pranon dhe arrin marrëveshje në Washington. Ky fakt ka rëndësi të theksohet për arësye se forcohet pozita dhe kontributi perëndimor në rajonin e Ballkanit dhe dobësohet në masën e mundshme  prania e influenca lindore,  politika dhe prezenca ushtarake e Rusisë në Serbi dhe gjithë rajonin. Serbia nuk do të jetë si më parë e orientuar nga Moska dhe nuk do të jetë mbështetësja e padiskutueshme  e politikës  ruse në rajonin  problemtik  të Ballkanit.

3.Problemet ekonomike harmonizojnë  interesat e përbashkëta. Palët do të zbatojnë marërveshjet e nënshkruara për autostradat dhe hekurudha që do të lidhë  Beogradin me Prishtinën që do të çojë drejt një porti të thellë detar në Adriatik.  Kjo do të kërkojë edhe përfshirjen  e Shqipërisë  në këtë projekt.

Të dy palët do t’i bashkohen  mini-shengenit  të njoftuar nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut  më tetor të vitit 2019, si dhe të përdorin në mënyrë të plotë të gjitha përfitimet e saj.

Shqipëria  ka një përvojë negative dhe në kundërshtim  me interesat kombëtare në marrëdhëniet  me Serbinë  që dominonte  politikisht në  Federatën e Jugosllavisë. Në vitin 1946 u miratua marrëveshja për zonën e përbashkët ekonomike, bashkimin ekonomik dhe doganor, njësimin e lekut shqiptar me dinarin jugosllav, etj. Kryeministri i atëhershëm shqiptar i kërkonte me letër Titos të caktonte datën e bashkimit formal dhe përfundimtar të Shqipërisë me Jugosllavinë.  Këtë nuk pranojmë ta përsërisim. Edhe kushtet e tanishme të marrëdhënieve dypalëshe dhe ato me shtetet e tjera të rajonit janë të ndryshme. Prandaj kërkohet  bashkëpunim. Kemi humbur kohë.  Mini-Shengenin rajonal, ta përdorim për të përfituar bashkërisht dhe të shpejtojmë ritmet e reformave për t’u bashkuar me Shengenin europian dhe të antarësohemi denjësisht në Bashkimin Europian.

Ndarja e Liqenit të Ujmanit parashikohet për shfrytëzim të përbashkët: Theksojmë se kjo është imponuar si pasojë e presionit të padrejtë të Serbisë dhe lëshimeve të bëra nga administrata e Trump dhe kryeministri i Kosovës.  Kjo është e papranueshme.  Shfytëzimi i burimeve natyrore është pronë eksluzive e popullit dhe Shtetit të Kosovës dhe mbrohet nga Kushtetuta.  Asnjë perfaqësues shtetëror  nuk ka të drejtë të nënshkruajë marrëveshje për dhurim,  ndarje apo shfrytëzim të përbashkët të burimeve natyrore.  As Serbia nuk bën lëshime të kësaj natyre për Kosovën.

Bashkëpunim  konkret thellohet për njohjen e diplomave, në fushën e sigurisë, informacionit dhe luftës kundër kriminalitetit të organizuar.

  1. Marrëveshja ka përfundimin fondamental se është hequr përfundimisht plani i ndarjes dhe ndërrimit të teritoreve shqiptare me teritore shqiptare. Kjo përbën fitoren më të madhe strategjike për Kosovën dhe mbarë kombin shqiptar. Rreziku i ndarjes dhe shkëmbimit të territoreve ka qenë real, i planifikuar në detaje dhe do të zbatohej në kohën më të përshtatshme, sipas planit njohur të ndërmjetësuar nga Sorrosi dhe të përkrahur Brojton e nga Grenell. Në rast se Kosova dhe Serbia nën presionin e partnerëve strategjikë do të pranonin me dhimbje lëshime reciproke e do të pranonin ndarjen, do të ishte bërë edhe ndarja faktike. Për shkak të kundërshtimit të fuqishëm nga Gjermania e mbështetur edhe nga Britania, ky plan u hoq nga tavolina e bisedimeve. Megjithatë të vazhdojmë të jemi vigjilentë në saktësimet e vijës ndarëse kufitare, që të mos bëhet fakt e të mundësohet  një  copëtim në heshtje i teritorit.  Edhe për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe të mos bëjmë lëshime të tjera, si kërkon Serbia kompetencat territoriale pasi bëhet kantonizimi dhe hapet mundësia e ndarjes,  sipas përvojës negative të Republikës Serpska, në Bosnje.
  2. Njohja nga Izraeli është një arritje historike e politikës amerikane dhe realizim i përpjekieve të bëra edhe nga politika dhe diplomacia e shtetit të Kosovës. Shqiptarët thellojnë partneritetin perëndimor dhe distancohen nga orientimi Lindor dhe nga rreziku rus apo turk.

Kosova, e në tërësi kombi shqiptar,  përfiton nga anët pozitive që ka marrëveshja, si dhe nga njohja që Izraeli i bëri Kosovës.

Së pari, përforcohet pozita ndërkombëtare dhe thyhet pengesa serbo-ruse  kundër njohjeve dhe rikthimit  të Serbisë  në Kosovë.

Së dyti, krijohen kushtet që të bëjmë paqe me një popull si serbët, me të cilët kemi katër shekuj armiqësi, luftë, genocid, shkombëtarizim, dëbime masive. Serbët i kemi dhe do i kemi fqinjë  dhe është mirë  të bashkëpunojmë  si  popuj,  përderisa bashkëjeta  jonë është e detyruar për vetë rrethanat historike e gjeografike dhe qëllimit të përbashkët të integrimit e të antarësimit në Bashkimin Europian.

Së treti, realisht kemi një Serbi më të lodhur e më pak të mbrojtjur nga Rusia dhe me hapat për të realizuar integrimin europian e orientuar sa mundet edhe nga perëndimi.

Së katërti,  marrëveshja mund të rrezikojë  pozicionin tonë,  nëse nuk marrim masa për të forcuar më tej lidhjet me SHBA dhe BE.  Serbët mund të kthehen në një popull më i dashur se i joni kundrejt SHBA-ve.  Të vlerësojmë edhe rritjen e rolit e ndikimit  të lobit serb në SHBA.

Së pesti, rrezikohemi më pak nga influenca e ruse e turke dhe dëshmojmë se rikthehemi konkretisht e përfundimisht drejt Perëndimit, në familjen e madhe të popujve evropianë me të cilët kemi lidhur të sotmen e të ardhmen.

Kërkohet të jemi vigjilentë ndaj anëve negative të marrëveshjes që mund të rrezikojnë interesat kombëtare.

Njohja e pavarësisë nga Serbia nuk përbën qëllimin kryesor të politikës shtetërore të Kosovës. Megjithatë, ajo mbetet një nga përparësitë dhe nuk mund të nënvlefëtësohet për disa arësye madhore. Njohja nga Serbia mbetet kusht që pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian të njohin pavarësinë e Kosovës dhe të shpejtohet antarësimi në BE, Rusia dhe Kina nuk do të  mund refuzojnë dhe do të vihen para detyrimit që të japin votën e tyre për antarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Edhe Serbia ka prioritet normalizimin e marërdhënieve me Kosovën për të realizuar integrimin europian. Qeveritarët serbë nuk guxojnë të venë në rend të ditës njohjen e Kosovës për shkak se nuk ka mbështetje politike, Kisha Ortodokse dhe grupimet ultranacionaliste antishqiptare. Përgjithësisht serbët nuk kanë krijuar bindjen për të kërkuar falje dhe ndërtuar marrëdhëniet miqësore me shqiptarët.

Qeveria e Kosovës nuk ka mbështetje të gjerë politike për marrëveshjen. Nuk ka as votat e nevojshme për ta miratuar në Kuvend. Qeveria e Ramush Haradinajt u dorëhoq për shkak të presioneve për taksën 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës. Qeveria e Albin Kurtit u largua pas 51 ditëve për shkak të reciprocitetit në marrëdhëniet me Serbinë. Këto ndryshime ishin në favor të fushatës elektorale të Presidentit Aleksandër Vuçiç. Ato u bënë të domosdoshme edhe për fushatën elektorale të Presidentit Trump. Është e domosdoshme të gjendet një zgjidhje për të mbrojtur interesat kombëtare dhe ruajtur raportet e mira strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.