Mos u merrni me Besën, por me Kryeministrin që e solli në atë kolltuk

80
 Ndriçim Mehmeti 
Lajmi se Besa nuk do të vijojë më në politikën shqiptare, u komentua dhe vazhdon të marrë vëmendjen e pamerituar, thjesht për faktin se deklarata e Besës nuk përbënte lajm. Besa e kishte bërë në jetë që do të largohej që në korrik, kur i erdhën zërat se kryeministri do ta hiqte në shtator, me ndryshimet që do të bënte në qeveri. Besa ndërmori hapat që tregonin fare hapur dëshirën për të mos qëndruar më në politikën e Tiranës. Për herë të parë lejoi paparacët ta fotografonin me bikini, të mburrej se po pushonte në Dhërmi, në prag të vit të ri shkollor, me bashkëjetuesin e saj dhe qershia mbi tortë, foto nga kanionet e Holtës.

Po përse sulmoni më kot Besën dhe nuk merremi me atë që e solli, kryeministrin e vendit?

Besa vetë, në ëndrrën më të bukur nuk e kishte parë veten më shumë se drejtuese e një zyre në komunën e Prishtinës, kur papritur iu dha posti i zëvendësministres së Arsimit, 3 vite më parë. Më pas ajo u katapultua nga Rama, ministre e Arsimit edhe me bekimin e paraardhëses së saj, Lindita, që na e serviri “si një vajzë të mirë e që ka haber nga punët e arsimit”.

Lindita iku e palumtur nga vendi që i siguroi vilë, fustane pa fund, krehje alla Nikolë Kidman, servilë që i vinin rrotull pa fund e pa dyshim fitime të majme që ta bëjnë jetën më të qetë, në vitet që pasojnë pas pushtetit. La trashëgiminë më të keqe që mund të linte një zyshë e papërgjegjshme në krye të ministrisë së Arsimit dhe na i shiti Besën (sigurisht me urdhër të Ramës), si një talent të pazbuluar të arsimit.

Po të ish për Linditën, as që nuk do të denjonte që t’i zinte as emrin Besës, por çfarë t’i bënte porosisë së shefit të madh, që të na i shiste Besën, siç shitet sapuni për djathë.

Rama u investua disa herë për të mbuluar paaftësinë e të zgjedhurës së saj në krye të punëve të arsimit. Le të kujtojmë rastin më të fundit të përdhunimit të një 15-vjeçareje, kur Rama me tërsëllëm, ulërima e kërcënime mbrojti Besën, në mënyrën më të habitshme. “Çfarë duan këta që ministrja të dalë dhe të flasë për rastin në publik, apo të dalë dhe të marrë masat siç duhet”. Duke shfajësuar tërësisht ministren e tij, ai, kryeministri “mendjendritur” i të gjithë kohërave i gjeti fajtorët e vërtetë: “Abuzuesit e këtyre viktimave janë prindërit, njerëz shumë të afërt me ta, apo siç janë mësuesit e tyre, siç janë priftërinjtë që ti shkon dhe fal mëkatet, prandaj këto krime janë shumë të vështira për tu kapur”.

Në fillim, përdhunimi në grup i një vajze në Kavajë, u kualifikua nga Elisa, si një ngjarje e denjë për skenarët e filmave hollivudian , më pas kryeministri ia hedh fajin, familjes, kishës, lagjes, por jo ministres, ndërsa ne vijojmë të mbajmë sytë tek Besa.

Kaq donte Besa. Iu duk vetja se ishte më e fortë politikisht se mendërisht dhe mësoi prej ustait të saj. Për provimet e Maturës e kishte fajin opozita, për mësimin onllajne që dështoi me sukses të plotë, nuk ishte faji i saj, por i opozitës të cilën “do ta demantonte, por nuk kishte kohë”, ndërsa për filmimin e vitit na bënte selam nga kanionet e Librazhdit me në sfond Dardanin. Por Kryeministri që punon natë e ditë, e nuk lë përgjigje pa kthyer gjithë miletit në Facebook, përse heshti?

Sepse ideatori dhe autori i shkatërrimit të arsimit është Rama, as Lindita e as Besa.

Njësoj si Besën, edhe Linditën na e solli Rama. Rama tha që “ju kam sjellë zyshën më të mirë, për të bërë arsimin që duam”. Dhe zysha në përputhje me direktivat e Komandantit nisi punën për shkatërrimin me themel të arsimit. Atë pak që mbeti për të rrënuar ia la amanet Besës dhe vajza e diasporës së Kosovës nuk zhgënjeu në çdo minutë që ndenji në karrigen e ministres së Arsimit.

Gjuha ndërkombëtare që fliste, kaosi që krijonte me atë ka fliste, paaftësia totale e drejtimit të institucionit, etja e pamasë për fitime personale dhe për indiferentizëm, injorim deri në shpërfillje dhe nëpërkëmbje për arsimin, janë veti që Besa i bëri të vetat.

Në vitet e mëvonshme, ajo do të jetë etaloni i shtetit shqiptar për ministrin më të keq, shpirt lig, të paaftë, të pakultivuar që ka pasur ndonjëherë institucioni i arsimit që prej krijimit të shtetit shqiptar në 1912.

Atë si Gjinon e ministrisë së Jashtme, me siguri na i ke sjellë gospodin Batoni, si një njeri që flet shumë gjuhë të huaja, po jo gjuhën shqipe. Me siguri që këto “veti” të larta janë pëlqyer nga Komandanti, i cili, duhet të gjente një zëvendëse më pak të denjë se e preferuara e tij Linditë.

Besa ishte modeli më i mirë, në këtë rast, për të zbatuar planet e kryeministrit, për më pak nxënës të arsimuar, më shumë shkolla të shkatërruara, shumë më shumë nxënës analfabet, më pak mësues profesionistë e shumë më tepër drejtues militantë e të papërgjegjshëm. Rilindja kishte një strategji të pashkruar, por shumë të strukturuara, për de arsimimin e popullatës.

Rama e di shumë mirë, se të arsimuarit të hapin punë. Nuk ishte e rastit thënia e tij, që u mor si një batutë inteligjente, se “qeveria ime ka një të metë, që i kam shumicën e ministrave të rinj e pa përvojë”. Ai do dhe i ëndërron të tillë. Të pa shkolluar, pa përvojë, pa personalitet dhe mbi të gjitha, të paaftë, arrogantë dhe të ligj në shpirt, në mendim e në veprim. Pikërisht këtyre tipareve të kërkuar i përshtateshin pa asnjë të metë, qoftë Lindita qoftë Besa.

Që të dyja nuk do të kishin asnjë droje, asnjë pendesë, asnjë ndjenjë gabimi pale më faji për dëmin që i shkaktuan dhe vijojnë ti shkaktojnë arsimit. Por për të zbuluar këto aftësi, duhej gjeniu i të ligës, kryeministri. Ai i zgjodhi, i mori, i promovoi, iu dha detajet e planit dhe ato sigurisht e zbatuan pa hezitim. Tani Besa sigurisht është në të drejtën e  saj, të na dali si familjare, si një njeri që i mungon shtëpia dhe që po i prishen ekuilibrat e rëndësishëm të jetës së saj private.

Ndërsa ne që na u shkatërrua dhe janë çarë themelet e shtëpisë sonë të dijes, duhet të gjejmë derman vetë se Besa ka halle më të mëdha se tonat. Prandaj mendoj se bëjmë një gabim shumë të madh si në rastin e Besës por edhe të Linditës. Rama kërkoi dhe mori timonin, përmes gjithë rrugëve e mundësive që gjeti prej motos “gjithë qelbësirat me mua” deri tek tërmeti i fuqishëm “Gjiknuri” i votave në Dibër.

Në një tjetër qeveri që vinte si përgjegjësi e votës së qytetarit dhe ministrat ishin së paku përgjegjës për detyrën që merrnin, ne mund të kërkonim më shumë nga Lindita, Besa dhe kompani. Por në një qeveri që vjen përmes hajdutllëkut, perversitetit, maskarallëkut, papërgjegjshmërisë, është e tepër të kërkohen standarde demokratike. Prandaj drejtojini gishtin atij që meriton të kritikohet, të luftohet, t’i përplaset në surrat gjëma që na bëri, se si Lindita ashtu dhe Besa janë vegla qorre të kryeministrit.