Prof.Elmaz Leci: Çdo të thotë të uzurposh të gjitha pushtetet?!

350
Sigal

Paralele historike
Ç’do të thotë të uzurposh të gjitha pushtetet?!
Si e çoi egoizmi Enver Hoxhën, nga ushtrues, në uzurpues pushteti e në diktator
Nga Prof.Dr. Elmas LECI
Drejtor Ekzekutiv
Instituti i Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare

Disa nga Rezultatet e uzurpimit të pushtetit nga Enver Hoxha ishin: E rrethoi Shqipërinë me tela me gjemba, me ushtri e me qen kufiri për të vrarë ata që tentonin të largoheshin nga “Fanari ndriçues i Evropës buzë Adriatikut”. Ndërtoi burgje, kampe internimi në çdo qytet. Internoi 59 mijë shqiptarë ku, 7,022 vdiqën në internime. Burgosi për arsye politike 34,135 vetë. Pushkatoi për arsye politike 6,027 persona. Mbi 6,000 të tjerë janë zhdukur pa adresë. Shkatërroi deri në themel duke i djegur dhe kthyer deri në WC publike dhe stalla bagëtish 740 xhami, 608 kisha ortodokse e manastire, 157 kisha katolike dhe 530 teqe e tyrbe bektashiane, duke u sekuestruar të gjitha pasuritë të luajtshme të paluajtshme. Në vitin 1967 ndaloi besimin fetar me ligj dhe Shqipëria ishte i pari dhe i fundit vend ateist në botë. Kush kapej që predikonte besimin fetar shkonte 10 vjet në burg. Burgosi dhe vrau klerikët, sidomos ata katolikë, që i zhduku krejt si vokacion perëndimor dhe iluminim atdhetar, midis tyre Patër Anton Harapin.

Dënoi me vdekje mbi 450 gra  dhe mbi 5 mijë me burgje e internime për arsye politike, mes tyre edhe Musine Kokalarin e para shkrimtare e gjinisë femërore në Shqipëri, e cila studioi në Romë për Literature dhe më pas u kthye në atdhe për të krijuar Partinë Social Demokrate. Në 1946, Enver Hoxha personalisht u mor me Musinen, të cilën e dërgoi në burg në Burrel, për 16 vjet. Më pas në Rrëshen, në internim ku e ngrysi jetën duke punuar në ndërtim dhe duke fshirë si fshesaxhie rrugët e Rrëshenit. Vdiq e vetmuar dhe në mjerim në 1983. Të njëjtin fat pati edhe Sabiha Kasimati, shkencëtare, mbaruar në Torino shkëlqyeshëm, shoqe e klasës në Liceun e Korçës me Enver Hoxhën, të cilën e pushkatoi në vitin 1951, me 20 të tjerë pa gjyq, për bombën e Ambasadës Sovjetike. Enver Hoxha ka bërë një tjetër krim monstruoz si vetë monstruoziteti tij dhe regjimit tij, kur vrau dhe komunisten Liri Gega, shtatzanë, etj, etj, krime pa fund. Këto ishin disa nga mizoritë e Enver Hoxhës në historinë e qeverimit të tij diktatorial, ku bien në sy edhe fazat se si ai e mori pushtetin, se si ai e futi në dorë atë dhe se si egoizmi i tij i shfrenuar, e çoi nga ushtrues pushteti siç doli nga Lufta, në uzurpues pushteti e diktator. Dhe ja: Në mars të vitit 1943 e “bënë” Sekretar Politik të Partisë Komuniste. Në korrik, Komisar të Shtabit të Përgjithshëm. Në dhjetor, uzurpon Shtabin dhe i ve pushkën luftëtarit të rezistencës Abaz Kupit. Në  maj 1944  e “bëjnë” Komandant të Përgjithshëm të ushtrisë partizane i “japin” gradën gjeneral dhe merr atributet në krye të një qeverie që doli nga Kongresi i Përmetit. Revanshi vazhdon: Me urdhërin e tij forcat partizane hidhen në sulme vëllavrasëse me nacionalistët. Mbi popullin e Veriut forcat e tij masakrojnë e pushkatojnë pa gjyqe qindra të pafajshëm. Pas “çlirimit uzurpator” organizon zgjedhje antidemokratike, vetëm me një parti. Bëhet Kryeministër, ministër mbrojtje, ministër i jashtëm, Kryetar i Frontit, Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë. Fut në dorë të gjitha pushtetet legjislative dhe ekzekutive. Pak vite më vonë asgjëson edhe Ministrinë e Drejtësisë dhe e le Shqipërinë pa pushtet gjyqësor. Sa për median e pushtetin e saj, nuk bëhej fjalë për liri, se shtypi ishte i partisë së tij, të tjera botime nuk lejoheshin.

Në këndvështrimin tjetër: Do të kishte mbetur i respektuar, nëse pas Lufte, Enver Hoxha do të kishte organizuar  zgjedhje të lira, sipas standardeve perëndimore. Do kishte mbetur Enver Hoxha drejtues i vlerësuar i Luftës Antifashiste, nëse do të kishte lejuar pluralizmin politik.  Do të kishte mbetur i nderuar Enver Hoxha, nëse pas Lufte do t’ua kishte lënë pushtetin me rotacion brezave të rinj. Kaq për të, do të ishin boll, madje do të ishte meritë, e cila do t’i njihej e vlerësohej ndër breza.

Asnjë nga këto nuk bëri dhe veproi krejtësisht ndryshe:  E mori pushtetin nga jugosllavët dhe nuk e lëshoi e nuk la, gjatë gjithë jetës, sepse në koshiencë kishte egoizmin i tij të pa shfrenuar e të papërfytëruar për pushtet. Për mbi katër dekada me radhë nuk e lëshoi pushtetin, e kjo do të thotë as më shumë, e as më pak, por mbretërim i një diktatori. Dhe deri sa u bë diktator, pushtetet i futi në dorë gradualisht.  Në antitezë me mbrojtësit e Enver Hoxhës, që thonë se Enver Hoxha punoi e ndërtoi madje edhe e zhvilloi Shqipërinë, pasi përmendin arsimin deri në Universitete e Akademi Shkencash, se ndërtoi hidrocentrale e kombinate, se e elektrifikoi gjithë vendin e se bëri deri diku edhe bujqësi intensive etj., themi: Po. Është e vërtetë dhe duhet thënë se i bëri këto, pa i hyrë rentabilitetit të tyre, por ç’e do…?!

Edhe faraonët bënë piramida që çudisin edhe sot njerëzimin, edhe fashistët e nazistët bënë ndërtime e Hitleri autostrada, por të gjithë këto që nga faraonët e deri te Duçja, Hitleri, Stalini, Çaushesku e me radhë, deri te Enver Hoxha, ishin që të gjithë diktatorë. Punët e tyre nuk dhanë liri për njerëzit por vetëm sundim, madje sundim me despotizëm. Bënë vepra por edhe vranë e prenë popujt, dhe themeloren e të gjithave, lirinë dhe të drejtat e njeriut, nuk i dhanë e, nuk i kishin. E pa të, pa lirinë e të drejtat njerzore, të tjerat shumëzohen me zero. Dhe këtë lirinë e të drejtat e njeriut, Enver Hoxha nuk i solli, nuk i krijoi asnjëherë. Pretendoi çlirimin nga nazifashistët, por pastaj vargonjtë  ia hodhi më keq popullit në fyt. Pra nga pushtim, ne kaluam në uzurpim pushteti. Gjatë gjithë jetës së tij Enver Hoxha veproi me egoizëm, sepse egoizmi është sëmundje patologjike, nëse njeriu e aplikon në veprime. Ai me të bën tmerre vetëm e vetëm që të realizojë atë që thotë vetë. E tërë mbikoshienca e Enver Hoxhës, e gjithë veprimtaria e tij shoqërore, nëse do ta lexosh, nëse do ta investigosh e, nëse do ta trajtosh në mënyrë korrekte, tregon qartë vetëm për egoizmin e tij të shfrenuar. Të gjitha standardet e historisë së sundimit të Enver Hoxhës, tregojnë se për egoizmin e tij, që ishte padyshim pushteti i tij personal, sepse ai veproi në mënyrën e mundshme më të keqe, deri në vrasjen e të gjithë bashkëpunëtorëve, deri në venien në ankand të Shqipërisë, deri në mbylljen e një populli të tërë në tela me gjemba e në një territor që e bëri Shqipërinë burg.  Vepra e “tij” në se mund të konsiderohet e tillë, ishte e bazuar në bëma antinjerëzore. Në të gjitha kohërat ai jetoi e veproi në kundërshtim me interesin e njerëzve sepse zbatoi egoizmin e tij, për të qenë ai gjithçka, vetë zoti mbi tokë e mbi kokë të shqiptarëve. Të tjerët, sipas egoizmit të tij, kishin lindur për t’u drejtuar nga ai. Koha dhe historia botërore e njerëzimit ka provuar katërcipërisht se egoizmi si ai që mbisundonte te Enver Hoxha, ishte tipar i keq i një njeriu që i ve synimet e tij dhe plotësimin e tyre pa pyetur për asgjë, vetëm e vetëm që ato të realizohen. Dhe egoizmi i Enver Hoxhës ishte ana më e errët dhe më e zezë e gjithë qeverisjes së tij, në parti e në pushtet. Kur themi ana më e errët dhe më e zezë, a mos deduktojmë me atë që Enver Hoxha ka pasur edhe ndonjë anë të bardhë?! Unë them jo, të tjerë nëse gjejnë le të japin anët e tij “të bardha”. Vështirë të ketë ndonjë diktator, që të ketë anë të bardha, sepse egoizmi ua ka errësuar gjithnjë atyre arsyen e moralin. Përjashtim nuk bën as Enver Hoxha. Gjithsesi, vlerësimi dhe gjykimi individual, është e drejtë e gjithsecilit. Egoizmi i Enver Hoxhës u rrit hap pas hapi së bashku me pushtetin e tij. Enver Hoxhën në të gjitha periudhat nuk e la egoizmi të reformohej, por shpiku armiq e kaluar armiqve në gjirin e partisë së tij dhe të pushtetit absolut që zotëronte dhe në marrdhëniet me aleatët ndërkombëtarë.  Kushdo që Enver Hoxhës i dukej dyshues se mund t’ia rrezikonte pushtetin, qoftë ai në pushtetin e tij apo tek aleatët, ai i shpallte armiq. Të vetët, që e kundërshtonin e kishte të thjeshtë, i pushkatonte. Me aleatët e kishte gjetur, ju tregonte e i “akuzonte” për “shkelje të parimeve” dhe divorcohej, mandej i etiketonte bashkëpunëtorë të imperializmit e të socialimperializmit.  Siç tregojnë bashkëpunëtorët e afërt “ai” kërkonte vëmendje e admirim të vazhdueshëm nga çdo njeri, sepse mendonte se ai ishte i “veçantë”, ndaj i jepte gjithmonë të drejtë vetes dhe e quante ekzistencën e të tjerëve si iluzion ose si të dyshimtë. Me këto, ai ndjehej i vetëmjaftueshëm dhe synonte ta zëvendësonte edhe vetë Zotin, në mos sipas mendjes së tij, e kish zëvendësuar, madje të bënte siç bëri edhe krejt pa të. Mendonte se nuk i detyrohej askujt e për asgjë, me përjashtim të vetvetes dhe pretendonte se kishte gjithnjë vetëm të drejtë. Për sigurimin e mbajtjen e pushtetit “ai” veproi si me mashtrime të vazhdueshme, me manovrime të paskrupullta, me vrasje rivalësh, me ekzekutime nacionalistësh, me shitje interesash kombëtare etj. duke vënë mbi gjithçka, qoftë edhe mbi interesat e mëdha të Shqipërisë, egoizmin e tij personal. Kështu ndodhi me jugosllavët, ku egoizmi e çoi deri në shitjen e sovranitetit për sigurimin e pushtetit, kështu ndodhi me sovjetikët që egoizmi nuk e la të “reformohej” dhe po ashtu ndodhi edhe me kinezët që po egoizmi i tij, nuk e la Enver Hoxhën t’i vlerësonte situatat realisht.  Në të gjitha dokumentet e trashëguara mbisundojnë optikat që vendosen në funksion të idesë se politika, ekonomia, marrëdhëniet ndërkombëtare e gjithçka tjetër e periudhës së Enver Hoxhës, ishin në funksion të egoizmit të tij për të ardhur në pushtet e për ta mbajtur pushtetin vetëm për vete. A nuk ishte egoizmi i Enver Hoxhës një lloj akrobacie politike, nga jugosllavët tek sovjetikët, nga sovjetikët te kinezët dhe, fundi i tij pa lavdi?! Një fakt i pa mohuar historik është se gjatë gjithë sundimit të tij, egoizmi e ka shtyrë Enver Hoxhën për të luajtur apo për të realizuar gjithnjë marrëdhënie me shtete të mëdhenj, por me të njejtën kurbë, fillim e ngjitje dhe arritje në majë, e pastaj zbritje pikiatë me disfatë. Veprimtaria, lidhjet e zgjidhjet e Enver Hoxhës kryesisht me tre shtetet e mëdhenj për afro katër dekada, shihet e konkludohet jo se me kë “të madh” u lidh Enver Hoxha, por se çfarë pozitiviteti sollën këto marrëdhënie?! Vërtet duhet pranuar se në periudha të caktuara, politika dhe diplomacia e Enver Hoxhës i solli për kohën, popullit e vendit, “ndihma e prestigj”, por përfundimisht është se dhe këto, duhet thënë fuqishëm që ai lloj egoizmi i tij e çoi Shqipërinë në skamje e mjerim, në jetë mizerabël e në diktaturë të egër politike, në një vend e popull pa aleatë e pa perspektivë, në një vend të mbyllur e në vetizolim total. Egoizmi i Enver Hoxhës, a nuk duhet pranuar pa ekuivok se ishte sëmundje  e tij patologjike, që ai e aplikoi dhe që e shkatërroi përfundimisht vendin.?!

Është e vërtetë se për egoizmin e Enver Hoxhës në marrjen e pushtetit, ka shumë thënie e kundërthënie, që nisin qysh me krijimin e partisë dhe vazhdojnë edhe në vitet e ushtrimit të diktaturës së tij. Arsyeja e hamendësimeve është se për periudhën e krijimit të partisë, nuk ka shumë dokumente, sepse “dy jugosllavët, që u “ndodhën” e themeluan partinë komuniste shqiptare” as që mbajtën dokumente, sepse ata si zbulues, të veshur me petkun e politikanëve, asnjëherë nuk mbajtën me vete materiale komprometuese. Dhe nëse patën të tilla dokumente dhe patjetër patën, si ndonjë ditar a raport, ata i morën me vete në Jugosllavinë e Titos. Tashmë është provuar katërcipërisht se egoizmi i Enver Hoxhës, nis që me mbledhjen themeluese të partisë, që në momentin e parë kur ai bën manovrimin për përfitim. Kjo lidhet me Koço Tashkon, i cili i bëri një “favor” Enver Hoxhës, duke e marrë me vete në mbledhjen themeluese. Kjo nuk është aq e thjeshtë sa është përpjekur ta shpjegojë Koço Tashko, megjithatë edhe aq sa është thënë nga ky, vlen për të tërhequr konkluzione. Enver Hoxha e shfrytëzoi me mjeshtëri  “dashamirësinë” dhe luan gjithë rolin që komisioni votues e “nxjerr” Enver Hoxhën në Komitetin Qendror Provizor. Janë momentet që egoizmi në subkoshiencën e tij thuajse u zgjua, pasi menjëherë sapo “doli” në udhëheqjen e partisë, ai “hedh” sytë për t’u bërë “njësh-i” i saj. Shfrytëzon me mjeshtëri dy emisarët jugosllavë Miladin e Dushan, të cilët pasi e përpunuan mirë e mirë atë pro “komunizmit jugosllav”, në Konferencën e Labinotit “e nxorën” edhe në krye të partisë. Rruga e ardhshme për Enver Hoxhën mbetej fitimi i betejës, që kryesorja ishte fitimi i besimit të Titos, me të cilin nuk kishte asnjë kontakt verbal, por që duhet thënë se gjithçka rreth tij, Miladini e transmetoi mjeshtërisht në Jugosllavi. Këtë e thotë veçanërisht një letër që Enver Hoxha i shkroi Titos me përuljen më të madhe që njeh historia mes bashkëpunimit të tyre, të cilën Miladini e mori në xhep kur u largua nga Shqipëria dhe ia dorëzoi direkt në dorë Titos, së bashku me konsideracionet e tij. Ishte koha kur Enver Hoxha, edhe disa nga rivalët e tij ai i kishte eliminuar.  Berati ishte “goditja”dhe “përkëdhelja”, që i çeli rrugën Enver Hoxhës për kalimin në një stad tjetër, në atë të aplikimit të servilizmit pa kufi e pa doganë dhe të nënshtrimit të plotë ndaj jugosllavëve. Kjo periudhë rrok vitet 1944-1947, ku çdo gjë mbështetet në dokumentacione e në letra, në deklarata e në takime, në vizita e në marrëveshje, deri në miratimin për dislokimin e forcave ushtarake jugosllave në Shqipëri, apo për Bashkimin e plotë të Shqipërisë me Jugosllavinë. Prishja e Stalinit me Titon, ishte sikur i ra një meteor diamanti nga qielli. Enver Hoxha menjëherë merr kthesën dhe nga “një djalkë i mirë i Titos”, bëhet një bishë agresive ndaj tij dhe në një puthadoras i zjarrtë i “dashurisë” për Stalinin. I shkruan letra, i raporton vetë, i përbetohet e çfarë nuk i demonstron ai Stalinit për besnikëri. Kjo ishte periudha tjetër e egoizmit të tij, e konsolidimit të pushtetit të Enver Hoxhës. Të gjitha pushtetet i kishte në dorë, të gjitha i kishte arritur, të gjitha i kishte kapur plotësisht. Mirëpo ku ta dinte Enver Hoxha se pikërisht në atë kohë “papritur” Stalini do të vdiste dhe në Kremlin me kohë ishin organizuar forca antistaliniane për aplikimin e “një politike të re”! Ardhja e ekipit hrushovian dhe shpalosja e politikës së re “në marrëdhëniet me Jugosllavinë”, lufta kundër “kultit të individit” dhe veçanërisht, heqja e njëri pas tjetrit të të gjithë Sekretarëve të Parë të partive në vendet e Evropës Lindore satelite të Bashkimit Sovjetik, e shqetësuan shumë Enver Hoxhën. Egoizmi i tij nuk i pranonte këto“reformime”  Në se këto do të ndodhnin, siç tregonin bathët, ky do ishte fundi i Enver Hoxhës. Ndaj ai me djallëzi u sul dhe shpiku “mbrojtjen” e parimeve, të cilat “i shiti” në opinion se, “hrushovianët kishin ndaj popullit shqiptar e Shqipërisë tendenca hegjemoniste e se, ata ishin tradhëtarë të marksizëm-leninizmit”. Këto krijuan reaksion ndaj BS-së dhe se “përballjet” e Enver Hoxhës me sovjetikët hrushovianë “u konsideruan” qëndrime të një “burrërie” shteti dhe një “shpëtim” për Atdheun. E vërteta qëndron krejtësisht ndryshe. Enver Hoxha nuk i kundërshtoi “sovjetikët e rinj” për “parime”, por se egoizmi nuk e linte Enver Hoxhën të pranonte “konsideracionet e humbura” ndaj Titos, sepse ai e llogariste se klima e re sovjetike, do të kërkonte rehabilitimin e Koçi Xoxes dhe llogaridhënie për ekzekutimet me e pa gjyqe, që kishte bërë ai pas prishjes me Jugosllavinë. Këto bëma të së kaluarës do ta çonin vetë Enver Hoxhën në bankën e të akuzuarit. Po ta pranonte luftën ndaj “kultit të individit”, Enver Hoxha ishte vetë kulti i individit dhe pa diskutim do të pësonte fatin e Sekretarëve të parë të partive të tjera të vendeve të Evropës Lindore e dënimin si ata. Në të dy aspektet, eliminimi i Enver Hoxhës nga pushteti, ishte i padiskutueshëm. Ngado ta marrësh e ngado ta vërtitësh, Enver Hoxha ishte në epiqendër  për llogaridhënie e dënim. Nuhatja e përzier me dinakërinë e tij të pakufishme, e çoi në një rrugëzgjidhje tjetër: Enver Hoxha iu drejtua Kinës. Për ç’arsye? Përsëri nga egoizmi për mbajtjen me çdo kusht të pushtetit personal!  Kina, një vend me popullsi të madhe e me një parti po të madhe, dhe Mao Ce Duni ndonëse ishte shumë më i moderuar se Enver Hoxha, përsëri në atë kohë ishte Stalinist. Këto cilësi, Enver Hoxha i shfrytëzoi, siç shfrytëzoi edhe tendencat e Kinës e synimet e saj për në Ballkan e Evropë. Kjo është periudha 1962 – 1978, e cila është titulluar edhe “flirti me Kinën” e zbatimi i politikës së vetizolimit, që është edhe politika vetëvrasëse e regjimit të Enver Hoxhës. Megjithëse kinezët ishin ata, që e shpëtuan Enver Hoxhën nga asgjësimi sovjetik dhe e ndihmuan në pafundësi si ekonomikisht, ashtu edhe ushtarakisht e pse jo, edhe politikisht të qëndronte në pushtet, ai përsëri gjoja, po për “parime”, u prish edhe me kinezët. Ky ishte edhe fundi i komedisë më të paprecedentë në histori, të cilën Enver Hoxha ia dirigjoi popullit shqiptar, vetizolimin e plotë e absolut që na kushtoi shumë shtrenjtë. Gjithë kjo rrugë historike, gjithë ky egoizëm i sëmurë i Enver Hoxhës ose më saktë, të gjitha akrobacitë e tij politike e diplomatike, miqësi me jugosllavët e prishje, miqësi deri në dashuri me sovjetikët e përsëri prishje, miqësi e përzemërt me kinezët e përsëri edhe me to prishje, bëri që ai, gjithë popullin shqiptar, gjatë të gjithë kohërave, e mbajti në tensione të mëdha e në një stres të paparë se, po e sulmonin e do ta “mbysnin imperialistët dhe socialimperialistët”. Me këto sllogane e pallavra, ai i shkaktoi një fat tragjik Shqipërisë, që nuk mund të mëshirohet dhe i solli popullit vetëm vuajtje e mjerim. Ja, këtu e çoi popullin shqiptar egoizmi i Enver Hoxhës, politika e diplomacia e tij e mashtrimit dhe e nënshtrimit, gjithnjë për të marrë e vetëm për të qëndruar ai dhe vetëm ai, përgjithnjë në pushtet.