Prof. Dr. Valter Shtylla: Vlerat Kulturore Historike gjatë luginës së lumit Vjosa

335
Sigal

Prof. Dr. Valter Shtylla: Vlerat Kulturore Historike gjatë luginës së lumit Vjosa

Lumenjtë si bashkudhëtarë të historisë së njerëzimit kurdoherë kanë përfaqësuar burime jetësore për vendet dhe krahinat që përshkojnë. Ata sigurojnë furnizimin me ujë, janë burim energjie, mbrojnë ambientin natyror, favorizojnë komunikacionin ujor dhe atë tokësor në lugina dhe gryka gjatë tyre, kultivojnë peshkimin, etj. Si burime prioritare natyrore të domosdoshme për njerëzimin, në shumë raste në botë, lumenjtë janë shpallur “Pasuri Natyrore” – Status i mbrojtur me Ligj nga Shteti. Një Vendim ky që me të drejtë është propozuar dhe nga Shteti ynë, në rastin e lumit Vjosa. Ky lum e përshkon Shqipërinë nga jug-lindja në veri-perëndim, duke nisur nga Greqia dhe duke u futur në tokën shqiptare në jug të fshatit Çarshovë të Përmetit. Ai është nga lumenjtë më të mëdhenj të Shqipërisë. Nga pikëpamja teknike, në zonën e Përmetit Vjosa ka prurjen maksimale rreth 200m3/sek dhe thellësinë maksimale 2,3m në Petran dhe deri në 6m në Përmet. Shpejtësia e rrjedhës së ujit arrin 30m/sek. Përgjithësisht “Zonat Natyrore të Mbrojtura” veç vlerave ambientale-natyrore, kur ato janë lugina lumore, si rasti i Vjosës, kushtet fizio-gjeografike dhe mikroklima kanë trashëguar vlera kulturore-historike të shumta gjatë tyre, të krijuara gjatë shekujve nga dora e njeriut. Ndodh shpesh që UNESCO i jep statusin “Pasuri e Njerëzimit” ndonjë qendre historike në botë në cilësimin “Pasuri Historike dhe Natyrore” siç njihet në Kartat Botërore qyteti i Ohrit, etj.

 

 Ky lum e përshkon Shqipërinë nga jug-lindja në veri-perëndim, duke nisur nga Greqia dhe duke u futur në tokën shqiptare në jug të fshatit Çarshovë të Përmetit. Ai është nga lumenjtë më të mëdhenj të Shqipërisë. Nga pikëpamja teknike, në zonën e Përmetit Vjosa ka prurjen maksimale rreth 200m3/sek dhe thellësinë maksimale 2,3m në Petran dhe deri në 6m në Përmet. Shpejtësia e rrjedhës së ujit arrin 30m/sek.

Lumi i Vjosës buron nga liqeni piktoresk pranë fshatit Greveniti, me lartësi 1000m mbi nivelin e detit. Më saktë ky liqen shtrihet ndërmjet fshatrave Greveniti dhe Metsovo të Zagorisë, rreth 80km në veri-lindje të Janinës. Pasi kalon në Konicë nëpër Urën e Gurit me një qemer, e vitit 1870, Vjosa pranë kufirit shqiptar tek 3 “Urat” mbi Sarandaporo takon Manastirin e njohur grek Molivdoskepastos, vepër e 1670-ës e perandorit bizantin Kostandin Pogonatos, me rikonstruksion të 1341-ës.Në vazhdim lumi futet në territorin shqiptar, pak kilometra në jug të fshatit Çarshovë. Nga Çarshova deri në derdhje pranë Urës së Mifolit në veri të Vlorës, Vjosa përshkon një rrugë të gjatë, me ngushtica e kanione nga kufiri në Dragot duke u zgjeruar në rrjedhën e mesme të Tepelenës. Gjatë luginës së Vjosës që në kohë të hershme qenë ndërtuar mjaft vendbanime si Konica, Përmeti, Këlcyra, Tepelena dhe një shumicë fshatrash nga të dy anët e saj. Këndej, që në antikitet, akset jugore, që lidhin Jugun e Shqipërisë me brendësinë kushtëzuan krijimin e mjaft vendbanimeve të fortifikuara, ngritjen e urave, haneve, kullave, etj. Lumi Sarantaporos, pranë Leskovikut, takohet me Vjosën pranë kufirit. Në vendin e quajtur 3 “Urat”, në vitin 1830 studiuesi anglez Hjugs ka përmendur një urë për në Janinë, sot e prishur. Sot ruhen gjurmët e tre harqeve të rrëzuara. Rruga Leskovik-Përmet vijon djathtas lumit dhe arrin në Petran, ku 500m mbi urën e varur të Petranit ruhen gjurmët e një ure guri me hark, sot e rrënuar. Pukëvili më 1830 e përmend këtë si një urë guri me tre harqe mbi Vjosë, pak më sipër bashkimit të saj me Langaricën e Bënjës. Kjo urë me gjerësi 2.2m ka qenë ndëruar me një hark të madh sa gjerësia e lumit dhe me dy më të vegjël bregorë. Në qendër të Petranit Pukëvili më 1806 përmend një urë tjetër guri, pak më sipër se derdhja e Langaricës në Vjosë. Sot ruhen gjurmët e themrave bregore. Ura e Petranit lidhte krahinën e Rrëzës me Shqipërinë. Langarica është nga degët kryesore të Vjosës në zonën e Përmetit.

Në Banjat e Bënjës, pak km para derdhjes në Vjosë, mbi Langaricë ngrihet Ura e Katiut, mbi një hark me hapësirë 16m dhe me një dritare shkarkuese majtas. Banjat termale të Bënjës mjaft të frekuentuara nga turizmi. Ura e Katiut i takon shekullit të XVIII. Pranë Urës së Katiut, në hyrje të fshatit Bënjë, mbi një përrua ndodhet një urë me një hark me hapësirë 6,5m. Forma shigjetë e harkut spikat mjaft piktoreske në ambientin plot me gjelbërim. Duke ndjekur Vjosën në fshatin Badëlonjë ka ekzistuar një tjetër urë me tre harqe guri e përmendur në fillim të shekullit XVIII nga Pukëvili e Hjugsi. Urat e gurit në Çarshovë, Petran e Badëlonjë, me harqe guri të cilat sot ruajnë vetëm gjurmë të themrave bregore, si kohë ndërtimi i takojnë të gjitha shekullit të XVII-të, mbështetur në formën, teknikën e ndërtimit dhe burimet e udhëtarëve të huaj. Mbi Vjosë, në hyrje të qytetit të Përmetit, kanë qenë ndërtuar dy ura të mëdha guri. Ura e sipërme, disa qindra metra mbi urën e sotme të qytetit duhet të ketë qenë më e vjetër se tjetra prej guri më poshtë saj, ku është ura e sotme. Nga ura me harqe, ku është ura e sotme, deri nga vitet 30 të Zogut, ruhej një pjesë e mirë e saj, ndërsa sot ka mbetur vetëm një hark i vogël në bregun e majtë. Në fillim të XIX-tës Pukëvili e Hjugsi përmendin një urë me shtatë harqe. Sipas një fotoje të 1927-ës, nga të dy brigjet e urës i kishin mbetur pesë harqe të vegjël. Nga këto të dhëna rezulton se kjo urë e madhe kalonte Vjosën mbi një hark të madh me hapësirë rreth 15 metra. Në zonën e Përmetit lugina e Vjosës has në një larmi vlerash historike.

Në dalje të qytetit, buzë bregut të majtë të lumit, mbi një shkëmb, ngrihet Guri i Përmetit, një fortifikim i vogël me mbetje nga shekujt IV-VI-të të antikitetit të vonë. Në qytet ruhen dy kishat e mëdha, në Leusë, e vitit 1812 dhe e Shën e Premtes në qytet e vitit 1776, të pasura me punime arti si afreske, gdhendje druri, tavane, etj. Rreth 15km nga Përmeti në fshatin Buhal, majtas Vjosës në qendër të fshatit në një banesë kullë të shekullit XIX-të, pronari me tepër gusto ka përshtatur një hotel-bujtinë në resort turistik, ndërsa buzë lumit dallon një kishë bizantine. Në bregun e djathtë karshi Buhalit dominon Kisha Bizantine e Kosinës, e shekullit XII-të, një nga objektet më të spikatura të arkitekturës bizantine në Shqipëri. Këlcyra është një tjetër qytet në luginën e Vjosës ku theksohen të tjera vlera të kulturës materiale. Në qendër të qytetit lumi kalonte mbi në urë guri me një hark të madh e dy më të vegjël anash, sot e rrënuar, objekt i shekullit të XVIII-të. Rruga antike e luginës së Vjosës kontrollohej nga Kalaja e Këlcyrës mbi majën e qytetit. Muret e kalasë datojnë nga fillimet e shekullit III-të para erës sonë. Në majën e bregut të djathtë të Vjosës ngrihen monumentale Sarajet e familjes së njohur të Këlcyrajve. Fasadat e Sarajeve ruajnë elemente të arkitekturës perëndimore si frontore, korniza, etj. Mund të përbëjë një resort turistik tërheqës si një realizim i veçantë arkitektonik. Duke ndjekur Kanionet e Grykës së Këlcyrës rreth 10km në vazhdim Vjosa arrin në burimet e shumta ujore që shkarkojnë në Vjosë dhe kanë krijuar një ambjent të hijeshuar natyror ku vendasit kanë përshtatur disa bar-restorante, që tërheqin udhëtarë dhe turistë të shumtë. Në këtë vend mbi Vjosë dominonte një urë antike-mesjetare. Ajo njihet si Ura e Muço Hysos, gjyshi i Ali Pashë Tepelenës, Dizdari i Kalasë së Tepelenës dhe prijës i lëvizjeve anti-osmane në Shqipërinë e Jugut gjatë viteve 1701-1704. Ura me një hark të madh dhe dy të vegjël anash tij është ndërtuar në 10 vjeçarin e parë të shekullit të XVIII-të. Ajo është ngritur mbi rrënojat e një ure më të hershme romake, gjurmët e të cilit hasen në themrën e djathtë. Siç duket mbi këtë urë kalonte vija antike që lidhte luginën e Vjosës me Greqinë nëpërmjet luginës së lumit të Zagorisë, ku kontrollohej një fortifikim antik i Limarit, i ruajtur ende. Kalaja e Limarit, ndërtimi i para pushtimit romak, ruante rrugët luginore antike përfshirë dhe atë të Vjosës. Poshtë kalasë së Limarit ndodhet Ura monumentale e Limarit, me një hark mjaft të lartë, e cila është ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena kur ai u shpall Derven Pasha, si respekt ndaj vendasve zagoritë, që e kishin përkrahur në rininë e tij. Kësisoj, në luginën e Vjosës gjatë krahinës së Përmetit në antikitet dhe mesjetë qenë ndërtuar rreth 15 ura, gjë që dëshmon për shkëmbimet e dendura tregtare nd1rmjet banorëve vendas dhe udhëtarëve që kalonin gjatë këtyre rrugëve dhe urave. Në fshatin Dragot shtrati i lumit Vjosa fillon e zgjerohet dhe ashtu i gjerë vijon gjatë rrjedhës së mesme të tij. Pikërisht në fshatin Dragot të Tepelenës rruga Këlcyrë-Tepelenë e hedh Vjosën mbi një urë interesante metalike e ndërtuar në vitin 1936 nga Shoqëria e Ndërtimit “Ansaldo” e Gjenevës, Itali. Ura e Dragotit me gjatësi 108 metra e mbështetur vetëm në të dy brigjet, është një konstruksion metalik me vlera unikale për kohën kur është ndërtuar. Përfshihet të grupin e urave të fortifikuara, gjë që dëshmohet nga prania deri vonë e një karakolli rrethor me frëngji në bregun e djathtë.

Në qendër të qytetit lumi kalonte mbi një urë guri me një hark të madh e dy më të vegjël anash: sot e rrënuar, objekt i shekullit të XVIII-të. Rruga antike e luginës së Vjosës kontrollohej nga Kalaja e Këlcyrës mbi majën e qytetit. Muret e kalasë datojnë nga fillimet e shekullit III-të para erës sonë. Në majën e bregut të djathtë të Vjosës ngrihen monumentale Sarajet e familjes së njohur të Këlcyrajve. Fasadat e Sarajeve ruajnë elemente të arkitekturës perëndimore si frontore, korniza, etj.

Pas Dragotit lumi i Vjosës arrin në qytetin e Tepelenës ku Ali Pashë Tepelena pati ndërtuar një Kala solide. Sipas një mbishkrimi mbi Portën Lindorë të Vezirit kjo kala u ndërtua nga Aliu në vitin 1819, duke qenë një nga fortifikimet më solide të ruajtura në luginën e Vjosës. Poshtë në këmbët e Kalasë ruhen gjurmët e një prej objekteve historike më monumentale të kësaj lugine. Kjo është Ura antiko-mesjetare e Tepelenës mbi lumin e Vjosës, një nga Urat më të mëdha të Perandorisë Romake. Në këto gryka në vitin 198 p.e. sonë qenë zhvilluar fushatat romako-maqedonase. Historiani romak Auntias (sipas Likut 1805) aludon për kalimin e Vjosës mbi një urë provizore druri apo me pontone (mbi varka) e ngritur nga romakët. Urat e mëdha me harqe guri apo tulla filluan të ngrihen fillimisht në qendër të Perandorisë, plus që Iliria u pushtua nga romakët ne 168p.e. sonë. Sot si fazë e parë e ndërtimit të kësaj ure gjurmohen mbetjet e këmbëve me gurë të latuar lidhur me llaç.  Gjykuar nga teknika e realizuar, ura romake me harqe guri i Tepelenës duhet të jete ndërtuar gjatë shekujve I-II kur perandorët Vespasja, Trajan dhe Adrian u shquar për ndërtime inxhinierike. Mbështetur në traktet e mbetura të këmbëve romake skicohet rikonstruksioni i urës me shtatë harqe guri dhe me tre hapësira konstruksion druri mbi këmbë të ngurta. Ura me gjatësi 240 metra rezulton nga më të mëdhatë e perandorisë romake. Autorë të shumtë gjatë shekujve XVIII-XIX-të përmendin ndërhyrjet e herë pas hershme që janë kryer në objekt i cili dëmtohej vazhdimisht nga prurjet e Vjosës. Bile dhe Ali Pasha me teknikun Petro Korçari dhe me inxhinierë nga Greqia, Britania, Italia, etj, disa herë tentoi riparimin e urës, e cila vijonte shembjen. Qemerët romakë ishin me hapësirë rreth 18 metra dhe gjerësi rreth 5m. Duke vijuar gjatë luginës së mesme të Vjosës, mbi një kodrinë djathtas lumit shtrihet një nga qendrat më të njohura ilire, Bylisi, i ruajtur me plot objekte nga antikiteti dhe mesjeta. Bylisi gjate shekujve IV-I p.e. sonë ishte qendër e Konionit të Bylinëve. Kontrollonte rrugë nga Apollonia drejt Epirit e Maqedonisë. Vetëm 1km nga Bylisi ndodhet qyteti antik i Klosit (Nikoia), qyteti i fortifikuar i shekullit V p.e.sonë.

Si specialist i fushës dhe duke patur parasysh faktin e cilësimit të luginës së Vjosës si “Pasuri e Mbrojtur” me Ligj, theksoj se në këto objekte kërkohen ndërhyrje shpëtimi, që mund të kategorizohen në punime mirëmbajtje, konservimi e më pak restaurimi. Shumica e tyre ruhen në gjendjen e gjurmës apo rrënojës siç janë urat, të cilat presin vetëm punime evidentimi me ndonjë konsolidim minimal. Një pjesë tjetër e objekteve, siç janë fortifikimet, kërkojnë ndërhyrje pastrimi e konservimi.

Gjatë rrjedhës së mesme të Vjosës, nga të dy anët shtrihen mjaft qytete të tjera të fortifikuara që shihnin njëra-tjetrën dhe kontrollonin akset rrugore antiko-mesjetare. Siç përshkruam në këto rrjeshta, objektet historike të cituara përbëjnë esencën monumentale historike të luginës së lumit Vjosa nga burimi i tij deri në derdhje. Sigurisht vetëm në një shkrim nuk mund të përmenden të gjitha cilësitë historike, i cili gjatë rrugës së tij paraqitet me shumë vlera natyrore dhe historike të larmishme. Si specialist i fushës dhe duke patur parasysh faktin e cilësimit të luginës së Vjosës si “Pasuri e Mbrojtur” me Ligj, theksoj se në këto objekte kërkohen ndërhyrje shpëtimi që mund të kategorizohen në punime mirëmbajtje, konservimi e më pak restaurimi. Shumica e tyre ruhen në gjendjen e gjurmës apo rrënojës siç janë urat, të cilat presin vetëm punime evidentimi me ndonjë konsolidim minimal. Një pjesë tjetër e objekteve, siç janë fortifikimet, kërkojnë ndërhyrje pastrimi e konservimi. Kishat trajtohen me punime mirëmbajtje në arkitekturë dhe restaurimi në elementet e artit, si afreske dhe pjesë të drunjta. Së fundi janë qendrat e rëndësishme si Bylisi, Klosi, Tepelena, etj. që kanë qenë dhe do të mbeten objekt i arkeologjisë dhe restaurimit. Veç këtyre aspekteve teknike, si kudo, edhe Lugina e Vjosës duhet të jetë një territor i merituar i turizmit kulturor, duke u konsideruar një itenerar historiko-kulturor. Guidat, fletë-palosjet, botimet, tabelat shpjeguese, shigjetat treguese, etj. duhet të përbëjnë indikacionin e veçantë aktual tipik për turizmin e zhvilluar. Hartimi i Dosjes së Merituar për Natyrën e Veçantë dhe Historinë e Kulturës Materiale për Luginën e Vjosës, ndoshta në të ardhmen me të drejtë mund të shtyjnë organizmat kulturore tek ne për të propozuar për Vjosën statuse të njohura Ndërkombëtare pranë Organizmave Botërore të Kulturës. Me vlera më poshtë se rasti që trajtojmë, mjaft shtete kanë përfituar Statuse Kulturore të niveleve botërore. Varet nga përkushtimi, reklamat, lobingjet, etj. Sidoqoftë duhet nisur puna dhe sipas rradhës çdo lëvizje do të meritojë kohën dhe vendin e saj.