Prof. Dr. Valter Shtylla: Të dhëna mbi rrugën antike Orikum – lugina e Shushicës – Vjosë

256
Sigal

Për këtë interval rrugor nuk janë bërë deri më tani as gjurmime as studime, por mbështetur në kulturën materiale të hasur në segmente parciale të saj, si dhe në burimet gojore të vendasve mund të hedhim dritë mbi këtë itinerar antik, paralel me aksin e njohur të luginës së Vjosës.

Rruga e hershme e Bregut nga Palasa ngjitej në majën e Llogarasë ku takonte zgjatimin e maleve të Karaburunit (Acroceranne).

Nëpërmjet një pylli të dëndur me pisha, majtas zbritjes së sotme Llogara – Dukat i Ri, sipas burimeve gojore, ruhen gjurmët e kalldrëmit të rrugës romake që të çonte në vendbanimin antik të Orikumit.

Gjurmë të rrugës romake në Vranisht

Qyteti i Orikut përmendet që prej shek. V p.e.s. nga Herodoti dhe si arenë luftimesh pas pushtimin romak ndërmjet Cezarit dhe Pompeut në shek. I p.e.sonë.

Duke ndjekur drejtimin e V-P e J-lindje rrëzë Malit të Çikës, rruga Orikum- Shushicë kalonte nëpër Dukat – Qafa Shën Gjërgjit – Kisha e Shën Gjergjit – nën Tërbaç – Vranisht – Kallarat – Kuç. Nga Kuçi me kalim nëpër Nivicë – Progonat e Bënçë, kjo rrugë në Tepelenë takonte luginat e Vjosës dhe të Drinos.

Në Nivicë rruga kontrollohej nga Kalaja e hershme e Nivicës. Pas Kuçit një degë hynte në luginën e Rrëzomës, ku në Tatzzat ndodhet një lokacion romak me emrin Vila, aludim për një objekt të periudhës romake. Si edhe në raste të tjera edhe kjo rrugë është shfrytëzuar edhe gjatë mesjetës dhe periudhës turke.

Kalaja Mesjetare e shek. 16 në Vranisht

Në Qafën e Shën Gjergjit dhe në Kuç ruhen metjet e dy karakollëve rrugore, që nga vendasit njihen me emrin Pirg. Gjurmët më të qarta nga kjo rrugë e Labërisë ruhen në fshatin historik të Vranishtit. Poshtë fshatit rrëzë lumit të Shushicës ruhet Kalaja e Vranishtit, formë kuadratike e ndërtuar në vitin 1537 gjatë fushatës së Sulltan Sulejmanit në Shqipërinë e Jugut.

Më poshtë pranë lumit ndodhet Akuadukti i Vranishtit i ndërtuar në çerekun e fundit të shekullit XVIII me interesimin e banorëve vendas ndaj Ali Pashë Tepelenës, i cili edhe financojë për realizimin e këtij objekti.

Ujësjellësi i Vranishtit me gjatësi të konsiderueshme vadiste tokat poshtë fshatrave Vranisht e Tërbac duke u furnizuar me një nga lumi i Shushicës. Ai Paraqet një konstruksion të zgjedhur drejt teknikishit me shumë elementë të hidraulikës.

Si fshat Vranishti përmendet për herë të parë në regjistrin turk të vitit 1431-32 me vetëm 16 shtëpi, i përfshirë në Vilajetin e Kaninës. Në Vranisht ruhen mbase gjurmët e vetme nga rruga e Orikumit. Ato ruhen sipër fshtatit. Rrëzë Malit të Çikës, aty ku dëmtimet duken si vetëm nga koha dhe jo të arritura nga dora e njeriut.

Mbetje të urës antiko-mesjetare, Vranisht

Dëshmia më e ruajtur në këtë krye fshati është një urë e vogël, e cila nga vendasit njihet si Ura e Nik Zhupës mbi prroin e Ndarzës.

Ky objekt dëshmon më së miri faktin se rruga e Labërisë Orikum – Shushicë – Vjosë apo Rrëzomë ka funksionuar në antikitet dhe mesjetë. Ky objekt në përroin e Ndarzës përbëhet nga dy ura të vogla ngjitur njëra – tjetrës. Ruhen në gjëndjen e rrënojës jo fuksionale.

Nga antikiteti ruhet ura e drurit me hapësirë drite 4.3 metra. Dyshemeja me trarë druri që mbështeten në të dy brigjet mbi mure guri të thatë me gjerësi 1.5 dhe 2 metra. Ura arrinte lartësi 6 m mbi përroin.

Ngjitur me të ndodhet ura tjetër me qemer guri mbështetur mbi shkëmb dhe me mure guri anësor me llak. Sot ruhet vetëm fillimi i themrës së qëmerit me një breg. Kjo urë është më e madhe me hapësirë drite 9.5 metra dhe me gjerësi 1.9 metra.

Mur gardhues i rrugës romake Vranisht

Veç gjurmëve nga urat në vazhdimin e aksit rrugor drejt Tërbaçit hasen dhe trakte të kalldrëmit të urës. Jo larg urave të Vranishtit, pjesë e kësaj rruge janë edhe dy ura të tjera me nga një hark guri të ruajtura të plota. Bëhet fjalë për Urën e Gropave mbi përroin e Honit dhe për Urën ë Ngjelzes, më e vogël se e para.

Nga urat e vogla të Vranishtit deri tek këto ura të së njëjtës rrugë kanë mbetur gjurmë kalldrëmi. Lidhur me datimin historik të origjinës së ndërtimin të gjithë këtyre objekteve të gjetura në Vranisht, pjesë përbërëse e rrugës ta quajmë të Labërisë, nuk kemi rastisur të dhëna burimore. Për këtë arsye do të mbështetemi në analizën krahasuese të teknikave të ndërtimit.

Një urë tjetër mesjetare në rrugën romake Vranisht – Vlorë

Muret mbështetës të urës së drurit në Vranisht janë të ngjashme ato të urës së drunjtë të Via Egnatias në përroin Gurrat e Zeza në Xhyrë të Librazhdit.

Po kështu dhe një mur mbajtës pranë dy urave ngjan me muret e Via Egnatias në Xhyrë. Pranë urës dhe më tej hasen gjurmë kalldrëmi romak trase e gjerë deri në 5 – 6 metra me bordura anësore me gurë më të mëdhenj dhe më gurë me syprinën e sheshtë në profilin tërthor të aksit. Ruhen dhe trakte kalldrëmi mesjetar vende – vende, të punuar me gurë më të vegjël.

Ura me një qemer guri ngjitur urës antike të drunjtë përfaqëson një ndërtim mesjetar, ashtu si dhe dy urat në vazhdim drejt Tërbaçit që përshkruam.

Thembra e harkut të urës mesjetare Vranisht

Kështu, ura e drurit në Vranisht, muri mbajtës dhe fragmente të kalldrëmit i takojnë periudhës romake, shekujve të fundit para epokës sonë. Ndërsa dy urat me një hark në vijim të Tërbacit mund të jenë edhe të para pushtimit turk, mbase të shekujve të mesjetës së hershme.  Rruga që përshkruam pas Kuçit në Nivicë kontrollohet nga një Kala antike, ku ruhet dhe një urë e cila mund të takojë edhe ajo trasës romake që vjen nga Vranishti.

Në unitet të gjitha këto objekte në Vranisht të japin imazhin e një rruge romake në Labëri, e cila ka punuar edhe gjatë mesjetës. Gjerësia 5 – 6 metra e trasesë këtu në Vranisht është tipike për trasetë romake, ku kalonin karro dhe qerre.

Shmangur nga luginat lumore, kjo rrugë e maskuar malore, sigurisht që duhet të ketë pasur karakter ushtarak për ekspeditë dhe fushata luftarake.

Për studimin dhe ndriçimin e këtij aksi strategjik nevojiten eksperditat përnjohëse për evidentimin e vlerave të tyre materiale në këtë trevë të pasur që lidh Bregun dhe Vlorën me interlaustin e jugut të vendit.

Trakt muri i Kalasë antike Nivicë – Tepelenë
Ura e hershme mesjetare në rrugën romake Vranisht
Urë antike e rrugës romake Bregu i Detit – lugina e Vjosës në fshatin Nivicë