Prof. Dr. Selman Sheme: Suliotët e Dardhës së Korçës

199
Sigal

Ditë më parë, ( më 15.08.2024), fshati Dardhë i rajonit të Korçës festoi 400 vjetorin e formimit të tij. Dardha është ndër vendbanimet malore më të larta të vendit tonë, ( 1320-1360 metër mbi nivelin e detit).

Vendbanimi është krijuar në vitin 1624, në bjeshkët e malësisë së Moravës, me banorë të ardhur nga Nikolica e Devollit, Kosova, Çamëria, Barmashi i Kolonjës, Kruja, Filati, Bozdoveci, Çeta, Arrëza, Qinami i Kolonjës, Vithkuqi etj. Banorët nuk dëshironin të konvertoheshin në myslimanë nga Perandoria Osmane prandaj dhe emigruan në zona të thella malore.

Në këtë shkrim do të trajtojmë fiset e ardhura nga krahina malore e Sulit dhe të vendosura në Dardhë, në fillim të shekullit XIX, pas rënies së Sulit dhe dëbimit të popullsisë nga Ali Pashë Tepelena.

Fiset Boçari, Stefani, Sulioti, Thimo edhe sot kanë trashëgimtarët e tyre që jetojnë në Dardhë. Në një takim që kam patur me shkrimtarin Teodor Laço, ai deklaroi se edhe fisi Laço është me origjinë nga malësia e Çamërisë, gjë që e ka deklaruar edhe në veprat e tij.

Etnologu Fatos Mero Rrapaj dhe shkrimtari Dhimitër Shuteriqi në botimet e tyre japin të dhëna për shpërnguljen e suliotëve dhe vendosjen e tyre në Gjirokastër, Frashër, Devoll e deri në qytetin e Shkodrës.

Të shpërngulur nga vatrat e veta më 1803, suliotët u vendosën nëpër viset greke dhe në Shqipërinë e Jugut. Një pjesë arritën të kthehen vetëm në vitet 1821-1823 por nuk ripërtëritën të gjithë fshatrat e braktisura, por u vendosën në fshatra shqiptare të luginës së Vuvos etj. Me qindra suliotë gjetën strehim në fshatrat e Shqipërisë së Jugut ku hynë nën mbrojtjen e derebenjve vendas. Disa nga pasardhësit e tyre e kanë ruajtur deri vonë origjinën e tyre suliote si në Frashër të Përmetit, fshatrat e Devollit në Korçë etj. Fshatrat e Dardhës, Sulit, Nikolicës dhe Kurillës në krahinën e Devollit (Korçë), janë populluar edhe nga suliotët e shpërngulur nga Malësia e Çamërisë pas vitit 1803.

Në fshatin Dardhë të Devollit (Korçë) disa fise si Boçari, Stefani, Sulioti, Tollko, Themelia, Thimo, Laço etj., janë të ardhur nga Malësia e Çamërisë pas shpërnguljes së suliotëve (F.M.Rrapaj, Fjalor Onomastik i Epirit, vëll.I, Çamëria, Eurorilindja, Tiranë, 1995, f. 490).

Fshati Dardhë është një vendbanim relativisht i ri, i themeluar rreth 400 vjet më parë nga të ikurit që ndiqeshin nga Perandoria Osmane më së shumti për arsye se nuk dëshironin të ndryshonin fenë. Dëshmia e parë historike deri tani gjendet në Enciklopedinë Greke “Pirsos” ku thuhet:

“Në Dardhë, fshat shqiptar, u hap shkolla greqisht më 1768-ën. Meqenëse Dardha ka qenë fshat i lirë i përjashtuar nga taksat, në dokumentet osmane nuk ka të dhëna për këtë fshat. E folmja e fshatit Dardhë ka ruajtur deri vonë disa trajta të vjetra të gjuhës shqipe të ngjashme me arbërishten dhe çamërishten. Kjo dukuri vërehet edhe në disa toponime që kanë karakter konservativ si: Bredhi i Klishës (bredh ku dikur aty ka qenë një kishë, në afërsi të qendrës së fshatit), Oborri i Klishës, Trojet e Ulkut (Ujkut), Trojet e Sidherit etj.”

Nga e folmja e deri tek veshjet, këngët dhe vallet, kultura materiale dhe shpirtërore dëshmojnë që Dardha ka ngjashmëri me mbartësit e kësaj kulture, banorët që e kanë populluar këtë fshat kryesisht nga Shqipëria e Poshtme dhe Çamëria.

Pamjet që shfaq urbanistika e fshatit, me ndërtesa solide me gurë të gdhendur, të mbuluar me plloça të hirta, rrugët me kalldrëm, punishtet dhe zejet kryesore janë të ngjashme me tipologjinë e ndërtimeve të fshatrave të Malësisë së Çamërisë dhe Labërisë.

Nga fundi i shek. XIX u vendosën në fshatin Dardhë edhe familje zejtare të ardhur nga zona e Filatit, si familjet e Dhimitër Venetit, Koli Venetit, Panajot Sharra etj. (Koço Millona, Të dhëna historike për Dardhën, dorëshkrim).

Në vitet 1839-1849 shkruan Dhimitër Shuteriqi (Vepra, “Autor dhe tekste”, Tiranë, 1977, f. 115), në Shkodër ishin identifikuar familje tregtare me prejardhje nga Suli, të cilat ishin shqipfolëse.