Duam të shprehim një shqetësim, të cilin, me siguri e kanë edhe lexuesit. E kemi fjalën për tabelat e shitoreve, të sipërmarrjeve, të shërbimeve etj. dhe për reklamat e qytetit të Tiranës. Pjesa më e madhe janë në anglisht dhe një i huaj, të cilit duam t’i shërbejmë edhe me këto tabelat (!), do të mendonte se Tirana qenka qytet dygjuhësh (!). Ka humbur fjala shqipe udhëtim dhe na ka ardhur fjala travel, por edhe me disa sajesa: Sole Travel and Tours; OK Travel, International Travel and Tours. Caffe / Coffe, Boutique e Outlet vijnë të dytat. Pastaj vjen shop. Të tjera? Edhe të tjera: Luxury e Delight. Ka edhe On Time (!). Mund të kishte edhe In Time (!). Sigurisht, nëse do të përshfaqësh firmën e huaj që ka prodhuar mallin që ti e shet, do ta vësh emërtimin e saj (tipi Rivaldi), por jo fjalën që emërton mallin – Rivaldi watches (= orë). Pyesin të tjerët. Bashkë me ta, edhe unë: Nga na mbiu fjala angleze bakery (= furrë buke)?
Këtu është Shqipëri; nuk është as Angli, as Amerikë. Diku është shkruar: Century XXI. Kaq e vështirë është të thuhet Shekulli XXI?! Diku tjetër: Tobacco and more (me siguri, e kopjuar andej ku thuhet more). E pse? Për kë është reklama? Për të huajt apo për shqiptarët?! Ka qenë shumë mirë dikur: Duhan. Cigare. Po Sale up to 50% për kë është?! Për turistë?! Do të vijnë turistët të blejnë rroba këtu?! Na gënjen mendja. Të gjitha taksitë qytetëse kanë mbi kokë: Taxi (x = ks (!)). Nuk mund të thuhet Taksi? Dhe sipas kësaj logjike, na del diku edhe reklama Elixir (x = ks). Ja edhe Continental e Pharmacy e jo Kontinental e Farmaci, sipas shkrimit në shqip. Fjala kozmetikë ka zënë vend në gjuhën shqipe; mirëpo, në tabela na vjen cosmetic (!) (co = ko). Në një shitore, lista përfshin këto fjalë: Art craft, Fitness, Gifts, Hygiene, Kids Zone, Kitchen, Smart line, Accessories, Toys, Pet shop. A është shitorja vetëm për të huaj?! Apo është edhe për shqiptarë?! Shembuj të tjerë? Me qindra. Bëni një shëtitje më këmbë vetëm në një rrugë të Tiranës, që të shikoni edhe sajesa të neveritshme (gjithmonë në anglisht: Bee Fly (= Mizë blete (?)), Tirana Grill (= Skara e Tiranës), Grand Pazar. Me fjalën angleze kid gjen gjithandej reklama. Kuptimi i parë i fjalës kid është kec. Kuptimi i dytë – bisedor është kalamá. Dhe, sipas regjistrit gjuhësor, duhet të pëlqehet fjala jobisedore në një reklamë – në shqip fëmijë, në anglisht children (pra, rroba / këpucë … për fëmijë e jo për kalamaj). Ndoshta, nuk na shkon ndër mend diçka tjetër: Ka tabela shitoresh me përkthim nga shqipja në anglisht (!); p.sh.: New Tirana Flower (= Tirana e Re + Lule). Edhe Zogun e Zi e kemi bërë Black Bird, sepse në anglisht e kuptojmë; në shqip – jo (!). Një habi tjetër është se ka edhe Barber e Barber’s shop, sepse, edhe pse nga xhami duket se është berber ngaqë ka veshur përparësen e bardhë, ka pasqyra e gërshërë etj., duam të madhështohemi (!) me anglisht dhe nuk themi dot rrojtore si dikur, a edhe floktarí. Një habi tjetër në tabelat e Tiranës është emri në rasën gjinore të anglishtes (tipi Tali’s = dyqani / lokali i Talit). Dhe përfundimi? Këtu qenka ose Angli ose Amerikë (!).
Kujdesi për gjuhën ka rënë.
Besojmë që e vënë re të gjithë. Ndryshe, nuk ka si shpjegohet që ka aq shumë programe televizive me tituj të panevojshëm anglezë. Ndryshe, nuk mund të shpjegohet që edhe në reklamat televizive përdoren pa asnjë kriter e pa asnjë masë fjalë të huaja të panevojshme. Dëgjoni për shembull, reklamën për “Obenin”. Kjo është punë e mjeteve të informimit masiv, – do të thoni ju. Ashtu është. Po, a mos rrugët e Tiranës marrin shembull nga televizionet apo televizionet marrin shembull nga rrugët? Apo janë “përbashkuar” për ta dhunuar pa mëshirë gjuhën amtare? Fjala e huaj ngjitet në gjuhë si rriqra në trupin e shëndoshë të deles. Dhe, a na shkon mendja se ku po e çojmë gjuhën shqipe dhe qytetarin (e ardhshëm) shqiptar me këto mënyra të thëni? Pyesim përsëri: Cili është respekti për gjuhën? Pak më konkretisht: Pse u dashka thënë Facilitete për jetën studentore? Thuhet diku: Interneti më i shpejtë për vitin 2024. Dhe pastaj, po aty përkthehet në gjuhën angleze. Për kë përkthehet? Ne nuk jemi vend dygjuhësh. Qytetari tiranas erret e gdhihet me gjuhë të huaj, kryesisht anglisht sepse edhe rruga (me kësi tabela e reklama) është pjesë e përditshmërisë së tij. E, atëherë, këtu ka edhe dhunim psikologjik. Në tabelat dhe reklamat qytetëse ka edhe një problem tjetër: Edhe kur (me gjasë) janë në shqip, kanë gabime gjuhësore, sidomos, drejtshkrimore. Kemi parë njëherë në Tiranë, në tërë Rrugën e Durrësit këtë reklamë: Ndaq thirrëm Mbret, (ndaq) Prince, Të inspiron. Po e lëmë mënjanë fjalën e huaj të panevojshme – inspiron. Janë shkruar gabim – me shkronjë të madhe tri fjalë. Vijmë te fjala ndaq. Porositësi i reklamës a shkruesi nuk ka dalluar q nga ç. Dhe qytetarët mund të jenë tallur me këtë ndaq. Në mos me Fjalorin e gjuhës shqipe, me një mësues gjuhe po të ishin këshilluar, nuk do t’i kishin bërë ato gabime. Ka edhe më keq. E quajnë veten “Institut i mësimit të gjuhëve të huaja”. Në tabelën e tyre shkruajnë: “Ju lutem, mos bëni zhurmë, prisni te stolat sa t’iu vijë ora e mësimit. (Nënvizimi im – H. Sh.) Dhe, më në fund, a na shkon mendja se tabelat e reklamat qytetëse me fjalë të huaja të panevojshme e me gabime shkrimore nuk na i kuptojnë shumica e qytetarëve, çka do të thotë që nuk kemi as rezultat në reklamimet tona? Kam pyetur shitëse të veçanta për këtë a për atë emërtim të huaj në shitoret e tyre. Nuk e dinin as ato se ç’ishte, as nuk e thoshin dot në shqip. Ç’emër t’u vëmë atëherë këtyre ndodhive?
Këto mënyra të thëni janë ndërhyrje arbitrare në gjuhë.
Dhe ndërhyrjet arbitrare janë të papranueshme. Gjuha nuk është si arra e pazarit, të cilën mund ta gjuajë me gur kushdo. Gjuha nuk është vetëm e pronarëve të tabelave dhe të reklamave. Është e të gjithëve dhe duhet trajtuar me respektin që meriton. Nuk besojmë që drejtuesit e bashkisë e të minibashkive në Tiranë të mos e kenë ndjenjën dhe dëshirën dashamirëse për ta ngritur kulturën gjuhësore të qytetarëve. Tabelat e reklamat e tanishme qytetëse bëjnë të kundërtën: e ulin kulturën gjuhësore të qytetarëve. Po të përdorim një fjalë më të ashpër, do të thoshim: e ndotin. Dhe, përveç ndotjes mjedisore e akustike, Tiranës i është shtuar edhe ndotja gjuhësore. Nuk mund të mos e themi: Tabelat e reklamat e ndotura si ato që u përmendën e të tjera si ato, mund të konsiderohen edhe si rrugë për institucionalizimin e arbitrariteteve në gjuhën standarde dhe e thyerjes së normës letrare sepse ato vijnë nga një zyrë shtetërore miratimi e regjistrimi e sepse qyteti jeton, siç u tha, orë e çast me to. Dhe kjo i ngarkon me përgjegjësi të madhe bashkinë dhe minibashkitë. Po të përdorim një fjalë më të madhe, do të thoshim: janë dhunim sistematik i gjuhës së përbashkët letrare shqipe.
Për të gjitha gjuhët pastërtia ka rëndësi të madhe. Për gjuhën shqipe është jetike.
Për shumë arsye. Ne nuk jemi puristë. Dhe nuk bëhet fjalë për purizëm, për pastrim të gjuhës nga çdo huazim as te këto tabelat e shitoreve, restoranteve, kafeneve etj. Bëhet fjalë për vërshim fjalësh të huaja, krejt të panevojshme e siç u tha, me ndikim krejt negativ. Fytyra e Tiranës nuk janë vetëm balloret (fasadat) e ndërtesave. Edhe po të jenë të bukura. Janë edhe rrugët e saj. Janë edhe tabelat e reklamat e saj. A do ta mbajmë të pastër fytyrën e Tiranës? Nëse do ta mbajmë, atëherë, u takon bashkisë e njësive të saj administrative të reagojnë institucionalisht që të mos lejojnë tabela e reklama me fjalë të huaja të panevojshme. Jo pak herë, siç u tha, edhe me gabime gjuhësore. Në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë ka një nen të posaçëm për mbrojtjen e gjuhës kombëtare. E ku është ky shteti që po e mbroka gjuhën?! Sot nuk krahasohemi as me shtetin e Pavarësisë. Edhe bashkia e minibashkitë janë pjesë e shtetit. Mbrojeni gjuhën kombëtare! Si mund të çndotet Tirana? Sigurisht, ka zyra të posaçme për regjistrime e kontrata shitoresh, shërbimesh etj. Besojmë se ka diku edhe mjedise të posaçme, ku shkruhen tabela e reklama. A mund të caktohet një redaktor gjuhësor aty ku shkruhen tabelat e reklamat? Nëse e çndotim Tiranën nga tabelat e reklamat e huaja, i bëjmë një shërbim të madh gjuhës kombëtare, kulturës së gjuhës dhe drejtpërdrejt qytetarit tiranas.
Për hir të së vërtetës, duhet thënë se çndotja është e vështirë.
Janë mijëra tabela që duhen varrosur. Është, thuajse e tërë Tirana që duhet “prishur”, për ta bërë të re. Duhet bërë revolucion. Revolucionin, ndoshta nuk e bëjmë dot. Atëherë, në qoftë se për shumë arsye nuk mundemi, të paktën, të heqim tabelat e reklamat absurde, të zëvendësojmë dora-dorës ato që konsiderohen dhunim i gjuhës shqipe dhe të zgjedhim më të mirën për tabelat e reklamat e ardhshme. Gjuhësisht, ka një kriter parimor që na udhëheq. Kriteri është shumë i thjeshtë: Mund të përdoret fjala e huaj, në qoftë se gjuha shqipe standarde nuk e ka emërtimin për aksh send, mall, shërbim etj. dhe plotëson kështu një qelizë të zbrazët në strukturën e saj. Atëherë, këtu nis gjykimi: ta përdorim apo të mos e përdorim aksh fjalë të huaj në tabelën a në reklamën tonë. Atëherë, nëse e kemi fjalën shqipe dhe përdorim fjalën e huaj, thjesht ka nxjerrë krye mania për t’u madhështuar e për t’u dukur si të ditur(!). Po ç’të ditur mund të dukemi me shoes and clothes [tabelë shitoreje] për këpucë e rroba?! Çfarë kanë më tepër se shqipja këto tabela angleze?