Prof. Dr. Bardhyl Çipi/ Covid-19 krahasuar me HIV/AIDS në vendin tonë. Cilat janë gabimet në masat e marra në optikën mjeko-ligjore

504
Sigal

Përsa u përket mekanizmave imunologjikw, ja ku konsisitojnë anët e përbashkëta dhe dallimet midis këtyre dy sëmundjeve

COVID-19 KRAHASUAR ME HIV/AIDS NË VENDIN TONË

Krahasuar me HIV/AIDS, ja cilat janë të metat dhe gabimet  në këto masa të marra kundër kësaj sëmundjeje në optikën, mjekoligjore, etike, juridike

(Analizë etiko-juridike dhe mjekoligjore)

Prof.Dr.Bardhyl Çipi

Në kohën e sotme, kur gjithë bota po jeton nën kërcënimin e pandemisë që ka shkaktuar sëmundja virusale Covid-19, menjëherë kjo të kujton një sëmundje tjetër virusale, atë të HIV/AIDS që me të drejtë është konsideruar prej kohësh si një emergjencë e njerëzimit që pasqyron një nga parametrat kryesorë përcaktues të shoqërisë njerëzore.

Në një vështrim të përgjithshëm Sida dhe Covid-19 kanë dallime midis tyre, por edhe disa anë të përbashkëta, meqenëse që të dyja janë sëmundje virusale.

Kështu, pandemia e sotme e Covid-19 është më e fuqishme se ajo e HIV/AIDS, përhapet me anë të ajrit, duke prekur pa dallim të gjithë njerëzit dhe shkaktuar tronditje të mëdha ekonomike, politike, për të cilat ka pasur një reagim të madh në të gjitha vendet e botës. Njerëzit janë trembur dhe dëshpëruar, jetojnë të izoluar, me pamundësi që familjarët dhe miqtë të vizitojnë të sëmurët në spital, kufizim të pjesëmarrjes në ceremonitë e varrimeve dhe aktiviteteve të tjera publike, apo udhëtimeve në vende të tjera.

Por edhe Sida, që prej rreth 40- vite më parë, ka prekur deri më sot mbi 76 milionw njerëz dhe ka shkaktuar rreth 33 milionw vdekje në gjithë botën. Kur ajo u shfaq për herë të parë shkaktoi një panik të madh, të shoqëruar me stigmën e keqe që kjo sëmundje kap kryesisht personat toksikomanë dhe homoseksualë.  Për të parandaluar infektimin  dhe përhapjen e kësaj sëmundjeje, që prej disa dhjetra vitesh merren masa, me anë të mbrojtes nga rrugët e përhapjes së saj (rruga seksuale, me anë të gjakut, placentës etj.) të pasqyruara  gjerësisht në mediat, gjë që ka bërë që kjo sëmundje të mos të kërkojë një izolim të rreptë të njerëzve të prekur prej saj, sikurse ajo e covid-19.

Ndofta, kjo ka qenë arsyeja që shpenzimet për studimin dhe mjekimin e HIV/AIDS kanë qenë më të pakta në krahasim me ato për diagnostikimin dhe mjekimin e Covid-19.

Nga ana tjetër, nuk duhet harruar se shfaqja e sëmundjes AIDS ndodh pas shumë vitesh nga infektimi me HIV  dhe zgjat për një kohë shumë të gjatë dhe mund të përfundojë me vdekje në rastet e rënda, ndërsa sëmundja covid-19 shfaqet zakonisht 1-2 javë pas infektimit nga virusi i saj dhe zgjat zakonisht rreth një muaji pas të cilit pacienti shërohet, me përjashtim të rasteve të rënda që përfundojnë me vdekje, e cila ndodh në një përqindje më të lartë se ajo nga një grip i zakonshëm.

Përsa u përket mekanizmave imunologjikw, anët e përbashkëta dhe dallimet midis këtyre dy sëmundjeve, konsistojnë  shkurtimisht në këto pika:

Prekja nga covid-19, do të pasohet me reagimin e sistemit imunitar të njeriut, në radhë të parë me anën e limfociteve B, që prodhojnë antitrupat specifike për këtë virus (imunoglobulinat), që i përkasin imunitetit humoral dhe limfocitet T që prodhojnë citokinat, që i përkasin imunitetit qelizor.

Në fakt, një pjesë e limfociteve T kanë si funksion të kapin një qelizë të infektuar nga ky virus, të depërtojnë membranën e saj dhe t’i injektojnë citokinat, produkte kimike që e shkatërrojnë këtë qelizë. Pra, virusi në këtë infeksion nuk strehohet dhe as nuk replikohet brenda limfociteve T. Nuk duhet harruar që citokinat që prodhojnë këto limfocite, ndihmojnë edhe në pjekjen e limfociteve B dhe prodhimin e antitrupave prej tyre.

Ndërsa në rastin e HIV, jo si tek covid-19,  virusi  strehohet dhe shumëzohet brenda këtyre qelizave në mënyrë agresive, gjë që pasohet  me dobësim të sistemit imunitar, ulje  e rezistencës  për shkak të së cilës njeriu mund të preket nga sëmundje të rënda që mund të sjellin edhe vdekje.

Reagimi i trupit të njeriut ndaj këtyre  viruseve  do të shoqërohet me formimin e imunitetit që nënkupton aftësinë që ka trupi i njeriut për t’i rezistuar një prekjeje  të re nga këto sëmundje në një kohë të mëvonshme, kjo për arsye, se në trupin e njeriut, një pjesë e këtyre limfociteve që kanë luftuar këto infeksione kthehen në qeliza të kujtesës që do të veprojnë në rastin e një sulmi  të ri nga këto viruse (imunitetit), gjë që mund të arrihet edhe me anën e vaksinimit përkatës.

Për sa i përket vaksinave, ajo ka qenë e pamundur të zbulohet për HIV/AIDS, pavarësisht se ka mbi 40 vjet që kjo sëmundje është shfaqur për herë të parë.

Kjo ka ndodhur për shkak, se virusi HIV bën mutacione shumë të shpejta, duke qëndruar gjithnjë një hap më përpara reagimit të organizmit; gjithashtu , gjenomi i virusit integrohet në gjenomin e qelizës limfocitare, duke e bërë të  padukshëm ndaj përgjigjes imune etj.

Ndërsa për covid-19,  krijimi i vaksinës favorizohet nga fakti se ky virus paraqet një mutacion shumë më të ulët në krahasim me HIV, nga ana tjetër gjenomi i virusit nuk integrohet me gjenomin e qelizës humane strehuese; më në fund te njeriu përgjigja imunitare është shumë e fortë ndaj këtij virusi.

Megjithatë deri tani nuk është arritur të krijohet kjo vaksinë, situatë kjo sikurse me virusin SARS-coV-1,i ngjashëm me covid-19,  ku që prej vitit 2003 nuk është zbuluar ende  një vaksinë kundër tij.

Covid-19 i krahasuar me sidën në optikën, mjekoligjore, etike, juridike etj.  

Pandemia e covid-19 e shfaqur që 7-8 muaj më parë, në vendin tonë, e ka detyruar  sistemin shëndetësor,  sidomos atij që merret me sëmundjet infektive dhe të gjitha strukturat e tjera të shtetit, të bëjnë përpjekje maksimale për mjekimin e të prekurve, parandalimin e përhapjes së kësaj sëmundjeje, të shoqëruar me masa të shumta mbrojtëse mjekësore si dhe ato të karakterit ekonomik, juridik etj.

Megjithatë, e krahasuar me HIV/AIDS, vihen re edhe shumë të meta dhe gabime në këto masa të marra kundër kësaj sëmundjeje.

Të gjitha këto po pasqyrohen gjerësisht në mediat dhe shtypin tonë.

Ajo që bie menjëherë në sy, është se nuk rezulton që të jetë kryer ndonjë autopsi në vdekjet nga covid-19 (përjashto ndonjë rast ku vdekja ka ardhur nga rrëzimi prej së larti suicidal), sikurse është vepruar me HIV/AIDS.

Siç dihet, autopsia ndihmon në përcaktimin e saktë shkencor që vdekja ka ardhur nga infeksioni prej këtij virusi dhe jo nga ndonjë shkak tjetër; ndihmon në  përcaktimin e shkallës së prekjes nga kjo sëmundje të organeve të ndryshme të trupit të njeriut, si dhe shumë probleme të tjera me vlera të mëdha studimore, në lidhje me vërtetimin e saktë të sëmundjve preekzistuese, ndikimin e tyre në ardhjen e vdekjes etj.

Në vendet e tjera, p.sh. në Itali, Gjermani, Zvicër, pavarësisht nga frika e infektimit, janë kryer shumë autopsi të të sëmurëve që kanë vdekur nga covid-19.

Madje në shumë raste nga këto autopsi të kryera në Itali janë zbuluar se shkaqet e vdekjeve nuk ka qenë infeksionet nga ky virus, por mjekimi i gabuar nga ana e mjekëve.

Në të vërtetë, në vendin tonë, para viteve 1990, çdo të sëmuri që vdiste në spital, i kryhej autopsia, e cila e pasuar me kryerjen e analizës anatomo-klinike pas nxjerrjes së rezultatit të autopsisë,  me pjesëmarrjen e mjekëve klinicistë dhe atyre që kryenin autopsinë, përcaktonte me saktësi shkencore shkakun e vdekjes, gjë që  përbënte edhe një lloj kontrolli në mjekimet spitalore duke i shërbyer përmirësimit  të këtyre mjekimeve etj.

Në fakt, kryerja e autopsisë për çdo vdekje nga covid-19 ndofta është e pamundur të realizohet. Por të paktën të kryhen në disa prej tyre, sikurse është vepruar me vdekjet nga HIV/AIDS.

Në praktikën mjekoligjore të vendit tonë, është zbatuar një rregull i tillë. Kur një ngjarje e rëndë ka qenë shoqëruar me shkaktimin e dhjetra të vdekurve, autopsia kryhej vetëm për disa prej tyre, meqenëse mekanizmat e ngjarjes kanë qenë të njëjta për të gjitha viktimat.

Pra kryerja e autopsive për një pjesë të vdekjeve nga covid-19,  padyshim që do të rriste saktësinë shkencore në përcaktimin e kësaj diagnoze.

Kjo aq më tepër se sot shpesh herë bëhen akuza publike për fshehjen e rasteve të këtyre vdekjeve, apo shtimin e tyre artificial.

Madje, në këtë drejtim, në kohët e fundit në Itali ka pasur pretendime se covid-19 është vetëm një virozë e zakonshme që nuk ka vrarë asnjë njeri. Sipas tyre vdekjet kanë ardhur nga aplikimi i protokolleve te mjekimet e gabuara, që nuk janë zbuluar nga moskryerja e autopsive.

Ndërsa për Sidën,  në vitet 2010 dhe në vazhdim ka pasur mjaft raste vdekjesh  për të cilat janë kryer autopsitë mjekoligjore përkatëse.

Kështu njëri prej tyre, ka qenë ai i një shtetasi 27- vjeçar, që vuante nga HIV/AIDS. Në një gjendje shumë të rëndë, ai u shtrua në repartin e reanimacionit  të shërbimit infektiv të QSU-tw Tiranë, ku megjithë ndihmën intensive reanimatore, më datë 3.11.2010, nuk u arrit të shmangej vdekja e tij.

Nga këqyrja e jashtme dhe e brendshme kufomës (autopsia), të shoqëruar me ekzaminimet plotësuese përkatëse: histologjike, të mbështetur edhe në rezultatin pozitiv të analizës laboratorike të HIV pak përpara vdekjes,  u arrit në përfundim se viktima kishte ndërruar jetë  për shkak të një infeksioni të rëndë të trurit me abscese të shumta dhe enjtje të tij, me gjendje të thellë komatoze (7-8 pikë) në terren këto të një imunodepresioni të rëndë (ulje e forcave immune të organizmit) nga sëmundja e HIV/AIDS, të shoqëruara gjithashtu me infeksion të rëndë të mushkërive ( pneumoni sero-deskuamative), distrofi e organeve të brendshme (mëlçi, veshka etj.). kruste të lëkurës etj.

Një faktor tjetër që do ndikonte në zbulimin sa më plotë të të prekurve me covid-19,  ka të bëjë  me numrin e testimeve (me tampon për zbulimin e ARN-së virale dhe i gjakut për zbulimin e antikorpeve anti-covid-19) që kryhen për diagnostikimin e kësaj sëmundjeje virale.

Një nga kritikat kryesore që i bëhen shëndetësisë së vendit tonë, gjë që kur ka ndodhur për Sidën është zgjidhur më vonë, është se numri i testimeve të kryera te ne, është shumë herë më i vogël se i vendeve të tjera. Kjo ka bërë që shumë raste të mos zbulohen, pra edhe raportimet e përditshme të prekjes nga kjo sëmundje të mos jenë të sakta, të jenë më të pakta sesa janë ato në të vërtetë.

Sipas logjikës më elementare, pa hyrë në parimet e shkencës së epidemiologjisë, sa më shumë testime të kryhen, aq më shumë raste të reja me covid-19 do të zbulohen. P.sh., supozojmë se në një kontigjent prej 100 personash, 30 prej tyre janë të prekur nga covid-19. Nëse do të kryheshin testimet e të gjithë këtyre njerëzve do të zbuloheshin të 30 të prekurit prej këtij virusi. Nëse do të testoheshin vetëm një pjesë prej tyre, saktësia e këtij përcaktimi do të ulej në proporcion me pakësimin e numrit të testimeve në këtë grup njerëzish.

Prandaj të bën përshtypje këmbëngulja e vazhdueshme e përfaqësuesve të shëndetësisë tonë që nuk e pranojnë këtë logjikë të thjeshtë dhe të mos pohojnë me ndershmëri se bëhen pak testime, për arsye se kaq është mundësia e sigurimit të këtyre testeve nga shëndetësia e vendit tonë. Përkundrazi, ata përpiqen me argumente të stisura epidemiologjike apo statistikore, të justifikojnë këtë numër të paktë testimesh që kryhen te ne, në krahasim me vendet e tjera të botës.

Ndërsa për HIV/AIDS në lidhje me testimet laboratorike të saj, për herë të parë në vendin tonë, mjekësia ligjore u ndesh, në lidhje me infektimin me sida të disa fëmijëve që vuanin nga sëmundja e gjakut të talasemisë që mjekohet me tranfuzione të vazhdueshme gjaku çdo 3 – 4 javë deri sa ata të rriten. Në fakt ata përbëjnë një kontigjent personash të rrezikuar nga sëmundjet që jepen me anën e gjakut ku përfshihet edhe sida. Fakti që disa prej tyre rezultuan të infektuar me sida, madje edhe me disa sëmundje të tjera infektive të mëlçisë si hepatitet B dhe C, tregonin se gjaku i përdorur për mjekimin e tyre ka qenë i infektuar me këto sëmundje.

Për këto raste, u ngrit akuza nga prokuroria kundër personelit mjekësor, në radhë të parë të bankës qendrore të gjakut në Tiranë, në lidhje me pakujdesinë eventuale në drejtim të moszbulimit të gjakut të infektuar të përdorur për këto transfuzione dhe me mosrespektimin e kritereve mjekësore të ndjekjes së këtyre fëmijëve të sëmurë me talasemi.

Kjo çështje u shqyrtua me hollësi nga mjekësia ligjore, nga e cila u konkludua për mundësinë  e ndonjë gabimi apo pakujdesie në bankën e gjakut në marrjen,  analizën për zbulimin e virusit HIV dhe përpunimin e gjakut për transfuzion që mund të ketë qenë shkaku i këtyre infektimeve me HIV dhe infeksioneve të tjera të fëmijëve talasemikë.

Nga ana tjetër, nga shqyrtimi i dokumentacionit mjekësor të fëmijëve talasemikë të prekur me HIV, rezultoi se për ta nuk ishte respektuar kryerja çdo vit e analizave për HIV/AIDS, hepatit B, C e të sëmurëve talasemikë, e parashikuar kjo në protokollin e ndjekjes së kësaj sëmundjeje, gjë që do të kishte bërë të mundur zbulimin më të shpejtë të fëmijëve talasemikë të infektuar nga këto sëmundje dhe si rrjedhojë edhe mjekimin më të hershëm të këtyre infeksioneve.

Përveç kësaj, për këta të sëmurë nuk rezultoi të jetë dhënë rekomandimi për vaksinimin e tyre kundër hepatit B, gjë që do të kishte shmangur të paktën infektimin e tyre me hepatitin B.

Më në fund mjekësia ligjore dha rekomandimin për futjen në të ardhmen në rutinën e analizave të bankës së gjakut, të metodës gjenetike PCR me anën e ARN-së së virusit, që do ta rriste më shumë saktësinë e këtyre analizave.

Për të gjitha këto konstatime të mjekësisë ligjore, që tregonin qartë të meta serioze të shëndetësisë së vendit tonë, u morën masat përkatëse.

Një shembull tjetër mjekoligjor ( 2007-2008),  ka të bëjë me atë të dy pacientëve, të cilët  në vitin 2005 kanë qenë shtruar në spitalin e Elbasanit që vuanin nga sëmundje qe kishin nevojë për gjak dhe për këtë arsye, ju është dhënë gabimisht gjak i marrë nga një shtetase me HIV +.

Në këtë rast shkaku i infektimit të tyre, rezultoi të ishte defekti i kitit të shpejtë të testimit, i përdorur në bankën e gjakut të Elbasanit, me një saktësi  jo 100%, që nuk arriti  të zbulojë që gjaku i dhuruar i shtetases HIV +,  ka qenë i infektuar me HIV.

Edhe për këtë rast u morën masa, në radhë të parë u hoqën nga përdorimi kitet e shpejta Double Check Gold të firmës “Organics” dhe tani e tutje për bankat e gjakut të rretheve, ku përfshihet edhe ai i Elbasanit, aplikohet metoda Elisa me një saktësi më të madhe, e cila përdoret edhe në bankën qendrore të gjakut në Tiranë.

Një çështje tjetër e rëndësishme, është ajo që ka të bëjë me problemet etiko-juridik të respektimit të të drejtave të njeriut ndaj shfaqjes së kësaj sëmundjeje.

Ky problem për herë të parë u shqyrtua me hollësi me rastin e reagimit që i bëri njerëzimi pandemisë së HIV/AIDS që prej 30 vitesh më parë, për t’u aplikuar sot në pandeminë e re të covid -19.

Pra në këto lloje sëmundjesh, të drejtat e njeriut të shprehura në normat e ndryshme të tyre, kanë si qëllim detyrimin për të respektuar dhe mbrojtur jetën e njerëzve, ndaj këtyre sëmundjeve ngjitëse ku bën pjesë edhe covid-19.

Kjo do të realizohet me anën e masave mbrojtëse, me qëllim që të pengohet përhapja e këtyre sëmundjeve. Mosmarrja e këtyre masave, do të konsiderohej një shkelje e të drejtave të njeriut.

Por nuk duhet harruar që këto masa të mos jenë shumë të rrepta sa të prekin liritë individuale, dinjitetin e njeriut etj.

Pra për këto sëmundje synohet që të vendoset një balancë sa më e drejtë ndërmjet këtyre masave mbrojtëse, mjekimit dhe parandalimit në rastin tonë të covid-19, ndaj respektimit dhe mbrojtjes së lirive individuale, ekonomike e sociale të njerëzve.

Këto çështje si dhe tjera siç është edhe parimi etik i konfidencialitetit, janë shqyrtuar, studiuar dhe zbatuar në vendin tonë duke filluar që nga sëmundja e HIV/AIDS për të cilën janë zgjidhur pak a shumë në mënyrë  korrekte.

 

Kështu, për sa i përket qëndrimit kundrejt virusit HIV, te ne, sikurse në të gjitha vendet, kur dihet qartë që përveç me anën e gjakut, raporteve seksuale, gravidancës, ushqimit me gji të foshnjave, nuk ka mënyra të tjera të transmetimit të virusit HIV, nuk mbahet më qëndrimi izolues ndaj këtij infeksioni, por me kusht që të sigurohet një informacion i plotë dhe i rregullt për popullsinë.

Një rregull etik që duhet të zbatohet në këto raste është që për personat e infektuar me HIV, të zbuluar nga shëndetësia, duhet ruajtur gjithnjë anonimati i tyre, por me përjashtim që kjo diagnozë i duhet treguar partnerit apo partneres së personit të prekur me HIV.

Nga pikëpamja juridike, duhet kujtuar se në muajin korrik 2008, nën ndikimin edhe të faktorëve ndërkombëtarë, hyri në fuqi ligji “për parandalimin dhe kontrollin e HIV/AIDS (ligji nr. 9952, datë 14.7.2008).

Sipas këtij ligji, testimi për HIV që kryhet falas për shtetasit, do të jetë konfidencial (personeli që e kryen atë duhet të ruajë privatësinë e personave me HIV +). Përgjigjet e testimit u jepen vetëm personave që e kanë kryer atë, bashkëshortit / bashkëshortes, prindërve apo kujdestarit ligjor.

Personat e prekur me HIV kanë detyrimin edhe për zbatimin e masave të parandalimit dhe transmetimit të virusit (infektimi i qëllimshëm i një personi tjetër, dënohet me gjobë); gjithashtu ata kanë të drejtën e mjekimit falas, arsimimit  në të gjitha nivelet e sistemit arsimor, punësimit në përshtatje me kërkesat e vendit të punës, duke ju ruajtur konfidencialiteti në lidhje me infektimin me HIV / AIDS, integrimit  në komunitet dhe shoqëri me veprime mbështetëse psikosociale dhe  evitimin për ta të çdo veprimi diskriminues etj.

Këto rregulla etike dhe juridike janë pasur parasysh duke u respektuar dhe zbatuar në të gjitha rastet problematike me HIV, të shoqëruara ndonjëherë edhe me shqyrtimin mjekoligjor të tyre.

Një prej këtyre  rasteve i përket qëndrimit diskriminues që u mbajt ndaj dy fëmijëve binjake të infektuar me HIV, nga ana e nxënësve dhe prindërve të tyre në shkollën ku ata mësonin. Ata kërkonin me insistim që këta dy fëmijë HIV+ të mos lejoheshin të mësonin në këtë shkollë  në një klasë me fëmijët e tyre, sepse ata kishin frikë nga infektimi me HIV+ prej tyre.Ky rast i bërë publik, u diskutua gjerësisht në shtypin dhe mediat e vendit tonë.

Pikërisht, ligji për  “për parandalimin dhe kontrollin e HIV/AIDS” (2008), u nxor si reagim i shtetit tonë ndaj kësaj situate të krijuar për mosruajtjen e konfidencialitetit të këtyre fëmijëve të prekur me HIV, duke shmangur në këtë mënyrë përsëritjen e rasteve të tilla.

Ndërsa tani, për pandeminë e re të covid-19, janë vënë re shumë të meta në lidhje me masat mbrojtëse ndaj këtij infeksioni viral.

Kështu, këto masa janë vlerësuar shumë të rrepta, jo proporcionale, kanë qenë jo të drejta në raport me rrezikshmërinë e kësaj sëmundjeje, sidomos në lidhje me zbatimin e rregullave të izolimit të njerëzve për t’ u mbrojtur nga prekja prej këtij virusi.

Masa të tilla kanë qenë ato të lejes vetëm të një anëtari të familje për të dalë vetëm një orë në ditë përjashta, mbyllja e shkollave, ndalimi i aktiviteteve, kufizimi i lëvizjes së individëve: vetëm në orare dhe ditë të caktuara dhe me leje të posaçme, kufizimi i transportit ajror dhe detar, mbyllja e transportit  ndërqytetas  dhe kufizimi i atij brenda qytetit e shumë e shumë të tjera. Ato kanë ndikuar në rritjen e papunësisë për disa kategori në vendin tonë, në dëmtimin e ekonomisë, apo në shkeljen e të drejtave të njeriut

Një tjetër shkelje ka qenë ajo e mosrespektimit të parimit etik të  konfidencialitetit  të të prekurve ose të vdekurve nga kjo sëmundje, si psh. shpallja publikisht e infektimit nga ky virus, pa miratimin e personit të prekur, siç ishte edhe rasti i aktorit E.Budina, menjëherë pas disa ditësh nga protesta e fuqishme popullore për shëmbjen e godinës së Teatrit Kombëtar në Tiranë.

Të gjitha këto masa u shpallën në një sërë urdhrash, aktesh, vendime kuvendi etj.

Njëkohësisht, ato u pasyqruan në disa ndryshime apo amendime të kodit penal, ku parashikohej midis të tjerave, që për shkeljen e masave ndaj covid-19, jepet dënimi me gjobë ose me burgim, që në raste të rënda të veçanta shkon deri në 8 vjet burg.

Në të vërtetë këto ndryshime të kodit penal kaluan në kuvend, duke përfituar nga mungesa e opozitës reale, me procedurë të përshpejtuar dhe jo me shumicë të cilësuar siç e kërkon kushtetuta. Ato janë konsideruar të ashpra, që shkelin parimin e proporcionalitetit dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, p.sh. të konventës ndërkombëtare të të drejtave civile dhe politike, sipas së cilës masat duhet të plotësojnë kërkesat e ligjshmërisë, nevojës dhe proporcionalitetit dhe të jenë jo diskriminuese. Po kështu vendimi për shtyrjen e pandemisë në dy muaj, sikurse janë prononcuar juristë të vendit tone, u bë në shkelje të kushtetutës, sipas së cilës kjo leje për vendosjen e saj jepet vetëm për një muaj.

Siç duket, të gjitha këto masa administrative dhe ligjore, që janë kritikuar nga opinioni i vendit tonë, kanë pasur qëllimin e frikësimit të popullsisë, p.sh. me anën e shfaqjes në bulevard të blindave të ushtrisë, apo me ushtrimin e dhunës krejt të pajustifikuar të policisë ndaj individëve të veçantë në mjaft raste, apo atyre të një proteste paqësore.

Nga ana tjetër, ato të shoqëruara me deklarime të ashpra të përditshme, të thëna verbalisht në mënyrë virtuale, krijuan ndjesinë që në vendin tonë ka vepruar shteti i urdhërit gjatë kësaj pandemie.

Nga pikëpamja juridike, akuzat për ashpërsinë që kanë pasur ndryshimet në kodin penale për pandeminë covid-19 në vendin tonë, sipas mendimit të juristëve të vendit tonë, mbështeten në këto argumente:

-Dënimet e dhëna në to, njëkohësisht me gjobë dhe burgim, sipas gjykatës  kushtetuese, nuk janë në përputje me kushtetutën, ndërkohë që në ligjin për HIV/AIDS parashikohet vetëm dënimi me gjobë.

-Në këto dënime mungon një raport i drejtë ndërmjet rrezikshmërisë së veprës penale dhe shkallës së fajit të autorit, në rastin kur ai është mbartës i covid-19, ndaj rasteve kur ai nuk është i tillë. Kjo do të ndikojë negativisht në përcaktimin e masës së dënimit në proporcion me shkallën e fajësisë të të akuzuarit.

-Më në fund, masa maksimale e dënimit prej 8 vitesh burgim (neni 89/b/3), nuk duket të jetë e justifikuar dhe as e argumentuar. Këto masa dënimesh janë shumë më të ashpra, p.sh në krahasim me Italinë dhe Francën, ku dënimet janë shumë më të lehta: me gjobë ose burgim deri në 6 muaj, me përjashtim të rasteve të rënda ku dënimi me burg është deri në 5 vjet. Përveç kësaj, po të krahasohet me HIV/AIDS në lidhje me mjekimin e pakujdesshëm (neni 96 § 2 i kodit penal), ku dënimi maksmal është 7 vjet, ky dënim 8-vjeçar për covid-19, i kryer nga një qytetar i thjeshtë, do të jetë disproporcional me dënimin më të lehtë nga HIV/AIDS, i kryer nga personeli mjekësor që është i përgatitur dhe i specializuar për të shmangur infeksione të tilla.

*                   *                     *

Nga kjo paraqitje krahasuese e aspekteve juridike, etike dhe mjekoligjore të  dallimeve dhe anëve të përbashkëta ndërmjet këtyre 2 pandemive virusale, bie në sy që megjthë vullnetin e mirë për ta përballuar covid-19 në vendin tonë, ka shumë të meta dhe gabime etike, juridike, mjekoligjore, apo sociale në masat e marra për t’u mbrojtur nga ky infeksion i rëndë me vdekshmëri të lartë, kundrejt masave ndaj  HIV/AIDS që janë aplikuar që prej shumë vitesh në vendin tonë.

Për këtë arsye, përvoja e fituar nga ndjekja e HIV/AIDS te ne, duhet të shfrytëzohen sot edhe për trajtimin e këtyre problemeve që kanë dalë në situatën e pandemisë së covid-19.