Prof. Dr. Ago Nezha: Dukati ka bëri histori për liri e pavarësi. Nesër “Labëria” takim në Muzeun Kombëtar

936
Sigal

Veprimtari kushtuar bijve që dhanë jetën për liri, përshëndeti Kryetare e Shoqatës së Dëshmorëve Resmie Ruci, Kryetari i Veteranëve Seit Jonuzi,

Prof. Dr. Ago Nezha

Dukati nderon 17 dëshmorët të rënë në Luftën Nacionalçlirimtare

 Ditën e Shtunë, datë 9 Nëntor 2019, në Pallatin “Labëria” në qytetin e Vlorës, u organizua një ceremoni nga Shoqata e Dëshmorëve të Rrethit të Vlorës me Kryetare aktoren dukatase Resmie Ruci, në bashkëpunim me Shoqatën “Dukati “ me Kryetar Selim Haskoçela dhe të degës së Vlorës Vitri Zyka, për të nderuar 17 dëshmorët të rënë në Luftën Nacionalçlirimtare. Ceremoninë e çeli Kryetari i degës Vlorës Vitri Zyka, që bëri një prezantim të shkurtër të veprimtarisë për secilin nga të rënët. Fjalën përshëndetëse e mbajti Profesor Dr. Ago Nezha, biri I Dukatit dhe njëherazi Kryetar i Shoqatës Kulturore Atdhetare Labëria “ Nderi i Kombit” . Në këtë veprimtari përshëndeti Kryetare e Shoqatës së Dëshmorëve Resmie Ruci, Kryetari i Veteranëve Seit Jonuzi, Kryetari i Labërisë për degën e Vlorës Ahmet Dema, ish-Kryetar i shoqatës “Dukati”, Mustafa Dedenika dhe disa kryetar të degëve të fshatrave të rrethit të Vlorës. Gjatë aktivitetit u ekzekutuan disa valle me motive vlonjate nga një grup vajzash dhe u recituan dy poezi për Dukatin, të autorit Ago Nezha.

II

Lufta Nacionalçlirimtare, është epopeja më e ndritshme e popullit Shqiptar në tërë historinë e tij shekullore

Dukati ka bërë histori, ka prodhuar lavdi në luftërat për liri, pavarësi e demokraci

Prof. Dr. Ago Nezha, “Mjeshtër i Madh”, “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”

 

Unë, në emrin tim personal si bir i Dukatit, por dhe në cilësinë e Kryetarit të Shoqatës Atdhetare Kulturore “Labëria” “Nderi i Kombit”, ku Dukati mban Titullin e lartë “Mirënjohje të Labërisë”, dua të përgëzoj ideatorët dhe organizatorët e kësaj veprimtarie shumë domethënëse, në kuadrin e festës Jubilare të 75 Vjetorit të Çlirimit të vendit. Jemi këtu së bashku për një event të madh historik dhe bëjmë një gjest fisnik, duke i përkujtuar ata të rinj dukatas që u radhitën në gjerdanin e artë të luftëtarëve që flijuan jetën për një kauzë unikale në historinë e vendit tonë, për çlirimin e vendit nga okupatorët dhe bashkëpunëtorët e tyre. Lufta Nacionalçlirimtare, është epopeja më e ndritshme e popullit Shqiptar në tërë historinë e tij shekullore, në luftërat për liri, pavarësi, çlirim kombëtar e shoqëror. Nuk ka ngjarje të dytë, që të jetë ngritur në apogjeun e madhështisë, trimërisë, guximit, sakrificës, dhe heroizmit se sa kjo luftë. Ata që kur dolën partizanë, e dinin që e kishim marrë vdekjen me vete. Çdo çast, çdo, ditë, çdo orë dhe çdo minutë, në çdo aksion luftarak, ata e dinin fare mirë se ishin bijtë e vdekjes, por kjo nuk i frikësonte e as i ligështonte para idealeve të tyre për lirinë e atdheut. Ata e shihnin çdo ditë vdekjen në sy, pa ju trembur syri. Heroizmi dhe gjaku i derdhur në Luftën Nacionalçlirimtare, është mrekullia e atij brezi hyjnor, që u martirizua në lulen e rinisë, duke mos e kursyer jetën, por luftuan për një ideal të madh kombëtar, për të krijuar një atdhe të lirë e të pavarur. Ishte fati i kombit Shqiptar, që ai brez, heronjsh dhe heroinash, ku u radhitën dhe shumë të rinj dukatas, plot 17 dëshmorë, ishin të pajisur me ndërgjegje të pathyeshme, për ta fituar lirinë me çdo çmim, pa kursyer dhe jetën e tyre rinore. Historia e jetës së tyre heroike, tregon se ata nuk ju trembën dhe as nuk u përkulën para vështirësive dhe as u thyen para asnjë torture çnjerëzore, sepse ideali i tyre i kishte rrënjët të ngulitura thellë në zëmrën dhe ndërgjegjen e tyre, ashtu si ajo pema që i ngul rrënjët thellë në tokë dhe s’ka ciklon dhe stuhi që ta shkul e ta rrëzojë përdhe. Një filozof anglez thotë se “ Gjaku i derdhur për një ideal është substanca materiale, mbi të cilën mbin e rritet pema e lirisë së një vendi”. Shqipëria e vogël, është një vend i madh që e ka larë çdo pëllëmbë toke me gjakun e bijve dhe bijave më të ndritur, si asnjë vend tjetër. Edhe pse u përgjakën nuk u përgjunjën, u torturuan por s’u ligështuan, sfiduan të ftohtin dhe urinë, por s’u bënë qaraman e lypsa para armikut. Ishte brezi i idealeve të mëdha, që nuk e duroi dot shtypjen, shfrytëzimin dhe pushtimin e të huajve. Dukati ka qenë gjithmonë në ballë të historisë. Nuk është rastësi fakti, që në të gjitha luftërat shekullore për liri e pavarësi, ai ka qenë prezent, duke sakrifikuar bijat dhe bijtë e tij më të devotshëm.

Dukati ka qenë i pushkës dhe i penës

Dukati ka qenë i pushkës dhe i penës, i trimërisë dhe i besës, i burrërisë dhe i bujarisë, por kurrë nuk ka bërë kompromis me idealet dhe karakterin e tij atdhetar. Ky nuk është një deklamim euforik, por një dukuri e shkruar me vepra në histori, që nga lashtësia e deri në ditët e sotme. Asgjë nuk lind në një terren bosh. Nuk është rastësi, që dukatasit me veprimtarinë e tyre patriotike kanë shkruar një faqe të ndritur në historinë e vendit tonë. Ata janë përfshirë në ngjarjet dhe luftërat më të lavdishme të popullit tonë duke qenë pjesëmarrës aktiv, që nga Kryengritja e Madhe Fshatare e vitit 1847, nën udhëheqjen e trimit të çartur të vegjëlisë, Dervish Ali Ajanin dhe shokëve të tij besnik, Elmaz Rodakun, Mete Ali Stepën, Selman Ali Nikhilën, Selman Hyso Petoshatin, e shumë të tjerë. Dukati në asnjë rast nuk ka ndenjur duarkryq kur është vënë në rrezik fati i Atdheut, apo ka pasur ngjarje të rëndësishme që kërkonin akte heroike. Është fshati që ka ecur gjithmonë në trasenë e përparimtarëve dhe fitimtarëve, përkrah njerëzve të shquar të kombit, siç është edhe rasti i Musa Bodos, që ka shoqëruar ikonën e Lidhjes së Prizrenit, Kryetarin Abdyl Bej Frashrin, që luftoi për të mos lejuar copëtimin e trojeve Shqiptare. Lavdia e djalërisë së Dukatit, ka rrjedhur si një burim i pashtershëm gjatë gjithë historisë legjendare të vendit tonë. Në prag të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, Dukati u bë fortesë e pamposhtur në luftë kundër shovinizmit grek, duke luftuar në qafë të Llogorait, në vitet 1912-1914, ku tregoi rezistencë dhe heroizëm të pashoq, duke i sprapsur grekët andej nga kishin ardhur.

Dashuria për atdheun, është mbi të gjitha dashuritë”, shkruan Virgjili

Urtësia popullore e popullit tone, thotë: Kombi që nuk i harron bijtë e tij të rënë në luftë, s’ka mort kurrë, dhe se historia e një kombi vlerësohet nga figurat e shquara që ka nxjerrë. Populli ka thurur e kënduar shumë këngë për dëshmorët, por s’ka asnjë këngë që të jetë kënduar për ballistët e kolaboracionistët. Rapsodi dukatas Dule Havari, në një poezi kushtuar partizanëve shkruan:

“Kur të pa nëna të vrarë,

të kuqon gjaku te balli,

aty plumbi të kish marrë,

aty ku vritet Luani”. Në Luftën E Dytë Botërore, Shqipëria ishte aleate me fitimtarët dhe u radhit përkrah shteteve të mëdha, si SHBA, Anglisë dhe BS në luftë me pushtuesit e përbashkët nazi-fashistë. Kemi pse të krenohemi, se megjithëse një popull i vogël, fitoren mbi fashizmin, e arritëm si askush tjetër me forcat tona. Dëmet e luftës, ishin të mëdha në njerëz dhe në materiale. Mjafton të kujtojmë, se 70.000 vetë humbën jetën dhe brenda këtij numri, si rrallë kush kemi 28.000 dëshmor, që dhanë jetën në lulen e rinisë. 70 për qind e pjesëmarrësve në luftë ishin të rinj dhe 90 për qind e të rënëve ishin në moshën e rinisë. Idealet, janë ndjesi që s’kanë të bëjnë me popuj të vegjël apo të mëdhenj. “Mëmëdhenë e duam jo se është i madh, por sepse është i yni”, ka thënë Seneka-i Riu.