Prof. Arben CICI: Marrëdhëniet shqiptaro-italiane një shekull më parë

23
Sigal

 

Marrëdhëniet shqiptaro-italiane një shekull më parë. Një déjà vue

 Si marrëveshja midis Shqipërisë dhe Anglisë mbi vajgurin shqiptar shkaktoi një alarm të vërtetë në Itali!

  • Italia, e cila pretendonte se i përkiste asaj e drejta të ndërmerrte misionin natyror në Shqipëri, e quajti marrëveshjen si pushtim të Shqipërisë nga Anglia.
  • Në mars 1923 përfaqësuesi italian dhe ai francez protestuan pranë qeverisë shqiptare duke kundërshtuar monopolin anglez.

 Ambasador, Arben Cici

Profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare

Universiteti Mesdhetar

Analiza është pjesë e botimit “Marrëdhëniet shqiptaro-italiane në vitet 1920-1934”, me autor Arben Cici.

 Shqipëria dhe Italia në kontekstin Evropian

Megjithë privilegjet që fitoi Italia mbi shtetin shqiptar sipas vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve të Londrës të vitit 1913, në konteksin e konjukturave botërore, marrëveshja midis Shqipërisë dhe Anglisë mbi vajgurin shqiptar shkaktoi një alarm të vërtetë në Itali. Italia, e cila pretendonte se i përkiste asaj e drejta të ndërmerrte misionin e saj natyror në Shqipëri, e quajti marrëveshjen në fjalë si pushtim të Shqipërisë nga Anglia. Shtypi italian i asaj kohe e quajti këtë akt të Anglisë si një sfidë që u bëhej interesave të Italisë dhe e nxiti Qeverinë italiane për veprime aktive në Shqipëri. Qarqet e Romës shpejtuan t’u kujtojnë anglezëve të ashtuquajturat të drejtat legjitime pararendëse në Shqipëri, punimet e kryera nga ushtria dhe marina italiane për kërkimin e vajgurit, duke dashur kështu të pohonin se zbulimi i tij në Shqipëri i përkiste nismës italiane.

Në arenën ndërkombëtare zhvillohej një luftë e ashpër midis shoqërive monopoliste për të siguruar epërsinë vajgurore në botë. Në vitet e pas Luftës së Parë Botërore vajguri kishte fituar rëndësi të madhe strategjike dhe ekonomike, si furnizues i domosdoshëm i industrisë dhe si faktor vendimtar në konkurencën e në kontranditat midis monopoleve kapitaliste. Në tetor të vitit 1922, në Itali erdhi në fuqi fashizmi dhe Kryeministër dhe Minister i Punëve të Jashtme u bë Benito Musolini, politika e të cilit, ndaj Shqipërisë pati karakter të theksuar kolonialist. Për të realizuar synimet e tij në politikën e jashtme, ai krijoi një komision ndërministror për depërtimin ekonomik jashtë vendit, në krye të të cilit vendosi Contarinin, senator, dhe ministër shteti, ku përfaqësoheshin të gjitha shërbimet italiane të interesuara.

Ky komision përgatiti një strategji të veçantë për Shqipërinë.

  1. Baldaçi boton një artikull duke shprehur në mënyrë të përmbledhur dhe në formë sinteze mendimin e qarqeve zyrtare e kapitaliste të Italisë ku shkruante: ”Në qoftë se lehtësitë që na jep Adriatiku do të na pakësohen, në qoftë se ura jone e kontakteve me Ballkanin do të prishet, të gjitha mundesitë e veprimit drejt Levantit (Ballkanit dhe Detit të Zi) do të rrënohen”.

Në dhjetor të vitit 1922, Ahmed Zogu, nga Ministër i Punëve të Brendshme merr drejtimin e Qeverisë shqiptare dhe në fjalimin e tij para Parlamentit shqiptar ai dërgon mesazhin e politikës së jashtme të shtetit shqiptar në të ardhmen: ”Ne duhet të jemi miq me shtetet fqinje, t’i respektojmë dhe të kërkojmë të na respektojnë pavarësinë dhe integritetin e shtetit tonë dhe bashkë me këtë edhe pavarësinë ekonomike” veç kësaj shtron kërkesën për domosdoshmërinë e këshilltarëve të huaj ekonomikë, për ndihma financiare dhe për investime të huaja për Shqipërinë. Me ardhjen e Musolinit në pushtet, në Itali padronët e mëdhenj dhe bankierët industrialistë të “Trekëndëshit” menduan të orientonin Qeverinë e re drejt një politike të jashtme më pak të lidhur me rregullat liberale të diplomacisë dhe më shumë të shqetësuar për t’i dhënë hapësirë tendencave të tyre ekspansioniste. Dy muaj mbas “marshimit të famshëm të Romës”, Qeveria fashiste filloi të mendojë edhe për marrëdhëniet me Shqipërinë e vogël.

“Miqësia antike do të rinovohet”.

Ky ishte sllogani i përdorur në situatën e re. U bënë dy veprime konkrete. Hapi i parë u bë nëpërmjet ambasadorëve italianë përkatësisht në Londër dhe Paris pranë qeverive britanike dhe franceze për t’i ftuar në bisedimet mbi çështjen e Ballkanit dhe Shqipërisë, për problemet që i interesojne asaj, ndërsa hapi i dytë u bë nëpërmjet të ngarkuarit italian me punë pranë Qeverisë së Athinës, De Façendis, për të penguar vazhdimin e represioneve të rënda mbi shqiptarët e Çamërise. Por një vit më vonë më 1923, faktet nxorrën në shesh këtë miqësi të rreme, e cila kishte synuar t’i bënte një kult politikës imperialiste italiane.

Më 20 shkurt 1923, Ministri italian në Durrës, markezi C.Durazzo i shkruan Musolinit se Qeveria shqiptare, e shtrënguar nga presionet e forta të Qeverisë angleze, ka vendosur t’i parashtrojë Parlamentit shqiptar, në fillim të sesionit të marsit 1923, marrëveshjen me shoqërinë anglo-persiane, ç’ka rrezikon të vendosë monopolin absolut të shfrytëzimit të vajgurit shqiptar në favor të shoqërisë që kishte siguruar pjesën e preferuar prej saj që prej vitit 1921.

Në telegramin e të ngarkuarit me punë a.i. të Italisë në Durrës, Gobbi, drejtuar Qeverisë së vet lidhur me këtë çështje, ndër të tjera thuhet: ”Më është bërë e njohur nga burime zyrtare se anglezët veprojnë edhe me anë të presioneve politike. Z/konsulli i ka lënë të kuptojë Qeverisë shqiptare se qëndrimi britanik lidhur me kufirin jugor dhe problemin e kapitulacioneve do të varej nga përfundimi i favorshëm i konçesionit të vajgurit.

 

Në një memorandum të Qeverisë angleze drejtuar Qeverisë italiane rreth koncesioneve vajgurore në Shqipëri thuhet sa vijon: ”Çështja e vajgurit shqiptar filloi të studiohet për herë të parë nga Anglo-persian më 1920, kur ajo mori një ftesë në rrugë zyrtare nga Shqipëria…Dhe një vizitë në Durrës nga ana e një përfaqësuesi të d’Arcy Exloration Company çoi në një marrëveshje të firmosur më 25 mars 1921.

 

Në këtë situatë ministri italian i sugjeronte Qeverisë së vet se ishte e domosdoshme që nëpërmjet qeverive të Romës, Parisit dhe Ëashingtonit të ndërmerreshin hapa të përbashkëta pranë Qeverisë së Tiranës për të bërë që të

respektohej parimi i “portave të hapura” në Shqipëri, duke nënvizuar se të njëjtën gjë u kishin sugjeruar edhe kolegët e tij francez dhe amerikan qeverive të tyre.

Tekstin e informacionit të përfaqësuesit italian në Shqipëri, Musolini ia dërgoi Ambasadorëve të Italisë në Ëashington dhe në Paris, përkatësisht Caitani dhe Avezzano, duke i udhëzuar të bënin përpjekje pranë qeverive amerikane dhe franceze sipas sugjerimit të markezit Durazzo.

Në këtë kohë, Italia ishte për një veprim diplomatik të përbashkët, të bashkërenditur me palët e tjera të interesuara, për të mos lejuar ratifikimin nga ana e Parlamentit shqiptar të marrëveshjes së nënshkruar midis Qeverisë shqiptare dhe shoqërisë anglo-persiane dhe për të penguar për pasojë vendosjen e hegjemonisë së monopolit anglez mbi vajgurin shqiptar.

Është mëse e kuptueshme që fillimi i investimeve të huaja në Shqipëri në atë kohë ishte domosdoshmëri politike dhe ekonomike. Konçesionet që duhet të bënte Shqipëria kishin lidhje të ngushtë me situatën e brendshme dhe të jashtme dhe, duke analizuar këtë fakt ishte shumë e vështirë për Shqipërinë pranimi ose refuzimi i njërës apo tjetrës ofertë (lexo shtet ), sidomos kur këto shoqëroheshin me presione të hapura.

Përfaqësuesi italian në Tiranë kërkoi që të gjithë bashkë të veprojnë kundër anglezëve. Në mars 1923 përfaqësuesi italian dhe ai francez protestuan pranë qeverisë shqiptare duke kundërshtuar monopolin anglez dhe duke kërkuar zbatimin e politikës së “dyerve të hapura”.

Sidoqoftë, për shkak të presionit të Fuqive të Mëdha, pretenduese për të depërtuar në Shqipëri dhe për shkak të kundërshtimit të opozitës në Shqipëri, deri në vitin 1924 nuk u ratifikua asnjë konçesion nga Parlamenti shqiptar. Një faktor tjetër pengues për këtë procedure ka qënë edhe mungesa e stabilitetit politik në vend, trazirat e herëpashershme dhe dhunimi i kufijve dhe i tërësisë tokësore të Shqipërisë nga ana e monarkive fqinje.

Në këtë skenar të përgjithshëm dalin në pah interesat e huaja ekonomike në Shqipëri, sidomos ato angleze në fushën e naftës, por nuk mbeten mbrapa edhe ato të Italisë, si më e favorizuara në aspektin politik, duke qënë se një konsesus ndërkombëtar kishte pranuar interesat e saj për sigurimin e daljes në Adriatik. Ndërkohë, Qeveria shqiptare mban hapur qëndrimin për të mos bërë asnjë kompromis me fuqitë e huaja duke konsideruar si partnerin kryesor në aspektin politik, ndërsa atë ekonomik Lidhjen e Kombeve, e cila i siguron ndihmën dhe mbrojtjen Shqipërisë.

Në fund të vitit 1923 dhe në fillimi të vitit 1924, në Shqipëri, konflikti i brendshëm politik midis forcave demokratike-borgjeze dhe çifligarëve e borgjezisë së madhe ishte në kulmin e vet. Ky konflikt cekte jo vetëm problemet e brendshme politike (luftën për pushtet), por edhe ato ekonomike (qëndrimi që duhej mbajtur ndaj koncesioneve që kishin kërkuar shoqëritë monopoliste).

 

Përfaqësuesi anglez edhe në vjeshtë të vitit 1923 vazhdonte të kërcënonte qeverinë shqiptare se mund të ndodhë madje që të ndërpriten marrëdhëniet diplomatike dhe të ndërpritet ndihma angleze po qe se nuk lejohet ky konçesion.

 

Kapitali italian dhe pikërisht lobi i fuqishëm i financierëve të mëdhenj italianë enxiti në këtë situatë Qeverinë e Romës që të zhvillojë më tej luftën në Lidhjen e Kombeve për t’i siguruar kapitalit italian ndërhyrjen me epërsi në sistemin monetar dhe të kreditit në Shqipëri. Nëpërmjet krijimit të Institutit Kombëtar për Shkëmbimet me Botën e Jashtme, u mendua varianti më i përshtatshëm, për të siguruar, nën kujdesin e Lidhjes së Kombeve, krijimin e Bankës Kombëtare të Shqipërisë me pjesëmarrjen e gjërë të kapitalit italian dhe nën kontrolin e plotë të tij. Është për t’u theksuar se Qeveria italiane nëpërmjet Mario Albertit, mundi të eliminonte konkurencën e grupeve të tjera rivale. Por ndërkohë që zhvilloheshin bisedime mbi futjen e kapitalit italian në fushën e kreditit dhe të monedhës shoqëruar me debate të brendshme dhe të jashtme, në fillim të vitit 1924 (19 shkurt) në Romë u nënshkrua Traktati i Tregëtise dhe i Lundrimit midis Italisë dhe Shqipërisë. Fuqiplotët e të dy palëve ishin, për Italinë Benito Musolini dhe për Shqipërinë Ministri i Financave, Kol Thaçi dhe ish Ministri i Financave, Fejzi Alizoti.

Nëpërmjet nënshkrimit të këtij traktati Qeveria shqiptare kërkonte të jepte impulsin e parë për të filluar rimëkëmbjen ekonomike të Shqipërisë. Ky dokument, megjithatë, ishte shumë favorizues për Italinë dhe me mjaft kufizime për Qeverinë shqiptare në fushën e veprimit dhe të lirisë në politikën e saj ekonomike. Italisë iu dha statusi i shtetit më të favorizuar në Shqipëri. Megjithatë, në traktat u ra dakord që asnjë nga vendet nënshkruese të mos i japë konçesione një të treti që mund të vepronte në disfavor të njërit apo tjetrit. Traktati, përveç kundërshtimeve që hasi brenda vendit, krijoi pakënaqësi edhe tek fuqitë e tjera, të cilat ishin të interesuara të depërtonin në Shqipëri. Këta faktorë bënë që Parlamenti shqiptar të mos e ratifikoje atë. I njëjti fenomen ndodhi edhe në Itali, e cila, deri në pranverën e vitit 1925, nuk e aprovoi këtë traktat. Italianët e konsideronin Ahmed Zogun projugosllav meqë ai, sipas tyre, besonte se një politikë e miqësisë së mirë me Jugosllavinë do të ishte një drejtim më i zgjuar se sa futja në luftra irredentiste.

Shqipëria në rivalitetin Italo-Jugosllav (1925-1926).

Angazhimi aktiv i Italisë në Shqipëri dhe në Ballkan synonte forcimin e pozitave të saj në gjithë rajonin. Ky veprim, për pasojë, do ulte influencën e Anglisë në Ballkan, do të legjitimonte politikën e saj si fuqi e madhe dhe do t’i jepte fund konfliktit me Jugosllavinë nëpërmjet nënshkrimit në muajin janar të vitit 1924, të Paktit të Miqësisë italo-jugosllav. Në të njëjtën kohë ky veprim politik përbënte një sfidë për Francën dhe interesat e saj ballkanike.

Në thelb të këtij pakti ishte çështja shqiptare ku kërkohej angazhimi i të dy palëve që Italia dhe Jugosllavia të mos ndërmerrnin asnjë hap ndaj Shqipërisë, pa rënë dakord me parë së bashku. Kjo ishte marrëveshja e parë sekrete dhe direkte midis tyre mbi Shqipërinë, e cila u siguronte privilegje të dy vendeve. Në të njëjtën kohë, nëpërmjet nënshkrimit të kësaj marrëveshje, Italia sigurohej të neutralizonte çdo lloj nisme të rrezikshme që mund të ndërmerrte Jugosllavia ndaj Shqipërisë, kurse Jugosllavia mori nga Italia garancinë se irredentizmi shqiptar në Kosovë nuk do të gjente përkrahjen e saj.

Qeveria e Pashiqit kërkonte në mënyrë aq energjike t’i zgjidhte të gjitha problemet e saj ballkanike me Bullgarinë, Greqinë dhe Shqipërinë saqë edhe opinioni publik anglez filloi të shfaqte dyshimin e plotë: se mos do të thotë ky pakt copëtimi i Shqipërisë?…dhe se ndoshta Italia në shënjë kompensimi do të marrë një pjesë të territorit shqiptar?

Por dyshimi ndaj angazhimeve të marra nga Jugosllavia në traktatin e saponënshkruar dhe ndaj politikës së Zogut preku edhe politikën italiane. Rezultat i këtij dyshimi mund të konsiderohet edhe qëndrimi i Italisë ndaj çështjes së Shën-Naumit si dhe letra që Musolini i dërgon në mars të vitit 1924 ministrit italian në Durrës,- Durrazzo, ku ndër të tjera thuhet: ”Nuk është pa vend të theksojmë dëmin që Shqipëria pëson nga vetë veprimi i saj plot dyshime që po zhvillon prej disa vitesh, duke luftuar me çdo mjet për të mos i lejuar Italisë që të ruajë një pozitë mbizotëruese të drejtash, e cila do t’i jepte mundësi asaj të ndërhynte në mënyrë efikase në favor të saj. Si pasojë e këtij veprimi të zhvilluar kryesisht nga vetë Shqipëria, ne tani ndihemi kundrejt saj në të njëjtën pozitë sikurse dhe fuqitë e tjera. Shqipëria nuk mundet, pra, të çuditet e as t’i vijë keq në qoftë se nuk jemi në një pozitë të veçantë që të na japë të drejtën të flasim në emër të saj me një autoritet edhe më të madh.

Ky mbeti boshti i qëndrimit dhe i platformës politike të Musolinit edhe ndaj Qeverisë Demokratike të Fan Nolit që erdhi në fuqi më 10 qershor të vitit 1924, qeveri të cilën, megjithë tendencat e saj proitaliane, nuk e njohu zyrtarisht.

Roma, sigurisht që nuk mund të qëndronte indiferente përballë zhvillimeve të shpejta politike në Shqipëri dhe prirjeve jugosllave e greke për të përfituar prej tyre. Për më tepër, ajo kishte edhe një argument “juridik” për t’u interesuar për gjëndjen në Shqipëri, bazuar në vendimin e Konferencës së Ambasadorëve të 9 nëntorit 1921.

 

Në fillim të marsit, në pragun e mbledhjes së Konferencës së Ambasadorëve në Paris ku do të shqyrtoheshin kërkesat jugosllave për ndryshimin në vijën e kufirit të caktuar nga vetë kjo Konferencë në zonën e Shën-Naumit e të Vermoshit Musolini i telegrafon ambasadorit italian në Paris, Avezzana, që të zhvillonte një aktivitet diplomatik në favor të tezës jugosllave për çështjen e Shën-Naumit.

 

 

Nesër do lexoni:

– Këmbëngulja e qeverisë jugosllave që Italia të mos njihte Qeverinë e re shqiptare

– Mund të pohohet se për Romën, “rregullimi” me Tiranën do të thoshte “prishje” me Beogradin

– Sipas disa historianëve, qëndrimi i qeverisë italiane ndaj çështjes së njohjes së Qeverisë së Nolit në fillim ishte pozitiv

– Diplomacia italiane në këtë kohë, me shumë kujdes, mori kontakte të shumta me shtetet e tjera me synim njohjen e Qeverisë

-Asnjëherë Musolini nuk e harroi se forcimi i pozitave të tij në anën tjetër të Adriatikut do të thoshte dobësimi i Jugosllavisë dhe aleateve të saj.