Prof. Ago Nezha: Luan Muhameti, një meteor që nuk shuhet kurrë,

667
Sigal

Ai kishte pension qesharak 14 mijë lekë, kur qeveritar, deputet e shtetar, me e pa diplomë, marrin rroga e pensione të majme.
LUAN MUHAMETI NJË METEOR QË NUK SHUHET KURRË
Prof. Dr. Ago Nezha
Njeriu vdes kur harrohet. Luan Muhameti, u nda nga jeta para kohe, por me sjelljen, kontributin dhe veprimtarinë e tij të shndritshme, Ai nuk vdes kurrë në kujtesën e shokëve, miqve dhe të afërmve të tij. Për këto dukuri foli dhe pjesëmarria në përcjelljen e tij në banesën e fundit, ku me gjithë situatën kritike që ka krijuar pandemia, njerëzit nuk i përmbajtën dot ndjenjat dhe respektin për të dhe kortezhi që e shoqëroi ishte i pazakontë . U thye çdo kod etik, i vendosur me të drejtë në kushtet e rrezikut të koronavirusit. Ky ritual vazhdon edhe me vizitat në shtëpinë e tij, me ngushëllime te bashkëshortja dhe djemtë e tij, jo vetëm nga Fieri dhe Vlora e Tirana, ku kishte punuar e drejtuar, por nga gjithë Shqipëria. Mesazhet dhe telefonatat s’kishin të mbaruar nga shumë shok e miq, prej shumë vendeve të botës. Ky është tregues i vlerave të njeriut që ka krijuar gjatë jetës së tij dhe kur largohet nga kjo jetë, le pas një emër të mirë dhe një respekt shpirtëror te të gjithë ata që e kanë njohur në punë apo në veprimtari shoqërore.
Po kush ishte Luan Muhameti?…
Luani lindi në malësinë e lumit të Vlorës, në fshatin Mazhar dhe pa filluar të eci sokakëve të fshatit në moshën dy vjeç, i ati i tij Dalipi, u transferua me punë në Fier, ku Luani aty u rrit, u formua, u burrërua dhe u arsimua në Teknikumin Bujqësor të Fierit, ku përcaktoi dhe rrjedhën për të vazhduar studimet e larta, në Institutin e Lartë Bujqësor në Tiranë ( sot Universiteti Bujqësor). Instituti i Lartë Bujqësor,ishte një degë jo shumë e preferuar për shtresat qytetare dhe aristokracinë e shoqërisë të kohës së monizmit, por diploma e këtij instituti falë kapaciteteve intelektuale të pedagogëve lider në lëndët e tyre, që kishin mbaruar universitetet më në zë në vendet perëndimore, ishte e vetmja diplomë universitare shqiptare, që njihesh në gjithë botën. Por fatkeqësisht, si dhe shumë njerëz të tjerë me kontribute dhe vlera të mëdha për kombin, janë lënë në harresë në këto 30 vite të ashtuquajtura demokraci, nga çdo qeveri. Është denigrues qëndrimi ndaj personaliteteve të nivelit të Luan Muhametit, që të trajtoheshin me një pension qesharak 14 mijë lekë të reja, kur qeveritar, deputet e shtetar, mekanik e marangoz, me e pa diplomë, por që dinë ta çojnë ujin nën rrogoz, marrin rroga e pensione të majme. Kjo është fytyra e demokracisë tonë të deformuar. Me Luanin kemi qenë tërë jetën pranë njëri tjetrit fizikisht e shpirtërisht, në të mira dhe të këqija që të sjell jeta. Jam shumë i plagosur shpirtërisht dhe kam një peng që do më shoqëroi sa të jem gjallë që nuk e përcolla për në banesën e fundit, nuk e pashë me sy të mbyllur, t’i hidhja një dorë dhe. Jeta i ka dhe pabesitë veta, që atë që do më shumë ta mohon, për një telefon që qe bllokuar atë ditë. Intelektual si Luani, janë një humbje e madhe për familjen që e ka njeriun e saj më të dashur, për shoqërinë që se ka më pranë një shok dhe mik të mençur e të mirë, për Labërinë që humbi një Personalitet të Shquar e të nderuar dhe për vendin, se njerëz të tillë si Luani janë perla në gjirin e shoqërisë sonë. Me shumë dhimbje e lot, lutemi të prehesh në paqe. Dheu të qoftë i lehtë se ishe një patriot e atdhetar, që Shqipëria të dhimbsej sa jeta jote. Luani do kujtohet për virtytet e tij të larta njerëzore, i matur në veprime, i qetë në gjykime, serioz në punë, i qeshur në shoqëri, i sjellshëm, i dashur, gojë ëmbël, dhe i gjendur pranë halleve të njerëzve dhe i pakursyer për shokët. Ishte njeri me vizion të qartë, njohës dhe përkrahës i së resë.