Presidenti i Republikës dekoron artistët e mëdhenj, Ylli Baka dhe Petrit Lulo

384
Sigal

Kreu i Shtetit Ilir Meta, vlerëson me titullin e lartë ” Mjeshtër i Madh” dy nga artistët më të spikatur të muzikës popullore

  • Ylli Baka, këngëtari me zërin magjik dhe identitetin e spikatur
  • Petrit Lulo, bilbili i këngës, ” Po the Gjirokastër, i ke thënë të tëra”

 

Presidenti Meta vlerëson me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, këngëtarin e mirënjohur, z.Ylli Baka dhe Petrit Lulo

 Ylli Baka, një nga artistët e mëdhenj të muzikës sonë popullore

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, vlerësoi dje me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, këngëtarin e mirënjohur të muzikës popullore shqiptare, z.Ylli Baka, me motivacionin: “Me mirënjohje për përpjekjet e suksesshme dhe arritjet e shquara në prezantimin dhe ngritjen në një nivel të ri të këngës popullore e në veçanti të Jugut të Shqipërisë, si dhe për përfaqësimin dinjitoz të saj brenda dhe jashtë vendit. Për kontributin e shquar në fushën e kulturës, në interpretimin e rrallë të këngës popullore, por edhe në mbrojtjen e promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare si pjesë e fondit të artë të Folklorit Kombëtar”.

 Presidenti Meta: Ylli Baka, këngëtar me identitet të spikatur

Të nderuar pjesëmarrës, kam kënaqësi të veçantë të jem sot, bashku me ju, në këtë ceremoni, për të vlerësuar një nga artistët e mëdhenj të muzikës sonë popullore, z.Ylli Baka, shumë të dashur e të vlerësuar nga publiku shqiptar. Ylli Baka vjen në këngën shqiptare si një këngëtar me identitet të spikatur, duke krijuar një profil të veçantë dhe të papërsëritshëm. Midis shumë këngëtarëve, Ylli Baka është i dallueshëm nga të tjerët, jo vetëm me zërin karakteristik, por edhe me stilin e veçantë të këngëve të tij, që ka sjellë një risi pozitive në këngën shqiptare. Në këngët e Ylli Bakës ndihet në mënyrë të drejtpërdrejtë tingëllimi i polifonisë labe, çka e thjeshtëzon përcjelljen e saj tek dëgjuesit, jo vetëm të trevave të Jugut, por në mbarë publikun shqiptar.

Këngët e tij nuk janë thjeshtë kënge polifonike tradicionale të trevave Labe, të Tepelenës, të Skraparit, të Lumit të Vlorës apo Këngët e Bregut të Himarës e Pilurit, por janë krijime të reja me individualitete, bazuar në motive popullore. Tematika e këngëve të Ylli Bakës është e gjerë dhe e larmishme dhe prek shumë aspekte të jetës së përditshme, nga temat shoqërore, ato lirike e sociale, e deri tek temat patriotike që Ylli i këndon me tërë pasionin e shpirtit të tij. Karriera artistike e Ylli Bakës filloi rreth 16 vite më parë, kur u prezantua para publikut në një koncert në qytetin e Tepelenës. I lindur dhe i rritur në Tepelenë, por edhe me një lidhje të veçantë me Skraparin, nga vjen nëna e tij, Ylli Baka ka luajtur rolin e një ure lidhëse, midis këngës polifonike të Jugut dhe asaj Toske të Skraparit. Ylli është një interpretues i talentuar dhe i veçantë, që bashkon korifeun e këngës Labe të Bënçës, Mjeshtrin e Madh Golik Jaupi, me këngën e Skraparit të kënduar nga legjenda  e iso-polifonisë toske, Demir Zyko. Në rrugëtimin e tij këngëtari Ylli Baka ka kënduar me qindra këngë dhe ka prodhuar disa dhjetëra videoklipe, që mbajnë individualitetin dhe firmën e tij. Me miliona klikime në rrjetet sociale, Ylli Baka është një nga këngëtarët më të preferuar për shqiptarët në Shqipëri dhe kudo në botë. Koncertet e Yllit brenda dhe jashtë vendit janë një moment gëzimi dhe feste për publikun artdashës, i cili i jep pa kursim duartrokitjet.  Vit pas viti Ylli Baka e ka konsoliduar personalitetin dhe individualitetin e tij artistik dhe me zërin e tij të veçantë është kthyer në një ndër figurat më të dashura për publikun dhe popullin shqiptar. Për kontributin e dhënë në prezantimin e këngës popullore të Jugut, si brenda dhe jashtë vendit, si dhe për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare, vlerësoj z.Ylli Baka me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.

Presidenti Ilir Meta: Ylli Baka, shumë i dashur dhe i vlerësuar për zërin magjik

Ylli Baka nuk ka nevojë për shumë prezantim sepse të rrallë janë shqiptarët, që të mos kenë dëgjuar dhe kënduar të paktën një prej këngëve të tij. Shumë i dashur dhe i vlerësuar për zërin magjik dhe interpretimin karakteristik, ai tashmë i ka fituar me meritë zemrat dhe duartrokitjet e ngrohta të publikut, duke u bërë me repertorin e tij, pjesë e pandashme e gëzimeve në familjet shqiptare. Për kontributin e dhënë në prezantimin e këngës popullore të Jugut, brenda e jashtë vendit, si dhe për mbrojtjen e promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare, kisha sot kënaqësinë të vlerësoja edhe në emrin tuaj, Ylli Bakën, me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.

 

 Presidenti Meta dekoron artistin e mirënjohur gjirokastrit, z. Petrit Lulo me Titullin “Mjeshtër i Madh”

Bilbili i këngës popullore dhe polifonike gjirokastrite

  Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi dje me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, këngëtarin e mirënjohur gjirokastrit të muzikës popullore shqiptare, z. Petrit Lulo, me motivacionin “Në vlerësim të kontributeve të shquara në prezantimin e këngëve popullore shqiptare, veçanërisht atyre të krahinës së Jugut, duke spikatur si pasardhës i denjë i iso-polifonisë toske. Me mirënjohje ndaj këngëtarit popullor me zë të ëmbël e melodioz, kumbues e me timbër të pastër, i cili me këngët dhe vlerat e tij të veçanta të interpretimit , ka ngritur më lart madhështinë e kalasë së Argjiros”.

Presidenti Meta: Petrit Lulo, një jetë të tërë duke shkëlqyer në skenë

Kam kënaqësi të veçantë të vlerësoj  një artist të madh, shumë të dashur e të vlerësuar nga publiku shqiptar, z. Petrit Lulo.

“Po the Gjirokastra, i ke thënë të tëra”.

Bilbili i këngës popullore dhe polifonike gjirokastrite dhe jo vetëm Petrit Lulo ka kaluar një jetë të tërë duke shkëlqyer në skenë. Pjesëmarrës në qindra koncerte, festivale, ansamble brenda dhe jashtë vendit, me zërin e tij të veçantë e karakteristik, është bërë pjesëtar i të gjitha familjeve shqiptare për dekada. Lindur dhe rritur në Gjirokastrën e gurtë dhe aq karakteristike, qytetin e sa e sa personaliteteve, Petriti hodhi aty hapat e parë në muzikë. Në Gjirokastrën e kalasë madhështore, Petrit Lulo filloi këngën, për të ngritur më lart madhështinë e kalasë së Argjiros. Me zërin e veçantë dhe magjepsës u dallua që në debutimin e parë, duke u vlerësuar si një ndër këngëtarët më të mirë dhe më premtues. Këngët e tij, si ‘Tjetër herë me djalë’ apo ‘Syzeza’ ishin ato, që i dhanë famë dhe e bënë shumë të njohur në një kohë rekord në të gjithë vendin. Ndërkohë, që u bë edhe pjesëmarrës i rregullt i festivaleve të këngës në Radio Televizionin Shqiptar, duke formuar portretin e tij si këngëtar profesionist. Me një popullaritet në rritje, Petriti vazhdoi të këndonte dhe të nxirrte albume me nivel të lartë artistik edhe pas viteve 90-të. Në këto albume gjen këngët popullore tipike të Shqipërisë së Jugut, me një gjetje tjetër, më të avancuar, të përpunuara dhe të përshtatura për publikun e gjerë artdashës. Petrit Lulo ka mbi 50 vite në skenë dhe kënga për të është ushqim shpirtëror i pandashëm. Në repertorin e tij ka me qindra këngë popullore, këngë polifonike dhe këngë të muzikës së lehtë. Vlerësimet e spektatorëve shqiptarë i ka marrë kudo në botë, ashtu si edhe ato të spektatorëve të huaj, që e kanë duartrokitur me ngrohtësi, kur ka kënduar këngët polifonike shqiptare, në skenat e huaja. Edhe pse prej vitesh jeton në Tiranë, Petriti lidhjen e tij shpirtërore me qytetin e lindjes, Gjirokastrën, e ka shumë të fortë. Me këngët e tij çon kudo, madhështinë e pavdekshme të kalasë dhe karakteristikat e veçanta dhe të papërsëritshme të qytetit historik. Sipas vetë Petritit, Gjirokastra i shtroi ‘kalldrëmin’ e skenës, ndërsa Tirana ‘asfaltin’ e suksesit. Për kontributin e shquar në prezantimin e këngës popullore dhe të lehtë shqiptare dhe për vlerat e veçanta në interpretimin dinjitoz të tyre, kam kënaqësinë të vlerësoj z. Petrit Lulo me Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’ dhe t’i uroj suksese!”

Presidenti Ilir Meta: Po the Gjirokastra, i ke thënë të tëra!

Bilbili i këngës popullore e polifonike gjirokastrite, Petrit Lulo është një nga artistët më të dashur dhe të vlerësuar nga publiku shqiptar. Falë zërit melodioz e kumbues dhe interpretimit virtuoz, këngët e tij për dekada janë bërë pjesë e gëzimeve të familjeve shqiptare, që e kanë duartrokitur me ngrohtësi dhe i kanë dhënë madhështinë e merituar. Mbi 50 vite në skenë dhe me një repertor të jashtëzakonshëm, ai kurrë nuk e shkëputi lidhjen shpirtërore me qytetin e lindjes, Gjirokastrën e gurtë, që siç shprehet i shtroi ‘kalldrëmin’ e skenës. Por madhështinë e kalasë së Argjiros ai e ngriti më lart në Tiranë, që do t’i shtronte ‘asfaltin’ e suksesit, si vet e cilëson. Për kontributin e shquar në prezantimin e këngës popullore e të lehtë shqiptare, për vlerat e veçanta në interpretimin dinjitoz të tyre, duke spikatur edhe si pasardhës i denjë i iso-polifonisë toske, kisha sot kënaqësinë ta vlerësoja Petrit Lulon me Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh