Politika jonë në Ballkanin Perwndimor

331
Sigal

 

 Shënim i redaksisë

Ky numër i revistës periodike shkencore EUROMEDITERRANEAN përmban diskutimet dhe referatet e mbajtura në sesionin plenar dhe në sesionet tematike të Konferencës Shkencore Ndërkombëtare “Politika e SHBA në Ballkanin Perëndimor” të organizuar nga Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë në datat  28-29 tetor 2019.

Qëllimi i kësaj Konference ishte trajtimi shkencor i ridimensionimit të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të politikës së jashtme në kontekstin e një sistemi ndërkombëtar gjithmonë e më shumë dinamik nga perspektiva e teorive të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe studimeve të sigurisë. Fokusi i kësaj konference ishte politika e jashtme e SHBA-ve për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Konferenca bashkoi në një tryezë debati komunitetin akademik dhe kërkues të rinj si dhe politikanë të lartë të rajonit dhe kontribues në politikbërje, për shkëmbimin e ideve dhe divulgimin e punës së tyre kërkimore shkencore për politikën e jashtme të SHBA-ve karshi rajonit, por edhe të gjitha aspektet e tjera të fushave ndërdisiplinare si marrëdhëniet ndërkombëtare, studimet diplomatike, studimet historike, studimet ne fushën e të drejtës ndërkombëtare dhe studimet ekonomike dhe politike.

Në panelin kryesor të sesionit plenar të konferencës referuan Presidenti i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë Prof. Dr. Anastas Angjeli, E Ngarkuara me Punë në Ambasadën  e SHBA-sw në Shqipëri, Leyla Moses-Ones, Kryeministri i Shqipërisë z. Edi Rama, Ambasadori i Karrierës dhe  ish- nën Sekretar i Shtetit për Çështje Politike, z. Thomas A. Shannon, Jr., Drejtori i Programit të Menaxhimit të Konflikteve dhe Politikës së Jashtme Amerikane në Shkollën e Studimeve Ndërkombëtare të Avancuara të Universitetit “John Hopkins”, Prof. Daniel Serwer,  Ambasador Bashkimit Europian në Shqipëri Z. Luigi Soreca, ish -Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Prof. Dr. Paskal Milo, ish- ministri i Punëve të Jashtme të Kroacisë, z. Miomir Zuzul,  ish- ministri i Ekonomisë dhe Financave të Kosovës, Prof.Dr. Ahmet Shala,  si dhe Dekani i Fakultetit të Shkencave Juridike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Prof. Dr. Ksenofon Krisafi. Gjatë ditës së dytë të Konferencës u zhvilluan sesionet tematike të organizuara në tre panele.

Parathënie për botimin

Ambasadorja Yuri Kim

Siç ka theksuar Sekretari Pompeo, Europa sot është pa dyshim një qendër e konkurrencës gjeopolitike. Ky është një fakt që po riformaton rajonin. Vitet e fundit, Moska ka provuar të përdorë forcën për të riformatuar  kufijtë në Ukrainë, ka zhvilluar fushata dezinformuese për të prishur demokracitë dhe u përpoq pa sukses të pengojë aderimin në NATO të Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut. Ndërkohë, Kina ka përdorur platformën 16 + 1 dhe Iniciativën Rrip dhe Rrugë për të krijuar varësi dhe dëmtuar liritë.

Shtetet e Bashkuara dhe Europa duhet të punojnë së bashku më ngushtë se kurrë për të siguruar që paqja dhe prosperiteti që kemi ndërtuar – dhe vlerat dhe institucionet që i mbi të cilat ato janë mbështetur – do të vazhdojnë të zgjerohen dhe të forcohen. Për këtë arsye, Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të mbështetur aspiratat e anëtarësimit në BE të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë. Mundësitë, si dhe sfidat janë më të larta tani që BE ka rënë dakord për një qasje të kushtëzuar për hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Drejtuesit e rajonit duhet të marrin vendime të vështira të domosdoshme për të çuar vendet e tyre përpara në rrugën demokratike.  Shtetet e Bashkuara janë krenarë ta quajnë Shqipërinë një mik, partner dhe aleat, dhe ne jemi të përkushtuar të mbështesim të ardhmen e Shqipërisë si një anëtare e plotë e familjes Trans-Atlantike.