Pali Nito: Ju rrëfej “shuplakt” e Hysni Kapos ndaj Veli Llakës

846
Sigal

Ishte shatori i vitit 1978 kur në rajonin e Fierit zhvillohej stërvitja komando shtabi e korpusit të Fierit ku do të luanin të gjitha shtabet e brigadave regjimenteve dhe shtabet e forcave vullnetare të vetëmbrojtjes popullore. Ishin marrë me kohë të gjitha masat parapërgatitore politike, ushtarake, organizative dhe ato logjistike për ngritjen e opinionit, ndërgjegjësimin dhe mobilizimin maksimal të njerëzve, pra të rezervistëve e që në stërvitje të sigurohej një pjesëmarrje e lartë dhe mbi të gjitha stërvitja të kurorëzohej me sukses dhe pa ngjarje të jashtëzakonshme….

Stërvitja vlerësohej në radhë të parë si një eveniment jo thjeshtë stërvitore por si një eveniment i rëndësishëm politike. Punohej intensivisht si në ushtri ashtu edhe në terren ku të dy palët punonin me sloganin gjithçka për frontin, pra për stërvitjen. Në parantezë kujtoj se atëherë gjërat nuk i liheshin rastësisë dhe spontaniteti por u paraprihej me një sërë masa të gjithanshme dhe kjo ishte arsyeja kryesore që asnjëherë nuk ndodheshim përballë situatave të papritura e skandaloze të padëshiruara pra, punohej me ndjenjë të lartë përgjegjësie dhe më një koshiencë shembullore.

Përfitoj nga rasti që me modesti, thjeshtësi dhe sinqeritet tu bëj një apel institucioneve dhe organeve të qeverisjes qendrore e lokale e sidomos shtabit të përgjithshëm të ushtrisë që të punojnë me përgjegjësi maksimale dhe me kërkesë të rreptë llogarie, që të mos na ndodhin ngjarje tronditëse si kundër ishte rasti ku humbën jetën fatalisht majori dhe tetarja e ushtrisë duke bërë çmontimin në një zonë të minuar në Lituani në kuadrin e NATO-s. Nga pësimet lipset me patjetër që të nxirrnim mësime që të mos na ndodhin më ngjarje të tilla, ndryshe na rroftë NATO-ja. Të më falë lexuesi se ja zhvendosa paksa vëmendjen nga qëllimi që i kam vënë shkrimit në fjalë, por duhet me patjetër të bëjmë lidhjen midis problemeve që na preokupojnë. Gjithsesi i kthehemi problemit në fjalë.

Stërvitja filloi me sinjal kushtrimi diku me telefon, diku me bori, diku me çangë dhe diku me altoparlantë. Unë atëherë sapo kisha përfunduar studimet e larta politike dhe nga sektori ushtarak pranë komitetit qendror të partisë isha anëtarësuar si ndërmjetës pranë komisarit të Brigadës së tankeve në Kolonjë të Lushnjës.

Komanda e Brigadës po drejtonte konsultën me shtabin e Brigadës për situatën ushtarake imagjinare kur befas vjen Hysni Kapua, ishte numri dy i partisë i shoqëruar nga shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë Veli Llaka. Radhën për të raportuar rreth situatës e kishte komandanti i grupit vullnetar të Kolonjës, i cili tepër i emocionuar edhe impresionuar nga prania e Hysni Kapos, vijoi raportimin, por tepër konfuz dhe i hallakatur nuk dinte çfarë fliste, shpesh dhe pa logjikë arsyetimi përsëriste vetveten duke e prezantuar veten si një mediokër ushtarak dhe jashtë kontekstit të situatës imagjinare.

Në këtë moment gjithë tërsëllime e arrogancë ndërhyn krejt pa takt Veli Llaka duke lëshuar një lumë kritikash, vërejtjesh e pakënaqësish ndaj komandantit të grupit vullnetar, por ama edhe më e ashpër ishte ndërhyrja dhe reagimi i Hysni Kapos ndaj Veli Llakës, duke iu drejtuar atij me fjalët: More Veli, ç’dreq tabiati keni kështu xhanëm, lërini shokët të shprehin lirisht mendimet e tyre ashtu si i mendojnë dhe gjykojnë dhe në fund komandanti i Brigadës dhe ju bëni korrigjimet dhe rregullimet e nevojshme, dhe më tej vazhdoi: “Akoma vazhdoni t’i shikoni vartësit nga maja e Olimpit e me mospërfillje, si bëzhdila dhe krejt si njerëz të rëndomtë e pa vlerë?! Mbas katër vjetësh të dënimit të veprimtarisë armiqësore në ushtri partia dhe shoku Enver presin ndryshime dhe përmirësime të dukshme dhe esenciale në marrëdhëniet epror-vartës por, me sa po shohim paskemi akoma shumë më tepër për të bërë.” Pas gjithë këtyre ndërhyrjeve dhe shuplakave të rrepta, Veli Llaka u gjunjëzua, u skuq vesh më vesh, u struk si pulë e lagur dhe nuk u bë më i gjallë deri sa mbaroi konsulta e shtabit të Brigadës.

Theksoj, se funksioni i shefit të shtabit të ushtrisë në të gjitha sistemet dhe regjimet është tepër i rëndësishëm, bile në situatë lufte bëhet akoma edhe më i rëndësishëm, por Hysni Kapua kishte autoritet absolut, ai konsiderohej si numri dy i partisë, kishte merita dhe kontribute të pa diskutueshme në luftë, madje Enveri e cilësonte atë si komisarin e ushtrisë dhe Besniku e Partisë. Mbasi përfundoi konsulta e shtabit të Brigadës iu drejtua sekretarit të byrosë partisë së Brigadës me pyetjen: Po tani çfarë do të bëni? Dhe ky i fundit gjithë trimëri dhe optimizëm iu përgjigj:  -Tani shoku Hysni do të bëjmë mbledhjen e byrosë së partisë Brigadës për të miratuar vendimin e komandës së Brigadës.

-Po mirë, i tha Hysni Kapua, bëjeni këtu në një qoshkë, meqë konsulta e shtabit përfundoi.

-Jo këmbënguli sekretari, do ta bëjmë mbledhjen në zyrë e byrosë.

-Ç’thua more shoku sekretar, armiku vazhdon të godasë egërsisht me aviacion, tanke, artileri dhe aviacione, ku pret puna të hapësh dyer e kasaforta!

-Dakord po e bëjmë mbledhjen këtu dhe vijoi me ato shabllonet dhe hyrjet dhe daljet e mbledhjes sikur të ishim në kushte krejtësisht paqësore duke vijuar duke thënë, se na nderon më pjesëmarrjen e tij në këtë mbledhje filani…, por Hysni Kapua i ndërhyri jo pa nervozizëm duke i thënë:

-Ore po qenke i çuditshme ti, në rajonin e Brigadës bëhet luftë dhe ti thua, merr pjesë filani dhe fistani, ore je në terezi ti apo jo, gjithë Brigada është futur në situatë luftarake, ndërsa ti vazhdon të jesh akoma jashtë situatave. Ndërsa sekretari i partisë së Brigadës ia ktheu vendosmërisht e me ton të lartë:

-Epo e thashë dhe po e përsëris se është nder për komunistët, kuadrot dhe efektivin e Brigadës që në mbledhjen e byrosë merr pjesë Besniku i Partisë dhe të gjithë ne të pranishmit njëherësh dhe instinktivisht duartrokitëm për Hysni Kapon, i cili u skuq në fytyrë dhe, fatkeqësisht, ky ishte takimi i fundit me të, pasi në shtator të vitit 1979 Hysni Kapua ndërroi jetë në një nga klinikat mjekësore të Parisit duke pikëlluar familjen, ushtarakët dhe mbarë popullin shqiptar.