Nga Bashkim Sulçe: Mësuesja që luftoi kundër analfabetizmit

262
Sigal

Mësuesja e parë e kurseve në luftën kundër analfabetizmit të fshatit Bitaj të Lushnjës, në vitet e para të pasçlirimit, ka qënë Vezire Sefedin Sulçe. Vezirja ka lindur në fshatin Radesh të Skraparit më 15/02/1935.

Fëmijërinë deri në moshën nëntë vjeçe e kaloi në fshatin e lindjes. Babai i saj, ka qenë borizan në ushtri në qeverinë e Ahmet Zogut, për 11 vjet nga vitet 1928-1939. Me okupimin fashist të vendit, Sefedini shkoi në Skrapar dhe u aktivizua me çetën partizane të fshatit, ku komandant ishte Sabri Sulçe. Kur erdhi në 1944 në Bitaj, ku bleu një kasolle të një të ardhuri nga Kosova, dorëzoi armën në komunën e Libofshës. Vdiq më 11 nëntor 1986 në Kolonjë, ku lagja e mori në krah deri në varrezat, sepse nuk i dhanë as qerre e as karro për ta përcjellë, se makinë jo se jo. Regjimi i Hoxhës e ka trajtuar familjen fillimisht si familje e xhandarit, pavarësisht se ndonjë tolerim e ka bërë. Në nëntor 1944 familja e Vezires u vendos në fshatin Bitaj, lagjja “Gropa e madhe”…(Sikur të mos i mjaftonte gropa që e “futën” babanë dhe vetë familjen!”).

Shkollën fillore e kreu në fshatin Kolonjë. Shtatëvjeçaren nuk e kreu dot në ato vite, sepse të tillë nuk kishte Kolonja. Qendroi dy vjet në shtëpi. Atdheu i sapo çliruar fatkeqësisht ishte dhe ai tërë “Gropa” e me mjaft probleme të infrastrukturës. Vendi që të ndërtohej, duhej së pari të arsimohej, që të zhdukej errësira në mendjet e njerëzve.Ashtu siç bëhej në luftë, edhe pas luftës, vendi hodhi kushtrimin për zhdukjen e analfabetizmit. Në një mbledhje fshati u përhap mendimi se shumica e grave dhe e vajzave mund të ndiqnin kurset për të mësuar shkrim e këndim shqip. Nga mesi i turmës ngrihet në këmbë një vajzë e re, gjashtëmbëdhjetëvjeçare dhe angazhohet se vajzat e gratë e Bitajt do t’i mësonte vet ajo që të mësonin shkrim e këndim në gjuhën shqipe. Kjo ishte Vezirja. U kërkua ndihmë nga populli i fshatit që të gjendej një dhomë për të organizuar mësimin e kursit. U bë regjistrimi i shumë grave e vajzave për të vazhduar kursin. Mësimi për një vit rresht u zhvillua tek shtëpia e Misir Banush Beqirit, i cili lëshoi dhomën e fjetjes për t’u përshtatur si klasë mësimi për vajzat.

Mësimi zhvillohej ulur në dyshemenë përdhese. Me shumë mundime u sigurua një copë dërrasë e zezë që do të shërbente si mjet për të shkruar shkronjat shqipe dhe temat e mësimit sipas programit që vinte nga rrethi. Në vitin 1951-52 mësimi u zhvillua tek shtëpia e z. Xhevit Nezet Çela. Me punën bindëse të Vezires, mbas disa muajsh, burrat nuk i shoqëronin më gratë e të rejat deri në kurs. Forcat regresive të kohës punonin në të gjitha mënyrat që këto gra e vajza të mos mësonin shkrim e këndim. Vajzat e fshatit mësuan të shkruajnë e të lexojnë mjaft mirë dhe nuk ndaleshin në rrugën e dijes. Për atë kohë Vezirja kujtonte: “Pata dëgjuar zëra jo të këndshme për veten time. Kjo vajza e Sefedinit, thoshin, po na i prish e po na i fut vajzat tona në rini …po u mëson shkrim e këndim. E, çfarë u hyn në punë vajzave shkrimi para punëve të shtëpisë?…Unë nuk ua vura veshin këtyre llafeve, por vazhdova rrugën që t’u hapja horizontin grave dhe vajzave të fshatit. Në fund të kursit, dyvjeçar u nderova me “Fletëlavdërimi”, të cilën e kam dhënë për ta afishuar në muzeun e Kolonjës. Në vitin 1953 unë u largova për në Tiranë, ku më mori daja im dhe më gjeti edhe një punë. Në vitet në vazhdim martohem me z. Nesim Bakiu, oficer. Rritëm dhe edukuam pesë fëmijë, tre djem dhe dy vajza. Duke pasur burrin oficer, kam banuar edhe në Vlorë e në Rrëshen. Jetë ushtarake! Edhe pse kisha pesë fëmijë të vegjël, mbarova shkollën e mesme “Bardhok Biba” në Rrëshen.

Kam punuar disa vite në repartin ushtarak si daktilografiste. Kam punuar edhe në Institutin e Kërkimeve Indiustriale deri sa dola në pension.” Djali i madh, Luani dhe i treti, Iliri, janë emigrantë, njëri në Amerikë e tjetri në Itali. Vajza e dytë, Eglantina Bakiu ka punuar  këngëtare në Teatrin e Operas dhe të Baletit dhe atje doli në pension. Më 1989 i vdes burri dhe duhej të përballonte një ngarkesë më të madhe në familje. Vezirja ruan edhe një procesverbal kur ka qënë anëtare në Komisionin e kursit kundër analfabetizmit me Todi Papën dhe Isuf Gjolenën, ku janë edhe emrat e vajzave të fshatit frekuentuese të kurseve, të vlerësuara  me nota.Ato ishin: File Beqiri, Bajame Mediu, Xhemile Çela, Sheqere Gjolena, Salushe Plloma, Hysnie Çela, Razie Çela ( e zonja e shtëpisë që hapi dhomën për kurs), Hatixhe Beqiri, Xhevaire Gjolena, Vita Burgjia, Zare Axhemi, Kadrie Çela, Shaqe Arapi, Ngjelina Koçi, Llamba Doko dhe Refije Kurana”. Në një relike të asaj kohe, për punën e Vezires lexohet: “Duke parë punën e mirë për organizimin e drejtimin e kursit kundër analfabetizmit, ju jepet kjo Fletëlavdërimi. Më 7/6/1952”.

Vezirja kishte dëshirë edhe të shkruante poezi, të cilat i mbante fshehur nga syri i shoqeve të saj:

Ja njëra prej tyre e titulluar “MALL”

Në arë kur delje

sa kishe lezet:

Fustanin të verdhë

flokët thurur gërshet.

Me shportë në dorë

ti më hidhje fare!

Të rejat e fshatit

i ftoje në garë.

S’mund të rri pa ty!

S’rri dot pa të pare!

O moj vashë e bukur

malli më ka marrë.

Vezirja fatkeqësisht ndërroi jetë më 19 nëntor 2021, në kushtet e izolimit të plotë nga “kovid 19” dhe u varros në Sharrë pa praninë e njerëzve të afërt, me përjashtim të fëmijëve. Dhimbje e madhe qe për vëllanë e vetëm dhe motrën, por e kapërcyem. Me rastin e një vjetorit të largimit nga jeta i bëjmë këtë homazh si një kujtesë dhe respekt nëpërmjet gazetës “Telegraf”. U prehësh në paqe, motër!