
Krijuesi kosovar Ag Apolloni, që ka bërë dhe parathënjen e dramës, në ligjërimin e tij theksoi se profesor Rexhep Qosja, në po ato vite që botoi romanin “Vdekja më vjen prej syve të tillë” (1974), që sjell për herë të parë modelin postmodernist në letërsinë shqipe, nisi të shkruajë dhe dramën e parë, “Sfinga e Gjallë”, e cila u inskenua në vitin 1976, ndërsa u botua në vitin 1978, bashkë me dy drama të tjera ( ‘Beselam pse më flijojnë’ dhe ‘Vdekja e një mbretëreshe’), nën titullin e përbashkët “Mite të Zhveshura”. Autori i parathënjes Ag Apolloni, theksoi se ashtu si teatri postmodern bën demitizimin e metarrëfimeve si të “vërteta”, ideologjike, drama ‘Sfinga e Gjallë’ ndjek të njëjtën rrugë, duke bërë demitizimin e të drejtës kanunore për gjakmarrje. Kjo dramë dallohet nga statusi i dyfishtë i lojës: loja si tekst i destinuar për t’u luajtur dhe loja si tallje me temën. E para i jep dramës karakter ritual, ndërsa e dyta i jep status parodie. ‘Sfinga e Gjallë’, si metadramë, manifeston të gjitha elementet e rëndësishme të poetikës së teatrit postmodern, përfshirë këtu intertekstin, fragmentaritetin e karaktereve, teatralitetin, ironinë, paradoksin, kodin e dyfishtë etj. ‘Sfinga e Gjallë’ refuzon të vërtetën kanunore, primitive dhe ndërton të vërtetën moderne, intelektuale. Autori insiston të tregojë që nuk përbën krim shkëputja nga tradita, që glorifikon krimin, nënvizoi parathënësi.

Prezantimin e këtij libri në panel botuesja Irena Toçi e kishte konceptuar me dy ligjërues ku pjesën e dytë do flitej për krijimtarinë dhe veprimtarinë e profesor Qoses në tërësi nga profesor Ago Nezha edhe në cilësinë e Kryetarit të Shoqatës Atdhetare Kulturore Labëria “Nderi i Kombit”, ku profesor Qosja është dhe Kryetar Nderi.
Ai, theksoi se Shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria” është e privilegjuar që ka Kryetar Nderi një personalitet gjigand të mendimit filozofik, publicistik dhe letraro-artistik të kombit.
Profesor Qosja, dihet tashmë që është ndër ato simbole unikale të kombit që me veprat dhe krijimtarinë e tij të larmishme e të pashtershme si historian i letërsisë shqipe, kritik, eseist, romancier, dramaturg dhe publicist, ka dhënë dhe po jep një kontribut të çmuar dhe ka zënë vend në fondin e artë të letërsisë shqipe. Krijimtaria e tij e vyer i ka kaluar kufijtë e Kosovës dhe Shqipërisë dhe është bërë pronë e shumë popujve të Ballkanit, e më gjerë. Veprat e tij madhore, korpusi prej mbi 30 tituj si: “Historia e letërsisë shqipe” në tre vëllime, “Fjalori demokratik”, “Porosia e madhe”, “Çështja Shqiptare, Historia dhe politika”, “Popull i ndaluar”, “Strategjia e bashkimit Shqiptar”, “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, “ Të fshehtat e treguara”, “Ditare”, e shumë të tjera që janë në qarkullim nëpërmjet Shtëpisë Botuese “TOENA”, janë bërë pronë e institucioneve arsimore e kulturore e bibliotekave personale dhe i gjen në duart e lexuesve të shtresave të ndryshme të shoqërisë. Në romanin e fundit të fshehtat e treguara, ndryshe nga veprat e tija letrare, Ai, përpos personazheve imagjinare, që janë më të shumta, në këtë roman omnibus, paraqiten edhe personazhe reale, me nofka, emra e mbiemra të vërtetë ose të ndryshuar, që janë të paktë. Sjelljet veprimet, mendimet e tyre të mira apo të këqija, paqësore apo të dhunshme, të dëshirueshme apo të frikshme, janë të imagjinuara e jo vërtet të ndodhura. Në qoftë se ndonjëri prej tyre i pëlqen shumë apo e tranon vetja në roman, kjo s’është as meritë e as faj i shkrimtarit po i vetë personazhit.

Me punën dhe talentin e tij, ai është bërë protagonist i aristokracisë letrare. Profesor Rexhep Qosja është pjesëmarrës dhe firmëtar i Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972, mbajtur në Tiranë ( vepër kjo madhore në njësimin e gjuhës shqipe), me një kontribut të spikatur që e jep me gjykim të prerë te vepra për Naimin “Porosia e madhe”. Aty thekson se: ‘U them gjithë bashkëkombasve të mi që të shkruajnë në gjuhën letrare se ndryshe do vij një kohë që nuk do t’i kuptojnë as krahinorët e vetë. Një rol determinant ka pasur dhe në firmosjen e marrëveshjes së Rambujes, që ishte jetike për çështjen e fitores së Kosovës.
Dijetar dhe shkrimtar të përmasave të Qoses, janë ambasadorë të fuqishëm që i japin emër dhe e bëjnë të njohur vendin në arenën ndërkombëtare. Duke nderuar dhe respektuar figura madhore si Profesor Rexhep Qosja, ne nderojmë dhe respektojmë kombin. Kushdo që kërkon të hedhë baltë mbi jetën dhe veprën e njerëzve të shquar i bën një shërbim të vyer antishqiptarizmës.
Më shumë se kushdo tjetër një vend i vogël si ky i yni e ka të nevojshme që figurat e shquara t’i ketë të vendosura në piedestalin e vet. Me veprën dhe kontributin e tij madhor, me qëndrimin e tij të paepur dhe pa kompromis në të gjitha periudhat historike, duke qenë në shënjestër si askush tjetër të shovinizmit serb, duke e parë si një rrezik potencial të regjimit obskurantist, ai diti të frymëzojë masat me idetë dhe veprën e tij.
Akademiku Qosja, pa mëdyshje dhe pakontestim është “Rilindësi i kohës tonë” Nderi i Kombit dhe i mbarë Shqiptarizmës kudo në botë.




















