Naxhi Kasoruho: Në mes të nxënësve që mësoja për muzikë ishte dhe Bashkim Fino që mësonte për violinë

Ishte shtatori i vitit 1973 kur u emërova si nëndrejtor në Shkollën e Muzikës Gjirokastër

Gjirokastra – thotë Kadareja, duket sikur ka dalë një natë dimri në anë të rrugës si qënie prehistorike

Nga: Naxhi Kasoruho “Mjeshtër i Madh”

Sigal

Në të gjithë librat e mi të botuar jam munduar të promovoj dhe të sjell në vëmendjen e opinionit publik vlerat e qytetërimit gjirokastrit në tërë dimensionin e kësaj trashëgimie, që vjen nga thellësia e shekujve deri në ditët tona. Ky qytet magjepës si “Pikë e floririt mbi malin e gjërë“ ndërtuar në pesë brinjë si pëllëmba e dorës që duken si përrenj të stërgjatur, që zbresin poshtë deri në brigjet e lumit Drino është vlerë dhe kontribut në kulturën tonë kombëtare.

“Gjirokastra – thotë Kadareja- duket sikur ka dalë një natë dimri në anë të rrugës si qënie prehistorike. Ishte në të vërtetë një qytet i çuditshëm”.

Dhe vërtet ashtu është, siç thotë edhe kënga: “Gjirokastër hane –hane,/ E mençur dhe kapedane,/Ke lindur nga mali i Gjërë,/ Syri yt sheh larg përherë./Çdo shtëpi kështjellë guri,/Kush të pa dhe nuk të mburi”.

Këtë Gjirokastër të bukur, të mençur, kapedane, të dashur që i do të gjithë jam munduar ta sjell në librat e mi si obligim për vendlindjen, që na ka dhënë gjithçka dhe emrin e saj që ne e përdorim si mbiemër dhe kur dikush na pyet se nga je, ne i përgjigjemi: “Jam nga Gjirokastra”.

E formuar në shekuj më parë kur u ndërtuan shtëpitë e para nga banorët që jetonin në kështjellë, Gjirokastra është qytet i veçantë, ndoshta unik që është ndërtuar mbi bazë të fiseve.

Ndoshta e ekzagjeroj, por mbiemrat gjirokastritë nuk ngjajnë me asnjë tjetër jo vetëm të krahinave përreth, por edhe në rajon.  Nuk di se çfarë do të thonë këto mbiemra, por ato nuk i gjen askund dhe të ndryshme me të, por i huazojnë ato nga toponime të ndryshme si emra të maleve, luginave, lumenjëve etj.

Në këtë bashkësi mbiemrash bën pjesë edhe fisi i mirënjohur Fino me njerëz fisnikë paraardhës dhe pasardhës. Si gjirokastrit i lindur në lagjen Cfakë kam patur gjiton familjen e xha Murat Finos që e kishte shtëpinë në krye të sokakut të lagjes “Manalat i parë“ që e lidhte me sheshin e Mejdanit.

Xha Murati ishte i njohur në lagje dhe qytet si burrë i urtë, i fjalës, muhabetit e këngës.

Fëmijët e tij: Engjua, Luani, Nustreti e Arbani ishin afërsisht moshatarë me mua dhe mësonin në shkollën 7-vjeçare “Naim Frashëri” që ishte te shtëpia e madhe  e Çoçolaltëve. Jeta e tij në vazhdimësi e solli që të ishim pranë njëri-tjetrit, si kolegë e bashkëpunëtorë të ngushtë, miq e bashkëqytetarë të dashur e të respektuar.

I këtij fisi fisnik e të dëgjuar në Gjirokastër është edhe i paharruari Bashkim Fino, që nuk e kemi më dhe që na ka hidhëruar të gjithëve.

U ula t’i shkruaj këto rreshta për gjirokastritin fisnik të dashur dhe respektuar Bashkim Fino si homazh, vlerësim e konsideratë të lartë dhe mirënjohje për gjithçka që ka bërë për qytetin e tij të lindjes dhe kudo ku ka punuar duke ngelur në memorien popullore.

Në këtë fillimdhjetori isha në Gjirokastër dhe emocionet, mbresat, kujtimet, nostalgjia e malli më kthejnë prapa në kohë për të kujtuar e rikujtuar si në një film dokumentar, ngjarje, njerëz, histori, miq e kolegë, bashkëlagjas e bashkëqytetarë të nderuar ku kam kaluar 82 vjet të jetës time dhe ja u ula të shkruaj me respekt të veçantë për njerin nga këta gjirokastritë për të paharuarin Bashkim Fino.

Ishte shtatori i vitit 1973 kur u emërova si nëndrejtor në Shkollën e Muzikës që kishte pesë vjet, që ishte hapur. Ishte një grup i vogël nxënësish që studionin për violinë, piano, klarinetë e flaut, që i jepnin gjallëri lagjes pranë shkollës me tingujt e veglave të tyre. Midis tyre studionte për violinë edhe nxënësi Bashkim Fino. Bashkimi ishte i pakët nga shtati, por i qeshur, i shkathët, i dashur me shoqet e shokët, i dalluar në mësime dhe i talentuar në mësimin e violinës. I doja të gjithë nxënësit e shkollës mbasi ata ishin të talentuar dhe disa nga ata jo vetëm mbaronin studimet në shkollat e muzikës në Gjirokastër, Korçë, Durrës  dhe Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, por edhe në Akademinë  e Arteve. Nuk di pse, por Bashkimin e shikoja me dashurinë e një ndjenje prindërore.

Vite më parë ai kishte humbur babanë e tij të dashur të paharruarin Muhamer Fino duke e lënë të vogël me nënë Rezmon, e cila e rriti me gjithë dashurinë e shpirtit. Nën Rezmo e paharruar dhe fisnikja nga ajo kohë e në vazhdim gjithë jetën e saj ia kushtoi rritjes, shkollimit, edukimit të djalit të saj të dashur. Ishte një shembull i veçantë ky i nënë Rezmos, prandaj gjithë qyteti e respektonte, vlerësonte dhe admironte për zgjedhjen e jetës së saj.

Nën kujdesin e saj Bashkimi mbaroi gjimnazin “Asim Zeneli” në Gjirokasatër dhe pastaj universitetin e Tiranës në Fakultetin Ekonomik. Mbas sudimeve ai vjen në Gjirokastër dhe punon në detyra drejtuese në fushën e ekonomisë. Mbas vitit 90-të me ndërrimin e sistemit aktivizohet tërësisht në politikë në forumet e Partisë Socialiste në Gjirokastër. Në zgjedhjet e marsit të vitit 1992 Bashkim Fino u zgjodh kryetar i Bashkisë Gjirokastër. Nis kështu karriera gjithmonë e në rritje deri në fund të jetës.

Në detyrën e kryetarit të Bashkisë Bashkimi do të arrinte rezultate pozitive dhe dashurinë e gjithë qytetarëve të qytetit të Gjirokastrës. Duke u edukuar me kulturën muzikore ai do të tregonte respekt për artistët e qytetit dhe do t’i përkrahte ata në veprimtaritë artistike që zhvilloheshin në atë kohë.

Mw vonw Bashkim Fino u martua me njw zonjë Dianwn dhe ka lënë dy fëmijë, djalë dhe vajzë. Vajza Megi Fino është zëvendësministre në Ministrinë e Jashtme me integritet të lartë intelektual dhe qytetar duke gëzuar respektin e kolegëve dhe trashëguar vlerat, dinjitetin dhe personalitetin e babait të saj të shtrenjtë e të paharruar.

Në marsin e vitit të mbrapshtë 1997 kur u shpall falimentimi i firmave piramidale populli i revoltuar doli në sheshet e qyteteve, në mbarë vendin duke kërkuar sigurimin e parave të tyre të investuar në këto shoqëri, revoltat që dolën jashtë kontrollit aq sa ju vërsulën si të tërbuar depove të armatimit dhe rrëmbyen nga aty gjithë armët deri në ato të rëmdat si mitrolozë, bomba e granata deri në automatik duke sjellë destabilizimin e rendit shoqëror.

Qeveria dhe politika dështuan në këtë menaxhim të situatës dhe pas debateve të shumta, u ra dakort që të formohej një qeveri pluraliste që u quajt “Qeveri e Pajtimi Kombëtar” për të kaluar situatën dhe siguronte zgjedhje të reja të lira dhe demokratike.

Me Dekret të Presidentit të Republikës kryeministër i Shqipërisë u emërua Bashkim Fino. Ky lajm erdhi befasues për opinionin publik. Ne gjirokastritët e pritëm me respekt dhe vlerësim këtë emërim të djalit tonë prandaj e përcollëm me dashuri, respekt dhe mbështetje Bashkim Finon tek fusha e Aeroportit të qytetit ku e priste helikopteri që do ta çonte në Tiranë për të filluar detyrën e kryeministrit të vendit.

Të gjithë e sjellim në kujtesë atë kohë kur Bashkimi si kryeministër së bashku me Vranickin përfaqësuesin e Europës vazhdonin ecejaket nga godina e qeverisë në presidencë gjatë gjithë ditës deri natën vonë për të gjetur një zgjidhje të kësaj situate katastrofike, që kishte dalë jashtë kontrollit. Ndryshe nga Sizifi që nuk e ngjiti dot “gurin e rëndë“ në majë të malit Bashkim Fino në moshë të re, me shpatulla të njoma i pakët nga shtati, por i fuqishëm nga dashuria për popullin dhe atdheun, vizionar këmbëngulës, guximtar, i pakthyeshëm, besnik në amanetet e të parëve, për ta mbrojtur e begatuar këtë vend dhe për të parë gëzimin në sytë e çdo fëmije e ngjiti “gurin e rëndë“ në majë të malit duke shmangur katastrofën dhe të gjithë iu gëzuan lindjes së diellit.

Por Bashkim Fino papritur në moshë të re dhe aktive në detyrat që kryente me përkushtim u nda nga jeta duke lënë në pikëllim familjen e tij, miqtë, kolegët, bashkëpunëtorët dhe bashkëqytetarët gjirokastritë.

Për të gjitha këto Bashkim Fino hyri në memorjen popullore dhe historiografinë e vendit tonë duke  ngelur deri në përjetësi si simbol dhe shembull për të gjithë pasardhësit.