Naxhi Kasoruho/ Gurë që vlejnë me shumë se perlat: Guri i qoshesë, guri i varrit, guri i fundit

675
Sigal

Në atë kohë në shumë festivale të pionierëve u kompozuan këngë për këta fëmijë që u quajtën “Skalitësit e vegjël”

-Impresione në ditët e pandemisë-

 Naxhi Kasoruho,

“Mjeshtër i Madh”

Ishin vitet 60-të kur fëmijët e Beratit qytetit 2400 vjeçar të 1000 dritareve vlerë në trashëgiminë botërore që mbrohet nga UNESCO, morën inistiativën për të skalitur gurët dhe riparimin e kalldrëmeve të sokakëve të lagjeve të qytetit. Me çekiç në duar fëmijët u ngjitën sokakut të lagjes “Mangalem” duke filluar të skalisnin gurët dhe në kujdesin e ustallarëve të vjetër filluan t’i vendosnin ato në reshta, duke u dhënë një pamje të bukur gjithë rrugicave të qytetit.

Në atë kohë në shumë festivale të pionierëve u kompozuan këngë për këta fëmijë që u quajtën “Skalitësit e vegjël” me motive muzikore të gëzuara që përgëzonin punën e tyre të bukur. U pëkrah kjo iniciativë edhe nga pionierët e qytetit muze të Gjirokastrës, që edhe ky si Berati, është në listën e trashëgimisë botërore që mbrohet nga UNESCO qysh në vitin 2005.

Si gjirokastrit, i ndiqja me respekt dhe vëmendje këta pionierë që me çekiç, çak e çuk skalisnin gurët e kalldrëmit të sokakëve të lagjeve të qytetit në Dunavat, Palorto, Varosh, Hazmurat, Cfakë, Manalat duke trashëguar në breza profesionin e skalitësit që kanë bërë prindërit dhe prindërit e prindërve të tyre. Gjirokastra është qytet unikal, jo vetëm në rajon por shumë më gjërë, i ndërtuar i gjithë me gurë nga themelet e shtëpive, deri tek rrasat e gurta të çative.

Nga ustallarët e vjetër si: Bajram Zhuli, Adil Kore e deri tek gdhëndësi i sotëm Pertef Makriu që e ka dyqanin tek “Mesi i Pazarit”, kanë skalitur  me dashuri dhe durim mijëra gurë që janë në muret e larta të shtëpive- kështjellë të qytetit të gurtë dhe në gjithë kalldrëmet e sokakëve të lagjeve. Shikojmë këtë fotografi befasuese të kalldrëmit të pazarit të Gjirokastrës që duket si një qilim prej guri që ustallarët duarartë e kanë riparuar këto kohët e fundit duke e kthyer atë në një vepër simbol të qytetit. Pra guri është elementi kryesor i këtij qyteti, befasues prandaj e quajnë “Qyteti i gurtë“.

Guri i qoshesë:  Gurët që vendoseshin në qoshe mureve të shtëpive karakteristike merrnin vlera të veçanta jo vetëm si kufizime të një faqe muri por edhe si pamje estetike. Në një shtëpi, ku nga pjesa ballore është sa një pallat me katër kate, gurët e qoshesë të një ane mund të jenë rreth 80, pra një sasi gurësh që duhen skalitur me kujdes dhe që kërkojnë një kohë të gjatë pune. Me gdhendjen e këtyre gurëve merreshin ustallarët e vjetër që gjithë jetën e tyre me daltë e çekiç në dorë kishin skalitur me mijëra gurë që janë dëshmi historike dhe bukuri estetike e shtëpive- kështjellë të qytetit të Gjirokastrës.

Kur flas për ustallarët e Gjirokastrës që janë të dëgjuar në krejt rajonin për punën e tyre artistike nuk kam parasysh ata të 80 vjetëve më parë, por edhe ata të dy shekujve më parë, që kanë emrin e tyre në sarajet e Zekatëve, Angonatëve, Kabilatëve, Kokalarët, Kokobobos, Mezinatëve, Secfatëve dhe shumë shtëpi të tjera një qytet i tërë i ndërtuar me gurë, që këta ustallarë na kanë lënë si trashëgimi këtë “Perlë të Ballkanit” që i thonë Gjirokastër.

Qoshja është vendi i nderuar edhe në Odanë e Madhe të shtëpive gjirokastrite. Kur në shtëpi vjen një mik i nderuar, aneja e pret në Odanë e Madhe dhe i thotë “Mirsëerdhe, urdhëro ulu në qoshe”. Fjala “Guri i qoshesë“ përdoret edhe për të përcaktuar pozitën shoqërore të dikujt duke e cilësuar atë si guri i qoshesë, si njeri me rendësi në familje, fis, shoqëri e deri tek vendi i punës që kryente.

Gurët e qoshesë marrin një vlerë të veçantë në faqen e një muri dhe ndryshojnë nga gurët e tjerë në renditjen në vazhdim të murit. Ato janë kufizimet e murit, janë qoshetë, gurë që e hijeshojnë shtëpinë. Prandaj kur ju cilësojnë si “Guri i qoshesë“ dijeni se keni marrë një konsideratë të veçantë, një vlerësim që çmohet më shumë se gurët e perlave.

Guri i varrit: Më mirë se të gjithë në rëndësinë dhe vlerën e gurit të varrit e dinë arkeologët që gërmojnë në rrënojat e qytetërimeve të lashta dhe zbulojnë dukuri të jashtëzakonshme që njerëzimi nuk i ka ditur deri në atë kohë. Nga mbishkrimi mbi gurin e një varri mund të zbulohet vendbanimi dhe ekzistenca e një kombi, etnia, qyteti, ngjarja, historia, epoka, luftra, tërmete dhe pëmbysja natyrore.

Përveç vlerave historike një gur varri ka vlera të larta njerëzore. Mbishkrimi mbi gurin e varrit identifikon njeriun që është aty dhe është vend i shenjtë ku familjarët dhe të afërmit bëjnë homazhe duke i kujtuar në vite. Sa e dhimbshme është kur një njeri nuk ka një varr dhe gurin e tij për ta identifikuar! Historia njerëzore ka shumë shembuj kur mungojnë gurët e varrit për të gjithë ata që vriten në luftra dhe për fat të keq vendoset një gur me mbishkrimin “Ushtar i panjohur”.

Le të kujojmë këtu ata qindra kosovarë që u vranë gjatë luftës dhe genocidit serb në vitin 1999 duke u varrosur në varre të përbashkëta që janë zhdukur e nuk gjenden. Sa shumë vlerë do të kishte një gur varri për secilin nga ata që familjarët të shkonin e të vendosnin një tufë me lule. Ja pra për këtë dukuri historike dhe njerëzore “gurët e varrit” kanë vlera të jashtëzakomshme më shumë se gurët e perlave që vendosen në gjerdanet, zinxhirët e rrethin e unazës.

Guri i fundit: Në lojën e dominosë lojtari që ngelet me një gur në dorë pra me gurin e fundit bën domino dhe fiton lojën. Fjala guri i fundit në marrëdhëniet njerëzore përdoret në mënyra të ndryshme. Në debatin midis dy njerëzve që mund të agravojnë deri në fyerje, sharje e ofendime shpesh për atë që i ka përdorur më shumë këto fyerje përdoret shprehja: “I hoqi gurin e fundit” pra nuk la gjë pa i thënë tjetrit.

Shprehja “Guri i fundit” përdoret edhe mbi marrëdhëniet midis dy personave me pozicione pune si midis eprorit dhe vartësit, ku ai me pozitë i drejtohet vartësit me kapadiallëk se, unë jam i fortë, jam mur që nuk ke ç’të më bësh. Ndërkohë tjetri me mençurinë popullore i përgjigjet: Vërtet ti je mur i fortë por unë të heq gurin e fundit dhe muri shkërmoqet dhe bie përdhe.

Pra “guri i fundit” në këtë rast merr vlera dhe rendësi, parësore ç’ka i kujton atij kapadaiu se po të hoqën gurin e fundit, sado i fortë që të jesh rrëzohesh përdhe.

Për këta gurë të veçantë të rendësishëm e të çmuar mendoja një natë vonë në këtë fund gushti të nxehtë të kësaj  pandemie të stërgjatur.