Naxhi Kasoruho:  Gjirokastra- qyteti befasues i bashkëjetesës fetare

372
Sigal

“Kroi i Premtos” e “Hani i Stavros” emrat popullorë tek Gjirokastra e mençur, e bukur dhe e dashur.

 – Impresione në ditët e pandemisë –

 “Gjirokastra,- thotë Kadareja – duket sikur ka dalë në anë të rrugës një natë dimri si qënie prehistorike. Ishte me të vërtetë një qytet i çuditshëm” . Kështu i çuditshëm, i veçantë, befasues, unikal e i papërsëritshëm, duket ky qytet, që vjen nga largësia e shekujve deri në ditët tona i trashëguar nga prindërit dhe prindërit e prindërve tanë si vlerë dhe kontribut i çmuar në trashëgiminë tonë kombëtare. Një nga vlerat e kësaj trashëgimie në qytetërimin gjirokastrit është edhe bashkëjetesa fetare: kjo dukuri ku njerëz me besime të ndryshme jetojnë në harmoni,  respekt e dashuri me njeri- tjetrin.

Sa herë që bie fjala për bashkëjetesën fetare më kujtohet ajo ngjarje historike kur tre klerikët e lartë përfaqësues të fesë myslimane, ortodokse dhe bektashiane ecin me krenari në krah të njeri- tjetrit tek Harku i Triumfit, tek bulevardi “  Shën Elizë“ të Partisit duke shprehur në formën më të lartë respektin dhe vëllazërinë midis besimeve të ndryshme duke befasuar banorët e Parisit, të cilët ndaluan lëvizjen dhe duartrokitën me respektin më të thellë këta përfaqësues të komuniteteve fetare të ndryshme, dukuri kjo e paparë ndoshta qysh nga krijimi i Parisit. Duke ju referuar kësaj dukurie të bashkëjetesës fetare në qytetin e Gjirokastrës do të ndalem të përshkruaj pjesë interesante e befasuese, që e bëjnë qytetin e gurtë të veçantë, shembull pozitiv pikë referimi ku duhet ta drejtojnë vëmendjen brezat e ardhshëm për të bërë të mundur vazhdimësinë e kësaj dukurie në shekuj. Në fillim të shekullit të kaluar Gjirokastra përbëhej nga 7 lagje tradicionale si: Palorto, Dunavat, Manalat, Cfakë, Pazari i Vjetër, Hazmurat e Varosh që banohen nga qytetarë autoktonë në përbërje të fiseve të mëdha, që vinë deri në ditët tona si vazhdimësi e brezave. Pesë nga këto lagje banohen nga qytetarë që i përkasin besimit mysliman ndërsa 2 lagje: Varosh dhe Pazari i Vjetër me banorë të besimit ortodoks. Duke qënë se Gjirokastra në rreth 70% të saj banohet nga popullsi e besimit mysliman asnjëherë nuk është munduar ta predikoj këtë epërsi në dëm të pjesës tjetër ortodokse, përkundrazi ka jetuar në harmoni e barazi sociale duke manifestuar një integritet të lartë qytetar. Tek Mezi i Pazarit disa metra sipër ka qënë një furrë buke dhe një çezmë që ne i thoshnim: Kroi i Premtos dhe 60 metra poshtë kalldrëmit të Hazmuratit ka qënë një han ku kalonin natën udhëtarët që vinin në qytet dhe që e quanin “Hani i Stavros” me emrin e të zotit që ishte nga Pogoni, krahinë e minoritetit grek në Shqipëri. Ja pra: në qendër të qytetit dy ambiente e pronarë të besimit ortodoks dhe asnjëherë besimtarë të tjerë nuk ju kish shkuar në mendje të hiqnin ato e të mos përmendej as “Kroi i Premtos” e “Hani i Stavros”, por i përmendin qindra herë në ditë pa u shqetësuar fare. Kjo është Gjirokastra e mençur, e bukur dhe e dashur.

Në historinë e qytetit të gurtë nuk ka asnjë rast të vetëm që të tregojë ndonjë ngjarje sado të vogël ku të grinden e konfondohen banorët e lagjeve me përkatësi fetare të ndryshme. Gjirokastra është qyteti shembull i bashkëjetesës fetare mirëkuptimit, respektit, dashurisë midis banorëve si shprehja më e lartë e një qytetërimi të lashtë. Madje edhe në vitin e mbrapshtë 1967 ku të gjithë ju vërsulën me egërsinë më të madhe shkatërrimit të qendrave të kultit si: xhami, kisha, teqe e vakëfe në Gjirokastër nuk u thye asnjë xham apo të hiqej një gur, por ato u kthyen në depo, hambare e magazina periudhë që vazhdoi deri në fillimin e vitit 1991 kur u përmbys sistemi komunist dhe nisi një epokë e re e shoqërisë së lirë demokratike. Para vitit 1967 kur feja ishte e krijuar dhe besimtarët shkonin për të kryer ritualet e tyre në kisha, xhami e teqe këto qendra respektoheshin nga gjithë banorët e qytetit. Objektet e kultit të shpërndara në gjithë lagjet e qytetit e tregojnë më së miri bashkëjetesën midis banorëve me përkatësi fetare të ndryshme. Po përmend këtu disa nga këto objekte si: xhamia kryesore tek Mesi i Pazarit, Mitropolia në qendër të lagjes Pazari Vjetër, Teqeja e Zallit në pjesën jugore të qytetit, xhamia në Palorto pranë gjimnazit  “Asim Zeneli”. Xhami të tjera në lagjen Mecite e Dunavat, kisha në fund të lagjes Palorto, vakëfi i Baba Arshiut në Cfakë etj, që tregojnë respekt ndaj fesë dhe njeri –tjetrit duke jetuar në harmoni, dashuri e mirëkuptim.  Gjirokastritët i përshëndesin me respekt të veçantë klerikët e qytetit. Sa herë që hynte e dilte nga xhamia tek “Mesi i  Pazarit” imam Mamani qytetarët e përcillnin me temena e respekt këtë klerik fisnik. që edhe imami i përshëndeste me dashuri e mirësjellje. Kur Papa Foti Prifti i kishës së Varoshit ngjitej përpjetë kalldrëmit të lagjes drejt Mesit të Pazarit, qytetarët anës rrugës ndalonin dhe e përshëndesnin me respekt uratën.

Ne të vegjëlit ndalonim, hiqnim duart nga xhepat dhe e përshëndesnim uratën me respekt dhe Papa Foti me atë qëndrim të thjeshtë deri në madhështi na afrohej, na vinte dorën mbi kokë sikur na kungonte dhe me bastunin në dorë ecte ngadalë në kalldrëmin e pjerrët të qendrës së qytetit. Kur isha i vogël po luaja me shokët tek sheshi i Mejdanit të lagjes Cfakë sa shikonim që po vinte baba Ibrahimi i Teqesë së Zallit ne e linim lojën dhe afroheshim tek babai, i cili na përkëdhelte në kokë dhe na jepte nga një karamele duke na uruar që të bëheshim fëmijë të mbarë.

Jo vetëm klerikët e lartë përfaqësuesit e feve të ndryshme, por në Gjirokastër nderoheshin e respektoheshin të gjithë njerëzit me kontribute e vlera në qytetërimin e këtij qyteti e më gjërë. Po sjell këtu si shëmbull respektin e veçantë që gjirokastritët shprehin për Basho Thoma Papapanon, “Mësuesin e Popullit”, patriotin dhe njeriun e mirë simbol në arsimin gjirokastrit dhe atë kombëtar kur e takonim kur ecte në sokakun e Hazmuratit tek Mesi i Pazarit për në gjimnazin “Asim Zeneli” ku e prisnin me respekt e dashuri nxënësit e shumtë për t’u shpjeguar bukurinë e gjuhës shqipe që mësuesi e donte aq shumë dhe e  promovonte me shumë dashuri dhe përgjegjësi intelektuale.

Një vlerësim të veçantë gjirokastritët shprehnin edhe për Dr. Vasil Labovitin apo Dr. Vasilin e madh siç i flisnin të gjithë. Me pamjen e një veshje alpine të Austrisë ku kishte mbaruar studimet për mjekësi, me një pallto treçerekshe poshtë gjurit, me pantallona të kthyera mbi çizmet me kasketën e gjerë karakteristike doktor Vasili ngjiste kalldrëmin e lagjes Varosh për te Mesi i Pazarit ku e përshëndesnin me shumë respekt të gjithë dhe ai ua kthente me të njëjtin respekt sipas stilit të tij.

Në mesin e viteve 60-të ishte bërë një dokumentar për punën e doktor Vasil Labovitit ku tregohej se deri në ato kohë kishte kryer 40.000 operacione shifër kjo e jashtëzakonshme që tregonte punën pasionante titanike të këtij doktori të mrekullueshëm në shërbim të gjithë njerëzve jo vetëm të Gjirokastrës, por gjithë krahinat përreth dhe gjithë qarkun, prandaj njerëzit e donin dhe shprehnin respekt të veçantë për mjekun e mrekullueshëm me integritet të lartë qytetar.

Një tjetër gjirokastrit fisnik inxhinier i fisit të mirënjohur të Babametove fisniku Iliaz Babameto ka merituar gjithmonë respektin e veçantë të bashkëqytetarëve të tij që e përshëndesnin sa herë që e takonin në Pazar e kudo tjetër. Inxhinier Iljazi ishte një intelektual me kulturë të gjërë, i dashur me të gjithë, një njohës dhe trashëgues i denjë i qytetërimit gjirokastrit. Unë kam patur fatin ta njoh nga afër ing. Iliazin dhe për afërsinë familjare disi të largët që kam pasur fatin të jem ulur në  minderet e Odasë së Madhe të shtëpisë së tij dhe të ndiej mikpritjen, mirësinë, kulturën dhe integritetin e lartë intelektual e qytetar që  mbart ky gjirokastrit.

Në murin e Odasë së Madhe është varur një kornizë e madhe ku është vendosur një fotografi e ing. Iljaz Babametos dalë me kostumin popullor tradicional të  Gjirokastrës ditën e diplomimit të tij. Kur e kam mësuar këtë fakt atëhere jam befasuar që një student në ditën e diplomimit vishet me kostumin popullor tradicional e jo me frak apo papion duke sfiduar traditën e ceremonisë!

E jashtëzakonshme! Çfarë duhet më tepër për ta dashur e shprehur mirënjohjen ing. Iljaz Babametos.

Kur flasim për bashkëjetesën fetare kujtimet më çojnë në fëmijërinë time të hershme kur në ditët e festave fetare nënat tona të mira në Barjam e Sulltan Novruz na jepnin ne fëmijëve, që i përkisnim të dy feve myslimane dhe ortodokse pemë e ëmbëlsira dhe vezë të kuqe na jepnin në ditët e pashkëve. Në atë kohë nuk e kuptoja nëse fetë ishin një apo tre se ne i festonim të gjitha njësoj dhe të gjithë sëbashku.  Më vonë kur u rrita e kuptova se sa vlerë kishte ajo bashkëjetesë fetare ky mirëkuptim, dashuri e respekt i ndërsjelltë që e vendos Gjirokastrën në qytet të veçantë si vlerë në trashëgiminë tonë kombëtare.

Këto po mendoja një mbrëmje të këtij fillim dhjetori në vitin e dytë të kësaj pandemie shqetësuese dhe të stërgjatur duke menduar të kaluarën, që sipas përcaktimit të Albert Kamysë tek libri “Murtaja” thotë: “Në karantinë njerëzit nuk jetojnë të tashmen e aq më pak të ardhmen. Ata jetojnë të kaluarën”.

Po i mbyll këto impresione me disa nga  fjalët e këngës së Petrit Lulos, “Mjeshtër i Madh” ku thotë:

“Nuk ka Shqipëria,/ As bota e tërë./ O pikë e floririt/, Mbi malin e Gjërë./ Bashkë me zërin tim,/Mblidhen mijëra zëra/, Po the Gjirokastra,/ I ke thënë të tëra.”

Ne e duam Gjirokastrën dhe Gjirokastra i do të gjithë .